Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Epilogu
E shtune, 16-06-2007, 02:05pm (GMT)

Babai e kishte tejet të vështirë të pajtohej me humbjen që kishte pësuar.
      Nëna dhe ne, fëmijët, ishim të tronditur edhe që babai e kishte humbur qetësinë. Vetëkuptohet që ne kurrë nuk do të mund të ngushëlloheshim për shkak të humbjes së dhive tona. Fëmijëria jonë do të vazhdonte, por me plagë të thella në shpirtërat, që nuk do të shëroheshin kurrë.
      Kur babai iu kthye sërish librave, nëna më në fund u ndje e lehtësuar. Ajo besonte që edhe familja do t‘i fillonte ditët e saj të qeta si një herë e një kohë. Babai vazhdoi të kërkonte nëpër vepra dhe dorëshkrime për ta plotësuar hartimin e hisotrisë së perandorive ballkanike, të para nën këndvështrimin e rënies së tyre. Ai i ndryshonte vazhdimisht titujt e librit që do të ishte fryt i përpjekjeve të tij. E dinte që nuk do ta përfundonte kurrë, por vetëm kështu ai arrinte t‘i ruante iluzionet e pashtershme ballkanike. Tani, si të donte t‘i linte me një anë veprat të cilat i shfrytëzonte, ai përpiqej të shkruante dëshmi të gjalla lidhur me rënien e paralajmëruar të perandorisë staliniste. Pas qërimit të egër të hesapeve me dhitë e barinjtë, që s‘ishte shkruar të bëheshin klasë punëtore, pas kolektivizimit dhe pasojave të tij tragjike, pas luftës kundër fesë dhe ndërtimit të muzeve të ateizmit nëpër tërë perandorinë, babai ishte i bindur për shembjen e shpejtë të stalinizmit…
      Qyteti qe qetësuar pas tronditjes së kohës së dhive. S‘guxonte njeri as t‘i zinte me gojë e jo më t‘i mbante ato. Masat që ishin dekretuar ishin të ashpra dhe bënin punën e vet.
      Kur i linte librat, babai dilte në shetitjen e tij të zakonshme. Ai zbriste drejt kejit, pastaj kthente përgjatë lumit, e kapërcente Urën e Drunjtë, i hidhte një sy në të djathtë ndërtesës së teatrit, kariatidet e së cilës i bënin roje një rendi të çuditshëm që kishte perënduar. Pastaj kalonte nëpër Lagjen e Çifutëve dhe merrte rrugën që shpinte deri rrëzë pjesës perëndimore të Kështjellës. Ndalonte para hyrjes së saj dhe, përmes vrimave të portës metalike, hidhte vështrimin në sytë e errësirës, në sytë e mijëra dhive. Rruga e shpinte pastaj në kullën e ujit mbi lumë. Dikur ai kishte zbuluar atje një cisternë të braktisur, të thellë, të errët, të pafund. Ai i afrohej asaj. Nganjëherë, kur ishte i sfilitur nga një natë që ia kishte kushtuar plotësisht leximit, ai dëgjonte një gurgullimë të mbytur dhe të ndërprerë që ngrihej nga thellësitë e kësaj cisterne. Babai nuk mund ta përcaktonte me saktësi a kishte të bënte me një të qeshur groteske të Çangës drejtuar atyre që e ndiqnin dhe ua kishte hedhur, si edhe gjithë epokës staliniste, apo me njëfarë përshëndetjeje që ai ia drejtonte atij, mikut të vet. Babai entuziazmohej nga mendimi që gurgullima që dilte nga cisterna tregonte rrjedhën e ujit deri te strehimet te shpellat. Ishte një gjë pothuajse e paimagjinueshme, e denjë për vepra fantastiko-shkencore, por, pas zhdukjes së Çangës e të dhive në thellësi të Kështjellës, babait i duhej që, në një mënyrë apo tjetrën, të gjente një strehim ku t‘i fshihte mendimet e veta plot shqetësim.
      Pasi e dëgjonte për një kohë të gjatë këtë gurgullimë që dilte nga cisterna, këtë gjuhë të pakuptueshme të rropullive të tokës, ai kthehej me nxitim nëpër të njëjtën rrugë. Shkonte drejt e të librat e tij, fillonte t‘i shfletonte, të kërkonte, të gërmonte herë në fletët e tyre, herë në kujtesën e tij.
      Mendimet e tij përfundonin tek liqeni i madh, në brigjet e të cilit kishte rrjedhur fëmijëria dhe rinia e tij e ku shpresonte të kthehej në pleqëri. Shpresë mashtruese ballkanike! Edhe atje, në ditët e rinisë së tij, ishte munduar ta kuptonte se mos ujërat e liqenit dhe të lumit përziheshin nën luginat e ndara nga masivi malor, se mos i lidhnin tunele të shumta të nëndheshme, siç thuhej nëpër disa legjenda e siç supozonin disa shkrime të ndryshme shkencore. Por ai s‘kishte marrë përgjigje as atëherë buzë liqenit, as tani pra kësaj cisterne buzë lumit, nga thellësitë e së cilës dëgjonte thirrjet e Çangës e vërritjen e dhive.
      Megjithëse, me kalimin e kohës, babai filloi të mos shkonte më te cisterna, dielli i Çangës vazhdoi të lindte dhe të perëndonte në kujtesën e tij.
      Pas shumë muajsh, babai arriti ta largonte nga mendja e tij edhe supozimin e fundit se Çanga, me dhitë e tij, mund të kishte zbuluar një rrugë nëntokësore që shpinte nga fortesa në cisternë. Madje arriti të mos mendonte më fare për këtë cisternë, varrezë e harruar e paqëndrueshmërisë së gjërave.
      Pikërisht këtu mori fund për babanë misteri për Çangën e dhitë e tij. Për nënën, ky epilog shënoi kthimin e gëzuar të babait nga bota e librave në atë të jetës, e për ne, fëmijët, fundin e epokës më të bukur në botë, atë të kohës së dhive. 



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.