Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 08-01-2009, 01:13am (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
 » Liridon Miftari
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu XIV
E shtune, 16-06-2007, 02:21pm (GMT)

Lagjja e Dhiarit jetonte në ankth, në pritje të dënimin me vdekje që do të godiste dhitë. Rrugët ishin të shkreta, fëmijët të heshtur, kafshët fshiheshin nëpër podrume. Mbretëronte frika si para luftës. Njerëzit grumbullonin rezerva. Edhe pse ishin të pakta, ato viheshin me një anë në pritje të ditëve të vështira.
      Pa dhitë, ishim të bindur se nuk do t‘i shpëtonim urisë. Kur u mor vesh që partia po përgatiste masa speciale kundër kafshëve, kishim frikë se do të shpërthenin mes njerëzve grindjet e vjetra, pothuajse të harruara.
      Terrori kaploi zemrat tona fëmijërore. Megjithëse në familjet e varfëra frika hyri në një derë për të dalë nga tjetra, ne po na shkatërronte mendimi që dikush mund të na rrëmbente, të na vriste dhitë tona. Kjo frikë do t‘i pushtonte për shumë kohë të gjithë pronarët e kafshëve. Me ditë të tëra ne nuk i çuam të kullosnin. Ua morëm edhe pikën e fundit të qumështit. Me t‘u fshehur kohorta e bardhë dhe zhurmuese, qyteti u shkretua. Pritja e madhe filloi.
      - Regjistrim, regjistrim, regjistrim! – u dëgjua një mëngjes në Lagjen e Dhiarit.
      Lajmi arriti deri në familjen tonë.
      - Po për çfarë regjistrimi është fjala, dreq o punë? A nuk e bënë regjistrimin e njerëzve vjeshtën e shkuar? – Thirri nëna duke lënë trikon aty pranë në çardakun e lartë, ku qe ulur përbri babait që po shfletonte një libër të vjetër.
      Ai e lëshoi librin ngadalë, i hoqi syzat. Para se të arrinte të komentonte fjalët e nënës, në çardak hyri me rrëmbim vëllai që militonte në radhët e partisë, duke bërtitur që nga larg:
      - Regjistrim, regjistrimi i gjithë dhive me urdhër të instancave më të larta të partisë. Autoritetet duhet ta organizojnë këtë sa më shpejt!
      Babai mbahej se në përgjithësi ishte i informuar mirë. Ai dëgjonte pothuajse çdo natë stacionet e radiove vendore dhe të huaja, të Lindjes dhe të Perëndimit. I dëgjonte nganjëherë deri në orët e para të agimit, në mënyrë që të krijonte versionin e vet për të vërtetën. Ai ishte një njeri i matur, i cili nuk binte lehtë në kthetrat e entuziazmit dhe të optimizmit. Veç kësaj, ai ishte kaq mirë i informuar, sa që kurrë s‘mund të ishte optimist. Shpesh na thoshte që vetëm njerëzit të keqinformuar mund ta shikonin të ardhmen fushë me lule. Përveç Çangës dhe anëtarëve të familjes, ai s‘kishte njeri me të cilin t‘i ndante mendimet e veta. Mund të thuhej se ai e plotësonte këtë mungesë me zërat e radios: ai vetë komentonte shpesh me zë të lartë lajmet e rëndësishme si të hynte në bisedë me bashkëbisedues të papranishëm.
       I ardhur rishtas në këtë qytet, babai nuk kishte as prindër, as të afërm (me përjashtim të dhive, këtyre organizmave të huaja për familjen, por që me kohë arritën të bashkëjetonin deri në atë shkallë me të, sa që u bënë pjesë përbërëse e saj) dhe s‘kishte mundur ta harronte kurrë hyrjen e vëllait në parti. Sipas tij nuk ishte diçka me mend që të përziheshe në punët e autoktonëve, sepse këta të fundit kish rrezik të mos na besonin edhe në rastet kur ne do të kishim arsye. Kur vëllai i madh kishte vendosur të merrej me politikë, babai nuk kishte lënë pa e këshilluar dhe pa ia ulur vrullin, vendimet e tij radikale, reagimet e tepruara, kuturisjet, iluzionet…
      Lajmi për regjistrim që na solli vëllai i madh e mblodhi familjen në çardak.
      - Regjistrim dhish? – tha nëna, duke e thyer e para heshtjen. – Kjo nuk është shenjë e mirë!
      - Duan ta shikojnë sa dhi kemi, për t‘i therur më mirë! – shpjegoi njëri nga vëllezërit e mëdhenj.
      Ne, më të vegjëlit, gati sa s‘po ia plasnim vajit, pasi dëgjuam të flitej për regjistrimin e dhive. Në fillim babai s‘nxori fjalë nga goja, por vështrimi që shkëlqente në sytë e tij të kaltër, na qetësoi edhe kësaj here, megjithëse vdekja tanimë kishte trokitur në dyert e shtëpive të Lagjes së Dhiarit. Na pushtuan lloj-lloj mendimesh dhe parandjenjash për të mos na lënë më rehat. Dhitë, si të thuash, bënin pjesë në jetën tonë. Kurrë ndonjëherë në këto vise të Ballkanit njeriu s‘ishte afruar e s‘ishte bashkuar kaq shumë me një kafshë. Instinkti i ruajtjes, që i mbante gjallë dhitë dhe njerëzit, ishte shkrirë në një forcë qëndrese kolektive që nuk mund të thyhej.
      Prej kohësh, duke u mbështetur në koleksionin e librave të vjetër me prejardhje nga të gjitha anët e Ballkanit e edhe nga vende të tjera, babai na kishte transmetuar idenë që pothuajse të gjithë popujt e gadishullit ua detyronin jetën dhive. Madje ai i kishte thënë një herë Çangës se, në qoftë se hartohej ndonjëherë një histori për dhitë në këtë pjesë të botës, ajo do të përbënte me siguri njërën nga historitë më të bukura të popujve të Ballkanit.
      Në Lagjen e Dhiarit po përhapeshin, po shtoheshin, po ndryshonin lajmet lidhur me regjistrimin e dhive. Në të vërtetë, askush nuk e dinte se për çfarë lloj regjistrimi bëhej fjalë. Por, një mëngjes herët, çdo gjë u sqarua, kur komisionet e regjistrimit filluan të hynin në shtëpitë që mbanin dhi. Kur operacioni filloi me të vërtetë, lagjen e pllakosi një heshtje prej varri, si të kalonin nëpër të funerale të pafund…
      Nëna ishte ngritur në këmbë me të zbardhur drita. Ky ishte një rregull që e kishte vendosur gjatë viteve. Në kopësht ajo e para përshëndeste lulëzimin në lehet e saj, ngjyrën e një fruti të sapopjekur për të përfunduar me tri dhitë tona.
      Ekipi i regjistruesve u ndodh ballë për ballë me të kur ajo po i ujiste lulet e kopështit me ujin që nxirrte nga pusi. Ajo nxitoi t‘i fuste në çardak.
      Në pamundësi për të mbyllur sy, ne fëmijët tanimë ishim zgjuar. Nëna u nxori anëtarëve të komisionit reçel manash në sherbet të trashë, të shoqëruar me një gotë uji të freskët. Pastaj zbriti babai nga dhoma e tij e punës. Ata u përshëndetën. Ne u kthyem nga dhitë me mendimin që i kishim fshehur mirë dhe u kishim lënë mjaft gjethnajë.
      Komisioni përbëhej nga tre anëtarë. Nuk e patëm fare të vështirë të zbulonim shefin, i cili, siç mund të pritej, kishte veshur një mantel lëkure dhe, sipas zakonit, kishte edhe mustaqe. Njerëzit me mustaqe dhe mantel lëkure i përkisnin zakonisht policisë, administratës ose partisë. Ligji dhe drejtësia ishin bërë pronë e tyre. Vetëm një fjalë e tyre mund të ndryshonte rrjedhën e jetës së çdo familjeje. Vështrimet tona prej fëmijësh të frikësuar ishin ngulur mbi burrin me mantelin e gjatë prej lëkure të zezë, me mustaqe të gjata që i jepnin një shprehje të ashpër edhe kur një buzëqeshje fare e lehtë përvijohej në fytyrën e tij. Për t‘i larguar vështrimet që i kishim ngulur mbi të dhe për ta ulur tensionin, ai i pari filloi të na drejtohej neve me një mirësjellje aspak të natyrshme:
      - Nga se keni kaq frikë, çuna? Ky është një regjistrim, një regjistrim si të tjerët. Vetëm se në vend të atij të njerëzve, është ai i dhive. Ç‘ka për t‘u trembur këtu? Shteti do ta dijë thjesht se çfarë ka.
      Këto fjalë të shefit të komisionit, që nuk priteshin nga ai, nuk mjaftuan që të qetësoheshim.
      Duke i fshirë lotët, më i vogli nga vëllezërit pyeti:
      - Xhaxhi, ju nuk do t‘i vrisni dhitë tona, apo jo?
      - Sigurisht që jo, vogëlushi im. Ne nuk vrasim dhi.
      - As nuk do të na i rrëmbeni?
      - Jo, jo, ne vetëm do të bëjmë një regjistrim të vogël! – përfundoi ai, duke i hedhur një vështrim anëtarit të dytë të komisionit. Ky i dyti nxori nga një çantë lëkure të rrjepur disa fletë regjistrimi ngjyrash të ndryshme, si edhe një regjistër të verdhë me prerje pak më të mirë. Ne nuk e patëm aspak të vështirë të njihnim këto fletë që ishin të njëllojta me ato të regjistrimit familjar të fundit dhe kjo na qetësoi pak a shumë.
      Nëna u nxori sërish nga ëmbëlsira e saj anëtarëve të komisionit dhe shefi piu edhe një kupë raki manash.
      Babai i menduar shikonte nga dritarja e madhe e çardakut. Vështrimi i tij dukej sikur e kthente prapa, ndësa shkrihej me rrjedhën e lumit. Po këto ndjenja e kishin rrëmbyer gjatë shtegtimeve në rini të tij. Por tani ai e kishte vështirë të dilte nga ky kafaz ballkanik, sepse, në rast se njeriu mund të kalonte gjithmonë nga një kafaz në një tjetër, ishte pothuajse e njëjta gjë si të rrije tek i pari. Ai parashikonte ngjarje që së shpejti do të zhvilloheshin, ndërkohë që ne jetonim çastet kalimtare të fjalëve ngushlluese.
      Heshtja u thye nga zëri i ashpër i anëtarit të dytë të komisionit:
      - Tani duhet të ju njoh me mënyrën e regjistrimit. Kemi një libër kryesor – dhe ai e tregoi regjistrin e verdhë – e gjithashtu kemi edhe fletë të veçanta për çdo dhi.
      Megjithëse fjalët e shefit na kishin qetësuar, anëtari i dytë i komisionit me zërin e tij të vrazhdë na ktheu përsëri frikën.
      Babai i dëgjonte i qetë fjalët e regjistruesit, i cili ia kujtonte vazhdimisht që duhet të jepeshin të dhëna të sakta për regjistrimin, përndryshe do të përgjigjeshim para ligjit… Por ne, fëmijët, të tmerruar, u strukëm në gjirin e nënës. Shefi, të cilit s‘i shpëtonte asgjë, e ndërpreu vartësin e vet:
      - Në këtë familje i njohin ligjet. Kalo në pyetjet.
      Kjo gjë na qetësoi menjëherë, por fytyra e babait mori një pamje të shqetësuar. Regjistruesi na u duk pak si i hutuar. Shefi e qortoi:
      - Fillo, pra, pa humbur kohë me pyetjet! Na pret një punë e madhe, ka shumë kafshë në Lagjen e Dhiarit.
      - Kur fatkeqësia ndahet me të tjerët është më e lehtë! – pëshpëriti nëna si të fliste me vete, por te ne, fëmijët, atëherë depërtonte madje edhe heshtja, kështu që ne e kuptuam se ç‘deshi të thoshte nëna.
      Nëpunësi vuri syzat dhe me një zë më të lartë bëri pyetjen e parë:
      - Mbiemri i familjes?
      Në vend të përgjigjes, edhe babai bëri një pyetje:
      - Për çfarë fmilje e keni fjalën?
      Shefi ndërhyri me egërsi:
      - Po ki kujdes, o idiot! Këto fletë i përkasin regjistrimit të njerëzve, jo atij të dhive. Sa herë duhet të ta përsëris këtë?
      Babai buzëqeshi fshehurazi. Vetëm ne e vumë re dhe menduam që ngjarjet do të merrnin një kthesë të gëzuar. Nëpunësi i vështronte fletët i hutuar. Ai nuk ishte në gjendje të gjente në këta formularë që kishin ngelur nga regjistrimi i fundit të njerëzve se çfarë duhej të bënte për t‘ia prështatur regjistrimit të dhive. Vështrimi i ashpër i shefit ia shtonte hutimin. Pasi më në fund e mblodhi mendjen, ai vazhdoi ta pyeste babanë:
      - Sa dhi keni?
      - Tri.
      - Emri, mbiemri dhe emri i babait?
      Të gjithë ia plasëm gazit, madje edhe ne, fëmijët. Njëri nga ne arriti të shqiptonte:
      - Dhitë tona kanë vetëm e emra!
      Shefi s‘mund të përmbahej më:
      - Dihet që dhitë kanë vetëm emra! Ja se ç‘ndodh kur të fusin analfabetë në komision.
      I tërbuar nga zemërimi, shefi e vazhdoi vetë pyetjen pa i hedhur asnjë vështrim tekstit të pyetjeve, sepse, me sa duket, edhe ai vetë ishte analfabet. Në fund të fundit ishte shef i komisionit, jo për të lexuar e për të shkruar aty. Duke qenë i detyruar t‘i përsëriste shumë herë pyetjet, ai kishte arritur t‘i mësonte të gjitha përmendsh, aq mirë, sa i vazhdoi pyetjet si të lexonte ç‘ishte shkruar:
      - Emrat e dhive?
      - Bardhoshe, Stalineshë, Shtriga, - u përgjegj babai.
      Nëpunësi kishte filluar t‘i shkruante emrat duke i prësëritur me zë të lartë:
      - Bar… dho… she, Sta.. li… ne… shë…, - por shefi e ndërpreu në mënyrë të prerë dhe iu drejtua me një ton të ashpër babait:
      - Nuk e kuptoj se si fill pas emrit të Stalineshës vjen ai i Shtrigës. Jo, këtë unë vërtet nuk e kuptoj!
      Këtë çast zgjodhi nëna për të ndërhyrë me lezet:
      - Bardhoshe, sepse ajo hyri në shtëpinë tonë si një dhuratë nga Perendia në mënyrë që ditët tona të ishin përgjithmonë të bekuara nga një dritë e bardhë. Sa i përket Stalineshës, ajo erdhi në shtëpinë tonë kur unë po e lindja fëmijën e fundit. Më parë unë kisha humbur shumë fëmijë. Kur e blemë të tretën, ajo ishte një mrekulli, e që të mos e zinte syri i keq Stalineshën, shpëtimtaren tonë, ne e pagëzuam të tretën Shtriga. Shkurt, me Shëmtaken ne synonim ta mbronim Stalineshën e me Stalineshën fëmijët tanë!
      Shefi, krejt i hutuar, po e shikonte nënën. Ai nuk dinte më si ta vazhdonte regjistrimin dhe tha:
      - Djema, mund të themi se kjo familje është një mishmash i vërtetë! Ku është parë e dëgjuar ndonjëherë që një dhi të ketë emrin e Çlirimtarit të Madh të të gjithë popujve! Të kishte qenë të paktën cjap… Por jo,jo, kjo nuk do të shkonte as për cjapin. Megjithatë, nën këtë kulm ju keni edhe portretin e Stalinit. Mirëpo stalini mbetet vëllai ynë çfarëdo që të ndodhë. Vërtet ka pëshpëritje…, por Stalini na ka çliruar të gjithëve. Emri i tij është një emër i shenjtë për secilin nga ne!
      - Për ne edhe dhitë janë të shenjta! – ia ktheu nëna.
      - E kuptoj, e kuptoj, por, sidoqoftë, dhia mbetet dhi!
      Përsëri ra heshtja e bashkë me të edhe frika. Ne trembeshim se mos babai do të përgjigjej tani në mënyrë fyese lidhur me Stalinin. Raste të tilla kishte pasur. Një rrezik i tillë ekzistonte që nga dita kur vëllai, anëtar partie, kishte vendosur që dhia jonë të quhej Stalineshë. Tani kishte rrezik që regjistrimi të përfundonte në mënyrë fatale jo vetëm për dhitë, por për familjen. Shefi u konsultua me anëtarin e tretë të komisionit, i cili po heshtte, e pastaj tha:
      - O njerëz, Stalinesha juaj nuk mund të figurojë në asnjërin formular të regjistrimit.
      Ashtu siç ndahej fatkeqësia në pjesë të pabarabarta, por në përgjithësi njëlloj për pjesën më të madhe të popullsisë, po ashtu ndahej edhe frika. Po frika shkonte duke u rritur në përputhje me hierarkinë e pushtetit, ndërkaq që tek të varfërit dukej gjithnjë se mund të mposhtej. Shefi, i cili, me sa dukej, dëshironte që ta ndante frikën me anëtarin e tretë të komisionit, vazhdoi:
      - Emri i dhisë suaj, Stalineshë, mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Por, listat do të paraqiten deri në instancat më të larta, deri në Federatë. Mund të bien shumë koka qoftë edhe vetëm për një emër të thjeshtë. Prandaj vërini një emër tjetër asaj dhe do të jemi të gjithë të qetë. Të quhet, të quhet si të doni ju, por jo Stalineshë!
      Ne nuk mund ta harronim ditën kur vëllai, anëtar partie, kishte menduar që duhej ta pagëzonim kështu dhinë tonë e babai ishte pajtuar disi me këtë, megjithëse ai i përmbahej postulatit, sipas të cilit duhej të hiqnim dorë nga emrat e kapitenëve të mëdhenj, të shenjtorëve, të çliruesve dhe t‘u përmbaheshim emrave të zgjedhur mes lulesh ose në natyrë. Ne, pra, e kthyem vështrimin nga vëllai ynë, anëtar partie, i cili po përpiqej vazhdimisht të thoshte një gjë e më në fund ia preu në mënyrë energjike:
      - Në vend të Stalineshë shkruani Lirineshë, sepse për ne emri Stalin do të thotë liri!
      Shefit i shkëlqeu fytyra nga gëzimi e tha:
      - Ti, biro, do të arrish shumë larg po të hysh në parti!
      - Unë tanimë kam hyrë në parti! – Pohoi vëllai, jo pa u krekosur.
      Tani, plotësisht i kënaqur, shefi la që regjistrimin ta vazhdonte sërish vartësi:
      - Shkruaj Lirineshë e ki kujdes të mos ngatërrohesh përsëri me pyetjet.
      - Gjinia? – Vazhdoi nëpunësi.
      - Natyrisht që femërore! – tha shefi duke e qortuar.
      - Por fare mirë mund të ishte një cjap! – u përgjigj nëpunësi, për herë të parë i krekosur si gjel.
      - Ne i çojmë dhitë tona te cjeptë e bariut Çanga nga ana tjetër e Urës së Drunjtë, - saktësoi njëri nga vëllezërit më të vegjël.
      Nëpunësi u hutua përsëri. Shefi ia nguli vështrimin e tij arrogant dhe i kërkoi që të vazhdonte.
      - Kombësia?
      Këtë herë babai ia plasi gazit. Ne, fëmijët, u gjallëruam.
      I trimëruar nga lëvdatat që i kishte bërë shefi, vëllai, anëtar partie, u përgjigj i parti:
      - Ballkanike!
      - Ballkanike! – Shkroi nëpunësi.
      - Dhitë nuk kanë kombësi. Dhitë kanë racë. Pyet, pra, për racën! – tha si me kërcënim shefi. – Në këtë rast ajo që vlen nuk është kombësia, por raca! Cilës racë i takojnë dhitë tuaja?
      - Racës angora me lesh të bardhë, - u përgjigj babai.
      Nëpunësi sërish e kaloi masën:
      - Besimi?
      Shefi u nxe edhe më shumë:
      - Gomar i dreqit, dhitë nuk kanë fe!
      Nëna pëshpëriti:
      - Kanë, kanë, si s‘kanë, dhitë kanë fe, nganjëherë më shumë edhe se njerëzit.
      - Mosha e dhisë? – Vazhdoi nëpunësi.
      - Nuk dihet!
      - Ngjyra e lëkurës dhe shenja të veçanta?
      - Bardhoshja është krejt e bardhë, Stalinesha, më fal, Liriesha është e bardhë me qafë gështenjë, kurse Shëmtakja është e bardhë me topa të zi.
      Nëpunësi kishte mbaruar me pyetjet.
      - Mendoj që mbaruam! – tha shefi duke u krekosur.
      Ai piu një gotë të fundit rakie, pastaj, duke u nisur, përsëriti:
      - Do të shkonte shumë më shpejt, sikur në radhët tona të mos kishim kaq shumë analfabetë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]