Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Kreu XI
E shtune, 16-06-2007, 02:25pm (GMT)

Kështu, pra, një jetë e re kishte ardhur në shtëpinë tonë. Festa e lindjes! Pas shumë dështimesh në familje, i sapolinduri krijonte vetvetiu një atmosferë feste.
      Kur humbisnim një vëlla ose motër të vogël, ne prisnim frytin e ri të barkut të nënës si një kthim të vëllezërve dhe motrave që kishin vdekur.
      Vetëm më vonë, kur u rritëm, e kuptuam që nuk ishte kështu. Ndërkaq, lumturia jonë thurej nga këto çaste ku e kishte burimin çdo gjë.
      Kështu rriteshim, pra, duke na plakur çdo vdekje për dhjetë, për njëqind vjet. I takonte nënës të na shpëtonte, të na zëvendësonte këtë kohë të humbur të familjes, të na udhëhiqte në skamje, kësaj viktime në kufi të jetës e të vdekjes, qiri familjar që nuk tretej kurrë.
      Kur e ndjente që vdekja i vinte rrotull ndonjërit prej fëmijëve të saj, e shkreta nënë, nuk gjente më forcë sa duhet në vetvete. I dorëzohej disi vdekjes duke i hapë rrugë një etheje vdekjeprurëse që s‘i shqitej me ditë të tëra. Ajo s‘kishte më forcë as të ankohej, as të qante, kur vdekja mizore ia rrëmbante foshnjën. Shpirti i thahej më shumë se vetë shkretëtira. Vdekja e fëmijës e largonte nga ëndrrat e frikshme. Ajo rrifillonte pastaj të lëvizte në rrethin familjar dhe ta vazdonte aty kronikën e përbashkët të jetës dhe të vdekjes. Në këto ditë pa rrugëdalje, fati i familjes do të kishte qenë sigurisht i ndryshëm, po të kishim gjetur pak penicilinë ose ndonjë antibiotik tjetër. E meqë për këtë as mund të flitej, çdo gjë duhej të zgjidhej në shpirtin e gjerë e në trupin e munduar të nënës, të kësaj roje të shenjtë të dyerve të familjes sonë të çrrënjosur, mbi të cilën peshonte mallkimi që e kishte Ballkanin atdhe…
      Në krahasim me të mëparshmet, lindja e fundit e nënës sime ndodhi kur dhia tashmë kishte hyrë në shtëpinë tonë dhe ishte bërë shumë shpejt pjesëtare e familjes sonë. Megjithëse ne e trajtonim vazhdimisht si kec, ajo tani më ishte bërë tamam dhi, që na jepte qumshtin e saj të parë. Pra ishte dhia jonë që, në vend të nënës, së cilës i kishte shteruar gjiri, e mëndi vëllanë tonë të vogël. Ky qe një lëhtësim i madh për ne, i cili bëri që foshnja e fundit e nënës të mbetej gjallë.
      Vëllait tonë të vogël ia vumë emrin „Agim“. Me fatin që kishim pasur ne, babai, në të vërtetë, nuk donte që emrat e fëmijëve të tij të kishin sado pak lidhje me shenjtorë, kapitenë të mëdhenj, ose me njerëz të tjerë të shquar. Ai thoshte se gjithkush kishte fatin e vet dhe ishte i mendimit që fëmijët të quheshin „Luan“, „Dritë“, „Vullnet“, „Dëshirë“, „Ditë“, „Jetë“…
      Në të vërtetë nëna kujdesej më shumë për mbarëvajtjen e brendshme të familjes, kurse babai për atë të jashtmen, por si njëri ashtu edhe tjetri vepronin gjithnjë në bazë të një mrrëveshjeje të fortë e të ndërsjellë. Kur rriteshim, fëmijët më të mëdhenj merrnin mbi vete një pjesë të detyrimeve familjare, pasi që kishin marrë diplomën e ndonjë institucioni të arsimit të mesëm – më shpesh teknik – e pastaj, duke filluar menjëherë punën, u hapnin më të rinjve perspektivën për studime universitare. Shumica e tyre përcaktoheshin për mjekësi.
      Vëllezërit e mi dhe motra nuk mund ta harronin luftën e pashpresë të nënës për të ruajtur të gjallë foshnjet që kishin vdekur për mungesë të barnave. Kështu, fëmijët që kishin mbetur gjallë e studionin mjekësinë në mënyrë që më vonë t‘u vinin në ndihmë nënës dhe pjesës tjetër të familjes.
      Nga ana tjetër, babai vlerësonte që ishte mirë që familjet e shpërngulura të kishin më shumë mjekë të përgjithshëm në radhët e tyre, në mënyrë që të mund t'u shkonin në ndihmë të gjithëve dhe të ishin më të sigurt edhe t‘i ndihmonin të vetët edhe të jetonin mirë në këto kohë të pasigurta e të mallkuara që përvijoheshin në Ballkan.
      Megjithatë, babai e kishte më të lehtë të ndikonte në zgjedhjen e profesioneve e, para se gjithash, të zgjidhnim porofesionin e mjekut, të veterinarit, të kuadrove mjekësore sesa të na mbante larg ndikimit të ideologjisë të partisë dhe të pushtetit.
      Nëna e bekonte socializmin që i kishte krijuar mundësitë, deri tani të padëgjuara, për t‘i çuar fëmijët nëpër shkolla të dobishme. Kurse babai gjurmonte me shqetësim kufizimet e sistemit. Ai kishte një përvojë të madhe lidhur me trazirat ballkanike të kaluara dhe kishte arritur me shkathtësi ta ruante familjen nga ideologjitë, nga fashizmi deri te stalinizmi, si edhe nga përzierja në fe dhe politikë.
      Babai vlrësonte që, po të filloje të merreshe me politikë për ta nxjerrë familjen nga mjerimi, do të ishte një hap i gabuar, madje fatal. I ardhur rishtas, ai vërtet ishte përzier në organizatën e emigrantëve, por, sapo e kishte marrë shtetësinë, ai ishte larguar me gëzim nga këto aktivitete për t‘iu kushtuar përfundimisht dorëshkrimeve të vjetra orientale të harruara, interpretimit të të fshehtave të tyre, gjetjes së çelësit të tyre. Thellë në shpirt ai dëshironte që fëmijët e tij të mos merreshin me politikë, në mënyrë që kjo të mos merrej me ta. Por, për këtë, s‘kishte asnjë masë, asnjë kufi. Kështu që ai arriti të hiqte dorë nga ky mendim.
      Ja përse, kur njëri nga vëllezërit e mi më të mëdhenj e njoftoi që kishte paraqitur kandidaturën që të pranohej në parti, babai nuk reagoi negativisht, siç mund të pritej. Kurse nëna filloi të dridhej me ta dëgjuar këtë: ajo trembej se mos prishej qetësia dhe harmonia që kishte mbretëruar deri atëherë në familje e që babai, që ishte „pa parti“, e kishte ruajtur me aq sukses. Ajo me të vërtetë kishte frikë. Aq më tepër që babai nuk i kishte mbyllur hesapet me komunizmin.
      Sipas tij, kjo ide ishte s‘ka më fisnike, shumë vështirë për t‘u vënë në jetë, një ide që të varfërit dhe të paditurit mund ta përqafonin me lehtësi. Në të vërtetë, kur njerëzit nuk kanë zgjidhje konkrete për situata të caktuara, ata kërkojnë rrugëdalje në ide të mëdha e të përgjithshme. Në emër të këtyre ideve të mëdha janë shtyrë vazhdimisht zgjidhjet konkrete. Kështu ka ndodhur edhe me besimin te Perendia, por kjo ide pati jetë më të gjatë në historinë e njerëzimit. Por të besosh njëkohësisht në dy dogma të ndryshme ishte jo praktike, mendonte im atë. E për këtë ai kishte të drejtë.
      Ai do të donte ta bindte për këtë të birin të prirur për politikë, po nuk arriti. Në të vërtetë babai nuk dëshironte në asnjë mënyrë t‘i ndryshonte bindjet e të birit, t‘i kthente fëmijët nga rruga që duhej të zinte fill te vetë ata. E kjo jo vetëm që ai nuk dëshironte të ndërhynte nga frika se mund të shkaktonte një reaksion të kundërt, por sepse ai e kishte si rregull t‘i linte vendimet të piqeshin vetiu. Ja përse ai nuk tregohej kurrë kategorik as në situatat kur gjërat ishin aq të qarta, sa mund të përgjigjej vetëm me një po ose jo.
      Para se të futej në parti, vëllai duhej të merrte pjesë në një aksion vullnetar të rinisë që kishte të bënte me rindërtimin e një hekurudhe të shkatërruar në njërën nga republikat qendrore të vendit, pastaj në ndërtimin e autostradës Vëllazërim-Bashkim që do ta lidhte vendin tonë me Evropën e Azinë, e në fund në rregullimin e një liqeni arfificial në republikën tonë, përmes drenazhimit dhe tharjes së një kënete.
      Thellë në shpirt nëna s‘kishte dëshirë ta linte që të shkonte në rrugë që ishin të pasigurta për të. Ajo thoshte me vete që shpirti për aventura, tipik për babanë, kishte pushtuar edhe shpirtin e vëllait, me të vetmin dallim që babai ishte larguar në kohët kur kërcënonte lufta. Ajo mund t‘i kuptonte këto shpërngulje, megjithëse ato qenë shkak që ajo kishte mbetur vetëm. Përkundrazi, e kishte të vështirë të pranonte që të largohej djali i madh. Babai, besnik ndaj parimeve të veta, në fund të fundit nuk donte të bëhej pengesë që vëllai të hynte në parti, por frikësohej se mos i biri rrëmbehej shumë nga premtimet që bëheshin aty dhe se mos vëllezërit e tjerë e ndiqnin shembullin e tij. Por të ndodhte ç‘të ndodhte…
      Vetëm kur lindi problemi që t‘i vinim një emër të përshtatshëm dhisë, babai e kuptoi qartë që vëllai synonte t‘ia hynte mirë politikës. Meqenëse në përputhje me traditën e familjes fëmijëve u ishin vënë emra asnjanës, s‘kishte fare arsye të mos veprohej kështu edhe me dhinë. Por, me rastin e pagëzimit, vëllai, militant i ardhshëm i partisë, sugjeroi vetëm emra personalitetesh që i përkisnin historisë më të re. Duke qenë se të gjithë ishin të gjinisë mashkullore, këta emra nuk mund të pranoheshin kurrsesi. Besnik ndaj zakonit të vet, babai nuk bëri asnjë vërejtje kur vëllai na la të gjithëve gojëhapur duke propozuar:
      - T‘i vemë pra një emër që na kujton atë të çliruesit tanë, të gjeneralisimit tonë… Ta quajmë Stalineshë!
      Mbetëm pa fjalë. Heshtjen e prishën të qarat e vëllait të vogël, të cilin po e ndërronte nëna. Ajo e la që ta mëndte pak dhia dhe foshnja u qetësua. Kurse ne, fëmijët e tjerë, qemë gati të shpërthenim në lot për shkak të emrit që kishte propozuar vëllai.
      Të gjithë ia ngulëm sytë babait. Kishte ardhur çasti që të vendoste ai. Dorën në zemër, u duk se edhe babai u zu ngushtë. Ai nuk arrinte ta mblidhte veten, pasi e kishte peshuar se sa thellë ishte futur i biri me qëllim që të bënte karrierë, në kundërshtim me shprehitë e familjes, vërtetë të kufizuara, por aq të rëndësishme për mbijetesën e saj. Ai u përpoq të gjente te vetja e vet, te qëndrimi larg partisë që kishte mbajtur, arsyet që e kishin shtyrë të birin në krahët e saj e të politikës në përgjithësi. I munduar nga shpërnguljet dhe pasojat e tyre, ai nuk kishte pushuar së pyeturi me frikë se a do të arrinte ndonjëherë të lëshonte rrënjë në këtë vend të ri, sepse nuk ishte e thjeshtë për një familje të lidhur prej brezash në një tokë, të shkulej nga ajo dhe t‘i përshtatej mënyrës së jetesës të një vendi tjetër.
      Duke pasur frikë gjithmonë nga vendime të prera, babai, zemra e të cilit ishte zbutur gjatë shpërnguljeve e goditjeve të fatit, kërkonte tani që të bijtë të çliroheshin nga këto frustrime. Kishte frikë se mos kjo gjë shkaktonte në mjedisin e tyre të ri një efekt të kundërt dhe se mos, si rrjedhim, kështjella morale që kishte ndërtuar, do të shembej.
      Në fund, babai nuk ishte trembur aq nga karriera e mëtejshme e të birit në parti sesa nga paaftësia për ta kuptuar vetveten dhe ai i kërkonte arsyet e asnjanësisë së vet të vazhdueshme në prirjen e përhershme për kompromis – kaq karakteristike për statusin e tij si emigrant – aty ku nuk kishte ndoshta fare arsye objektive për ta bërë këtë.
      Ne prisnim që ai të mos pranonte që dhia jonë të pagëzohej me emrin Stalineshë, siç kishte propzuar vëllai, kandidat për t‘u pranuar në gjirin e partisë; por në atë çast nuk tha asgjë që mund të intepretohej si një qëndrim pro apo kundër.
      Pra, kështu dhisë sonë ia vumë emrin Stalineshë. Në të vërtetë ne, fëmijët, nuk e dinim me saktësi se cili ishte Stalini, e as vëllai ynë, kandidat i partisë, që e kishte propzuar këtë emër. Ne e shikonim Stalinin në fotografinë që rrinte në krye, përbri asaj të Titos, mbi shtretërit tanë të vegjël, në dhomën e madhe të ndenjës, të cilën e përdornim edhe si dhomë gjumi. Ne e shikonim Stalinin me vështrim të rëndë, me vetulla të trasha dhe mustaqe të dendura. Mendonim që një njeri kaq i fuqishëm do të dinte ta mbronte dhinë së bashku me familjen tonë.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.