Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 08-01-2009, 01:38am (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
 » Liridon Miftari
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu IX
E shtune, 16-06-2007, 02:27pm (GMT)

Që kur kishte mbaruar së lexuari tregimin e Dodesë kushtuar dhisë së Zotit Sëgen, Çanga nuk mundi të mbyllte më sy. Ai qe tronditur thellë nga fati i kësaj dhie që fliste dhe i kërkonte të zotit që ta linte të bridhte lirisht nëpër mal. E shkreta nuk e dinte se çfarë rreziqesh e prisnin nëpër male, me çfarë ligji sundonin ujqërit atje lart.
      Segeni, i cili nuk dëshironte ta humbte dhinë e vet, e kishte mbyllur mirë me dy të rrotulluara çelësi në një haur të errët, por kjo nuk e pengoi dhinë që të gjendej shumë shpejt në mal, sepse ai kishte harruar që dritarja kishte ngelur hapur. Gjethnajat e gështenjave përkëdhelnin cullufet e bardha dhe të ndritshme të dhisë, ndërsa ajo kalonte si një mbrtëreshë nën hijet e tyre të gjelbëra. Nga larg, nën verra xixëllinin sytë e blertë të diellit.
      Dhia arriti në parajsën e kreshtave. Mali po i bënte një pritje të përzemërt. Ndoshta një gëzim kaq i madh dhe i mahnitshëm përjetohet vetëm një herë gjatë gjithë jetës.
      Dhia e vogël po ngopej me gjethnajë e bar të njomë. „Oh sa e lumtur ishte dhia e vogël“!- Komentonte Çanga me zë të lartë, duke u zhytur në peripecitë e tregimit. – „Por do të ndodhë ndonjë gjë,“ – shtonte ai me një pamje tërë frikë dhe mendonte ta ndërpriste leximin. Por fati i kecit e kishte ngacmuar shumë e s?mund ta bënte këtë.
      Më vonë, barinjtë e tjerë, të cilëve Çanga do t‘ua lexonte tregimin, do të shfaqnin ndjenja të njëjta. Disa do t‘i jepnin të drejtë Sëgenit, të tjerët jo. Çanga, me urtësi, nuk u shpreh; ai e la që ngjarja të zbulohej vetiu deri në fund, ai nuk donte ta shpejtonte rrjedhën e gjërave. Ishte i bindur që, po të ishte ndodhur keci në malet e Ballkanit, fati i tij do të kishte qenë krejt ndryshe. Në të vërtetë, në çastet e para të leximit, Çanga nuk e kishte parashikuar që do të përzihej ujku në tregim. Por ky i fundit u paraqit shumë shepjt. Çangës i kishte lënë mbresë sidomos guximi i kecit dhe dashuria e tij për liri. Si shumica e zotërve të tyre, dhitë që kemi në Ballkan s‘kanë arritur kurrë të lirohen plotësisht nga frika. Kjo e shqetësonte shumë Çangën. Bardhoshja e ëmbël e Zotri Sëgenit nuk e dinte ç‘ishte frika.
      Më vonë, barinjtë do t‘i shpjegonin Çangës që frika, që kishin njerëzit në Ballkan, ishte bartur edhe te dhitë. Ai e ruante në mendje që dhitë endeshin lirisht nëpër forumet romake dhe i bëri të gjitha përpjekjet që dhitë të mund të bridhnin lirisht edhe në qytetin tonë. Kjo i tërboi kuadrot e partisë që ishin ngarkuar me çështjen e dhive, gjë që nuk i pengoi dhitë të vepronin sipas kokës së tyre. Do të vijë dita kur dhitë dhe barinjtë do të na paguajnë këtë; do të vijë dita kur kjo kohë e mallkuar e dhive do të marrë fund një herë e përgjithmonë, shtonin për t‘u ngushlluar drejtuesit e lartë të komitetit të partisë të qytetit. Megjithtë, ata e kërcënonin Çangën, i cili, sipas tyre, u lexonte barinjve literaturë borgjeze perëndimore. Ata kishin arritur deri aty sa të fusnin simpatizantë mes barinjve, të cilëve u lexonte Çanga. Pastaj ata përpiqeshin brenda komitetit, që, në bazë të raporteve konfuze, të rindërtonin mozaikun e së vërtetës, por, duke qenë të paaftë, deshën apo s‘deshë, u detyruan të thoshin:
      - Po kush është, vallë, ky ztoni Sëgeni me kecin e tij? Kjo është një propagandë e kulluar borgjeze! Literaturë perëndimore që ka për qëllim të helmojë barinjtë tanë, anëtarët e ardhshëm të klasës punëtore…
      Sido që të ishte, tregimi i Dodesë nuk mbaronte aty: ai vazhdonte me një zgjidhje, pastaj me epilogun.
      Zgjidhjen e sillte ujku. E kush mund të duronte një fat të tillë? Atëherë Çangës i shkonte mendja te Ballkani dhe te Stalini.
      Keci e ndiqte rrugën e vet duke soditur nga larg shtëpinë e Segenit, e cila deri dje kishte qenë burgu i tij. Ishte në kulmin e gëzimit. Megjithëse ujku ende nuk i kishte dalë para syve, Çanga po merakosej për fatin e tij. Pas një dehjeje të tillë, pas një lumturie aq të madhe do të ishte fatale që ta pësonte, shtonte Çanga sipas zakonit të vet, duke e ndjekur leximin.
      Keci, i shtyrë nga instinkti i të parëve të vet të egër, u ngjit lart, fare në majë, sa që shtëpiza e Sëgenit iu duk fare e vogël, sa grima, e mandej vetëm sa një pikë.
      Ndërsa po ua lexonte barinjve të vet këtë pjesë, Çanga ishte rrëmbyer deri në atë shkallë nga rrjedha e ngjarjeve dhe ndërhynte aty me aq shtesa nga mendja e vet, sa që erdhi një çast ku barinjtë e kishin të pamundur të bënin dallimin ndërmjet tregimit të Dodesë dhe historisë sipas Dhiarit:
      „…Pastaj mbretërisë së ditës po i vinte fundit. Yjet e parë po lajmëronin mbretërinë e natës. Sa hap e mbyll sytë, mali humbi buzëqeshjen e tij ditore për t‘u hijezuar në manushaqe e pastaj në të zezë. Nga larg u dëgjua zëri i ëmbël që të kujtonte se dhitë duhej të ktheheshin në vatër.
      „Keci e humbi gëzimin me dritëzat e ditës. Shumë larg, dallohej vetëm tymi që ngrihej nga oxhaku i shtëpisë së Sëgenit. Këtij, vetëm në shtëpi, me një plagë të hapur në shpirt, po i vinte keq që e kishte braktisur dhia e tij e fundit.
      „Ra nata, duke përpirë në heshtjen e saj ditën që u zhduk. Zëri i Sëgenit tingëlloi edhe një herë. Heshtje. Vallë dhia e vogël a do të ndërronte mendje? A nuk do të dëgjohej pastaj një blegërimë plot pendim…“
      Barinjtë dëgjonin, të frikësuar, leximin tërë ankth të Çangës. Mendimi u shkonte te dhitë e veta. Ata i afronin më të vegjëlit ngjitur pas vetes. Edhe të tjerat ishin aty.
      Çanga, me dëshirën për t‘i qetësuar barinjtë, u shpjegonte se ishte fjala vetëm për një tregim të thjeshtë dhe që s‘duhej të vendosej as lidhja më e vogël mes atij dhe dhive tona.
      Por ata nuk ishin aq naivë sa t‘u besonin fjalëve të tij, për më tepër që edhe zëri i tij dridhej. Leximi i këtij tregimi të mallkuar zgjonte te Çanga një parandjenjë që paralajmëronte se pas kohës së dhive do të mund të vinte fare mirë ajo e ujqërve.
      Më kot ai u mundua që të çlirohej nga këto mendime ugurzeza. Nga çdo pikëpamje e kishte të pamundur që ta ndryshonte rrjedhën e fatit të dhisë së vogël të Zotit Sëgen.
      Ujku ishte aty, s’mund të ndryshohej asgjë. Fati ishte fat. I takonte, pra, Çangës t’i lajmëronte barinjtë për hyrjen e ujkut në skenë. Dëgjuesit e shikonin me dëshprim, duke pyetur se mos mund t’i kursente nga ky episod i ujkut. Por Çanga nuk mund ta ndryshonte vazhdimin e ngjarjeve.
      Keci do të mund të vërrinte fort në mënyrë që Sëgeni të shkonte ta merrte. Por përsëri do ta priste kapistra, gardhi, burgu. Kështu, thirrja e fundit e Sëgenit drejtuar dhisë së vogël u shua në heshtje. Madje dhia i kishte thënë lamtumirë tërë shpresës për t’u kthyer. S’mbetej gjë, përveç shpresës që të priste lindjen e diellit të mëngjesit të ardhshëm. Edhe barinjtë, të trishtuar, bashkoheshin me këtë shpresë.
      “… Fare afër, gjethnaja filloi të shushurinte. Heshtja e natës u thye në mënyrë të panatyrshme. Dhia e vogël e parandjeu që ujku ishte aty. Para saj ngrihej tërë egërsi masa e pyllit.
      “Ujku qetë-qetë e shikonte viktimën e tij të sigurt. Për herë të parë dhia e vogël e ndjeu veten të humbur përgjithmonë.
      “Ajo solli ndër mend dhitë motra, njëra nga të cilat, Renoja e vjetër, megjithëse kishte luftuar tërë natën me ujkun e mallkuar, në mëngjes kishte përfunduar në dhëmbët e tij. Dhisë papritur i shkoi ndër mend që t’i nënshtrohej ujkut për të mos e zgjatur ankthin…”
      Barinjtë ishin shtangur. Një vazhdim i tillë i ngjarjeve bëri që t’u rridhnin lotët më të ndjeshëmve. Disa të tjerë, duke qenë plotësisht analfabetë, shprehnin mosbesimin e tyre duke kërkuar nga Çanga që t’u tregonte vendin e saktë ku ishte shkruar që ujku po përgatitej ta sulmonte dhinë e vogël. Shikoni, është këtu, u thoshte Çanga, duke treguar me gisht pjesën.
      “… Përbindshi u afrua. Dhia e vogël u ngrit me krenari, ia drejtoi brirët…”
      Ajo do të luftonte në emër të gjithë fisit të dhive, në emër të këtyre barinjve të varfër që dëgjonin historinë e saj në krye me Çangën. Në të vërtetë, më shumë ia vlente të luftonte sesa ta humbiste lirinë. Çmimi i lirisë ishte më i lartë se vdekja!
      “…Dhia e Zoti Sëgenit ishte trime. Merreni me mend, dhjetë herë rresht ujku u detyrua të tërhiqej për t’u mbushur frymë dhe për t’i mbledhur forcat, para se të hidhej në sulm”, - lexonte Çanga gjithë duke treguar me krenari vendin ku ishin shkruar këto.
      Barinjve ju kthye besimi në vetvete, se, si dhitë edhe barinjtë e ndjenin se do të vinte dita kur do të përballeshin me ujqit e kohë sonë, por pa e çuar fare ndër mend dështimin.
      “…Duke pritur që ujku të mblidhte sërish forcat, dhia e vockël po kënaqej së kulloturi ndonjë fije bari të njomë e tërë lëng, me rrënjë të thella,si t’i mblidhte forcat edhe ajo vetë nga thellësitë e tokës.”
      - Toka, rrënjët mbanin anën e dhisë së vockël…, - theksonte Çanga, si të komentonte.
      Barinjtë, të trembur, e lusnin, e përgjëronin Çangën që ta ndërpriste aty, që të mos shkonte deri në fund të tregimit. Por, Çanga vazhdoi. Ai e trimëroi atë Bardhoshen që ta përballonte një goditje të re të ujkut. Barinjtë, me sytë drejtuar nga vallja mbrëmesore e yjeve, të përtërirë nga influksi tokësor që ua kishin përcjellë fijet e fundit të barit që kishte kullotur dhia e vogël, shikonin në drejtim të qiellit sikur t’i luteshin Zotit që ta mbante në jetë kecin trim deri në dritëzën e parë të agimit.
      “… Njëri pas tjetrit, yjet u shuan”, lexonte i trishtuar Çanga.
      Barinjtë dëgjonin me sy të përlotur. Madje disa shikonin lot edhe në sytë e dhive të tyre, ose të paktën këtë përshtypje kishin.
      “ Dhia e vockël përdori për herë të fundit brirët, ndërsa ujku, me një tërbim të madh, dhëmbët…
      “Një dritë e zbehtë u duk në horizont. Dielli po e çante me vështirësi rrugën e vet…”
      - Po lind dielli, po lind dielli! – përsërisnin barinjtë.
      “U dëgjua nga larg kënga e këndezit…”
      Po, vërtetë dielli po lindte, por shumë vonë!
      “Kur tutje larg dielli po lindte, dhia e vogël s’kishte më shpëtim, por shpresonte t’i bashkohej diellit, në amshim. Ajo u shtri përtokë në gëzofin e saj të bardhë, të mbuluar në gjak…”
      Barinjtë ishin ngritur, si të donin edhe ata vetë të merrnin pjesë në epilogun e tregimit. Shtrengonin dhitë e tyre. Për herë të parë në jetën e tyre panë Çangën t’i fshinte lotët. Në këtë çast i ngritën sytë nga qielli, i cili po mbulohej me re. Atje tej, i vijëzuar nga ndriçimi i papritur i një vetëtime të mahnitshme, qielli u përflak menjëherë.
      Barinjtë u trembën nga ky agimi i pashpirtë i parakohshëm. Ata patën frikë nga ky ogur i keq, që paralajmëronte fundin e kohës së dhive përmes këtij agimi të mallkuar.
      Vetëtima paralajmëronte shiun.
      Çanga e futi librin në strajcë.
      Barinjtë nuk donin ta shikonin më me sy këtë libër. Në këtë çast atyre nuk u vinte keq që s’dinin shkrim e lexim; madje disa nga më të vjetrit shprehën keqardhjen që Çanga kishte mësuar shkronjat.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu X (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]