Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 08-01-2009, 01:59am (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
 » Liridon Miftari
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu XXI
E shtune, 16-06-2007, 02:08pm (GMT)

Nuk ishte shumë e vështirë të zbulohej se si babai kishte arritur te mendimi se Çanga ndodhej në kështjellë bashkë me dhitë. A nuk fshiheshin në librat e tij përgjigjet më të mprehta për çështjet kyçe të vetë jetës së tij? Ai ishte bindur përfundimisht se Dhiari ndodhej atje, kur, pas një nate të tërë pa gjumë, duke kërkuar imtësisht nëpër libra, i ishte kujtuar papritur një mendim që kishte shprehur Çanga gjatë bisedave të tyre të fundit për leximet.
      - Kafshët, - i kishte thënë atëherë Çanga, - kërkojnë gjysmëhije kur u afrohet vdekja.
      - Kurse njeriu të kundërtën, - ishte përgjigjur babai. – kur i afrohet vdekja, ai kërkon, nuk e di përse, dritë, qoftë kjo një rreze sado e vockël si të bënte çmos ta merrte këtë ndriçim në mbretërinë e hijeve, në vdekje!
      - Përse, vallë, ndodhë kështu? – kishte këmbëngulur Çanga.
      Pastaj babai kishte vazhduar me një pamje të menduar. Kishte shprehur idenë që vdekja në të vërtetë zbulon tek njeriu pafuqinë e tij. Nëse gjatë gjithë jetës do të mësohej me idenë e vdekjes, njeriu do të kërkonte më pak dritë kur t‘i vinte fundi. Me afrimin e vdekjes, ai ndjen se si i ngushtohen rrathët e ndritshëm që për të janë familja, atdheu, bota…
      - Kafshët nuk kanë atdhe; ato nuk kanë për të mbrojtur asnjë dritë! – e kishte ndërprerë Çanga duke vazhduar vërejtjet e tij.
      As babai as Çanga nuk e kishin përgjigjen përfundimtare, por, në mendjen e Çangës pa dyshim kishte zënë vend ideja se kafshëve u pëlqente të vdisnin në gjysmëhije …
      Ky tregues, pra, e kishte shpënë babanë te mendimi se Çanga kishte zgjedhur për varr strehimin e madh të kështjellës, varr që i ishte caktuar nga fati, si atij vetë ashtu edhe dhive, të gjitha dhive të qytetit, sepse dëshironte, kështu, që deri në fund e deri në vdekje, të mbetej i denjë për këtë dashuri të madhe. Në vazhdë të kësaj, babait i ishin kujtuar të gjithë librat që Çanga ia kishte marrë hua dhe që flisnin për historinë e Kështjellës. Po, Çanga vërtet ishte magjepsur nga historia pothuajse mistike e Kështjellës. Kur kalonte me kafshët e tij përanë kodrës ku ngrihej fortesa, dhitë, si të shtyra nga ndonjë instinkt i ringjallur që e kishin trashëguar sigurisht nga paraardhësit e egër, të cilët kishin sunduar si zotër të vërtetë nëpër kreshtat e maleve të thikta të Ballkanit, kishin kaptuar më se një herë me shpejtësi të madhe shpatet e bokërrimta dhe të hijezuara të kësaj majëkodre ku nuk kishte mundur të shkelte këmbë njeriu…
      Babai mendonte se ato që tregonin librat për historinë, ishin vetëm një ëndërr e njerëzimit, e gjatë, tronditëse, e pasigurt, që nuk përsëritej kurrë dhe as lidhej me ndonjë ëndërr të mëparshme. Gjithmonë krijohej një ëndërr e re, e ndryshme nga ajo që i kishte paraprirë.
      Babai e kishte provuar në lëkurën e vet sa tragjike është historia kur jeta përplaset me shpërngulje, me luftëra, me ndarje. Kur fati e solli në rrëzë të kësaj kështjelle, atëhere iu shfaq edhe ëndrra e vjetër për ta ngjallur kronikën e rënies së perandorive ballkanike. A nuk ishte kjo fortesë një gërmadhë e këtyre perandorive?…
      Me të shpejtë, babai dyfishoi, trefishoi koleksionin e librave që i kushtoheshin Kështjellës. Ai mësoi se ajo kishte qenë e banuar që prej kohëve parahistorike, që nga neoliti dhe epoka e vjetër e bronzit, katër mijëvejçarë para erës sonë, siç dëshmonin ende mbeturinat e strehimit, të fundosura në dhe, kasollet, gardhet.
      E ngrirë në vend si një fanar ndriçues në oqeanin e kohës, Kështjella kishte mbetur si shesh i armëve ku perandoritë kishin zëvendësuar njëra-tjetrën. Breza pushtuesish, të njohur e të panjohur, vinin e fortifikoheshin këtu si përgjithmonë, kthenin së prapthi blloqet ciklopike që ishin grumbulluar nga pushtuesit e mëparshëm, i vendosnin sipas rregullit të vet, futnin aty ose nxirrnin që andej blloqe të reja.
      Çfarë intepretimi t’i jepej së vërtetës njerëzore të ngurosur në atë kohë si shkëmb, së vërtetës së paqëndrueshmërisë së gjërave, pranë këtij lumi të përjetshëm që derdhej fare afër në Mesdhe? Ishte shfaqur një perandori, pastaj një e dytë, pastaj një e tretë. Secila kishte shprehur në gurë fuqinë e vet, pastaj ishte zhdukur. Kështu kishte vazhduar në rrethin e përjetshëm të ekzistencës. Çdo herë që pushtuesit e ri të qytetit mbërrinin të bëheshin kapitenë të mëdhenj, Kështjella bëhej pré e shpresave të tyre për të arritur këtu përjetësinë. Nën hijen e saj kishin qëndruar strategë perandorakë të zhytur në persiatjet e tyre, kronistë, poetë. Secili kishte shpalosur vizionin e vet përpara perandorit të lumturuar. Porosia e të gjithëve ishte e qartë: kushdo që sundonte Kështjellën, shtrëngonte frerët e pushtetit mbi shpirtin e qytetit dhe para tij hapej rruga që shpinte në luginat e Veriut dhe në ato të Jugut, drejt detit...
      Po, me vetëdije a pa vetëdije, hapat e çonin Çangën shpesh drejt Kështjellës. Ndërsa dhitë kullotnin qetë ose harbonin në kodrinë, ai endej rreth Kështjellës. Vëzhgonte pllakat dhe blloqet e mëdha dhe habitej që i shihte në atë fortesë, duke qenë se vinin nga rajone të ndryshme.
      Pas njërës prej endjeve pranë Kështjellës, Çanga kishte pyetur babanë me interesim nëse kishte libra ku flitej për të kaluarën e fortesës. Pikërisht atëherë ai kishte zbuluar se babai interesohej shumë, shumë, për Kështjellën, për historinë e saj, për të fshehtat e saj, e, kuptohet, motivet e tij ndryshonin prej atyre të Dhiarit dhe interesit që ky tregonte për fortesën që ngrihej mbi qytet. Babai i tregonte atij vepra të vjetra e bashkëkohore që flisnin për Kështjellën. Çanga mund të besonte gjithë çka përfshinin librat, por s’kishte gjë në botë që ta shtinte ta pranonte pohimin që, sipas gjurmëve e strehimeve të fundosura në dhé dhe mbeturinave të kasolleve, Kështjella rridhte që prej rreth katër mijë vjet më parë. Ndërsa babai ia lexonte atë që arkeologët kishin zbuluar lidhur me vjetërsinë e Kështjellës, Çanga nuk mund të përmbante një zgërdheshje dyshimi. Në të vërtetë, vetë ai i kishte diktuar mbeturinat e ndryshme materiale duke kullotur dhitë e tij, por kush mund të mendonte e besonte atëherë se ato ishin nga më të vjetrat?
      Tregimet për Kështjellën nëpër librat e babait, që i përshkruante Evlia Çelebija në udhëtimet që kishte bërë në kohën e Perandorisë Osmane, e tërhiqnin më së shumti Çangën. Ai tregonte njëfarë interesimi edhe për dëshmitë e Marselinit e të Prokopit që përmbanin veprat e babait, sipas të cilave bedeni i gjatë i fortesës, i cili shëmbëllente me muret antike ciklopike, shtrihej në kohë që në epokën e perandorit bizantin Justinianit të Parë. Një pjesë e blloqeve prej guri të fortesës ishin bartur atëherë nga gërmadhat e qytetit antik të Skupit aty afër, i cili, në vitin 518 ishte tronditur nga një tërmet i fuqishëm të paparë deri atëherë për Ballkanin. Këto blloqe prej guri, Çanga i shihte me sy. Pikërisht kjo e bindte për vertetësinë e historisë së Kështjellës.
      Babai i lexonte Çangës edhe pjesë të tjera të librave që flisnin për fortesën, por atëherë vëmendja e tij shpërqendrohej lehtë. Por Dhiari gjallërohej në mënyrë të pazakontë kur babai i lexonte shënimet që Evlia Çelebija ia kishte kushtuar Kështjellës. Pjesët e lexuara i dukeshin të kohëve të vonshme, të vëzhguara mirë, të verifikuara me kujdes. Kështu përshkrimi i mëposhtëm atij iu duk veçanërisht me interes:
      „Nga ana perëndimore rrjedh Lumi Vardar. Nga kjo anë, një rrugë çon, nëpër shpella, deri tek kulla e ujit, e cila ngrihet në breg të lumit. Në këtë anë të qytetit ekziston një zgafellë e tmerrshme si thellësia e ferrit. Nuk ka dalje dhe as nuk mund ta ketë. Përrenj të thellë e rrethojnë qytetin në lindje, juglindje dhe veri. Një urë druri është hedhur përmbi përroin përballë hyrjes së qytetit. Nga koha në kohë, rojet e ngrenë këtë urë me ndihmën e një çekërki dhe krijojnë njëfarë mbrojtje para hyrjes“.
      Babai vazhdonte leximin, ndërsa Çanga lëshoheje me gjallëri në kujtimet për endjet e tij të mëparshme përanë fortesës, vetëm ose bashkë me dhitë. Ndërsa babai lexonte me zë të lartë, Çanga shtonte po me zë të lartë diçka si për vete, bënte ndonjë verifikim. Atëherë babai e ndërpriste leximin, hiqte syzet, por Çanga në çast i lutej të vazhdonte. Në të vërtetë, gjatë leximin të babait, ai donte të plotësonte historinë e Kështjellës nga këndvështrimi i vet dhe vihej të kërkonte nëpër kujtimet e veta „rrugën që çonte, nëpër shpella, deri tek kulla e ujit“...
      Çanga e merrte me mend që lumi, me përmbytjet e tij të rregullta dhe të papërmbajtshme, kishte gërmuar shpella të shumta që ndodheshin në brendësi të Kështjellës. Kur lumi tërhiqej pas periudhës së prurjeve të tij pranverore ose vjeshtore, këto shpella thelloheshin edhe më shumë dhe disa ishin lidhur me njëra-tjetrën. Gjatë kohës, pothujase të gjithë perandoritë kishin dashur të përmbanin rrjedhat e bujshme të lumit. Për shumë kohë, ky mendim nuk qe kurorëzuar me sukses. Por në fund, falë bordurave prej guri që u ngritën gjatë shekullit të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane, lumi, po, më në fund, u mposht. Kjo nuk ia lëkundte bindjen Çangës që uji vazhdonte nganjëherë të arrinte shpellat. Nga ana tjetër ai e dinte se shpellat në Kështjellë, gjatë kohëve të fundit, ishin lidhur me njëra-tjetrën, ishin betonuar, madje rregulluar. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, aty kishin ndërtuar strehime, që kishin shërbyer edhe për qëllime të tjera. Cilat? Babai dhe Çanga nuk ishin interesuar aq për këto. E këto strehime ishin nën kontrollin e ushtrisë dhe të policisë...
      Babai nuk kishte përse të zhytej në kujtime për të zbuluar prova të reja që ndonjëra prej shpellave në brendësi të kështjellës do të bëhej varr i përbashkët i Çangës e i dhive. Meqë ishte shkruar që këto dhi duhej të vdisnin, Çanga dëshironte të paktën që t’ua zgjidhte një vdekje të denjë, në gjysmëhije, në përputhje me atë që ua diktonte instinkti i tyre. E, ai, Çanga, mund të bënte gjithçka si para vdekjes edhe pas saj...
      Të paktën kështu mendonte babai. 


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]