Qysh nga zhdukja e Çangës me dhitë, babait i silleshin e i stërsilleshin në kokë mendime të errëta. Problemi e turbullonte si në planin personal, ashtu edhe në atë të përgjithshëm. Ai kishte humbur njërin prej miqve të mëdhenj të tërë jetës së tij, një burrë tek i cili kishte zbuluar madhështinë e spontaneitetit, një burrë, në saje të të cilit kishte kuptuar se vetëm thjeshtësia mund të ishte e shenjtë tek një qenie njerëzore. Për më tepër, babai i kishte provuar, me kutin e përvojës praktike të Çangës, të gjitha aspektet që lidheshin me zhvillimin dhe zbatimin e njohurive që kishte nxjerrë nga veprat e ndryshme.
Ai që di të përmbahet pas fitores, është ndoshta i vetmi ngadhnjimtar i vërtetë, mendonte babai, i nxitur nga shembulli i Çangës e i dhive.
Pas zhdukjes së dhive, babai u bind se ngadhnjimtarët do të pësonin sërish humbje. Në vetvete, atij i vinte keq që një sistem i menduar me aq mendjehollësi ishte shkruar të dështonte në mënyrë të pashmangshme në të ardhmen. Megjithatë, një hollësi i kishte mbetur e panjohur: data se kur do t’ia behte dështimi.
Qërimi i hesapeve me Çangën ishte vetëm një shenjë pararendëse e këtij dështimi të afërt. Thellë në vete, atij i vinte keq sinqerisht që një brez i pasardhësve të tij medoemos do të vuante. Angazhimi i tij në favor të evolucionit të natyrshëm të gjërave dhe të qenieve, të zbulimit dhe të studimit të ligjeve të tij specifike, këtu, në Gadishull, i ngjante me njërin prej atyre iluzioneve të shumta, aq të shpeshta tek shumë intelektualë autodidaktë të Ballkanit. Ai kishte disa libra që i kushtoheshin Darvinit dhe teorisë së tij. Në vazhdë të këtij mendimi, ai do të kishte dashur të shqyrtonte, sipas këndvështrimit të evolucionit të natyrshëm, gjithçka që mungonte në Ballkan si pasojë e prapambetjes së mallkuar që i mbante banorët e tij shumë prapa popujve të tjerë të Evropës.
Ai ishte tronditur thellë dhe ishte përfshirë nga ankthi për faktin se, në Ballkan, çdo familje, çdo bashkësi duhej rregullisht të rifillonte të ngrihej mbi gërmadhat e grumbulluara nga humbjet e brezave paraardhës, pa arritur të lidhej kurrsesi me vazhdimësinë e natyrshme të vlerave. Duke nxjerrë mësime nga librat që i kushtoheshin rënies së perandorive të mëdha dhe duke pasë përjetuar vetë në Stamboll rënien e Perandorisë Osmane, ai ndjente keqardhje të thellë që jeta e tij dhe e familjes së tij kishin përkuar me kohën e fashizmit, pastaj me atë të stalinizmit.
Ai kishte frikë se mos, në rast se Stalini s’do të ishte i zoti të përmbahej pas fitores, do të nxirrte krye një jeniçer dosido dhe të përfshihej në ingranazhet pa fund të shpalimit dhe të afirmimit të egos së tij në një rindarje të re të botës. Hulumtimet e tij për perandoritë ballkanike e kishin çuar në përfundimin se, çdo herë që një perandor-jeniçer hipte në krye të një shteti të tillë, ai, me dëshirën për të treguar madhështinë e shpirtit të tij të ndryshueshëm, gjithnjë prirej të ruante iluzionin e fitores me çmimin e dështimeve të të tjerëve, por edhe të dështimeve të veta. I tillë ishte paradoksi i këtyre shpirtërave jeniçerë, i cili në Ballkan ndjehej edhe më i egër. Ata i udhëhiqte njëfarë terrori që u ishte rrënjosor thellë dhe përçohej në perandoritë e tyre në formë edhe më mizore.
Kështu zhytej babai në këto përsiatje kimerike për perandoritë. Për këtë, atij i mjaftonte edhe një shkas fare i vogël. Por kësaj radhe, shkasi nuk ishte i vogël. Bëhej fjalë për Çangën, tiparet e të cilit skicoheshin në mendimet e babait si të një njeriu të vërtetë kundërperandorak ballkanik. Përveç kësaj, babai nuk mendonte vetëm për Çangën kur u lëshohej krahëve të ëndrrës, utopisë e mitit. Fati i Dhiarit e përfshinte fatin e secilit. Ai ishte fati i të gjithëve. Të rinj apo pleq, të gjithë ishin shqetësuar shumë për fatin e tij dhe të dhive. Por mendimet e babait për Çangën shkonin sigurisht më thellë, duke qenë se bazoheshin në përvojën që kishte përjetuar.
Pas zhdukjes së Dhiarit, babai filloi të zhytej në librat e tij edhe më shpesh se zakonisht. Natën, kur ne të gjithë pëfshiheshim në krahët e gjumit e të ëndrrave nëpër të cilat bridhnin edhe dhitë tona, babai rrinte gjatë në hapësirën e kufizuar nga rrezet e llambës sipër librit të hapur.
Kur nëna, që dukej se ndiqte hijen e gjumit të babait, nuk dremiste edhe ajo, vinte, fikte llambën, e vinte librin në vend, jo pa vënë shenjë në faqen e fundit ku kishte lexuar babai, dhe e mbulonte atë lehtë-lehtë nga frika se mos zgjohej. Kurse ai, nganjëherë gjysmë i zgjuar, ndiqte lëvizjen e hijes së të shoqes mbi librat e tij. Po, pa dyshim, vetëm pasi nëna vinte rrotull dhomës, ai zhytej me të vërtetë në gjumë.
Por ja që, ditëve të fundit, që kur ishin zhdukur Çanga e dhitë, babai nuk e ngrinte kokën nga librat e tij. Nëna e kishte vështirë ta dallonte se kur ishte zgjuar dhe kur dremiste. E, meqë tani, me sa dukej, ai nuk mbyllte sy fare, ajo ngurronte të hynte në dhomën e tij të punës.
Rrallë ndodhte, vërtetë shumë rrallë, që babai, pasi kishte menduar thellë, të lëshonte një klithmë të fortë, më shpesh në agim, kur e braktiste thekshëm gjumi, kur nata ia lëshonte vendin ditës. Dukej sikur qetësia e përmbajtur, që lëkundej brenda tij mes poleve të qenies e mosqenies, i buronte nga thellësia si një zë i ngjirur e i prerë, si një klithmë që prishte heshtjen rreth e përqark. Ishte një vërshim i fuqishëm i njerëzores; si një shpërthim qetësie pas shumë rrahamendjesh të brendshme, kthesash e qorrsokaqesh në labirintin e jetës së brendshme të babait. Si poliglot i përkyer që ishte, – zotëronte shumë gjuhë, disa në mënyrë të përkryer, të tjerat në mënyrë pak më pasive – ai kishte zhvilluar gjatë jetës më se një betejë me fjalët. Jo pa vështirësi, ai i kishte nënshtruar edhe shprehjet më të pazbërthyeshme gjatë përsiatjeve për pafundësinë, gjatë mendimeve për tërësinë. Por dukej se ai zotëronte edhe një gjuhë të brendshme të vetën, gjuhën e heshtjes, së cilës ia besonte mendimet e veta më pak të rrëgjueshme se cilado gjuhë me të cilën komunikonte me botën. E kështu nuk ndodhte që të kumbonte një klithmë e tillë pa qenë e parashikuar, pa qenë e pjekur, pa ardhur koha që ajo të jehonte. Por kur kumbonte, kjo klithmë e babait nënkuptonte se mendimi i tij festonte një fitore të re mbi fjalët, se kishte arritur t’i nënshtronte ato.
Nëna e shkretë i priste e zgjuar këto klithma të babait që lëshonte herët në mëngjes. Herën e parë ajo ishte trembur se mos e kishte humbur mendjen në ndonjërin prej labirinteve të librave të tij që i mbante hapur.
Kur kishte qenë e re, në qytetin buzë liqenit, ajo kishte dëgjuar se njëri nga bashkatdhetarët e tyre, poet, shetiste buzë ujërave të liqenit duke folur me vete. Mirëpo, babai i mbante në bibliotekë të gjitha veprat e këtij poeti. E, kur babai kishte klithur për herë të parë, nëna kishte thënë me vete se mos po i ndodhte burrit të saj ajo që kishte ndodhur me poetin. A mos ishte klithma e fundit e arsyes së tij? Mos e dhëntë Zoti! Pastaj nëna e kishte mbledhur mendjen shpejt.
Babai kishte dëgjuar hapat e saj nëpër shkallare. Ishte ngritur ta priste dhe asaj i ishte kthyer qetësia. Kur, disa muaj më vonë, ajo dëgjoi për herë të dytë klithmën e babait, e priti më me qetësi, por, megjithatë, nuk arriti të kuptonte se ç‘shprehte ajo.
Këtë herë nuk ishte si më parë. Klithma që kishte lëshuar babai ishte vetëm një fjalë: Kështjella! Nëna e kuptoi menjëherë se kjo klithmë ndryshonte nga të mëparshmet. Tani babai po e përsëriste fjalën shumë herë, me egërsi e furi. Ajo hyri në dhomën e tij të punës. Megjithëse librat e babait i përkëdhelnin rrezet e lëvizshme të diellit, llamba nuk ishte fikur. Ka të ngjarë të mos ketë mbyllur sy tërë natën, mendoi ajo. Por, babai e priti me një fytyrë të çlodhur, me çehre të freskët, të ëmbël e të këndshme.
Zakonisht babai nuk i fliste kurrë nënës për përmbajtjen e librave që kishte lexuar. Kurse nëna, megjithëse kujdesej për librat e tij si për gjëra të shenjta, kurrë nuk përzihej në botën e tyre. Jeta familjare ishte për të i vetmi libër i madh që ajo mbante të hapur, shumë faqe të të cilit u kushtoheshin ditëve të saj. Megjithatë, ishte hera e parë që babai ia tha një fjalë që u duk se e nxori nga libri:
- Është e qartë si drita e diellit! Çanga bashkë me dhitë fshihet në kështjellë! Në kështjellë dhe askund tjetër!