Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 08-10-2008, 01:59am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Lorena Stroka
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu XVIII
E shtune, 16-06-2007, 02:13pm (GMT)

Shfaqja e befasishme e Çangës dhe e dhive të tij bëri që qyteti të dukej si i pushtuar. Fillimisht të hutuar, autoritetet e partia e mblodhën shpejt veten. Qendrat e vendosjes të Republikës dhe të Federatës nuk vonuan të miratonin udhëzimet. Sipas tyre, më mirë ishte t‘i lihej Çangës hapësirë të luante me dhitë e tij rolin e magjistarit, që t‘i tërhiqte pas vetes të tëra dhitë e të gjithë dhiarët që deri tani kishin mundur të fshiheshin. Me t‘u arritur kjo, do t‘i kapnin të gjithë.
      Nga ana e tij, Çanga kishte parasysh fjalët e babait, sipas të cilave të gjitha perandoritë ballkanike – nga romakja, bizantinja, e deri te osmanja, – gjatë shekujve ishin mbajtur në pushtet duke përdorur disa strategji elementare, të ripërtërira me mjeshtëri, të llojit „ përçaj e sundo“.
      Mes këtyre dinakërive ishte edhe jeniçeria, e në fund deviza: lëre kokën të ngrihet, për ta prerë më mirë!
      Babai e donte dhe e respektonte pa fund Çangën, mikun e jetës së tij. Për asgjë në botë nuk do të donte që t‘i ndodhte ndonjë gjë e keqe atij. Atë e trembte mendimi – që ishte shumë i afërt me të vërtetën – që Çanga, në një çast apo në tjetrin, mund të bënte ndonjë çmenduri me dhitë e tij, që të bashkonte rreth vetes në një marsh triumfal të gjithë ata që pajtoheshin me mendimet e tij – anëtarë në pritje të „klasës punëtoro-dhiore!“ – dhe t‘i jepte kështu fund njëherë e përgjithmonë problemit të fshatarsisë në socializëm.
      Ruajtja e dhive përbënte për babanë njërin nga kapitujt më të rëndësishëm të evolucionit njerëzor. Që andej edhe kufijtë e njerëzimit,
      njeriu duhej ta kthente njeriun në natyrën e tij të humbur. T‘i mbroje dhitë do të thoshte t‘i mbroje këto qenie memece të pafuqishme që Zoti i kishte krijuar dhe i kishte dërguar që njeriu, me ndihmën e tyre, të mbronte veten. Sipas mendimit të babait, Çanga dukej kështu si një lloj shpëtimtari, jeta e të cilit tani luhatej ndërmjet rrugës drejt sakrificës së shenjtë dhe asaj reale.
      Në dallim nga babai, i cili prej kohësh kishte mësuar të vërtetat e jetës nga libra të zgjedhur, Çanga e kishte zbuluar po këtë jetë në përplasje me të. Vetëm dy qenie me një forcë karakteri të tillë mund të ndjeheshin kaq të afërta me njëra-tjetrën, ta përqafonin çështjen e dhive në tërë aktualitetin e saj, t‘i zhduknin dallimet etnike ballkanike, atë që s‘kishin arritur ta bënin as fetë as ideologjitë e të gjitha perandorive të prëmbysura. Ata i bashkonte përvoja e vuajtjeve të mëdha që u kishin shkaktuar kthesat në jetë. Volontarizmi i Çangës bëhej ideal i pranueshëm për babanë e mendimet e babait bëheshin vullnet i Çangës. Ata e plotësonin njëri-tjetrin me kënaqësi, duke e ruajtur njëkohësisht autonominë e tyre.
      Si një princ dhish, Çanga mbretëronte në qytet. Ai ecte, i përcjellë nga tufa e engjëjve të bardhë të tij, të lehtë, të shkathët, të hallakatur. Si të gjithë ata që kishin dhi, edhe njerëzit e Lagjes së Dhiarit kishin pasur një përvojë të hidhur nga komisionet e regjistrimit: disave u ishin rrëmbyer dhitë me egërsi; disave u ishin therë në prani të anëtarëve të familjes; e të tjerë kishin përfunduar edhe në gjyq së bashku me kafshët e tyre. Megjithatë, komisionet nuk kishin arritur të asgjësonin të gjitha dhitë, dhe as që kishin arritur t‘i identifikonin të gjitha. Ato dilnin tani si nga thellësia e tokës për t‘iu bashkuar Çangës dhe tufës së tij që lodronte në mes të qytetit. Po, kishte pasur njerëz me fat që kishin arritur ta kalonin „rrethin e ferrit“ të komisioneve të plotëfuqishme dhe kishin arritur kështu t‘i shpëtonin dhitë për këtë ditë të ringjalljes së tyre nën drejtimin e Çangës. Kështu, në sheshin e madh tani parakalonin të gjitha dhitë e qytetit që kishin shpëtuar dhe të gjitha ato të Çangës që qenë larguar para pak kohe. Mbretëronte një solemnitet si dikur në parakalimet e mëdha të Një Majit dhe në paradat ushtarake.
      Njerëzit, që i ruanin të freskëta kujtimet e ngjarjeve tronditëse që kishin kaluar, dilnin te pragu i shtëpisë për ta prëshëndetur Çangën me shpresë se do të kthehej përfundimisht koha e dhive. Por, të tjerët e parandienin se Çanga e dhitë e tij po shkonin drejt vdekjes.
      Sy të fsehur, por të beftë, ndiqnin lëvizjet e Çangës. Ishte caktuar dita „D“ i qërimit të hesapeve një herë e mirë me atë dhe dhitë e tij, me dhitë e gjithë qytetit, me të gjitha dhitë e kohës sonë. Informata për ecejaket e Çangës dhe të dhive grumbulloheshin tani vetëm në një qendër.
      Në republikat e tjera, çështja e dhive tashmë ishte „zgjidhur“ ose ishte në prag të zgjidhjes. Kishte tregues të saktë që vinin nga fshatrat e vogla malore, nga qytezat, nga luginat, nga të gjitha vendet, madje shumë të thella, për asgjësimin e miliona e miliona dhive. Strategët e shoqërisë komuniste kishin statistika të hollësishme për numrin e barinjve, të shndërruar rishtas në klasë punëtore, me ndihmën e të cilëve do të ndërtoheshin uzina, ura, rrugë, diga, hidrocentrale. Natë e ditë arrinin raporte në Qendër si veprohej me dhitë?), udhëzime të shifruara dërgoheshin nëpër kryeqytetet e republikave, shqyrtoheshin përvoja, dërgoheshin porosi dhe udhëzime, sugjerime me qëllimin përfundimtar për ta shtypur „kundërrevolucionin e bardhë“. Qytetin e kishin rrethuar forcat e policisë dhe të ushtrisë. Venddaljet nga qyteti dhe vendkalimet kufitare kontrolloheshin rreptësisht. Shtypeshin udhëzime, afishe, urdhërndalime me figurën e Çangës dhe të dhive të tij. Premtoheshin shpërblime. Duhej menduar për çdo gjë. Në të vërtetë Çanga mund të merrte arratinë me disa dhi e ndonjë cjap, të fshihej diku e pastaj, pas shumëzimit të dhive, në çastin e duhur, të kthehej me forcë në qytet.
      Çdo gjë duhej të planifikohej!
      Ishin në pyetje arritjet e revolucionit!
      Ishte në pyetje socializmi!
      Nuk mund t‘i lije pa ndëshkuar këto dhi që donin ta ndalonin rrjedhën e historisë, ndërtimin e sigurt të shoqërisë së re socialiste, për të cilën garanci kryesore ishte klasa punëtore! Duhej korrigjuar ky „gabim gjenetik“.
      Duhej, duhej, duhej! Jehonte nga të gjitha anët.
      Në vigjilje të ditës „D“, Çanga ftoi të gjithë barinjtë, të vjetër e të rinj, përfshirë këtu edhe ata të cilëve u kishin vrarë dhitë, që të shkonin në pjesën e egër të parkut të qytetit, në breg të lumit, për të festuar, së bashku me të afërmit, kthimin e tij dhe të dhive.
      Njerëzit u çuditën: çfarë mendimi mund të kishte lindur në kokën e Çangës? Çfarë festimi mund të shënonte kthimi i tij, kur ishte bërë gati litari për ta varur, kur ditët e tij e të dhive ishin të numëruara?
      Më kujtohet një përgjigje që ia dha Çanga babait, mesazhin e së cilës e kam kuptuar vetëm në këto kohë. Gjatë një bisede, babai e kishte pyetur:
      - A ekziston ferri?
      - Po, ekziston!
      - Ku kështu?
      - Kur njeriu e humb shpresën! – ishte përgjigjur ai.
      Me sjelljen dhe qëndrimin që mbante, Dhiari tregonte që shpresa ishte një instinkt të cilin mund ta vriste vetëm mendimi. Dhitë, këto qenie, në ndërgjegjen e të cilave dukej se ishte shkrirë, tregonin se nuk e njihnin dëshpërimin. Vetëm prej tyre i buronte forca për të qëndruar.
      Njerëz e dhi nxitonin nga të tëra anët drejt lumit. Të rinj dhe pleq. Nëna dhe gra që do të lindnin. Të gjithë, të gjithë ata që ua detyronin jetën dhive dhe Çangës. Dukej se shkonin në qendër të jetës për të shembur pengesën e rrjedhës së saj. Asgjë nuk mund ta ndalonte këtë lëvizje njerëzish e kafshësh nën komandën e Çangës. Autoritetet nuk pranonin në asnjë mënyrë të shpejtonin aksionin, rrjedha normale e të cilit kërkonte të kalonin edhe disa orë të natës. Atëherë, dhitë do të fluturonin në qiell. Do të burgoseshin barinjtë, por, kuptohet, jo të gjithë. Do të kapeshin, për shembull, më luftarakët, më të paepurit. Duhej me çdo kusht të kapej Çanga, gjallë. Do t’i organizohej një proces gjyqësor i madh. Në këtë proces do të ftoheshin përfaqësues nga të gjitha republikat, do të lejohej prania e vëzhguesve të huaj. Do të ishte ky një proces i madh gjyqësor në Republikën Jugore. Duhej ta kuptonte bota se cila ishte Republika Jugore dhe rruga e saj drejt socializmit. Se mos këta barinj të mallkuar do të mund ta ndryshonin rrjedhën e historisë? A mos, vallë, me dhitë e tyre do të mund ta lavronin tokën, të ndërtonin hekurudha, të ngrinin ura, të prodhonin traktorë, lokomotiva? Ah këta djaj të bardhë!
      Radhët e bardha bashkoheshin tërë ngazëllim në një brez të gjerë që mbaronte në fund të pyllit në një vend pothuajse të panjohur për shumicën. Kishin ardhur të gjithë, barinj besnikë, përfshirë edhe ata nga qytete të tjera. Ata kishin arritur të përbiroheshin me shkathtësi, megjithëse vendkalimet për në kryeqytet ishin mbyllur.
      Çanga përshëndetej me të gjithë. Ai kishte veshur një gunë të gjatë madhështore prej lesh dhie, të punuar me mijëra fije të bardha që shkëlqenin si rrezet që kurorëzojnë Mbretin-Diell të dhive.
      Babai zakonisht nuk merrte pjesë në manifestimet e barinjve. Ai dëshironte t’u qasej ndryshe problemeve të tyre. Merrte pjesë në çështjen e dhive kryesisht përmes miqësisë dhe bashkëpunimit me Çangën. Të gjithë ishin në dijeni të “aleancës dhiore” dhe lidhjes ndërmjet Dhiarit e Intelektualit.
      Ndërkohë që ne fëmijët po përgatiteshim të niseshim drejt parkut për takimin tonë të madh e të fundit me Çangën e dhitë e tij, babai na ndaloi te pragu e na tha ta prisnim, sepse dëshironte të vinte me ne. U habitëm e u hutuam edhe më shumë kur nëna u bashkua me ne.
      Kur dilte nga shtëpia, babai e merrte gjithmonë kapelen. Kështu bëri edhe këtë herë. Nëna i tha që atë ditë të bënte një përjashtim nga rregulla e tij e ta linte kapelen në shtëpi. Nuk i kishte hije që të shkonte me kapele midis dhiarëve! Babai nuk hoqi dorë e nëna nuk nguli këmbë më tej. Ne u nisëm të gjithë së bashku në takim me dhitë.
      Kur Çanga e vuri re nga larg babanë me kapelen e tij, nuk u besoi syve të vet. Ata u përqafuan me përzemërsi me njëri-tjetrin. Me sytë mbushur me lotë, nëna e përshëndeti Dhiarin. Ne lexuam në sytë e saj se ajo parandjente diçka.
      Çanga i pëshëndeste të gjithë me dashamirësi. Ai kishte sjellë kade të mëdha me djathë të bardhë, të cilin ua shpërndante të gjithëve. Kishte për këdo një fjalë të ëmbël dhe i kujtohej çdo dhi, duke përfshirë këtu edhe ato që ishin therë.
      Qyteti nuk kishte parë kurrë manifestim më madhështor. Kishin mbetur në harresë vigjiljet e festave me netët e ndriçuara nga fishekzaret që fillonin me buçimat e topave e që paralajmëronin Ditën e Punës, Një Majin, Ditën e Fitores, Ditën e Ushtrisë…
      Për ne të tjerët, kjo festë e Çangës dhe e dhive të tij ishte më e bukura në botë. Gjatë solemniteteve të tilla, si të ishte fjala për një rregull, qytetin e pushtonte një melankoli dhe pasiguri. Por kujt mund t‘i shkonte mendja për fatkeqësi në këtë gëzim të përbashkët të njerëzve e të kafshëve? Oh, sa shumë njerëz po dëshmonin se e kishin mposhtuar egërsinë brenda vetes, e sa shumë dhi kishin çliruar nga thellësia e vetes atë pjesë njerëzore që kishin!
      Kurse ata – mallkuar qofshin! – që po e përgatisnin rrethimin, ata dinin vetëm t‘i ndanin njerëzit në klasa, në miq dhe armiq të klasës, e pastaj, t‘ia nxirrnin sytë njëri-tjetrit! E, si do të mund të kuptonin ata praninë e këtyre njerëzve përkrah dhive? Të dhive përkrah këtyre njerëzve?…
      Buçiti kënga. Ishte një melodi revolucionare ku emri i Çangës kishte zëvendësuar atë të Stalinit. Edhe dhitë përmendeshin në refrenin e saj. Këndonin me sa zë që kishin në atë natë të qetë. Nëpër brigjet e lumit, kënga arrinte në rethinat e qytetit e deri në shesh. Fishekzaret fluturonin në qiell, nga një, dy, tre e hapeshin në buqeta të mrekullueshme kalteroshe, të verdha, të kuqërremta e qiellin si ta mbulonte një shi yjesh.
      Në qytet, shqetësimi nuk fshihej dot. Nuk mund të ndërmerrej asgjë pa udhëzime e ishte e pamundur që ato të vinin menjëherë. Kush tjetër përveç Çangës mund t‘i kishte siguruar ato fishekzare, për të cilat ne, fëmijët, thamë se ishin më të bukura se ato të Një Majit?!
      Erdhi mesnata. Qielli u mbulua me re të errëta. Pikat e para të shiut rrëshqitën mbi gjethe. Njerëzit filluan të largoheshin. Të gjithë me radhë përshëndeteshin me Çangën e kjo sikur e shkurtoi natën. Ne qemë të fundit që u përshëndetëm. Mua, që isha kanakar i tij, Çanga më dhuroi një thikë me dorezë prej briri të dhisë. Ai u pëshëndet në fund me babanë. Nuk i thanë asgjë njëri-tjetrit. Por ai ishte një nga ato çaste që flisin më së shumti. Miqësia e vërtetë është pëshpëritje e shpirtit që asgjë nuk mund ta zëvendësojë, që nuk ndërrohet me asgjë në botë, që është, tekembrama, gjithçka.
      Ne u nisëm. Çanga mbeti vetëm… Por jo, jo, nuk ishte vetëm! Me të kishin mbetur të gjitha dhitë. Ndër ato që e rrethonin, disa kishin fytyrë të madhe e të lëmuar e lëshonin zëra si të njerëzve. Pa dyshim ato ishin si qenie njerëzore…
      Kur arritëm në shtëpi, babai lexoi deri natën vonë. Kurrsesi të fikej llamba e tij e verdhë. Duke thurur trikon, nëna vazhdonte të shpikte sytha të rinj, ndërsa ne, fëmijët, ripërtypnim kujtimet për dhitë tona, për kohën kur ne jetonim së bashku. Ato tani ishin me Çangën, që, fill i vetëm, duhej t‘i mbante gjallë, t‘i shpëtonte nga vdekja. Çanga, i vetmi që s‘i trembej vdekjes, heroi i kohës së dhive.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]