Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Kreu XVI
E shtune, 16-06-2007, 02:17pm (GMT)

Po të dëshironim të shihnim borën më të bukur e më të trashë të jetës sonë, duhej të ktheheshim prapa në fëmijërinë tonë, në kohën e dhive. Në të vërtetë borërat e pastra dhe të mëdha janë zhdukur përgjithmonë nga qyteti ku jemi rritur dhe ku kemi lëshuar rrënjë. Edhe po të ndodhte që, pas shumë e shumë vitesh, të binte borë e madhe, ajo ndotej dhe shëmtohej shumë shpejt. Pastaj ajo fillonte të shkrinte pak e të ngrinte sërish, duke e mbajtur, këstu, qytetin të robëruar nën pushtetin e akullit dhe të acarit.
     
      * * *
     
      Gjatë fëmijërisë sonë, kur binte borë e madhe, qyteti merrte një pamje magjike, krejt të bardhë, si në ato përrallat me zana. E para që e hapte rrugën ishte një karrocë e vjetër e fillimit të shekullit. Nëpër oborre, hejet e akullit që formoheshin nëpër kroje përftonin pallate, fortesa nga më të jashtëzakonshmet që ishin parë ndonjëherë. Ne futeshim në këtë bardhësi bashkë me dhitë. Të bardha si vetë bora, me sytë e që u shkëlqenin si shumë diej të vegjël, ato ngrohnin fëmjërinë tonë. Ne nuk mund ta përfytyronim, as në ëndërr e kishim parë, se ky ishte dimri i fundit me dhitë.
      Vetëm pas trazirave që e kishin tronditur vendin për shkak të grindjes me Stalinin dhe pasojave që kishin rrjedhur pastaj: izolimi i madh i vendit dhe thellimi i urisë në fillim, pastaj pakot e paharrueshme që vinin nga Amerika, të cilat do t‘i kujtojmë përgjithmonë: nga mishi te sheqeri, te vezët e te qumështi pluhur; vetëm pas incidenteve kufitare dhe viktimave të para që ranë në kufi të vendit tonë dhe të fqinjëve socialistë, vetëm pas gjithë këtyre u miratua ligji që ndalonte mbajtjen e dhive, por, meqenëse ende nuk ishte shpallur në gazetën zyrtare të Republikës, kishte qenë e pamundur deri atëherë të vihej në zbatim. Por humnera u hap, orteku u lëshua me rrokullisjen e borës së argjendtë.
      Si në prag të luftës, frika s‘u ndahej njerëzve. Frika nga lufta që sapo kish përfunduar, nga të vdekurit, nga kampet, nga deportimet, nuk ishte zhdukur ende, kur zuri fill frika e shkaktuar nga lufta kundër dhive.
      Ligji ishte i ashpër, e s‘mund të ishte më i ashpër: dhitë duhej të asgjësoheshin dhe pikë. Në qoftë se pronarët e dhive nuk do të bindeshin, në vend paraqitej një treshe e stërvitur në mënyrë veçantë, vetëkuptohet të pajisur me thika. Nuk mbetej gjë tjetër, pos që të zgjidhej mënyra e vdekjes. Po kujt mund t‘i shkonte në mendje t‘ua fuste thikën këtyre dhive, si t‘ia fuste vetvetes?
      Grindja me Stalinin na dha, për një kohë të shkurtër, njëfarë shprese se dhitë mund të shpëtonin. Ne mendonim se një herë e përgjithmonë ishim çliruar nga stalinizmi, por ai ishte vendosur te ne për një kohë të gjatë, kurse te disa ai do të mbetej përgjithmonë i rrënjosur. Për ne gjëja më e rëndësishme ishte që dhitë tona të mbeteshin gjallë, edhe nëse do të na duhej për këtë të pajtoheshim me Stalinin dhe t‘i pranonim para tij „gabimet“ tona. Kështu, pra, qoftë në pranverë o në verë, gjatë vjeshtës ose dimrit, pas grindjes së madhe ndërmjet Titos dhe Stalinit, ne mendonim dhe e ndjenim gjithnjë e më tepër që po i shetisnim dhitë tona për herë të fundit. Si në tregimin për dhinë e vogël të zotit Sëgen, ne e dinim që ujku na ndiqte hap pas hapi. Po, ujku ishte aty, por dhitë tona nuk ishin vetëm. Ne do t‘i mbronim ato, qoftë edhe me jetën tonë, për këtë ne betoheshim! Kurse ato të shkretat, ato nuk kundërshtonin, as nuk miratonin. Ato kërkonin vetëm bar, këtë qumësht të ardhshëm shpëtimtar.
      Kur arriti ligji që ndalonte mbajtjen e dhive dhe ndërkohë që ende s‘ishte vënë në zbatim, ne i merrnim dhitë gjithkund me vete, madje edhe në shkollë. Nëse donin të na i merrnin, le t‘i merrnin, por edhe neve bashkë me to!
      Atë ditë kur ra bora e parë shumë e madhe, ne e patëm shumë të vështirë që të shkonim vetëm në shkollë. I lutëm prindërit që t‘i ruanin mirë dhitë deri sa të ktheheshim. Në oborrin e shkollës nuk dëgjohej më ajo tollovi e përhershme; ajo nuk mund të ekzistonte për shkak të qilimit të trashë të borës. Megjithatë, edhe kur binte borë në vitet e mëparshme, asgjë nuk mund ta shuante në shkollë këtë tollovi të fëmijëve. A mos kishte ndodhur, vallë, ndonjë gjë e veçntë? Zemrat tona filluan të rrihnin si të çmendura.
      Mësuesi ynë kishte tre fëmijë dhe një dhi të vogël, Miroshen. Në çfarëdo lloj stine ajo gjendej përballë shkollës, para shtëpisë së mësuesit. Kur i çonim dhitë tona me kullotë, ne e merrnin edhe Miroshen. Kishim vendosur atëherë njëfarë radhe se kush do ta merrte dhe kur, sepse gjithsecili dëshironte ta kishte me vete, jo aq për shkak të mësuesit, sesa për fëmijët e vegjël që kishin ngelë jetimë pa nënë shumë herët. Kur erdhi koha, ne e çuam edhe Miroshen te Çanga. Tamam si të ishte dhia jonë.
      Por ja që, për herë të parë, ajo nuk ndodhej përpara shkollës! Më shumë për ta qetësuar veten, menduam se ndoshta e kishin futur diku tjetër për shkak të borës, por nuk ishte aspak kështu…
      Mësuesi ynë ishte vetëm para portës së shkollës. Para se të arrinim ta pyesnim, ai na tha se Miroshja ishte shëndosh e mirë dhe se do të kthehej. Edhe fëmijët e tij ishin aty, por shumë të trishtuar. Ne e dinim që pikërisht Miroshja i kishte shpëtuar fëmijët e mësuesit nga vdekja e sigurt, pa vdekjes së nënës së tyre.
      „Ku është Miroshja?“- pyetëm ne, por çfarë i kishte ndodhur asaj ne e kuptuam vetëm më vonë, ose, me thënë të vërtetën, ne nuk e kuptuam plotësisht asnjëherë.
      Para se ta fshihte Miroshen, mësuesi ynë kishte marrë nga gjykata një fletë-padi për mbajtjen e ndaluar të dhisë. Vërtetë, edhe më parë kishte pasur paralajmërime lidhur me këtë që kishin ardhur nga prindër të nxënësve që ta hiqte dhinë, por mësuesi kishte vazhduar ta mbante Miroshen e vet, se familja e tij nuk mund të bënte pa të. Po të kishte qenë mësuesi anëtar partie, ndoshta do t‘ia kishin dërguar pak më vonë fletë-padinë. Por, meqë nuk ishte, Mirushja ishte ndër të parat që u gjet në listën e kafshëve për asgjësim, sepse mësuesi, me dhinë e vet të vogël në prag të shkollës, ishte një pamje që ua vriste sytë një numri të madh njerëzish.
      Në fund të fundit, pushteti dhe partia kishin një strategji të qartë: po t‘i zhduknin menjëherë dhitë e një grushti intelektualësh të njohur në jetën shoqërore-kulturore, do ta kishin pastaj shumë më lehtë që t‘u jepnin fund atyre të barinjve të thjeshtë. Kështu, mësuesi e firmosi fletë-padinë dhe hyri në këtë mënyrë në rrethin e atyre që ishin vënë në shënjestër nga ligji. Në atë kohë, po të viheshe në shënjestër, ishte e sigurt se do të të godisnin, sepse, nëse nuk dihej se kush shtinte, kush qëllonte veten, dikush për shkak të dhive e dikush për të bërë karrierë, mësuesi përkundrazi e dinte që fletë-padia sigurisht të shpinte në gjyq e për këtë arsye dhitë shkonin në thikë e ai vetë në burg. Pra, ai nuk kishte rrugëdalje tjetër.
      Para rënies së borës së madhe, një mëngjes në dritën e zbehtë të agimit, mësuesi e mori Miroshen dhe u drejtua në mal. Dukej se do të përsëritej, vetëm Zoti e di se në ç‘formë, varianti ballkanik i vdekjes së dhisë së zotit Sëgen. Edhe këtu, si në atë tregim, kishte një ujk, por nuk dihej se cili ishte ai. Në të vërtetë kishte shumë të tillë.
      Pra, Miroshja u nis për rrugë. Ajo e pranoi në heshtje këtë rrugë çuditërisht të panjohur nëpër kreshta që e shpinin deri në majë të malit në një kasolle të vetmuar, në një lirishte ku fëshfërinte era. Aty jetonte, e harruar nga të gjithë, një familje tejet e varfër: një plak, një plakë, një kec; fëmijët e tyre prej kohësh kishin shkuar larg e s‘u dihej as nami as nishani e pleqtë s‘kishin marrë lajme prej shumë vitesh.
      Që kur i kishte zbuluar këta njerëz të humbur në vetminë e malit, mësuesi kishte filluar t‘i donte si t‘i kishte njerëz të vet. Tri herë në vit ai ngjitej atje lart për t‘u dërguar rrobe të ngrohta, ushqime, sheqer e kripë. Pleqtë, të ngujuar atje në majë që prej kohësh dhe të paaftë që të zbrisnin në fund të luginës, e pritën Miroshen si fëmijën e tyre. Për njëfarë kohe, u tha mësuesi, pa e ditur as vetë se sa do të zgjaste kjo kohë. Ai shpresonte vetëm që do të gjindej mënyra që të zgjaste koha e dhive. Ndërkaq pleqtë do të jetonin me ato dhe për ato. E, nëse kjo shpresë ishte e kotë, ato do të mbeteshin të lira në pyll e kafshët e egra – me siguri ujqërit – në fund të fundit do t‘i copëtonin si dhinë e vogël të zotit Sëgen. Megjithatë, mësuesi ishte i gëzuar që Miroshën dhe dhitë e tjera nuk do t‘i therte dora e njeriut mosmirënjohës.
      Mësuesi nuk u kthye nga mali. Bora binte pa pushim dhe me siguri ia kishte mbyllur rrugën. Askush nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur atij gjatë kthimit. Erdhën ata të gjykatës, erdhën edhe përmbaruesit. Mësuesi askund. Aty ndodheshin vetëm fëmijët e tij. Ne i ushqyem, u dërguam qumësht dhe bukë për të bërë bukëvalë. Njerëzit e gjykatës na morën në pyetje edhe ne. Mes tyre ne njohëm nëpunësin e komisionit të regjistrimit. Ata na pyetën se ku fshiheshin mësuesi dhe Miroshja. Na detyruan të shkonim deri te vendi ku e kullotnim Miroshen bashkë me dhitë tona. Ata na trembnin duke na kërcënuar se do të na çonin nëpër shtëpitë e riedukimit se ishim shumë të vegjël për burg. Më në fund, e kuptuan që ne nuk dinim asgjë. Ata kërkuan edhe në mal, por mësuesin nuk e gjetën. E nuk u kthye as në pranverë, pasi u shkri bora. Fëmijët e tij i çuan në jetimore dhe ne nuk i pamë më kurrë ata dhe as mësuesin e Miroshen.
      Më vonë, kur u rritëm, çdo herë që binte borë e madhe, ne e shikonim bardhësinë e saj me shpresë se mos zbulonim aty gjurmët e thundrave të Miroshes që kërkote mësuesin, fëmijët e, po ashtu, të gjithë ne që kishim jetuar kohën e dhive.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.