|
|
|
Koha e dhive: Kreu XIX
E shtune, 16-06-2007, 02:11pm (GMT)
Kështjella pëballë një agimi me rrëzëllitje margaritarësh. Ne po ia linim shëndenë ëndrrës sonë të përbashkët me dhitë. Dita “D” kishte ardhur. Dita e mbramë për dhitë e Çangën. Fundi i kohës së dhive! Dita “D” ishte jashtëzakonisht e bukur, një dhuratë e vërtetë nga qielli. Një ditë e mahnitshme që s’ishte parë ndonjëherë. Një ditë e shtrenjtë sa jeta. Si zakonisht, nëna ishte ngritur herët për të rregulluar shtëpinë, megjithëse këtë e kishte bërë një ditë më parë, para se të shkonte të flinte. Kjo ishte mënyra e saj për ta mbyllur qarkun e ditës dhe të natës. Me kujdes, si gjithnjë, ajo u drejtua nga oborri për të parë dhitë, por ndërroi mendje shpejt, kur iu kujtua se kafshët i kishim lëshuar me ato të Çangës që të ndanin fatin e përbashkët. Pastaj, ajo u drejtua nga porta që nxirrte në rrugë kah lumi, plepat e gjatë, kështjella. I ra në sy makina e kuqe e madhe e zajrrfikësve që po nxitonte drejt parkut. Vuri re edhe qindra milicë, ushtarë me veshje të çuditshme maskimi, të armatosur me shkopinj e me mburoja, që, edhe ata, shkonin drejt parkut. Njerëzit që i shihte zakonisht në atë orë, si shitësin e gazetave në cakun e tij, pikrëisht në fillim të Urës së Drunjtë, apo shitësin e qumështit, nuk ndodheshin në vendet e tyre. Nuk kishin dalë as ata që ngriheshin herët. Vetëm ciciërima e zogjve të kujtonte ditët e zakonshme. - Nuk është shenjë e mirë kjo, - mërmëriti nëna duke kaluar përmes oborrit në kuzhinën verore. Si në kohën e dhive, ne qemë ngritur të gjithë. Ende i përgjumur, unë dola i fundit nga dhoma, duke tërhequr këmbët zvarrë. Në krye të tryezës së gjatë, babai po priste çajin. Rendi i zakonshëm i gjërave dukej se ishte prishur. Shumë e zbehtë, nëna hyri në guzhinë, duke mposhtur me mundim ndjenjën që e kishte pushtuar. Gjendja shpirtërore i pasqyrohej në sy e prej tyre ne fëmijët e kuptonim qartë se çka ndjente ajo. Në të vërtetë, nëna na fliste me shkëlqimin e syve të saj para se të gjente një shprehje të kuptueshme për të gjithë. Me zë të ulët ajo na tregoi se çfarë kishte vënë re. Kurrë nuk kishte parë aq shumë njerëz me unifromë, edhe kur një herë e një kohë kishte pritur ushtri të ndryshme te pragu i shëtpisë sonë, atje tutje, buzë liqenit. Por tani rronim në kohë të tjera, në një epokë lirie, por megjithatë kishte kaq shumë ushtarakë, kaq shumë policë, të armatosur me shkopinj e mburoja... Jo, ajo vërtetë s‘ po kuptonte asgjë. Po të mos ishte fjala për fatin e dhive, gjithçka do të kishte marrë një kthesë tjetër. Babai u mundua ta qetësonte, ta kthente rrjedhën e mendimeve tona të shqetësuara: - Pa dyshim se është fjala për ndonjë stërvitje ushtarake. Do të kalojë shpejt. Ç’gjë tjetër nuk ka kaluar shpejt në Ballkan?… Fjalët e babait nuk na qetësuan dot. Nëna e shërbeu çajin ngadalë. Ajo po mundohej të rivendoste rendin e zakonshëm të gjërave, ndërsa babai shtoi se asgjë e keqe nuk mund t’u ndodhte dhive. Por ne të tjerët, fëmijët, vendosëm menjëherë një lidhje ndërmjet dy ngjarjeve. Qesh i pari që shpërtheve në vaj, ndërkohë që vëllezërit e motrat u turrën drejt portës. Vetëkuptohet se qëllimi i tyre ishte të shkonin në park pranë dhive, t’i arrinin, pastaj t’i kalonin radhët e ushtarëve e të policëve, t’ia tregonin të gjitha Çangës dhe t’i merrnin përsëri dhitë tona. Babai i ndaloi: - Pritni, fëmijë, qetësohuni! Duhet të presim me durim. Mos dilni të parët! Ai e rrotulloi dy herë çelësin e portës. Secili u kthye në vendin e vet. Nëna mblodhi pjatat. Askush nuk e kishte prekur gjellën. Ne filluam të endeshim nëpër shtëpi e nëpër oborr, të burgosur, të pafuqishëm pa dhitë tona, duke u rrotulluar si kali në lëmë. Babai nuk lejonte as që të shikonim nëpër dritare rrugicën që shpinte në park. Më në fund, vëllai më i madh u ngjit mbi manin e lartë, mjaft të lartë sa për ta parë rrugën, kejin, Kështjellën. Edhe ne hipëm në majë të tij. Prindërit tanë nuk mundën më të na ndalonin. Rruga ishte e shkretë; nuk kishte qenë kurrë aq e shkretë. Herë pas here kalonte e rikalonte vetëm makina e kuqe e zjarrfikësve. Në qytet nuk kishte rënë zjarr që prej vitesh. Të kishin shpërthyer kaq shumë zjarre për një kohë kaq të shkurtër?! Jo, ishte e pabesueshme. Ne prisnim të qetë, të ngujuar atje majë peme. Qemë përfshirë nga parandjenja e një oguri të keq. Fqinjët fshiheshin, sigurisht pre e vuajtjes nga pasiguria. Një mendim na bashkonte të gjithëve: çfarë po u ndodhte Çangës e dhive? Uturima e kamionëve të zbrazët që po shkonin drejt parkut, na shkëputi nga mendimet, duke na shtuar edhe më frikën. Me siguri i kishin masakruar Çangën e dhitë. Ishte më se e sigurt se tani do t’i mblidhnin e t’i hidhnin në kamionë. Kurse ne, të shkretët, e kishim mendjen para së gjithash te fati i dhive tona, Bardhoshes, Shëmtakes e Stalineshës (që ishte bërë Lireshë). Ndjemë të ftohtë në shpirt, një të ftohtë që nuk e kishim provuar kurrë deri atëherë. Goditjet në portë, në fillim të lehta, pastaj të forta, na ndërprenë ethet e pritjes. Ashtu si gjatë luftës, kur ushtarët vinin e i binin derës, nëna shkoi ta hapte. Babai deshi ta ndalte, por ajo u gjet te porta. Ne zbritëm me nxitim nga mani. Nëna e hapi derën ngadalë. Ishin tre veta. Përnjëherësh e njohëm shefin e komisionit të dikurshëm të regjistrimit, tipin nga policia me pardesynë e tij prej lëkure dhe mustaqet që tani i kishte edhe më të gjata. Kjo na lehtësoi pak. Por, atë e shoqëronte një ushtar që na kishte drejtuar automatikun dhe një person i tretë i panjohur. S‘ thanë asnjë fjalë. Në të vërtetë kjo heshtje fliste shumë: komision i ri, verifikime, proces-verbale. Dhe e gjithë kjo për dhitë e shkreta! E kush do të mund t’i kuptojë ndonjëherë banorët e këtij Ballkani të mallkuar? Babai dinte diçka për heshtjen: ai mësonte duke lexuar e deri tash kishte lexuar libra sa për shumë jetë. - Mirëdita, trima! – tha nëna në shenjë të mirëseardhjes. - Zoti t’i dhashtë të gjitha të mirat, nënë! – u përgjigj shefi. Babi e vështroi shefin i çuditur. Ai i pafe, të shprehej në atë mënyrë!? E, kush mund ta dinte se ç’bluante ai në mendje? Ndoshta e kishte zakon t‘u drejtohej më të moshuarve kështu, apo qe ndier më i lirë në mungesë të ndonjë përfaqësuesi të partisë?! Duke menduar ndryshe nga babai, nëna u përgjigj: - Zoti të ndihmoftë! - Zoti ndihmon ata që dinë të kujdesen për veten! Babai kuptoi se ku donte të dilte shefi dhe nuk deshi të ndërhynte. - Nëse nuk gabohem, - rifilloi polici, - ju keni tri dhi, apo jo? Ku i mbani? - Ne i kemi dorëzuar! – tha nëna, që ishte mësuar të përgjigjej e para kur trupat e huaja hynin në shtëpi, kur s’ishte babai. - Kujt ia keni dhënë dhitë? – vazhdoi shefi, ndërkohë që shpura e tij kontrollonte oborrin e shtëpinë. - Atje, atje i çuam dhitë! – ia priti nëna butë, duke bërë shenjë në drejtim të parkut. - Ku atje? Më saktë: kujt? Nëna i hodhi një shikim të hutuar babait. Nuk pati kohë ta kuptonte reagimin e tij. - Ia keni lënë Çangës, hë? - Çangës... - Çangës, Çangës! Të gjithë ia kanë dorëzuar Çangës dhitë e tyre të mallkuara! – kërciti dhëmbët shefi. – E ku ndodhet tash Çanga juaj? Ne fëmijët thirrëm njëzërit: - Çanga është në park! - Mos more, në park, hë! Gjepura! Nuk është më aty! Ia ka mbathur! - Po dhitë? Edhe ato nuk janë më? - thirra unë duke u qaravitur. - Edhe dhitë, edhe dhitë, edhe dhitë! - E ku mund të iket me aq shumë dhi? – guxoi të thoshte vëllai që ishte anëtar partie. - Edhe ne po pyesim se ku! E po ju pyesim edhe juve: ku janë dhitë tuaja? - Ju e keni më lehtë se ne ta merrni vesh! – ia ktheu nëna. - Mos keni gajle. Do të arrijmë të mësojmë gjithka! Qyteti është rrethuar nga të gjitha anët. Nuk mund të shpëtojë as miza. Kurse dhitë? Heee, ato mund të shpëtojnë vetëm po të fluturojnë në qiell...Po, gjithsesi atje do të përfundojnë. S’ka zgjidhje tjetër... Megjithë këto, nëna u bë gati t’i qeraste me reçel manaferrash dhe t’u piqte kafe, por shefi e ndërpreu: - Ne po shkojmë. Nëse merrni vesh diçka për Çangën e dhitë, paraqituni menjëherë në postën më të afërme të milicisë... Morëm guxim dhe dolëm nga shtëpia. Në rrugë lëviznin patrullat e ushtarëve e të policëve. Të gjithë e kërkonin Çangën dhe dhitë. Ne fëmijët qemë të parët që dolëm, pastaj të rriturit. Tërë qyteti u dha në kërkim të dhive e të Çangës. Ishin zhdukur pa nam e pa nishan. Komisioni ia grahte punës. Nuk mundi të gjente as edhe një kec e, nga përfundimi i nxjerrë nga ata që u pyetën, doli që të gjitha dhitë ose u ishin rrëmbyer pronarëve, ose ishin masakruar gjatë bastisjeve dhe kontrolleve të mëparshme. Ato që kishin mbijetuar ishin përzier me tufën e madhe të Çangës. Të paktën kështu nxituan ta besonin në radhët e policisë e të partisë dhe hetimet filluan në një rrah tjetër. Që atëherë u zgjerua gama e motiveve të kërkimit të Çangës. Iu qepën këmba këmbës ideologët kryesorë të partisë e të ndërtimit të shoqërisë socialiste që qëndronin në zanafillë të tragjedisë së dhive. U takonte të atyre që ta provonin se socializmi duhej të fitonte pas fazës së kolektivizimit të detyrueshëm dhe të shtetëzimit, ashtu siç duhej të krijohej në mënyrë të pashmangshme klasa punëtore nga miliona barinj, pas asgjësimit të kafshëve të tyre. Përndryshe, me paradën e tij të çmendur, Çanga tani mund ta kthente mbrapsht rrjedhën e historisë. Ja përse duhej të vritej ose të kapej me çdo kusht. Të gjithë e kërkonin Çangën me shpresë që ai do t’ua kthente kohën e dhive. E kërkonin gratë e reja shtatzëna me kërthinë e njomë në bark. E kërkonin nënat që u kishte shteruar gjiri. Të gjithë e kërkonin e ai ishte njëkohësisht tek të gjithë. Ai nuk kishte krijuar familje, kishte qëndruar me dhitë, por nëprëmjet tyre ishte lidhur me çdo vatër familjare. Nënat, fëmijët e të cilave kishin shpëtuar me ndihmën e dhive, ruanin pranë ikonave familjare fotografinë e Çangës e të dhive që ishte botuar atyre ditëve në ndonjë gazetë. Nuk vonoi e të gjithë e kuptuan që Çanga kishte arritur t’u punonte një rreng strategëve të Republikës e Federatës, të cilët po kurdisnin një proces gjyqësor për të, që do të mbahej mend për atë dhjetëvjeçar në Republikën Jugore. E me këtë, synonin të realizonin një nga ato planet vendimtare, një superplan: duhej të tregohej shtrirja planetare e pushtetit të ri. Mirëpo në këtë kuadër, një Çangë i vdekur nuk do të hynte shumë në punë, sidomos, nëse ky Çangë, në të gjallë, e kishte futur një këmbë në rrethin e shenjtorëve e të martirëve, i vdekur, do të ngjitej përfundimisht në rangun e tyre. Prandaj duhej të tregohej shumë, shumë kujdes. Prandaj Dhiari i Madh duhej të kapej i gjallë. Të tilla ishin edhe udhëzimet e fundit republikane e federative. Madje kishin sugjeruar që do të ishte mirë që, po të mos arrinin ta sillnin Çangën të gjallë, të organizonin kundër tij një proces „të montuar“ me ndihmën e një sozie. Atëherë atij do t’i mvishnin ç‘të donin dhe, po të ishte e nevojshme, do ta detyronin të fliste edhe kundër dhive të veta! Megjithatë kjo ide u shkoi huq. Në të vërtetë nuk kishte njeri që të mos e njihte Çangën, i cili kishte një mendje të mprehtë dhe të paparashikueshme dhe nuk ishte lehtë që t’i punonin një rreng të keq. Duhej pra të kihej para sysh që banorët do ta zbulonin shpejt e pa vështirësi mashtrimin, kështu që fama e Çangës do të rritej edhe më, kurse ajo e socializmit dhe e partisë do ta pësonte rëndë. Brenda një kohe filluan të bëhen më të shpeshta propozimet që Çanga të gjykohej në mungesë për tradhti ndaj shtetit. E shqyrtuan këtë mundësi nga të gjitha anët. Ideja ishte gati të miratohej në të gjitha nivelet e qytetit e të Republikës, por nuk i qëndroi kritikës që erdhi nga kreu i partisë dhe autoritetet federative. Atje lartë u gjet një i zgjuar që e kundërshtoi, duke thënë se me këtë rritej prestigji i Çangës, gjë që nuk ishte aspak e nevojshme. Megjithëse e gjitha kjo që kishte ndodhur deri tani në qytet me dhitë kishte marrë bekimin e Federatës, ndodhte shpesh që një zënkë e ashpër t‘i vinte përballë njëra-tjetrës instancat e larta. Megjithë mospajtimet, hipoteza e procesit gjyqësor në mungesë vazhdoi të mblidhte një numër gjithnjë e më të madh ithtarësh, kështu për pak sa nuk u arrit të miratohej edhe në krye. Pikërisht në këtë kuadër vendosën të merrnin edhe mendimin e republikave e krahinave të tjera, madje e, në rast nevoje, të këshilloheshin me Udhëheqësin për t’i dhënë fund njëherë e mirë problemit të Çangës në Republikën Jugore. Përgjigjet filluan të vërshonin shpejtë. Më të hollësishme ishin mendimet që vinin nga republikat me kombësi e besime të ndryshme. Sipas tyre, nuk mund të pritej asgjë e mirë nga skenarët që këshillonin që Çanga t‘i kalonte gjyqit, qoftë në karrigen e të pandehurit, qoftë në mungesë, i gjallë apo i vdekur, sepse kjo, në fund të fundit, do të kontribuonte që ai të bëhej një herë e mirë apostull i shenjtë i dhive dhe do të rrezikonte po ashtu që ta arrinte e kalonte famën e heronjve të luftës, madje edhe atë të udhëheqësve të lartë të tanishëm. Jo, përfundimisht, asgjë e mirë nuk mund të pritej nga një proces gjyqësor apo nga vrasja e Çangës, sepse askush në vend nuk kishte arritur deri atëherë të bashkonte, fitonte, donte, afronte deri në atë shkallë aq shumë njerëz të besimeve e kombësive të ndryshme, e të bëhej pastaj si një Zot i tyre në ato orë vendimtare. Strategët e partisë kishin frikë nga zemërimi i paparashikuar i atyre, me të cilët e kishin fituar luftën, kishin kryer revolucionin, kishin bashkuar banorët, kishin filluar ta drejtonin vendin. Në nivelin e Federatës, trembeshin gjithashtu se mos, me rastin e një procesi gjyqësor kundër Çangës, ndërkombëtarizohej problemi i dhive duke u nisur nga Republika Jugore. Reagimet ndaj proceseve staliniste, që ishin zhvilluar në disa vende të bllokut të Lindjes, ishin ende të freskëta. Bota kishte hyrë në epokën e luftës së ftohtë. Titoja kishte arritur më në fund të çlirohej nga Stalini, por njerëzit e ruanin në shpirt, e s‘e shkulnin dot prej tij edhe për një kohë të gjatë Udhëheqësin e Madh Sovjetik. I kishin zhdukur nga shtëpitë portretet e Stalinit, por, duke u dridhur nga frika, i kishin fshehur ndokund, të mësuar me paqëndrueshmërinë e historisë në Gadishullin Ballkanik. Prishja me Stalinin sigurisht që i kishte zbutur strategët tanë të shquar të socializmit dhe çështjen e dhive. Ata do të kishin qenë të lumtur të shihnin të zhdukeshin vetiu edhe Çanga edhe dhitë, dhe do të gëzoheshin edhe më shumë sikur të mos ngrihej më pluhur në Republikën Jugore. Por si t’u ndërrohej mendja udhëheqësve të kësaj Republike? Oh, ç‘fat që kishim arritur të prisheshim me Stalinin, ç‘fat që kishim pasur që stalinizmi nuk kishte arritur atë skallë zhvillimi në vendin tonë si në vendet fqinje! Për shembull, ne kishim pasur fatin e mirë të prisheshim me Stalinin para se të konkretizohej ideja e themelimit të muzeut të ateizmit. Çfarë do të kishte ndodhur nëse këto muze, këto kampe të vërteta përqendrimi të shpirtit, do të qenë ngritur edhe tek ne? Me të tilla muze, sigurisht projektohej – ç‘ide e mallkuar! –të vritej përgjithmonë Zoti tek njeriu, si edhe të zhdukej çdo dallim mes besimeve... Në nivel federate, bëheshin bilance të ndryshme që përmbanin shënime për krime e fatkeqësi të shumta që ishin shmangur duke u prishur me Stalinin. E, për këtë arsye, aty mbizotëronte mendimi, sipas të cilit ishte më e përshtatshme të mos shkohej shumë larg me çështjen e dhive, sepse mund të ishte edhe kjo një ide staliniste! Megjithatë, dukej se partizanët e zgjidhjes radikale të problemit, të zhdukjes së të gjitha dhive, nuk do të bënin asnjë lëshim. Mirëpo, në Republikën Jugore mbizotëronte forca e inercisë. Aty, me siguri stalinizmi do të kishte vazhduar, sikur Federata dhe Udhëheqësi të mos kishin folur me të madhe kundër tij. Ja përse, përsëri dhe krejt pa dobi, tërë vendin e shqetësonte vetëm një problem, problemi i mallkuar dhe i ngatërruar i dhive. Në të vërtetë, në nivel federate ishin shqetësuar më shumë se kurrë. Përfaqësuesit e Republikës sonë, në pritje të një përfundimi, vazhdimisht heshtnin për këtë temë gjatë mbledhjeve. Në fund u tha hapur se Republika Jugore nuk kishte si të përfshihej në planet e mëdha, pasi herë ishte më e ngadalshme, e herë më e shpejtë në orientimet strategjike themelore. Autoritetet federative kishin besuar se pikërisht në Republikën Jugore çështja e dhive nuk do të paraqiste ndonjë problem të madh. Ato i konsideronin drejtuesit e saj të bindur, vasalë. E, si mund të mos ishte kështu? Por ja që tani, kot fare, në një kohë krejt të papërshtatshme, kur vendi po çlirohej nga Stalini, banorët e Republikës Jugore kishin shpikur këtë Çangë të mallkuar! E kishin pasur të gjallë në dorë, e këta marroqë e kishin lënë t‘u ikte! Kur s‘qenë në gjendje të ruanin dy, tri dhi, si mund t’u besohej shteti atyre! Në vend që të vinin dorë mbi Dhiarin apo ta zhduknin pa nam e pa nishan, ata kishin pritur ditën e famshme „D“. Vërtetë mendjelehtë! A nuk e kishin kuptuar pra se dita e mallkuar „D“ nuk u përkiste atyre? Dita „D“ u përkiste para se gjithash republikave veriore. Por, si për çudi, gjërat kishin kaluar si s’ka më mirë atje. Ato i kishin dorëzuar urtë e butë të gjitha dhitë e tyre. Ç‘është e vërteta, atje lartë, nuk kishin nevojë të farkëtonin aty për aty një pseudoklasë punëtore!
|
|
|
|