|
|
|
Koha e dhive: Kreu XIII
E shtune, 16-06-2007, 02:23pm (GMT)
Krenar, shumë krenar, ne ecnim përbri dhive të Çangës dhe Stalineshës sonë si të kishim korrur ndonjë fitore, por pa e ditur me saktësi se ndaj kujt. Deri dje, ne e sodisnim pas shtëpisë sonë me nostalgji dhe me një zili të thellë këtë detashment dhish që kalonte me Çangën dhe cjeptë përpara. Kurse tani ne ishim pjesë e tij. Dukej se Çanga e kishte të skalitur në vetvete një si lloj busulle, përmes së cilës nuhaste drejtimin e natyrshëm të historisë. Ai ishte personfikim i natyrës. Pasioni i tij për dhitë ishte pjesë përbërëse e kësaj natyre. Ai e dinte mirë që këto kafshë të bardha, me vështrim të ëmbël dhe me trup të mbushur, ashtu siç duhet ta kenë për mbarsje, ishin gjithmonë të gatshme të thithnin lëngun e tokës së zezë për ta shndërruar në qumësht të bardhë. Kur pa se si i ndoqën vëllezërit e vet nga malet dhe i detyruan të zbrsisnin në qytet me dhitë e tyre për t‘i rrokur në duar mjetet e rënda, për t‘u shndërruar në klasë punëtore të kalitur si metali, Çanga kishte menduar se dikush me qëllim kishte dashur ta hidhte në erë rendin e natyrshëm të planetit. Nga thellësia e qenies së tij ai nuk mund të pranonte qëllimin e pushtetit të ri: pse t‘i prishnin shtëpitë e tyre, të mirat e tyre, familjet, për t‘i bashkuar përsëri pastaj me lidhje të reja në gjirin e kolektivizimit që ishte në kundërshtim me natyrën? Përse i detyronin malësorët që banonin atje lart, të cilët nuk kishin asgjë nga çka të ndaheshin, përveç dhive të tyre, që të zbrisnin në qytet e sa hap e mbyll sytë të shndërroheshin në klasën e re punëtore? Çanga e shikonte si një fatkeqësi të madhe përpjekjen e klasës së re fitimtare për t‘i shtruar idetë e socializmit mbi letër, siç veprohet me një plan, e pastaj t‘ua përplaste në fytyrë njerëzve si për t‘i dënuar për gabimin e tyre të fundit. Megjithëse i lidhur me ritmin dhe frymëmarrjen e bjeshkëve, të përrenjve, të shtërngatave, Çanga vazhdonte ta ruante në këtë kryeqytet të mallkuar instinktin që ia mundësonte ta ndiente pulsin e jetës. Këmbëngulës në rrugën e tij, si lumi në rrjedhën e vet, ai kishte sjellë në qytet dhi e njerëz dhe e kishte të qartë se nuk duhej t‘i braktiste në mes të rrugës. Ne e vështronim në atë cep të ledinës, të menduar, afër dhive që harbonin në këtë peizazh të mrekullueshëm baritor. Ishim për herë të parë në shoqërinë e kafshëve të tij dhe të Stalineshës sonë. Sapo e shihnin, barinjtë e tjerë i afroheshin me kopetë e tyre për të kaluar pak kohë bashkë me të. Në rast se e shihnin se ishte në qejf, ata e hapnin bisedën për dhitë ose i kërkonin që t‘u lexonte ndonjë pjesë nga librat e babait. Në të tilla raste, Çanga u lexonte libra që u ishin kushtuar dhive të të gjithë botës, në mënyrë që të zbulohej vendi i vërtetë që zinte varieteti vendor i dhive të Ballkanit. Ai u shpjegonte barinjve tiparet e dhisë së Mongolisë dhe të Tibetit, leshi i të cilave ishte shndërruar në kashmir të mrekullueshëm. Barinjtë ngazëlleheshin nga mendimi që dhia e Kaukazit mund të lindte dy keca. Ata e pyesnin Çangën se si mund të ndodhte kjo, por ky nuk ishte në gjendje t‘u përgjigjej saktë. Kështu ai e kthente bisedën tek dhia angora, që njihej në Turqi, në Iran, në Pakistan, në Rusi, në Australi e në Amerikë. Barinjtë ngazllesheshin edhe më shumë. Disa dëgjonin për herë të parë që përmendeshin këto vende, kurse për dhinë e Maltës, për dhinë e Apenineve dhe për dhinë mesdhetare, nuk u kishte folur kërkush deri atëherë. Barinjtë e lusnin Çangën t‘u tregonte përsëri e përsëri tregimin e dhisë së zotit Sëge, sepse ata vazhdonin të tronditeshin nga fati tragjik i saj. Nuk mund të pajtoheshin me vdekjen e dhisë së vogël, të cilën e kishte shqyer ujku, e kishin frikë nga mendimi që ekzistonin edhe ujqër të tjerë. Por Çanga nuk kishte shumë kohë t‘u kushtohej barinjve. Ai ishte zhytur në qetësinë e bardhë të bjeshkëve. Me sa dukej e brente një mendim i ri. Balli i tij i gjerë mblidhej e tendosej, duke formuar rrudha të reja që tregonin rrugëtimin e mendimit të tij. Barinjtë ditën ta shpjegonin këtë heshtje të Çangës dhe e lanë të qetë si qiellin e verës përpara shtërngatës. Në këto kohë të pasigurta, kur çdo gjë mund të ndryshonte, e të prishej siç mbulohet qielli nga retë sa hap e mbyll sytë sipër maleve, kur fare lehtë mund të mbillej fara e përçarjes në shpirtin e popullit, kur mund të arrinte nga „qiej të tjerë“ një udhëzim që mund të trondiste çdo gjë, të errësonte çdo gjë, qetësia që rrëzëllente nga Çanga ishte si një shpresë e fundit për njerëzit. Syri i kuq i diellit po mbyllej tutje larg e retë, si kopetë e humbura, shpërndaheshin nga të katër anët. Kur ndriçoi ylli i bariut, Çanga u nis drejt qytetit së bashku me dhitë e kënaqura e të ngopura. Ai i hodhi një vështrim të fundit qiellit, por mendimi i tij nuk iu kthjellua si në mëngjes. Dhitë zbritën drejt qytetit. Cjeptë tani ecnin prapa dhive, që e dinin edhe vetëm rrugën. Madje ndodhte që Çanga t‘i linte vetëm e ato të arrinin në shtëpi pa u ngatërruar. Kishim kaluar një ditë si në ëndërr me Çangën, dhitë dhe barinjtë. Fëmijët e Lagjes së Dhiarit na shikuan me zili kur po kalonim para tyre me tufën e Çangës. Arritëm kështu në shtëpinë tonë buzë lumit dhe ndaluam. Të përfshirë nga një gëzim i thellë dhe që të mund të na dëgjonin të gjithë, ne filluam të këndonim këngën që më së shpeshti dëgjohej në atë kohë, një këngë së cilës nuk ia dianim mesazhin dhe përmbajtja, atëherë e pakuptueshme për ne, na u zbulua vetëm më vonë: Amerika dhe Anglia do të bëhen proletare. Çanga ia plasi gazit, e ne, duke pasur në gojë refrenin e kësaj kënge që nuk e dinim të tërën e të shoqëruar nga Stalinesha, pasi kaluam përgjatë rrugicës së rrethuar me gardh, hymë në oborr. Të shqetësuar nga mungesa jonë gjatë gjithë ditës, prindërit tanë kishin dalë në prag të derës. Çanga i përshëndeti, kurse babai e ftoi që të vinte të pinte një gotë. Çanga pranoi, kurse bagëtia ndoqi vetëm rrugën drejt vatrës. Duke i prirë Çangës, babai ngjiti shkallët prej druni që shpinin në çardak, ndërkohë që kënga jonë vazhdonte të jehonte në oborr. Nëna solli raki e meze, e fshiu ngadalë ryezën, pastaj u largua. - A do të mundemi të shkretët ne, proletarët, bashkë me dhitë tonë t‘i arrijmë Amerikën e Anglinë, që na janë caktuar ci cak mbrritjeje?- ia filloi Çanga. - Shakatë mënjanë, me Stalinin asgjë s‘mund të dihet! Ngjarjet nuk po marrin kthesë të mirë! – u përgjigj babai duke kthyer rrjedhën e bisedës. - Me Stalinin ose pa të, ne do të mbesim me dhitë tona! – e ndërpreu Çanga. - Me Stalinin ose pa të, - ia ktheu babai, - mund të jemi të sigurt që nuk do të vonojë e të shfaqen këtu „planet lidhur me ndërtimin e ri të socializmit“, të cilat nuk do të lënë pa i përfshirë aty edhe dhitë. - Edhe mua ma ndjen zemra një gjë të keqe. E, në të vërtetë, a mund të zgjasë kaq shumë lumturia në Ballkanin tonë? Do të gjendet ndonjë që do të urdhërojë të vriten dhitë tona! E kush tjetër mund të jetë, në mos ndonjëri nga tanët! – bërtiti Çanga i menduar. - Mirë e ke, Çangë! Armiqtë tanë më të ligj ndodhen mes nesh. - Por ne nuk do të qëndrojmë duarlidhur! - Në rast se do të vendosin të hidhen në sulm kundër dhive, do të jetë e vështirë t‘u pritet rruga. - Do ta shohim, do ta shohim…, - përfundoi Çanga. Ra një heshtje e thellë. Mendimet po këmbesheshin tani pa fjalë. Ishte ora e një emisioni radiofonik të huaj për dëgjuesit e vendit tonë. Në valët radiofonike babai kërkonte stacionin në radion në formë të bishtit të palloit. Gongu ra dhe emisioni filloi. Menjëherë filloi me problemin e Titos dhe të Stalinit. Çanga dhe babai dëgjonin me pamje të merakosur. Ata e parandjenin që mbi vendin tonë do të përplaseshin dallgë të reja të historisë. Kurse ne, fëmijët, falë një lodhjeje tërë lumturi, nuk vonoi e na zuri gjumi. Babai dhe Çanga çapitën tërë natën nëpër dhomë, duke kërkuar e rikërkuar nëpër libra. Megjithëse pothuaj e sfilitur nga lindja e saj e fundit, nëna e kishte rifituar ritmin e saj të mëparshëm të punës dhe ndiqte sërish netët pa gjumë të babait. Ajo gjithashtu e ndjente se po ndodhte ose mund të ndodhte një gjë e rëndësishme.
|
|
|
|