Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Kreu XXII
E shtune, 16-06-2007, 02:07pm (GMT)

Kishin kaluar tri ditë nga zhdukja e Çangës.
      Babai besonte se Dhiari së bashku me dhitë ndodhej brenda kështjellës dhe se tani ai dhe ato ishin në kufirin midis jetës e vdekjes.
      Nëna nuk e kishte parë kurrë babanë të çapitej aq shpejtë nga njëri cep i dhomës së tij të punës te tjetri, nëpër çardakun e lartë, nëpër oborr. Për orë të tëra nuk arrinte të qetësohej. Diçka vlonte në trurin e tij.
      Nëna s’kishte qenë kurrë më e shqetësuar. Edhe ne fëmijët, pa dhitë tona, pa lojërat tona që tanimë e kishin humbur kuptimin, ndiqnim të pafuqishëm ecejaket e babait përanë nesh. E ai thuajse nuk na shihte. Sigurisht ishte më i shqetësuari nga të gjithë, sepse, me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë që kishte, e ndiente se s‘kishte mundësi ta ndihmonte mikun më të ngushtë të jetës së tij kur ky po përballej me sprovën më të vështirë. Familja e kishte humbur qetësinë e dikurshme, sigurinë e babait.
      As gjatë bombardimeve, atje në brigjet e liqenit, që e shtrëngonin babanë të nisej në ndonjërin prej atyre udhëtimeve të fshehta, nga të cilat kthehej vetëm kur vërtetohej se ishte vendosur njëri apo tjetri pushtues, nëna dhe vëllezërit e mi më të mëdhenj nuk e kishin parë kurrë më të shqetësuar, më të tronditur.
      Kur nuk mbeti asnjë qoshe e shtëpisë që nuk e kishte shkelur këmba e tij, babai, i bindur plotësisht se Çanga fshihej bashkë me dhitë në thellësitë
       e kështjellës, na mblodhi ne, të gjithë fëmijët e tij, për të na besuar të fshehtën e madhe të tij.
       U gjetëm sërish të tërë nën hijen e prindërve. Kjo familje, pothuajse e sfilitur nga mërgimet e papritura, duke lënë pas vetes të afërmit e saj, shtëpinë dhe fushat, qe thënë nga fati të mësohej pa pushim me njerëz deri atëherë të panjohur, dhe me zakone që ishin krejtësisht të reja për të.
      Babai ishte zhytur në mendime si të kujtonte kthimet nga udhëtimet e tij të gjata nëpër Ballkan, të ndërmarra me qëllim që të sillte shpresën për një jetë më të mirë. Vetëm atëhere u jepte fund ecejakeve të tij, i vetmuar dhe në mendime, në brigjet e liqenit, përgjatë të cilave sodiste lojën e sajnave dhe e krahasonte jetën me fatin e këtyre valëve që duhej të rimerrnin pa pushim rrugën drejt bregut.
      Tash, duke u ndodhur përanë këtij lumi që rridhte, pa dyshim, drejt një caku të përcaktuar e që i kujtonte se edhe jeta po ashtu mund të kishte një fund, por aty, në këmbët e Kështjellës, që ngrihej lartë e të kujtonte se shpresa vazhdonte të ekzistonte, babai, duke kryqëzuar gishtërinjtë, siç e kishte zakon çdo herë ku kishte diçka të rëndësishme për të na thënë, ia nisi shtruar:
      - Fëmijët e mi të dashur, kaluan tri ditë pa Çangën dhe pa dhitë. Sigurisht ai fshihet në brendësi të Kështjellës...
      - Bashkë me dhitë? – e ndërpremë ne në kor.
      - Bashkë me dhitë!
      Na përshkuan të dridhura. Jeta vërshoi në trupat tanë, gjaku filloi të na rridhte nëpër damarë me një ritëm të shpejtuar.
      Çanga ishte gjallë! Dhitë ishin gjallë!
      A mund të kishte gëzim më të madh atë ditë?
      Por babai na ndërpreu gëzimin kur shtoi gjithnjë shtruar:
      - Me siguri Çanga ka zgjedhur vdekjen ose, më saktë, rrugën që të çon në vdekje, me një shpresë të vogël për shpëtim, për të dalë nga Kështjella. Kam menduar, fëmijët e mi, e kam vrarë mendjen për një kohë të gjatë, duke shfletuar nëpër faqet e librave e nëpër kujtimet e bisedave me Çangën. Ne kemi folur gjatë me ditë të tëra për kështjellën, unë duke ia lexuar shumë pjesë të librave të mi, e ai duke vërtetuar historinë me çdo shteg, çdo gur në kështjellë... Në murin rrethues të saj, më saktë në pikën më të lartë të saj, pikërisht përpara kazermës, ndodhet një pus i thellë që çon në strehime. Nga ky pus ajri përshkon tërë strehimet. Nga ai merr frymë brenësia e fortesës, frymon Kështjella. Kështu të paktën del nga shumë dokumente. Sot pusi është pothuajse i mbushur. Nëse ai ende komunikon me strehimet dhe nëse nuk është zënë plotësisht, ne mund të jemi të sigurt se Çanga dhe dhitë janë ende gjallë…
      - Kjo do të thotë se ka shpresë…, - e ndërpreu vëllai i madh duke folur më shumë më vete.
      - Shpresa ekziston deri sa njeriu është gjallë, - u përgjigj babai. – kam menduar, fëmijët e mi, për mënyrën se si mund ta shpëtojmë Çangën dhe dhitë, nëse ekziston edhe mundësia më e vogël për shpëtim. Kam menduar për veprimet që mund të ndërmarrim për të hedhur në pus ushqimet e nevojshme për Çangën dhe për dhitë.
      Tani e kishim fare të qartë se çka synonte babai. Ai ishte i gatshëm të flijohej, të na flijonte të gjithëve, vetëm që ta shpëtonte Çangën e dhitë.
      Nëna e ndiqte me lemeri bisedën. Ajo e kuptonte madhështinë e flijimit të babait. Por fëmijët e saj, me të cilët kishte kaluar aq fortuna e luftëra, pra frytet e barkut të saj, që ushtria nuk kishte mundur t’ia rrëmbente, duhej tani të hidheshin në gojë të ujkut, të kësaj kështjelle të mallkuar që do t‘i kapërdinte dhitë, pikërisht siç ishte në tregimin për dhinë e zotit Sëgen. Ftuja, për fat të keq, kishte zgjedhur malin, lirinë. Natyrisht ajo kishte luftuar me guxim kundër ujkut, por vdekja, megjithatë, e kishte rrëmbyer. Pikërisht këtë lloj zgjedhjeje kishte bërë edhe Çanga bashkë me dhitë. Ishte e qartë se ai që do të guxonte ta provonte për t’i shpëtuar nga vdekja, do t‘ia shqiptonte vetes dënimin. Nëna e luti babanë që të hiqte dorë, sepse nuk mund t’i bihej murit me kokë. Por vendimi ishte marrë dhe s’mund të prapsej.
      Po atë natë, babai i shoqëruar nga dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, shkoi nëpër familjet më të afërta. Lajmi dhe plani i parashikuar për të kaluar në veprim u përhapën me shpejtësi plumbi nëpër Lagjen e Dhiarit, gjithnjë e gatshme për të sakrifikuar për shpëtimin e Çangës e dhive.
      Patrullat e ushtarëve dhe të policëve qenë rralluar, nuk ishin më si ditën e parë. Autoritetet ishin qetësuar, duke qenë të sigurt se Çanga qe zhdukur dikah. Për më tepër, udhëzimet që dilnin nga Federata kërkonin që të qetësohej situata, të mos provokoheshin masat. Edhe ushtria qe tërhequr nëpër kazerma, megjithëse një pjesë e forcave të saj ende ishte e vendosur përreth Kështjellës. Kurse ne, po atë natë, me grupe të vogla, si vjedhës, u përvodhëm deri te Kështjella pa na vënë re patrullat.
      Babai mbante një llambë dhe një hartë, të cilën e ndriçonte vazhdimisht. Arritëm te pusi. Ai ishte i mbuluar me dërrasa mjaft të trasha dhe i fshehur nga barërat. E zbuluam pa vështirësi. Para syve na doli gryka që çonte tek strehimet.
      Babai u gëzua kur pa se pusi nuk qe i mbushur e se ajri depërtonte me siguri deri te strehimet, prandaj nuk kishte rrezik që Çanga dhe dhitë të vdsinin nga asfiksisia. Me llambën e tij, babai këqyri thellësinë e pusit. Drita nuk mund të arrinte larg dhe ai dukej i pafund. U ndriçuan faqet e mureve me gurë të rrumbullakët të cilët i kishte mbuluar rrjeta e marimangave. Gjatë tërë natës, ne dhe grupet e tjera, të organizuar mirë, hodhëm degëza me gjethe për dhitë, si edhe ushqime për Çangën. Grupet ndërronin njëri- tjetrin, sillnin gjethnaja nga të gjitha anët, ndërkohë që krejt qyteti kishte rënë në gjumë të thellë.
      Nuk pati ndonjë përgjigje, por nuk mund të pritej që ajo të vinte menjëherë.
      Në agimin e ditës së dytë, njëri nga barinjtë e vegjël, duke zbritur nga fortesa nëpër një shteg më të largët, vuri re se një lëng i bardhë po dilte nga një burim i vogël, që parë kishte qenë i shterur. Pasi u sigurua se ishte qumësht, ai i çoi aty djemtë e tjerë dhe u tha:
      - Po rrjedh qumësht dhish nga kodra.
      Lajmi u përhap shpejt nëpër Lagjen e Dhiarit.
      Çanga ishte gjallë! Dhitë ishin ende gjallë!
      Pa kaluar tri ditë pas zhdukjes së tyre, pasojat e mungesës së qumshtit të dhive dukeshin qartë: faqet e fëmijëve tashmë e kishin humbur ngjyrën, sepse qumështi i dhive ishte ushqimi kryesor, nëse jo i vetmi, i shumë familjeve në Lagjen e Dhiarit, si edhe në pjesën tjetër të qytetit dhe po ashtu gjithkund në këtë republikë jugore, pasive dhe të varfër, që duhej sa hap e mbyll sytë, si me komandë, të arrinte një zhvillim industrial të shpejtë. Si nuk e kuptonin dot këta dhiarë të mallkuar? Dhe nuk e shihnin se udhëzimet nga lart sikur kërkonin të bëheshin lëshime? Në radio kishin pushuar akuzat kundër dhive, që shoqëroheshin me këngë revolucionare.
      Qyteti pa Çangën ishte kthyer në një tjetër qytet.
      Dhe ja, tani, kishte filluar papritmas të rridhte qumështi! Për njerëzit e Lagjes së Dhiarit!
      Edhe kur mund t‘i vinte vdekja, Çanga, Çanga i madh mendonte për ne, për miqtë e tij të lagjes, për fëmijët, për nënat, për pleqtë! Njerëzit u organizuan me të shpejtë për të mbledhur qumështin që buronte nga toka. Disa, sapo mbërrinte nata, çonin ushqime, të tjerët, në të gëdhirë merrnin me vete qumështin.
      Njerëzit pyesnin se si mund të gufonte qumështi nga fortesa. A ishte Çanga ai që arrinte të milte i vetëm qindra dhi, apo vetë dhitë e zbraznin qumshtin e tyre në rrëke? E çfarë të fshehtash të tjera nuk kishte brenda Kështjellës!
      Në qytet besonin se kjo mrekulli do të sillte të tjetra. Po kthehej shpresa. Çanga duhej të fitonte. Edhe një, dy, tri ditë dhe… një urdhër nga Federata do të mbërrinte. Do të tregoheshin të mëshirshëm edhe ata kur vetë Zotit i vinte keq për fatin e njerëzve të varfër të Lagjes së Dhiarit. Nuk ishte më as Stalini. Pasi na ishte hequr qafe, ne ishim bërë zotër të vetvetes, apo jo, dhe ata nga lart, pra, mund të merrnin një vendim të thjeshtë. Nëse njerëzit e Federatës ishin në dijeni të gjërave, nëse e vërteta lidhur me dhitë arrinte deri tek Udhëheqësi suprem, ishte e qartë se ata do të lëshonin pe, pas aq shumë lutjesh, të fshehta apo publike, që u kishin drejtuar nënat. Tani, shpresa po kthehej me siguri në Lagjen e Dhiarit.
      Por babai, që e njihte shumë mirë natyrën e stalinizmit, nuk mund të tregohej optimnist për fatin e Çangës dhe të dhive. Edhe pas fundit të periudhës staliniste, gjërat ndryshonin me vështirësi, megjithëse vazhdimisht thuhej se gjithçka që bëhej, bëhej në emër të përparimit, të ndryshimit dhe të lumturisë së njeriut.
      A s‘ishte arritur deri aty sa të lindte parulla e përjetshme, sipas së cilës njeriu ishte pasuria më e madhe e socializmit? Po, por nuk lejohej kurrsesi të bëhej ndonjë hap prapa! Megjithëse ishin bërë gabime në vendet e bllokut socialist, nuk kishte korrigjime, vështrime prapa, hapa në drejtim të kundërt. Gabimet nuk pranoheshin kurrë. Sa u përket shteteve socialiste, ku stalinizmi ishte ruajtur edhe pas zhdukjes së Stalinit, kjo doktrinë kishte vazhduar, por nën një formë të bastarduar dhe si të pllenuar me fantazmat lokale. Në një mënyrë absurde, ishin ngritur kufij-mure, e më të lartit në brendësi të Ballkanit, ishin ndërtuar bunkerë të rinj prej betoni, të vendosur nëpër tempuj të vjetër të fesë, dhe e gjithë kjo në emër të lumturisë së njeriut! Gjithçka kalonte si të ekzistonte një qendër e madhe e ngarkuar për të planifikuar lumturinë e secilit dhe të të gjithëve. Dhe, në këtë qendër, nuk gabohej kurrë!
      Babai e dinte mirë se në socializëm nuk kishte „kthim prapa“! Dhe kjo e trembte më shumë kur mendonte për fatin e dhive dhe të Çangës. Ata ishin flijuar. Dhi e cjepë të flijuar, fëmijëri të flijuara, Çanga i flijuar! Tani që ishte e sigurt se Çanga e dhitë ishin ende gjallë, tani që kishin ngritur një urë ndërmjet vdekjes që kishte zgjedhur Çanga dhe jetës ende të mundshme, tani që shpresa ishte kthyer tek të gjithë ata që vuanin, babai ndjehej edhe më i molisur, më i kapitur, se nuk mund të ndërmerrte hapin shpëtimtar. Por, një veprim i tillë nuk ekzistonte. Kudo që ta çonin këmbët, cilindo qoftë autoritet që ai mund ta bindte, - e, për më tepër, nuk do të pranohej nga partia, - nuk do të vononte të bëhej një figurë e dyshimtë. Do ta vënin nën mbikëqyrje, do të ringjallnin nga e kaluara plagët që sapo ishin dregëzuar. Tekembrama, cili ishte ai? Një njeri i ardhur rishtas nga një vend i huaj, armiqësor, e jo vetëm kaq, po edhe emigrant! E a mos ishte ai, një emigrant, që duhej të na thoshte se çfarë ishte më mirë të bënim?
      Nëna përpiqej më kot ta bindte të hiqte dorë edhe nga dhitë edhe nga Çanga, që të mos fundoseshim të gjithë në humnerë. Të flijuarit le të mbeteshin të flijuar. E ç`mund të bëhej në fund të fundit? Babai qëndronte i ngujuar në kështjellën e mendimeve të veta, pranë librave të heshtur, edhe ata të pazotë të jepnin tani qoftë edhe më të thjeshtën pëgjigje, sikur të ishin zbrazur nga kuptimet. Kishte ndodhur nganjëherë që këta libra i kishin dhënë pështypjen se hapeshin vetë në faqen e përshtatshme kur jeta bëhej shumë e rëndë për të, por kur, megjithatë, ekzistonte ndonjë shtegdalje. Por, tani...
      Nuk kishte kaluar as gjysmë ore që kur ai i kishte dërguar të dy vëllezërit e mi më të mëdhenj në fortesë – ishte radha e tyre të çonin ushqime – kur u dëgjua, tri herë, goditja e çokut metalik në formë dore mbi kokën metalike në portën e jashtme. Kush mund të ishte, vallë? Vëllezërit sapo kishin dalë dhe nuk mund të ktheheshin para tri orëve. Zemrat na rrahën si sahati. Por ishte e qartë: qenë dëgjuar qartë tri goditje. Me siguri qe ishte shenja e vëllezërve. Ne kërcyem në këmbë. Nëna u gjet e para te dera. U qetësua kur pa të dy djemtë e saj, sepse ajo që ata do të tregonin nuk i dukej më e rëndësishme asaj. I përfshirë nga nervozizmi, babai priste me padurim shpjegimin:
      - Kështjellën e ka rrethuar nga të gjitha anët ushtria e policia. Ata kanë vënë roje që nga Ura e Drurit. Askush nuk mund t’i afrohet fortesës nga cilado anë qoftë! – ia priti vëllai më i madh.
      Babai po kullonte djersë. Nëna ishte më e qetë: ne ishim në numër që duhej të ishim. Për të tjerat...
     
      * * *
     
      Frika pllakosi përsëri në shtëpinë tonë dhe në tërë Lgjen e Dhiarit kur, pas asaj pak shprese, filluam të mendojmë se Çanga na kishte braktisur. Nëse dikush kishte spiunuar, me siguri nuk do të vonononin të trokisnin në portën tonë, si edhe të të gjitha shtëpive të tjera të lagjes. Tani çdo shtëpi, si Kështjella, u kthye në fortesë frike. Valë të reja shqetësimi filluan të luanin pa u ndier nëpër rrudhat e ballit të nënës. Kur hynim në shtëpi, droja shfaqej e pastaj zhdukej në fytyrën e saj. Ne nuk mbyllnim sy gjatë tërë natës. Prisnim që të vinin ta merrnin babanë e vëllezërit më të mëdhenj. Por nuk u duk askush.
      Atë mëngjes, si zakonisht, nëna qe e para që e hapi derën e jashtme. Dielli e kapërceu pragun. Rruga ishte e qetë, e shkretë. Ajo e kaloi dhe u ndodh në skelë, para murit mbajtës që zgjatej rrjedhës së ujit, nën hijen e plepave viganë. Nga ana tjetër e lumit, mbi shpatet e kodrës ku ngrihej Kështjella, ushtarët, të armatosur me pushkë, qëndronin të rreshtuar, por në largësi nga njëri- tjetri. Fortesa ishte rrethuar, por nuk viheshin re lëvizjet e njësive ushtarake.
      Nëna mësoi nga dhiarët e parë që takoi se askush prej tyre nuk ishte pyetur dhe se nuk kishte pasur asnjë bastisje nëpër shtëpitë. Atë natë kishte ndodhur një mrekulli në kështjellë. Askush nuk mund të thoshte se ç‘ mrekulli ishte ajo, por babai arriti deri në drekë të rindërtonte tërë mozaikun e ngjarjeve të natës.
      Mundësia që dikush të kishte spiunuar, u hodh poshtë. Një vëllazërim i plotë mbretëronte mes dhiarëve. Kurrë nuk ishte parë që, brenda një kohe aq të shkurtër, të fshiheshin aq shpejtë dhe të shndërroheshin në besim të përbashkët dallimet që ekzistonin mes gjithë këtyre njerëzve. Jo, nuk kishte asnjë hafije në mesin e dhiarëve. Babai e kishte marrë me mend më parë – por tani ai kishte shenja konkrete – se brenda dispozitivit bashkiak të luftës kundër dhive kishte qenë edhe hipoteza sipas së cilës Çanga mund të fshihej brenda Kështjellës. Po ky variant nuk kishte qenë objekt i një shqyrtimi më të thellë, meqenëse kishte hipoteza të tjera më të besueshme, e më në fund ishte vendosur që për çdo rast e më shumë nga rutina të bëhej një kontroll në strehimet e ndërtuara nën Kështjellë. E çka kishin zbuluar? Që të gjitha hyrjet ishin muruar e para çdo dere ngrihej nga një pirg kakërdhish. Prej tyre kutërbonte një erë e rëndë. Qendra u përfshi nga një shqetësim i vërtetë.
      Gjatë natës, çështja e dhive u ndez dhe u bë përvluese. Telefonuan, telegrafuan nga të gjitha anët. U zgjuan drejtuesit. Megjithatë u ruajtën të mos alarmonin Federatën. Atje lart, titullarët e posteve kyçe prireshin nga qetësimi. Por kush do të qetësonte tash instancat republikane dhe veçanërisht kundërshtarët e përbetuar të dhive? Nuk vonoi dhe këta u mblodhën dhe kërkuan menjëherë që të përsosej studimi i skenarit “Kështjella”. Por kush mund ta parashikonte që Çanga do t’i muroste hyrjet e strehimeve dhe do t’i ndërpriste kështu të gjith shtigjet që çonin në brendësi të fortesës? Përdorën eksplosiv. Muri i parë u prish, por pas tij vinte një tjetër. Një shpërthim i ri, por, ja, edhe një mur i tretë dhe midis mureve grumbuj kakërdhish. Ja se çfarë pritjeje u kishte rezervuar Çanga ndjekësve të tij.
      I rrëzuan të gjitha muret dhe u gjetën në një labirint kakërdhish. Nuk po arrinin më të vendosnin një lidhje logjike me atë që shihnin: porta të mbyllura, të murosura dhe degëza të mbledhura rishtas! Askujt nuk po i shkonte mendja tek pusi që buronte nga maja e fortesës. Pishtarët digjeshin, të ndihmuar nga rryma e ajrit që qarkullonte ndëmjet portave të hapura dhe pusit. Vazhduan kërkimet për Çangën dhe dhitë. I thirrën të dorëzohej, por Çanga e dhitë ishin zhdukur pa nam e nishan.
      Pas pak kohësh, ndjekësit u gjetën para një kazani gjigant të lidhur me dy gypa që dilnin në shpat të kodrës. Ja, pra, ku buronin rrëketë e qumështit që tani kishin shteruar. Ushtarët e policët, bashkë me përfaqësuesit e pushtetit e të partisë, pikërisht ata që ishin ngarkuar me çështjen e dhive, kërkuan me kot, gjatë tërë natës, të ikurit. Ata ishin lidhur me radio me drejtuesit e Republikës, të vendosur në shpatet e kodrës përballë e më të lartë. Në të aguar, u dha udhëzimi që të ndërpriteshin kërkimet në strehime.
      U vunë në dijeni personat e shërbimit të pandërprerë në seli të Federatës. Atje, gjërat nuk nxitën asnjë reagim të autoriteteve kompetente, të cilët nuk e panë të arsyeshme të zgjonin udhëheqësin për një rrëmujë të tillë lokale. Fundi i fundit, ky nuk bëhej aq merak për problemin e dhive, i cili i takont më shumë ideologut kryesor të partisë dhe satrategut numër një të regjimit. Por ky personalitet mungonte. Ai ndodhej atë kohë në Republikën Veriore prej nga e kishte origjinën. S‘kishte kuptim ta shqetësoje në një orë aq të vonë.
      Kështu vazhdoi gjahu i natës në brendësi të Kështjellës. Vendosën t’i digjnin degëzat, gjethnajat dhe kakërdhitë e dhive, për t‘ua zënë, më në fund, frymën Çangës e dhive, në rast se ende ishin gjallë. Një të thënë e një të bërë. Pikërisht në atë çast vunë re se nga pusi dilte tym dhe e kuptuan se Çanga dhe kafshët kishin marrë ushqim nga dhiarët që kishin ditur të organizoheshin mirë. E kush mund t’ia dilte në krye kësaj tribuje të bashkuar dhiarësh? I kishin kontrolluar qoshet më të futura të strehimeve. Nuk kishte gjurmë Çange. Sigurisht ai ishte zhdukur bashkë me dhitë. Duhej të ishte futur thellë në të çarat e tokës, nëse nuk kishte përdorur ndonjë dredhi tjetër...
      Kur erdhi mëngjesi, drejtuesit e Republikës i raportuan për herë të fundit federatës:
      „Çanga u likuidua përfundimisht bashkë me të gjitha dhitë! Problemi i dhive u zgjidh një herë e mirë në Republikën e Jugut. Kjo është e sigurt. Këtej e tutje, pas kryerjes me sukses të kolektivizimit, mund të ecet me hapa të mëdhenj drejt industrializimit. Në fillim, sigurisht do të jetë e vështirë të riedukohen menjëherë këta dhiarë, në mendjen e të cilëve kujtimet për dhitë do të mbeten të ngulitura përgjithmonë. Është e sigurt se ata do ta kuptojnë më në fund të vërtetën për komunizmin. Nuk kanë alternativë tjetër. Nuk kanë të ardhme tjetër...“
      Më në fund në federatë mundën të merrnin frymë lirisht.
      Në Republikën Jugore, qe zgjidhur problemi strategjik më i rëndësishëm për zhvillim. Sigurisht mbetej çrrënjosja e analfabetizmit, por, sipas parashikimeve, ky nuk ishte një problem aq i madh siç ishte, për shembull, elektrifikimi.
      Po dhitë, dhitë kishin qenë pengesë e madhe në rrugën për komunizëm. Tani të gjitha udhët ishin hapur.
      Çështja e dhive ngacmoi edhe një herë shpirtërat në Repuiblikë dhe në Federatë. Nuk dinte as të gërmonte as të punonte, kjo shejtan-dhie e vazhdonte të ishte e pranishme! Megjithëse, pas hapjes së vendit dhe destalinizimit, u munduan ta nxjirrnin në plan të dytë këtë çështje dhe atë të kolektivizimit të pjesshëm apo edhe të pasuksesshëm, nuk arritën, sepse, pas prishjes së Titos me Stalinin, pas përjashtimit të Jugosllavisë nga blloku i Lindjes dhe radhitjes së saj krah Perëndimi, s‘ mundën t‘i pengonin gazetarët të vizitonin gjithnjë e më shpesh vendin për të parë se çka ndodhte pas „perdes së hekurt“, e këta biramelë të mallkuar- reporterë perëndimorë, duke futur hundët ku nuk duhej, donin t‘i rigjallëronin problemet kur ato ishin zgjidhur një herë e mirë.
      Qysh në fillim në federatë u treguan shumë të rezervuar kundrejt këtyre korrespondentëve të jashtëm, por ia vlente më në fund të lëshonin pe. Këta shpesh kishin kërkuar të vizitonin Republikën Jugore. Për herë të parë pas luftës, të dërguar specialë nga agjencitë e lajmeve, emrat e të cilëve i dëgjonim vazhdimisht në radio, u gjetën këtu. Që nga lufta, në qytet kishte edhe konsullata, të cilat, nëpërmjet kanaleve të veta, kishin përhapur të vërtetën për kohën e dhive. Çanga ishte bërë shpesh figurë heroike nëpër buletinet informative. Në të vërtetë, korrespondetët e jashtëm kishin të dhëna të hollësishme për ato që kishin ndodhur me të e me dhitë. Ata dinin t’i futnin hundët atje ku, sipas autoriteteve, nuk do të duhej. Disa erdhën deri te babai. Kur i vuri re nëna, ashtu me mjekra dhe me kamera, u tremb e nuk i lejoi të hynin në shtëpi, duke u arsyetuar se nuk ndodhej askush aty, përveç asaj. Ajo i luti të vinin më vonë, por ata kishin filluar të bisedonin me dhiarët dhe nuk u kthyen në shtëpinë tonë. Babai i hodhi një vështrim të papërcaktuar nënës kur mësoi për qëndrimin e saj, por pastaj i tha se kishte bërë mirë që kishte vepruar ashtu. Ai nuk donte që të dihej shumë për të. Të tjerët e kishin më lehtë të bënin deklarata.
       Babanë e kishte angazhuar një mik i cili përgatiste buletinet qeveritare për atë se çfarë shkruante shtypi ndërkombëtar për vendin, që të përkthente apo të ndihmonte për të përkthyer artikujt e shtypit të huaj. Me të shpejtë ai do të plotësonte ose ta mjegullonte më shumë në ndërgjegjen e vetë të vërtetën për Çangën dhe dhitë. Me padurim ai deshifronte titujt e artikujve që botonin gazetat perëndimore me tirazh të madh dhe nxirrte shënim për përmbajten e tyre. Pati rast të lexonte edhe formulime të tilla, si:
      “ Faraoni Çanga mori fund në piramidën e tij bashkë me dhitë… Çanga dhe dhitë besnike të tij të asfiksuara në strehimet ushtarake… Çanga mund të ketë zbuluar një dalje të fshehtë për t’u larguar nga fortesa… Në Ballkan, vrasjet e proceset kundër dhive kanë vazhduar si vrasjet në kohë të luftës... Nuk ka paqe në Ballkan…” 



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.