Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 08-01-2009, 01:11am (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
 » Liridon Miftari
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu XII
E shtune, 16-06-2007, 02:24pm (GMT)

Kur partia mori vesh për emrin Stalineshë, me të cilin e kishim pagëzuar dhinë tonë, ideologët e saj shprehën pakënaqësi, por vetëm më vete. Në të vërtetë ata nuk mund të reagonin hapur ose disi ndryshe, sepse kishin frikë se do të keqkuptoheshin, madje të cilësoheshin si kundërshtarë të Vëllait të Madh. Veç kësaj, partia nuk dëshironte ende të përzihej në çështjen e dhive, – ajo nuk kishte marrë atëherë udhëzime nga instancat e republikës për të vepruar në këtë drejtim – megjithëse dosja po fryhej gjithnjë e më shumë në kasafortën e zyrës së sekretarit të komitetit të qytetit. Stalinesha jonë pa dyshim tanimë duhej të figuronte aty. Po kush mund ta dinte këtë? Çanga, miku i babait, megjithëse për një çast u habit shumë kur dëgjoi emrin e dhisë sonë, nuk e vuri asnjëherë në dyshim ndershmërinë e babait, çfarëdo që të mund të dëgjonte për të. Përkundrazi, ai nuk e kuptoi kurrë se si njëri nga cjeptë e tij të mëdhenj kishte arritur të quhej Stalin. Ai nuk e kishte lejuar një gjë të tillë asnjëherë.
      Familjet shumanëtarëshe të Lagjës së Dhiarit mund të kishin deri në tre, katër, ose pesë dhi, por pothuajse kurrë ndonjë cjap. Barinjtë më në zë, në radhë të parë Çanga, ia lejonin vetes të kishin dy deri tre cjepë për tërë tufën, – kjo gjë vetëkuptohet – por gjithashtu për t‘i mbuluar edhe dhitë e tjera. Në këto vite urie, askush nuk kishte interes të mbante cjepë për hatër të disa dhive. Edhe Çanga, si të tjerët, mund t‘i kënaqte të gjitha dhitë e tufës së vet me dy cjepë, por ai, si ata, ishte solidar me familjet e barinjve të varfër.
      Pasi u rrit Stalinesha jonë e u bë tamam dhi, e shikonim që herë pas here e kapte një shqetësim i çuditshëm. Ajo jepte më pak qumësht, ikte papritur sapo dëgjonte që i çonin dhitë e tjera pas ndonjë cjapi në ndonjë qoshe të parkut. Ne mundoheshim ta mbanim, por pa e ditur se çfarë delli i kërcente. Merziteshim për shkak të sjelljes së Stalineshës sonë pa e ditur fare se çfarë sëmundje e mundonte. Por, një ditë që Çanga po kalonte me kopenë e vet afër shtëpisë sonë, Stalinesha dalloi nga larg dhitë dhe cjeptë dhe u nis në drejtim të tyre. Vetëm në këtë çast ne e zbuluam gjithë të vërtetën: kishte ardhur koha që dhinë tonë ta çonim te cjapi. Po kështu vepruan me dhitë e tyre fëmijët e fqinjëve. Këtu nuk mund të kishte përjashtim nga rregulli dhe ne u qetësuam kur zbuluam arsyen e shqetësimit të dhisë sonë.
      Kështu, erdhi një ditë pranvere, një e djelë, ditë pushimi. Ne ishim përgatitur pothuajse gjatë gjithë javës që të shkonim me dhinë te tufa e Çangës. Ai ishte miku i babait dhe besonim që puna do të kryhej më shpejt me të.
      Atë ditë u zgjuam me këngën e këndezit. Zbritëm në oborr. Stalinesha ishte zgjuar, e gatshme dhe me padurim për t‘u nisur. Ne e stolisëm si ditëm më mirë. E parfumosëm me parfum nga një shishe e vogël që nëna nuk e përdorte kurrë. I vumë në qafë një gjerdan lulesh nga kopshti i nënës.
      U nisëm për tek cjapi.
      Çanga ishte në këmbë. Dhitë kishin dalë nga stallat dhe ndodheshin në mes të oborrit të madh të shtëpisë së Dhiarit. Ai na vuri re që nga larg dhe nxitoi të na hapte derën.
      Dhitë kullotnin mbeturinat e një sane që ua kishin qitur më parë. Disa cjepë qëndronin larg dhive. Dy kafshë më të reja, me qime të bardha në të florinjtë dhe me brirë të lartë të lakuar, matnin forcat e tyre duke ia drejtuar brirët njëri-tjetrit. Njëri nga cjeptë, më i madhi, e vështroi Stalineshën tonë. Shqetësimi që e kapte më përpara, e zuri përsëri, por me një forcë më të madhe.
      Çanga na priti shumë mirë dhe na nxori qumësht të ngrohtë dhie. Ai e vuri re menjëherë hutimin tonë. Ne, të turpëruar, nuk dinim si t‘ia shpjegonim arsyen e ardhjes sonë. Ai filloi të qeshte e, për të na qetësuar, na pyeti për babanë, për familjen. Në Lagjen e Dhiarit dhitë e tjera dhe cjeptë kishin emra që lidheshin pak a shumë me emrin e Stalinit, por ne nuk e dinim që i tillë ishte edhe emri i cjapit kryesor të Çangës, të atij që sapo ia kishte hedhur vështrimin Stalineshës.
      Vështrimi i Stalinit nuk i shpëtoi dhisë sonë. Ajo filloi ta tundte bishtin dhe u përpoq të çlirohej nga litari që ia kishim vënë rreth qafës.
      Çanga na fliste për gjëra të ndryshme për të na larguar vëmendjen. Me një përpjekje të fuqishme, Stalinesha arriti të çlirohej nga litari, që i binte lirshëm. Çanga na bëri me shenjë që ta linim të shkonte. Ne ishim tmerruar nga forca e cjapit të madh. Megjithëse Stalinesha jonë kishte atë emër, ajo ishte e brishtë, kurse cjapi i fuqishëm i Çangës e meritonte emrin e tij pa fije dyshimi. Ai ishte një gjigant i vërtetë me një qafë të trashë dhe të fuqishme, me brirë të gjatë si heshta, gati për t‘u sulur, me nofulla të forta. Stalinesha filloi t‘i afrohej cjapit me turp e pastaj tërë naze. Mashkulli u ngrit nga vendi ku ishte shtrirë, u rrotullua nja dy herë, pastaj u çua mbi dy këmbët e prapsme duke harkuar trupin e tij muskuloz. Dhitë e Çangës qëndronin larg nga frika se mos provonin mbi kurriz të tyre që në orët e para të mëngjesit mësymjen të papërballueshme të Stalinit. Ato e dinin nga përvoja mënyrën se si Stalini i mbërthente ato. Ndodhte që dhitë të arrinin të liroheshin me vështirësi të madhe nga kthetrat e tij dhe të shpëtonin jetën pas shtrëngimit të gjatë e dehës të cjapit të papërmbajtur.
      Si ta dinin që do t‘u vinte radha, dhitë e Çangës nuk e morën si provokim suljen e cjapit drejt kësaj dhie të panjohur dhe mënyrën se si ra papritmas para saj. Stalinesha i kishte bërë pa u ndier hapat e saj të parë, e ne, qysh kur e vumë re cjapin, do të donin ta kthenim prapa dhinë tonë, por ishte shumë vonë! Cjapi qëndroi për një kohë të gjatë mbi thundrat e tij të prapme si një hyj i bardhë dashurie. Stalinesha iu afrua me dashamirësi dhe ia nxiti ndezjen jo si një virgjëreshë që ishte, por si një dashnore e përkryer. Me buzë të buta, me hojzat që hapeshin e mbylleshin, me gjuhën e bukur që i dilte si një flakë e kuqe, ajo e çiku cjapin. Ky, i përndezur, drejtoi trupin e më një kërcim prej akrobati e përfshiu Stalineshën tonë në përqafimin e tij të gjerë. Ai ia mbërtheu kokën mes dy thundrave të përparme dhe me këmbët e prapme e tërhoqi pas vetes prapanicën trëndafilí të dhisë sonë. Ata qëndruan kështu të ngjitur për disa çaste.
      Duke e shikuar Stalineshën të zënë si nën darë nën trupin e madh të cjapit, ne, fëmijët, ishim gati të shpërthenim në vaj dhe të nxitonim ta lironim e ta shpëtonim dhinë tonë. Por Çanga na ndaloi. Kur mashkulli u largua, ne shkuam drejt Stalineshës. Më e qetë se kurrë ndonjëherë, ajo i hapte shumë sytë e saj të butë. Ne u gëzuam që ajo ishte mbarsur dhe tani do të ishte në gjendje të na lindte një kec, por mbi të gjitha ne u gëzuam që ajo kishte shpëtuar pa pasoja nga shtrëngimi i fuqishëm i Stalinit. Ne ishim të kënaqur që Stalinesha jonë ishte mbajtur mirë. Na gëzonte mendimi që ajo qe mbarsur pikërisht nga Stalini si dhe perspektiva që një ditë mund të kishim edhe ne një cjap të kategorisë së parë.
      Dielli përfshiu horizontin. Dhitë e Çangës ishin gati të niseshin për kullotë buzë lumit dhe nëpër kodrina. Të prirë nga Stalini, cjeptë dolën të parët. Dhitë ecnin prapa ngadalë.
      Ne, po ashtu, shkuam pas kopesë së Çangës bashkë me dhinë tonë ende në qejfin e saj. Edhe Çanga dukej i gëzuar. Ai na hidhte vështrimin e tij fisnik e të butë, i cili, si një rrezatim njerëzor depërtonte thellë në shpirt.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu XIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]