Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Kreu XVII
E shtune, 16-06-2007, 02:15pm (GMT)

Me t‘u përhapur lajmi i parë për ndalimin e dhive, një frikë e madhe e pushtoi Lagjen e Dhiarit. Kjo frikë u rrit edhe më shumë kur u mor vesh që Çanga ishte zhdukur bashkë me tufën e tij të madhe. Çdo familje kishte, si të thuash, një plan se si t‘i shpëtonte dhitë e veta. Në shtëpinë tonë, ne ishim po aq të shqetësuar për zhdukjen e Çangës, sa edhe për fatin e kafshëve tona.
      Të gjithë pyesnin se ku ndodhej Çanga, ku e kishte çuar kopenë e vet. Lloj-lloj historish qarkullonin nga të tëra anët. Partia i përhapi fjalët, sipas të cilave Çanga me dhitë e tij u ishin dorëzuar autoriteteve. Sipas ca të tjerëve, ai ishte larguar bashkë me dhitë përtej kufirit. Disa njerëz keqdashës thonin duke pëshpëritur se ai kishte qenë një spiun i futur në lagje, që kishte bashkëpunuar me autoritetet që në fillim dhe i kishte lënë tani banorët me gisht në gojë. Askush nuk u besonte këtyre thashethemeve, por nuk mund t’i përgënjeshtronin, përderisa Çanga të mos dukej me kafshët e veta. Pa të, pa dhitë e cjeptë e tij, në Lagjen e Dhiarit, madje në tërë qytetin, zotëronte një atmosferë pikëllimi. Ne të gjithë prisnim që të kthehej. Ai duhej të kthehej.
      Në të vërtetë, Çanga nuk mund të përshtatej në atë socializëm që asgjësonte dhitë. Pas shumë e shumë bisedash me babanë dhe me barinjt e tjerë të njohur, ai kishte vendosur që të shkonte pranë autoriteteve federative, deri në instancat më të larta të vendit, për të biseduar, po qe nevoja, edhe me strategun kryesor për çështjen e dhive. Ai mendonte madje t’i bënte vizitë edhe vetë Udhëheqësit. Babai ia përsëriste që nuk do të arrinte kurrë në hierarkinë më të lartë dhe se do të ngatërrohej në rrjetin e niveleve më të ulëta.
      Çanga e kishte zakon ta çonte deri në fund çdo gjë që planifikonte të bënte. Nuk kishte forcë që mund ta ndalonte, sidomos kur ai nxitej nga instinkti i së vërtetës. Gjatë njërës nga bisedat me të, babai kishte hedhur mendimin së përgjegjësi kryesor për çështjen e dhive ndoshta gjendej jashtë vendit. Çanga e dinte fare mirë që babai e kishte fjalën për Stalinin. Kështu, pas pak ai tha:
      - Nëse do të jetë e nevojshme që të sqarohet çdo gjë lidhur me dhitë, unë do të shkoj deri te vetë Stalini!
      Babai e tundi kokën me dyshim. Ishte koha, kur s’kish rrezik më të madh se të zije në gojë emrin e Stalinit, e jo më të shkoje tek ai.
      Çanga kishte lidhje të rëndësishme dhe të pabesueshme nga të gjitha anët, përfshirë këtu edhe disa vende të Lindjes, ku problemi i dhive ishte po aq aktual. Sipas tij, madje edhe Informbyroja kishte filluar të merrej me të. Meqenëse nuk mund të mbahej një qëndrim i përbashkët, ishte lënë që çdo parti motër ta zgjidhte problemin sipas specifikës së vendit të vet. E duke qenë se socializmi tek ne ndërtohej në kushte të veçanta, mendonte Çanga, problemi i dhive këtu duhej të zgjidhej pa hedhur ndonjë hap të gabuar. Por, veç të tjerash, edhe fakti që shteti ynë përbëhej nga shumë republika, e turbullonte pak këtë arsyetim të mirë dhe i ndërlikonte gjërat.
      Babai kishte qenë dëshmitar i mjaft dukurive jo të zakonshme që kishin ndodhur në Ballkan, por kjo që po ndodhte me dhitë, për të ishte më e veçanta dhe më e pabesueshmja nga të gjitha. Në fillim të shekullit, ai kishte qenë dëshmitar i rënies së Perandorisë Osmane. Pastaj kishte kaluar Luftërat Ballkanike, Luftën e Madhe, Luftën e Dytë Botërore, por deri më tani askush nuk ishte marrë me dhitë. Shekulli kishte kaluar së bashku me to. E si mund të merreshin me dhitë, të cilat, gjatë gjithë këtyre luftërave, nuk i kishin tradhtuar as mundësit as të mundurit. Ato u kishin shërbyer me besnikëri që të gjithëve. Për më tepër, në Ballkan asgjë nuk ishte në thelb kaq e qëndrueshme sa dhitë. Por ja që po i asgjësonin! Ç’kohë e mallkuar!…
      Në mungesë të Çangës parashikohej që në Lagjen e Dhiarit të ndodhnin ngjarje tragjike. Njerëzit filluan t’i fshihnin dhitë, gërmonin nëpër oborre podrume nëntokësore, llogore. Dukej se çdo shtëpi shndërrohej në një fortesë të vogël, thuajse të gjithë prisnin apokalipsin! Por një mëngjes, vetë Zoti i zgjoi njerëzit e Lagjes së Dhiarit.
      Ishte kthyer Çanga!
      Çanga ishte kthyer!
      Kënga e tij jehonte në tërë qytetin si dikur këngët revolucionare, ato të fitimtarëve. Dhitë u shfaqen si zogjtë shtegtarë në fluturim. E kur po zgjoheshim, nuk e kuptonim nëse ktheheshim në ëndrrën tonë apo fillonim një ëndërr të re. Nën thundrat e dhive ngrihej pluhuri i qytetit që nuk ishte ngritur prej shumë kohësh. Jeta me zhurmat e saj po kthehej nga të tëra anët.
      - Çanga po kthehet! Rroftë Çanga! Rrofshin dhitë! Tito – Çanga! – Dëgjohej kudo si në kohën kur brohoritej “Tito – Stalin!”.
      Dhitë po rishfaqeshin, po rreshtoheshin me barinjtë pas tufës së famshme të Çangës si për parakalimin e madh të Një Majit. Shpëtimtari ynë i madh ishte kthyer fshehurazi. Nënat e krahasonin me Zotin, ne me Stalinin – kuptohet fshehurazi – sepse ne mendonim që pas zhdukjes së portrtetit të tij, i cili dikur qëndronte përbri atij të Titos, na duhej të kishim një tjetër Stalin! Çanga mund të ishte ky Stalin i ri, mbrojtësi i dhive tona, mbrojtësi i jetëve tona. Ata më të guximshmit, analfabetët ose njerëz më pak të informuar, duke mos qenë të ndërgjegjshëm për rrezikun, bërtisnin edhe: “Çanga – Stalin!”. Disa, madje, arrinin të ngjisnin afishe, të shkruanin trakte, të ngjitnin pllakata me parulla e figura të suksesshme në favor të dhive. Mund të lexoheshin parullat si: “Rroftë dhia e komshiut!”, “Përpara me dhitë për fitore të reja në frontin e punës!”…
      Brenda një kohe të shkurtër, Çanga u ndodh mes sheshit, mes mijëra njerëzish e dhish. Pushteti dhe partia, policia, ishin hutuar. Përveç Çangës, askush nuk ishte përgatitur për një kthesë të tillë të gjendjes në kryeqytet. U dërguan menjëherë telegrame urgjente në organet më të larta të pushtetit. U kërkuan udhëzime për të shmangur zgjerimin e këtij “kundërrevolucioni të bardhë”. Duhej të hynte në fuqi patjetër një ditë ligji që ndalonte mbajtjen e dhive! Por pushteti mbeti i heshtur dhe pa inisiativë. Ligji nuk mund të zbatohej ende, pos të veprohej në mënyrë të paligjshme. Ndërkaq i mbetej pushtetit vendor që të vendoste vetë se çfarë mund të ndërmerrte kundër Çangës e dhive. Por nuk e kishin të lehtë, sepse tërë qyteti po radhitej tani përbri Çangës.
      Çanga priste të ballafaqohej në estraden e sheshit me përfaqësuesit e pushtetit dhe të partisë, ashtu siç kishte ndodhur ditën kur ai kishte zbritur në qytet në krye të dhive e të barinjve kur të gjithë kishin ndaluar në qendër të qytetit. Kishin rrjedhur shumë ujëra nën urë që atëherë. Por sot, atë dhe barinjtë po i prisnin me bukë e kripë; po përpiqeshin t’u gjenin një kulm mbi krye; madje edhe ndaj dhive po tregoheshin më të kujdesshëm. Por, pikërisht në atë çast, filloi të lindte dyshimi brenda partisë dhe pushtetit.
      Një gjë ishte më se e qartë: barinjtë nuk ishin kthyer fare në klasë punëtore. Ishin tradhtuar idealet e mëdha të partisë e të ndërtuesve të socializmit. Barinjtë nuk i kishin hequr qafe dhitë e tyre, nuk ishin shndërruar në punëtorë të rinj. Përkundrazi, fëmijët ishin rritur, ata që ishin e ardhmja e vendit… e po të mos kishin qenë dhitë?
      Çanga mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm. Ai paraqiti dëshmi për kohën e dhive që nga origjina e deri sot. Ishte përgatitur mirë. Ai e dinte që këto fjalë do të radhiteshin e do t’u dërgoheshin autoriteve të republikës, pushtetit federativ, udhëheqësve të partisë, e për këtë arsye kujdesej që të mos harronte gjë. S’kish pikë dyshimi që ai e kishte mposhtur frikën. Ai donte që tani t’ua largonte frikën tërë barinjve, të rinj e të vjetër.
      Babai nuk ndodhej në sheshin e madh. Ai nuk e dinte se ç’po ngjiste. Ishte në gjykatë për një punë, të cilën s’mund ta shtynte. Po ta kishte ditur që ishte kthyer Çanga dhe për grumbullimin në shesh, me siguri do të kishte lënë menjanë çdo punë tjetër. Ai e kishte shfaqur hapur shqetësimin që s’kishte marrë lajme prej shumë kohësh nga Çanga. Dhe ja që lajmi i ri i ditës erdhi kur nuk e priste fare! Po ashtu ai nuk arriti ta besonte atë që i treguam kur u kthyem në shtëpi me tri dhitë tona pas tubimit. Me një pamje të shqetësuar, ai na përkëdheli flokët dhe në fytyrën e tij u shfaq ajo buzëqeshje që na trimëronte sa herë që kishim nevojë ta ruanim shpresën.
      Të mëdhenj e të vegjël ishim në dijeni për lajmet e radios, për kërcënimet e Stalinit, për sulmet kundër dhive. Kështu, ne prisnim dënimin e fundit, fundin e kohës së dhive. E ndërkaq, ne po e përjetonim këtë çast të shkurtër lumturie.
      E tillë ishte gjendja në familjen tonë: i kishim lejuar vetes të rronim në gëzim para se të na godiste fundi fatkeq i dhive, sepse ne nuk donim të humbnim asgjë nga çastet e lumturisë sonë të fundit me ato.
      Nëna po na priste e qetë në pragun e shtëpisë. Kur na pa me dhitë, fytyra e saj u ndriçua nga një shprehje që i shfaqej sa herë që ishim të gjithë së bashku. Ajo kishte një tufë pyetjesh për të na bërë, por e ruante qetësinë. A do të na i rrëmbenin dhitë, a do të na i vrisnin? A ishte e vërtetë që në republikat e tjera i masakronin dhitë në masë me mitraloza e madje me topa? E barinjtë, a ishin burgosur, a ishin gjykur, a ishin internuar?
      Babanë e kishte mësuar jeta që të mos i dorëzohej fatkeqësisë para kohe, por të kërkonte në mendjen e tij, për atë kohë që i mbetej, forcat që do t’ia mundësonin të qëndronte.
      - Çanga qenka kthyer, me siguri ditë më të mira do t’i presin dhitë, - tha nëna, duke thyer heshtjen.
      Ne prisnim me padurim që rrjedha e bisedës të kthehej në të mirë të Çangës e të dhive.
      - Çanga është kthyer, - pohoi babai, - por problemi mbetet. Tani vjen periudha më e vështirë, duhet të kemi kujdes…
      Qortimi pothuaj i padukshëm i drejtohej nënës. Ishte ajo që na kishte shtyrë të dilnim me dhitë. Ajo e pranoi me një zë që i dridhej:
      - Të gjitha dhitë e lagjes ishin jashtë me fëmijët e barinjtë e unë thash që…
      - Po, po, të gjithë kishin dalë me dhitë! – pohuam ne njëzëri.
      - Mirë, mirë, keni bërë mirë, - përsëriti babai. – por tani e tutje kini kujdes. Ujku nuk qetësohet vetëm duke i parë dhitë. Edhe pa ato, ne fare mirë mund të jemi ndër të parët që mund të goditemi!
      Për herë të parë e tha qartë e shkoqur atë që mendonte për fatin tonë dhe të dhive. Por nëna, e cila, natyrisht, donte të na qetësonte, iu drejtua atij me një ton tjetër:
      - Çanga me siguri ka sjellë lajme të mira.
      Kështu ajo u kthye te mendimi i saj i parë.
      Babai nuk tha asnjë fjalë, megjithëse kishte shumë për të thënë. Fliste shumë heshtja e tij. Ai na la në mendimet tona. Ai e njihte shpirtin e mirë të Çangës. Në ato kohë lufte për mbijetesë, ku çdo gjë ishte e ndërlikur në Ballkan, dhe kur padurimi për t’u arritur një zgjidhje paqësore shtynte më shpesh që t’ia drejtoje tjetrit thikën, sinqeriteti i ndërsjellë i kishte bashkuar zemrat e tyre deri në atë shkallë, sa që ato ishin shkrirë me njëra-tjetrën. Ai e ndjente qartë që Çanga kishte rënë në dëshpërim të thellë. E kishte të qartë që nuk kishte, që nuk mund të kishte lajme të mira (përgjigje që duhej t’ia kishte thënë nënës) dhe që duhej të ndërmerrte çdo gjë që ishte e mundur.
      Pasi hëngrëm në heshtje, babai u tërhoq në dhomën e tij për të pushuar si zakonisht. Ai qëndroi atje për një kohë të gjatë. Me siguri e priste Çangën.
      Koha po kalonte ngadalë. Pritja ishte e tillë sa ne na dukej që edhe lumi rridhte më ngadalë. Frynte një erë e lehtë që vinte nga lumi dhe përhapej mbi gjethet e shkëlqyeshme të plepave gjigantë, të cilët prej kohësh ngriheshin përballë fortesës si të donin t’ia kalonin asaj në lartësi. Me mijëra stërqokë nisnin fluturimin e tyre nga të çarat dhe zgavrat e mureve të kështjellës. Me një fluturim melankolik, duke lëshuar një zë si në kor, që dukej papritur sikur mbronte kaltërsinë e qiellit e sikur ftonte në një udhëtim të largët drejt së panjohurës, ata ndalonin në degët e plepave. Në fluturim e sipër, në një rresht tepër të gjatë, ata mbulonin lumin si me një re të zezë. Fluturimi i stërqokëve që kalonin dhe e rikalonin lumin, ishte pjesë përbërëse e peizazhit dhe ne nganjëherë e merrnim si një thirrje fatkeqësie. Atëherë, me zërat tonë fëmijërorë, ne përpiqeshim të zbulonim zërin e stërqokëve, në fillim të fshehur nën kurorën e plepave të stërmëdhenj, e pastaj në zgavrat që kishte gërryer koha në muret e fortesës dhe në kullat e saj prej guri. Por, atë ditë, fluturimi i stërqokëve që vinin nga kulla kishte pushuar, para se të jehonin zërat tonë fëmijërorë.
      Lagjia e Dhiarit po zhytej në ëndrra shqetësuese. Këto ëndrra ndryshonin nga njëra-tjetra, por, te secila prej tyre, heroi kryesorë ishin dhitë tona.
      Edhe ne notonim mes ëndrrës dhe realitetit; e prisnim Çangën. Ishim ende as në gjumë as zgjuar, kur në derë tingëlloi zilja që e njihnim mirë. Nëna u ngrit e para të hapte derën.
      Me një hap të shpejtë, Çanga i ngjiti shkallët që shpinin në dhomën e punës të babait. Drita e verdhë e përhershme derdhte rrezet e saj mbi libra. Çdo gjë ishte si më parë, gati për t’u nisur në një udhëtim mbi valët e kohës, me faqet e librave të hapuar.
      Nëna hyri në dhomën ku kishim fjetur, por që tani ishim zgjuar plotësisht, për të na mbuluar e rimbuluar me kujdes. Ajo nuk foli, megjithëse e kuptoi që nuk po flinim. E dinim që ajo nuk do të mbyllte sy përderisa do të ndriçonte llamba e verdhë në dhomën e punës të babait. E ne si të kishim lidhur të gjithë një marrëveshje të shenjtë me heshtjen e shtëpisë së vjetër. Arrinim jo vetëm të zbulonim me saktësinë më të madhe edhe gërvishtjen më të vogël që e prishte këtë qetësi, por edhe ta shpjegonim atë edhe me qartë se uji që rridhte nëpër lumë.
      Gjatë netëve të ngrohta e të qeta të verës, nëna e kishte zakon t’i hapte dritaret sa ne arrinim të dallonim edhe frymëmarrjen e lumit që na lidhte me gjallëri me rrjedhën e jetës. Lumi depërtonte në ëndrrat tona dhe e ndryshonte thelbin e tyre. Tani, më qartë se kurrë, dëgjonim pëshpëritjen e qetë të gjetheve të plepave që lageshin nga ujërat e tij.
      Babai e kishte pritur Çangën në heshtje, duke kthyer edhe një faqe të librit që po mbante para vetes. Dhiari u përthith menjëherë nga qetësia e babait, fryt i leximit të tij të përhershëm. Në këtë çast, ai do të donte të derdhte para librave të babait tërë rezervën e fjalëve që kishte mbledhur, tërë ç’ishte grumbulluar në shpirtin e tij që nga hera e fundit që ishin parë. Do të kishte dashur që, në qetësinë e kësaj fortese librash të të gjitha kohëve, të kthente qetësinë e vet të dikurshme. Zemërimi dhe qetësia, tërbimi dhe mirësia, hidhërimi dhe gëzimi, fuqia dhe pafuqia ndërthureshin tek ai deri në atë shkallë, sa që ishte e vështirë t’i ndaje. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ai i ishte afruar kaq shumë babait. Para babait, çfarëdo që mund të thoshte për t’u çliruar, çfarëdo që duhej ta largonte nga shpirti i tij, ai mbetej gjithnjë ai vetë: Çanga. Po të kishte qenë fjala për të tjerët, – kjo kishte ndodhur më se një herë gjatë këtyre ditëve kur ai përpiqej aq shpesh të lirohej nga barra që i rëndonte në zemër - me siguri do të kishte përfunduar në grindje e përleshje të vazhdueshme. Po edhe babai, sado që ia hapte shpirtin e vet Çangës, prapë mbetej ai vetë.
      Pasi qe vendosur heshtja e zakonshme e takimeve të tyre të mëparshme, Çanga qe i pari që ndërhyri:
      - Po hyjmë në kohë të vështira dhe askush s’e di se ç’do të na sjellin ditët e ardhshme…
      - Kohë të vështira, tepër të vështira, - ia ktheu babai. – por në Ballkan kohët e lumtura nuk kanë zgjatur kurrë. Është pothuajse rregull që pak paqe dhe pak lumturi të paguhen me ngjarje sa tragjike, aq edhe të papritura.
      - Ne kurrë nuk e dimë se kur do të marrin për mirë gjërat: djalli është gjithmonë aty edhe kur ne e kemi vështirë ta dallojmë praninë e tij.
      - Ka kohë që s’je dukur.
      - Kam udhëtuar; edhe nëpër republikat e tjera.
      - Çka po ndodhë atje? Si udhëtoje? Deri ku ke shkuar?
      - Kam udhëtuar nëpë gjithë vendin më këmbë, me tren, me kamionë. Mënyra e udhëtimit varej nga vendi. Kam qenë në republikat e tjera, ku barinjtë janë diku më shumë e diku më pak. Kam kaluar fshehurazi kufirin, në kërkim të së vërtetës për dhitë. Në vendet e tjera të Lindjes – miqtë dhe vëllezërit tanë të deridjeshëm – instancat më të larta po përpiqen, si këtu, ta zgjidhin këtë problem…
      Biseda e Çangës e befasoi babanë. Ai nuk e kishte besuar që ekzistonin lidhje të tilla mes problemit të dhive dhe politikës së madhe, që kjo çështje mund të „ndërkombëtarizohej“ kështu. Para se gjithash priste me padurim ta merrte vesh se çfarë ndodhte brenda vetë Jugosllavisë, në republikat e tjera, ku barinjtë „ngrenin peshë“. Babai ishte mjaft i informuar nga lajmet që transmetonin radiostacionet perëndimore, por tani donte t‘i verifikonte nga një dëshmitar okular.
      Çanga ia kuptoi mendimin dhe vazhdoi:
      - Në republikat ku barinjtë „ngrenë peshë“ ndodhin gjëra të frikshme si për njerëzit, ashtu edhe për dhitë. Unë kam parë familje të veshura në zi pas vdekjes së burrave dhe të dhive! Toka është tharë si dhe gjinjtë e nënave. Aq shumë fëmijë janë zhytur në pikëllim! Me asgjësimin e dhive, po lahen hesapet e moçme që kanë mbetur jo vetëm nga lufta e fundit, por edhe nga të tjerat edhe më të vjetra se kjo. Të fuqishmit kërkojnë të imponohen sërish. E për çdo gjë fajtore janë dhitë! Meqë me çdo kusht duhet të ekzistojë një armik i përhershëm, tani kërkojnë ta nxjerrin nga radhët e dhive, në mënyrë që socializmi ta ndjekë i sigurt rrugën e vet! Tani dhitë janë fajtorët kryesorë. Dikur sakrifikoheshin vetëm cjeptë emisarë…
      Çanga, të cilin babai nuk e ndërpreu, iu lëshua rrjedhës së paparashikuar të mendimeve të veta. Pas një heshtjeje të shkurtër, për kushedi të satën herë, ai shtroi pyetjen e përjetshme:
      - Po, pse, pra, e kanë kapë kaq keq me dhitë? Pse kjo luftë vëllavrasëse kundër tyre?
      Babai nuk pati ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë për të. Edhe po ta kishte kërkuar, ai nuk do ta gjente, sepse nuk ekzistonte. Shprehja „luftë vëllavrasëse kundër dhive“ atij iu duk e çuditshme. Çanga, me sa dukej, me atë fshihte diçka të pathënë. Megjithatë ishte i sigurt që ajo bazohej në ngjarje të jetuara. Dhiari vazhdoi:
      - Me sa duket, duke u bazuar në udhëzimet e përgjithshme të Federatës, çdo republikë është dashur të zbatonte strategjinë e vet për asgjësimin e dhive. Gjithashtu, thuhet që çdo komune i është dashur ta hartonte taktikën e vet. Dreqi e merr vesh se ç‘po ndodh!
      „Thuhet se ka udhëzime të veçanta për republikat me kombësi dhe besime të ndryshme. Pritet që aty të ketë kundërshtime dhe trazira të mëdha. Nuk ka shtëpi ku të mos jetë asgjësuar një dhi. Qërimi i hesapeve me dhitë dhe me barinjtë, me sa duket, ka qenë nga më të ashpërit në Republikën Qendrore, të cilën e mbajnë si nga më të përzierat. Atje ma kanë rrëfyer një ngjarje të pabesueshme, të pashoqe në kronikën e shfarosjes të dhive brenda republikave jugosllave:
      „Një familje kishte tre fëmijë e shtatëmbëdhjetë dhi. Ajo u vu në shënjestër sapo u shpall ligji për ndalimin e mbajtjes së dhive. Merre me mend, shtatëmbëdhjetë dhi! Komisioni erdhi dhe çdo ditë vrau nga një dhi. Megjithë përpjekjet e bariut fatkeq për t‘i fshehur dhitë, ai nuk kishte arritur t‘i fshihte të gjitha. Por, autoritetet a nuk kishin të dhëna të sakta nga regjistrimi i fundit i dhive? Sipas këtyre, ata duhej të kishin gjashtëmbëdhjetë dhi. Por një dhi kishte pjellë pas regjistrimit…
      „Familja e bariut fatkeq do të mbante gjashtëmbëdhjetë plagë në shpirt. Komisioni – mallkuar qoftë! – erdhi përsëri ditën e gjashtëmbëdhjetë, e theri dhinë e fundit dhe u largua. Ai vepronte, vetëkuptohet, në bazë të fletëvet të regjistrimit. Pra, çdo gjë ishte në rregull, por bariu e dinte që ata të mallkuar do të vinin përsëri për kontroll .
      „Gjatë gjithë natës, bariu mendoi se çfarë mund të bënte. A mund t‘i shpëtojë njeriu asaj që është shkruar? Jo, asaj nuk mund t‘i shpëtohej! Megjithatë, në kokën e tij u ngatërruan një mijë mendime. Më në fund i lindi një që ia ndriçoi mendjen: ai kishte lëkurën e një qengji të sapolindur. Do t‘ia qepte, vendosi ai, kecit. Tërë natën, me ndihmën e gruas dhe nën vështrimin e shqetësuar të fëmijëve, ai iu vu punës për ta qepur lëkurën e, në mëngjes, keci ishte bërë qengj!
      „Trokiti dera për herë parë gjatë ditës: komisioni! Verifikimi i fundit, thanë anëtarët, megjithëse sipas fletëve të regjistrimit çdo gjë ishte e qartë dhe më se e qartë. Ata kërkuan, kontrolluan, ndaluan para kecit të shndërruar në qengj, e studiuan me kujdes, madje e përkëdhelën. S‘ke ç‘thua, një qengj i mrekullueshëm, thanë në fund ata.
      „Ata u përgatitën të niseshin, por ja që qengji – mallkuar qoftë! – filloi të vërriste si një dhi e zakonshme para se anëtarët e komisionit të largoheshin…
      „Ata u kthyen menjëherë. Shefi e rrëmbeu qengjin me të dy duart, e ngriti, e tundi në mënyrë që ai mos të prekte tokën. Kafsha filloi të vërriste edhe më shumë. Lëkura që ia kishin qepur, u shqep dhe prej saj doli keci. Në shtëpi u bë një rrëmujë e vërtetë. Bashkë me dhinë e morën me vete edhe bariun dhe kjo shtëpi qe njëra nga ato që u vesh me të zeza…“
      Çanga e tregonte këtë ngjarje me lot në sy. Me siguri edhe babai qante. Kishte edhe tragjedi të tjera të kësaj natyre në Republikën Qendrore. Ngjarje edhe më të zeza që s‘mund të merren me mend. Në fund, Çanga bëri pyetjen që tingëllonte si refren i tërë asaj që tregonte:
      - E pse, xhanëm, i vrasin dhitë?
      Babai dukej hapur se ishte tronditur nga tërë ato që tregonte Çanga. Mendimet e tij qenë përforcuar. Por ai ishte larg përgjigjes që kërkonte Çanga. E ndoshta nuk kishte një përgjigje të saktë.
      Babai prirej të kërkonte përgjigjen për këtë çështje në ndonjë rreth vicioz, ku gjithmonë arrin në pikën e nisjes, një variant ballkanik i absurdit. Por për ç‘arsye e kishte turbulluar tani Çanga me mendimet e veta për absurdin, përderisa jeta fliste vetë?
      Në të vërtetë, babai kishte menduar gjatë për këtë çështje, për ta kuptuar se përse i vrisnin dhitë, sidomos pasi ishte larguar Çanga. Ai kërkonte, duke gërmuar në burime të sigurta, por sa më shumë që lexonte nëpër libra e në veçanti për ato që thuheshin aty për dhitë, aq më shumë largohej nga përgjigjet që ofronte jeta. Kjo armiqësi e pashoqe që tregonin disa njerëz kundër dhive, drejtohej në të vërtetë kundër vetë atyre. Duke paraqitur mendimin që shtjellohej në librat për dhitë dhe historinë e „Romës së Tretë“, babai, duke menduar me zë të lartë, tha:
      - Tani në perandorinë e stalinizmit, në vend që ta flijojnë cjapin kryesor, i masakrojnë dhitë…
      - Po, pohoi Çanga, i vrasin dhitë!
      Babai ishte i magjepsur nga mendimi i shëndoshë i Çangës. Ai përqendrohej gjithmonë në objektivin që kishte rëndësi jetësore. Mendimi i tij ndiqte një rrjedhë të padukshme, e cila e orientonte drejt së vërtetës pa u shmangur kurrë nga realja, duke gërmuar në burimin e natyrshëm të jetës. Por ai kishte edhe rrugëdalje të qarta nga kurthet e „izmave“ të ndryshëm.
      Rruga e Çangës që e shpinte gjithmonë drejt së vërtetës, nuk ishte ajo që ndiqte më shpesh babai. Por, mendimet e tyre bashkoheshin, duke konverguar drejt qëllimit të tyre të përbashkët. Babai tregohej i durueshëm në këto biseda me Dhiarin. Ai donte të mënjanonte qoftë edhe fyerjen më të vogël të këtij shpirti të madh.
      Çanga kishte mbledhur informata të reja nga republikat e zhvilluara të veriut dhe të republikave më pak të zhvilluara qendrore dhe jugore për fatin e dhive dhe të barinjve. Ai kishte arritur, kështu, të mësonte që njëri nga drejtuesit ndër më të lartët e shtetit jugosllav, i cili lexonte shumë, si babai, dhe të cilit Udhëheqësi i besonte më së shumti e që për një kohë kishte gëzuar edhe besimin e Stalinit, duke u marrë me mikokulturë dhe mikologji, e në mënyrë të veçantë me kërpudhat e republikës së tij, në veri, kishte menduar ta çlironte vendin nga barinjtë dhe ta shndërronte në kopsht të lulëzuar të mbuluar me kërpudhat e tij të dashura. Ai kishte bindje të palëkundur për këtë. Kishte bërë për vete edhe personalitete të tjera, shumica me prejardhje nga republikat e veriut; ata së bashku kishin ardhur në përfundimin që malësorët, barinjtë dhe blegtorët, siç ishin banorët e jugut, duhej të shndërroheshin në forcë punëtore industriale, të fuqishme, të kalitur si çeliku, të fortë si graniti, që njihet me emrin klasë punëtore.
      Duke i vazhduar kërkimet e veta mbi bazën e të dhënave që Çanga i kishte qëmtuar nga jeta e gjallë, babai në fund do të arrinte në vlerësime shumë më të gjera lidhur me fatkeqësitë e Ballkanit, sidomos në kohën e dhive. Ai ishte tmerruar kur kishte vënë re se deri në ç‘shkallë kjo pjellë e re e stalinizmit, problemi i dhive, kishte përfshirë kuadrot e partisë, njerëzit e pushtetit. Besnikëria fanatike ndaj partisë shpinte fare lehtë në një mizori të përgjakshme ndaj dhive, ndaj fëmijërisë sonë. Vallë, a ishin verbuar deri në këtë shkallë sa që të mos i shihnin pasojat e asgjësimit të dhive? Ata përpiqeshin t‘i mbeteshin besnikë një gjëje të papërcaktuar që madje nuk ishte as ideal. Po të ishte të paktën fjala për këtë, atëherë mund të kishte ndonjë perspektivë për ndryshimin e mënyrës së të menduarit të tyre, e, pra, ndonjë shpresë…
      I nxitur nga kërkimi i një përgjigjeje për pyetjen që ia shtronte Çanga – „pse, vallë, i vrasin dhitë?“ – babai ishte i prirur të shtonte një kapitull të ri në librin që mendonte ta shkruante për perandoritë ballkanike të para nën këndvështrimin e rënies së tyre. Ky kapitull i ri do të bazohej në mitin e vetasgjësimit ballkanik që njihet nën emrin „sindromi i likuidimeve“, të cilit nuk ka arritur t‘i shpëtojë asnjë popull i Ballkanit. Atë e kishte rrëmbyer miti i murimit të nënës nga arkitekti, në Shkodër, në brigjet e Bunës, dhe mitet e tjera që lidheshin me kategorinë tragjike të ndërtimit dhe të shkatërrimit. Ai dëshironte ta interpretonte, kështu, masakrën e dhive nën dritën e të gjitha miteve të tjera ballkanike, por mendoi se interesi i Çangës ndalej këtu.
      A mund të kishte – i hapej Çangës, duke përdorur fjalë të prështatshme – mallkim më të lig, kurban më të keq e më të pakuptueshëm sesa të ndërtosh një gjë, ta çosh deri në fund e mandej ta shkatërrosh, ta asgjësosh?
      Vetëkuptohet se Çanga mendonte për të gjitha dhitë që i kishin rritur e mbajtur gjatë shekujve e që donin t‘i zhduknin tani. Babai shikonte te Çanga një lloj Sizifi të mallkuar që luftonte për dhitë, këta gurë të bardhë që ishte thënë të shembeshin vazhdimisht. Kështu shkonin punët në Ballkan ç‘prej mijëra vjetësh: shkatërro e rindërto!
      Tani që, në lirinë pas fitores mbi fashizmin, duhej të paguhej njëfarë haraçi, viktimat e absurdit ishin dhitë që do të asgjësoheshin, dhitë, baza shekullore e mbijetesës së njerëzve në këto vende shkëmbore të relievit të paparashikuar ballkanik. Vërtetë, a duhej ende t‘i paguhej historisë së Ballkanit ky haraç? Pse ngadhnjimtarët e rinj po i godisnin dhitë, këto kafshë të shenjta për të gjithë të mjerët e Ballkanit? Atëherë, jo pa arsye përsëritet më i ligu nga mallkimet ballkanike: i ngordhtë dhia fqinjit! Po tani, në emër të kujt apo të çfarë gjëje duhet të ngordhin të gjitha dhitë? 



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.