Kur babai i pëshpëriste fshehurazi nënës që me Stalinin kishte marrë fund çdo gjë, ne, fëmijëve, na shkonte mendja menjëherë tek Stalinesha jonë e shkretë. Me sytë tërë lot, ne zbrsinim për ta parë, për ta përkëdhelur dhe për ta shtrënguar në krahët tanë. Si gjithmonë, Stalinesha na priti me shkujdesje dhe ëmbëlsi dhe pastaj e ktheu vështrimin nga fijet e barit të njomë.
Për ne, grindja ndërmjet Titos e Stalinit merrte aq kuptim sa kishte të bënte me dhitë tona, e në veçanti me Stalineshën. Ne i dyfishuam përpjekjet tona për të kuptuar fjalët që i pëshpëriste babai lidhur me Stalinin sapo merrte vesh ndonjë lajm të ri.
Nëna reagonte gjithmonë njëlloj, duke përsëritur fjalët:
- Vetëm luftë të mos ketë! Vetëm luftë të mos ketë!
Ne nuk e thërrisnim më Stalineshën me emrin e vet. Ajo, e mësuar me këtë emër, sillej në mënyrë jonormale kur ne nuk e përmendnim atë. Por, në kokat tona fëmijërore, ne kishim frikë se mos, po ta shqiptonim shpesh, do të vinin të na i rrëmbenin e të na i vrisnin dhitë.
Me lajmin për fundin e marrëdhënieve ndërmjet Titos dhe Stalinit po afrohej koha e fundit të dhive. E tërë Lgjja e Dhiarit, gjithë qyteti, gjithë vendi dridheshin nga kjo perspektivë. E ne, për shkak të Stalineshës, kishim më tepër frikë sesa të tjerët. Jo vetëm që mund të na i rrëmbenin e të na i vrinsin dhitë, por për shkak të Stalineshës mund ta dënonin edhe familjen. Ne bënim lloj-lloj planesh për t‘i shpëtuar kafshët tona, duke filluar nga Stalinesha. Planifikonim të merrnim një sasi ushqimesh me vete e pastaj të shkonim të fshiheshim bashkë me dhitë nëpër shpellat e malit fqinj e aty të jetonim me qumshtin e tyre e, kur gjërat të qetësoheshin, kur të vendosej liria, të ktheheshim në qytet. Ne nuk arrinim ta kuptonim se çfarë dëmi të madh shkaktonin dhitë që tani donin t‘i zhduknin. Siç mund të lexohej në librat e babait, këta njerëz kishin mbijetuar falë dhive. Çfarë do të ndodhte me ta pas kësaj? Lagjja e Dhiarit për ne kishte marrë kuptimin e një fortese të bardhë jetësore përbri kështjellës së madhe prej guri. Nënat ua rrëmbenin vdekjes nga duar foshnjët falë qumështit të dhive. Dashuria ndërmjet njerëzve e dhive në Ballkan ishte e pastër, e plotë, e shenjtë. Në saje të dhive afroheshin më lehtë njerëzit e besimeve dhe e kombësive të ndryshme. Sa më shumë që ishin munduar t‘i bindnin njerëzit që nuk ekzistonte Zoti, në ato vite të komunizmit të pasluftës, aq më tepër ata besonin se Zoti ekzistonte përmes dhive që i kishte dërguara këtu poshtë për t‘ua zgjatur jetën.
Familjet e Lagjes së Dhiarit që kishin dhi, hartonin me mendje lloj-lloj planesh për të shpëtuar kafshët, qoftë në mënyrë individuale ose kolektive. Në fmiljen tonë, sapo babai nisej për punë, ne gjithnjë e më shpesh e hapnim radion me shpresë se do të ishim të parët ne, fëmijët, që ta kapnim lajmin për urdhërin e asgjësimit të dhive e të parët të bënim diçka.
Në ato ditë, prindërit tanë nuk flisnin për dhitë në mënyrë që të mos na shqetësonin e të na trishtonin. Megjithatë, një mëngjes, radioja më në fund dha lajmin e parë që kishte të bënte me fundin e dhive.
- Dhitë, - thoshte spikeri, zëri i të cilit tingëllonte me forcë, - janë armiq të betuar të socializmit. Për shkak të dhive, klasa jonë e lavdishme punëtore mund të mos arrijë kurr në komunizëm. Dhitë shketërrojnë pasuritë e socializmit: drurët, pyjet. Për këtë arsye të gjithë të bashkuar duhet t‘i zhdukim ato…
Këto fjalë që dilnin nga radioja, si shigjeta të helmatisura, na pikëllonin thellë në zemër. Megjithëse nuk e dinim kuptimin e fjalëve „socializëm“, „komunizëm“, „klasë punëtore“, ne, fëmijët më të vegjël, mendonim që këto fjalë, që llomotiteshin më shpesh, ishin edhe më të rrezikshmet për dhitë tona. Nga ato ne ia plasnim vajit. Zbritnim në podrumin që nxirrte në oborr për të vërtetuar nëse dhitë tona vazhdonin të ishin aty, për t‘i marrë me vete atje lartë në dhomat tona e për t‘i fshehur në musandra ku babai ruante libat e tij të vjetër.
Duke qenë se Stalinesha ishte më e kërcënuara, atë të parën e çuam lart, por radha u erdhi edhe të tjerave. Zëri i spikerit vazhdonte të buçiste me theks emfatik nga radioja:
- T‘i zhdukim dhitë! Ta shpëtojmë vendin! Pa dhitë planet pesëvjeçare do të ecin më mirë…!
Vëllai, anëtari i partisë, që ishte kumbar i Stalineshës, ishte ngulur pranë radios në formë të bishtit të palloit. Për të na qetësuar, ai përpiqej të na shpjegonte fjalët që ishin të panjohura për ne, por s‘arrinte gjë tjetër, përveç efektit të kundërt.
Ne e kuptonim gjithnjë e më pak.
Vaji i më të vegjëlve nuk pushonte.
Dhitë shetisnin krenare nëpër dhomë.
Zëri i spikerit vazhdonte me të njëjtën forcë:
- Kur t‘i zhdukim dhitë, fushat dhe drurët do të lulëzojnë sërish, një energji e fuqishme do të lirohet; toka, me punën tonë, do të shndërrohet në kopësht të Edenit. Me mijëra barinj në tërë vendin do të shndërrohen në klasën punëtore të pamposhtur, të kalitur si çelik. Ata do të ngrenë uzina të mëdha, ndërsa minatorët do të gërmojnë në thellësitë e tokës…
Radioja jehonte me forcë. Dhitë tani bridhnin nëpër dhomë të frikësuara. Ne as që vumë re që babai ishte kthyer. Në këtë orë ai zakonisht ishte në punë. Sytë tanë të mbushur me lotë iu drejtuan atij. Si çdo herë kur na godiste një grusht i rëndë, ne prisnim ngushllim nga vështrimi i tij i ëmbël, nga shlkëlqimi i gëzuar kaltërosh i vështrimit të tij qetësues, që na largonte nga këto kohë të vështira.
Babai i njihte gjithë fshehtësitë e familjes dhe të dhive. Prania e tij kishte gjithmonë një efekt qetësues. Ai e uli zërin e radios, dhitë u qetësuan. Ne vazhduam ta dëgjonim zërin e spikerit:
- Barinj, ejani në vete para se të mos jetë shumë vonë, lërini dhitë tuaja! Ju presin traktorët, ekskavatorët, lokomotivat. Mos mendoni, vallë, se mund t‘i tërhiqni këto makina me dhi! Siç thoshin të parët tuaj, as toka nuk prashitet me dhi…
Nëna kishte dëgjuar që ishte kthyer babai. Ajo në çast u shfaq para nesh. Edhe ajo i ndiente goditjet e fatit deri thellë në shpirt. Ajo erdhi që ta dëgjonte së bashku me ne radion, nga e cila i njëjti zë thoshte:
- Barinj të rinj e të vjetër, nëna dhe fëmijë, partia jonë e pamposhtur sërish po ballafaqohet me një armik. Partia jonë e lavdishme, e cila në mënyrë ngadhnjimtare e udhëhoqi popullin tonë në luftë kundër fashizmit, mund t‘i qërojë hesapet fare lehtë edhe me dhitë, me këta djaj të bardhë, të cilat i shfrytëzon armiku i klasës. Armikut i janë marrë pronat, dyqanet, kështu që nuk i ka mbetur asgjë, përveç shpirtit të së keqes; siç mund të pritej, ai është marrë vesh me dhitë…
Babai dëgjonte me një pamje të shqetësuar zërin që dilte nga radioja . Sado që bëri të pamundurën për ta fshehur para nesh ankthin e vet, nga vështrimi i tij u zhduk ajo qetësi kaltëroshe ku lundronte anija e mendimeve tona – fantazmë.
Babai e ndiente që masat do të ishin të ashpra. Fjalët e tjera që dilnin nga radioja – ky aparat i mallkuar, si një kopje e fatit, ia kujtonte familjes sonë si të kaluarën, ashtu edhe të ardhmen, - ishin më pak të dhimbshme e më pak të ngarkuara me pasiguri.
E, spikeri vazhdonte:
- Shokë, burra e gra, fshatarë e fshatare, të rinj e të reja, na pret një aksion i gjerë në shkallë mbarëpopullore. Armiku i klasës po ngre si shumë krye. Duhet t‘ia presim. Ne kemi organizuar kolektiva prodhuese e ata po i sabotojnë; ne ndërtojmë kooperativat e konsumit e ata i kërkojnë dyqanet e tyre. Por partia jonë ka një përvojë të lavdishme e më në fund ne do të fitojmë dhe dhitë do të munden… Ju bëjmë thirrje të gjithëve ta kuptoni si duhet aksionin tonë, t‘i hiqni qafe vetë dhitë, në mënyrë që të na kurseni kohë dhe mjete. Partia është me ju. Ajo ka një përvojë të gjerë revolucionare në fushën e asgjësimit të armikut cilido qoftë ai…
Ne dëgjonim radion pa ia hequr për asnjë çast sytë babait. Fytyra e tij tani kishte marrë një pamje të qetë. Sytë e tij kishin marrë shkëlqimin e gjallë kaltërosh që na qetësonte. Dukej sheshit që agresiviteti i fortë i radios pasqyronte dobësi. Babai u trembej më së shumti goditjeve të papritura e tinzare të fatit. Por, kur e paralajmëronin si kësaj here, ai kishte kohë që të përgatitej për t‘i përballuar sa më mirë ato. Pikërisht për këtë arsye ai ishte i qetë, megjithëse zëri i radios vazhdoi me tone që na sillnin ndër mend humbjen tonë:
- Plani për asgjësimin e dhive është hartuar në hollësitë më të imta, në instanca të larta të Republikës dhe në nivelin më të lartë federativ. Atje lartë nuk gabojnë kurrë. Sa më lartë aq më të shenjta janë gjërat. Ne në qytetin tonë jemi më të prekurit nga dhitë. Por çfarë kryeqyteti mund të jetë ky me tërë këto dhi të zgjebosura, me Lagjen e Dhiarit në qendër, me këtë vatër të mallkuar të kundërrevolucionit të bardhë? Merreni me mend që ka familje që kanë nga tri deri pesë dhi e ka barinj fanatikë me kope të tëra…
Babai komentoi për herë të parë fjalët e spikerit në çastin kur ai përmendi kafshët e Lagjes së Dhiarit:
- Dëgjoni, kjo ndodh pikërisht se në këtë lagje ka më shumë dhi, sepse aty jetojnë njerëzit më të varfër!
Po kush e dëgjonte babanë? Spikeri, me një ton të ngritur, që tregonte se ishte në përfundim, deklaroi:
- Shokë, burra e gra, armiku nuk duhet të na gjejë në gjumë! Partia tashmë ka ndërmarrë masat e duhura për aksionin kundër dhive. Udhëzimet janë dhënë. Me procedura të shpejtuara, Kuvendi Kombëtar do të miratojë ligjin për ndalimin e mbajtjes së dhive. Kurse Fronti Popullor që tani do të fillojë fushatën e shpjegimeve të duhura. Vdekje dhive, liri popullit!
* * *
Më në fund pushoi zëri mbytës, që i kishte dhënë një shije të hidhur jetës së çdo familjeje në Lagjen e Dhiarit.
Pasuan këngët masive revolucionare. Që në tingujt e parë, babai e fiku radion. Kishim dëgjuar shumë atë ditë. Madje tepër. Për ta ulur tensionin dhe për të na treguar që nuk ishim në prag të ndonjë fatkeqësie, nëna filloi të na pyeste për ca gjëra të zakonshme të shtëpisë. Pastaj ne vrapuam te dhitë tona, me sy të fryrë nga të qarët i përqafuam fort si të ndaheshim nga ato. E kush mund të hynte mes shpirtërave tanë dhe shpirtërave të këtyre qenieve të gëzuara dhe me pamje të qetë, të cilat e bashkëndjenin poshtërimin tonë në këto kohë të mallkuara të trazirave dhe të pasigurisë ballkanike?
Ne ishim pjesë përbërëse e kësaj mase të bardhë, e cila, pikërisht në çastin vendimtar të lindjes sonë dhe të rritjes sonë, ishte shpërndarë në brendinë tonë, me fluksin e padukshëm të qumështit.
Por, ja që, tani donin të na ndanin nga dhitë tona, të na ndanin nga vetja jonë.
A mund të kishte mallkim më të lig?
A kishte nevojë stalinizmi që t‘i vinte në provë deri në këtë shkallë shpirtërat tanë për t‘i bërë komunistë?
Pse duhej të pranoheshin e të thitheshin aq thellë këto ide që nuk ishin provuar ende askund?
Para se gjithash ne e shtrëngonim Stalineshën tonë, sepse ajo na dhimbsej për shkak të kthesës së papritur që kishin marrë marrëdhëniet e vendit tonë me Stalinin. Sigurisht të parën do të na rrëmbenin atë.
Babai e kishte humbur ritmin e zakonshëm ditor. Ne ndiqnim të gjitha veprimet dhe gjestet e tij. Madje edhe gjatë humbjeve që kishte pasur familja, ai nuk e kishte ndryshuar deri në këtë shkallë sjelljen dhe shprehjen. Sytë e tij ishin pasqyrë e shpirtit të tij, i cili tani pasqyronte pa asnjë dyshim mendime të zeza. Tani nën këtë dritë do ta shikonte fatkeqësinë kolektive. Megjithëse ne në njëfarë mënyre ishim ngushëlluar me thënien e nënës, sipas së cilës fatkeqësia që ndahet e bën atë më të lehtë, vdekja do të trokiste me siguri në dyert tona. Kësaj here ajo ia drejtonte thirrjen familjes sonë dhe tërë Lagjes së Dhiarit. I nervozuar, babai iu afrua përsëri radios. Ai dëshironte të informohej deri në fund për rrjedhën e ngjarjeve. Radioja përhapte tani tingujt e një zëri tjetër:
- Shokë, burra e gra, përfaqësues të klasës punëtore dhe të klasës fshatare, tani do të dëgjoni komunikatën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Tani e tutje jemi të vetëm në oqeanin e komunizmit. Shtrëngojini radhët uaja. Stalini na ka përjashtuar nga kampi socialist. Ai dëshironte ta nënshtronte partinë tonë të lavdishme, të kalitur në luftën kundër fashizmit. Ai donte të na skllavëronte, por ne nuk u dorëzuam. Udhëheqësi ynë, i cili na ka drejtuar në Luftën Nacional-çlirimtare, e ka fituar edhe luftën e fundit për shpëtimin e vendit tonë.
Dukej që radioja mbillte tmerr në këtë shtëpi, e cila pati frymuar në qetësi. A mund të grumbullohej dhe të përqendrohej deri në këtë shkallë historia, për t‘u përhapur,pastaj, më mirë në hapësirë brenda vetëm një dite? Vërtet që në Ballkan historia kishte qenë e tillë: vinte e kalonte përnjëherë, duke lënë në shpirtërat e njerëzve një shtresë akulli që vështirë mund të shkrihej.
Radioja si të ishte çmendur. Prej vitesh babai ia kishte ulur zërin radios që të mos e dëgjonim në radhë të parë fëmijët, pastaj nëna, në mënyrë që të mos mbillej shqetësim në zemrat tona. Ai në radhë të parë donte të pastronte parullat e ashpra që synonin ta ndërtonin shpirtin e qytetarëve si me çekan. Por kësaj here në shtëpi kishte pushuar së sunduari rendi i zakonshëm i gjërave dhe gjithsecili duhej ta paguante me shpërthimin e ankthit të vet.
Fjalët e fundit të spikerit lidhur me prishjen përfundimtare me Stalinin na zhytën në një frikë edhe më të madhe. Kuptohet që ne shkuam përsëri pranë Stalineshës sonë. Ne tanimë e dinim që për të s‘kishte më shpëtim. Sido që të vërtiteshin punët, ajo e shkreta do ta pësonte. Po të kishim mbetur në marrëdhënie të mira me Stalinin, do të na kishin akuzuar se po talleshim me emrin e tij të lavdishëm; por me që ishim prishur, do të na akuzonin si stalinistë. Ne të gjithë e përqafonim tani dhinë tonë të vogël, e donim që ajo ta kuptonte që ne nuk do të gjenim kurrë ngushllim për humbjen e asaj që me kaq zemërgjerësi na kishte shpëtuar jetën dhe e cila, pa pikë dyshimi, do të ishte viktima e parë e antistalinizmit në këta kufij jugorë të Ballkanit…
Nga radioja u përhapën sërish këngë revolucionare: „Populli të ka madhëruar o Jugosllavi… Me marshallin Tito, birin heroik të popullit, ne nuk do të na ndalë as ferri…“
Po paralajmërohej ferri, ferri! Të shkretët ne, të shkretat dhi! Do të na e rrëmbenin kohën tonë të përbashkët…
Vazhduan sërish këngët revolucionare.
Babi e fiku radion, e hoqi nga priza, e çoi në dhomën e vet këtë aparat që qe çmendur dhe që për një kohë kaq të shkurtër kishte mbjellë aq shumë trazira. Shtëpia u zhyt në qetësinë e dikurshme familjare, një qetësi që të përpinte e që ritmonte me ngashërimet tona…
Dolëm me Stalineshën e dhitë e tjera. Iu afruam lumit si të donim ta verifikonim aty rrjedhën e re që kishte marrë historia. Por lumi rridhte si zakonisht, ndërkohë që hijet e plepave të lartë luanin me ujërat e kaltëra në të blertë.
U drejtuam së bashku nga korijet e shelgjeve të mbjella përgjatë brigjeve, në kërkim të ujit të kulluar e të gjethnajave të njoma. Si t‘ia kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit, të gjithë së bashku, barinj e dhi, të Lagjes së Dhiarit shkonin drejt lumit, pasi e kishin marrë vesh se do të kishte zhvillime të reja.
Buzë ujërave të kaltëra në të blertë të lumit përftoheshin brigje të bardha, të lëvizshme, ndërkohë që nga deti, tutje në jug, vinin fluturimthi pulëbardhat. Qenë çastet e fundit të parajsës sonë fëmijërore pranë dhive.