Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 08-01-2009, 01:09am (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
 » Liridon Miftari
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R-RR
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu VIII
E shtune, 16-06-2007, 02:28pm (GMT)

Kur largohej nga shtëpia jonë me librat nën sqetull, natën vonë, e ndonjë herë kah agimi, Çanga fluturonte nga gëzimi.
      Tejet i lumtur, ai u kthehej dhive të veta, kënaqej me to, i milte dhe i nxirrte në kullotjen e mëngjesit. Ndërsa ato kullotnin, ai u lexonte dhiarëve pjesë nga librat e babait. Dhiarët e dëgjonin me vëmendje, por, nganjëherë, tundnin kokën si me dyshim, sepse nuk e kishin aq të lehtë ta kuptonin atë që thuhej në këta libra.
      Vërtet, si ishte e mundur, që këto dhi, të cilat kullotnin qetësisht, të ishin përzier deri në këtë shkallë në historinë e njerëzve dhe të planetit të tyre? Ata e kishin edhe më të vështirë të besonin se dhitë mund të mëndnin këlyshë luani, edhe pse Çanga betohej për këtë...
      Lajmi se Çanga u lexonte dhiarëve kur kullotnin dhitë, nuk vonoi e u përhap në qytet. Por Çanga nuk ishte një dokushdo në qytet. Policia i ndiqte me vigjilencë ecejaket e tij; partia fjalët e tij; pushteti dhitë e tij. Çanga filloi t’u shkaktonte shqetësime të fshehta kuadrove të partisë që ishin ngarkuar me dosjet sekrete për dhitë.
      Ajo që i çudiste dhe i shqetësonte më së shumti njerëzit e partisë, ishte që Çanga i bënte vizita babait dhe këta tani i lidhte një ndjenjë miqësie. Ata e kishin halë në sy këtë gjë. Çfarë mund t’i afronte deri në këtë masë këta të dy, të paparti, të sapoardhur në qytet, njëri i pajisur me njohuri universitare, tjetri një dhiar i thjeshtë dhe analfabet?
      Në të vërtetë, askush nuk kishte kuptuar se dhitë ishin ato që i kishin afruar aq shumë babanë dhe Çangën. Kjo miqësi i shqetësonte mjaft të gjithë njerëzit e pushtetit, të partisë e të policisë. Kuadrot e ngarkuara me dosjen dridheshin madje edhe vetëm nga ideja e kësaj miqësie, sepse, ndëmjet Çangës e babait po krijohej ajo kundër së cilës luftonin ata: lidhja e ngushtë ndërmjet klasave të përmbysura dhe klasës fitimtare.
      Dhiarët duhej që, brenda një afati të shkurtër, të shndërroheshin në klasë punëtore.
      Kështu e kishin parashikuar, kështu kishin vendosur organët më të larta. Në ndërkohë, partia duhej ta prëgatiste popullsinë të ndihmonte pa u ndier në shfarosjen e dhive dhe kështu të shmangej çdo përpjekje për ta kundërshtuar këtë . Por kush mund ta ndalonte dashurinë e Çangës për dhitë, njerëzit, jetën?
      Të gjithë drejtuesit trembeshin nga autoriteti e ndikimi i Çangës. Nëse nga njëra anë donin të ndalonin Çangën e dhitë, për arsye të „interesave të larta të partisë“, nga ana tjetër, thellë në ndërgjegjen e tyre, donin që Çanga e dhitë e tij të mbeteshin, sepse këto ishin shumë të dobishme edhe për ta, njerëzit e partisë, njerëzit e pushtetit. Tani për tani, ata bënin pyetje dhe përpiqeshin ta kuptonin atë që i lidhte babanë e Çangën. Çfarë komploti po kurdisnin ata? Kuadrot e partisë, të specializuar në çështjen e dhive, e dinin fort mirë se çka ishte në gjendje të bënte me dhitë një Çangë analfabet, por nuk kishin menduar se çfarë do të mund të bënte kur të arsimohej, të pajisej me njohuri të reja për dhitë. Ata shkruanin raporte me karakter tejet të fshehtë mbi bazën e të dhënave të rregullta dhe të fshehta që mblidhnin për aleancën ndërmjet Çangës e babait, intelektualit e Dhiarit, kundër luftës së klasave.
      Aktivistët e rinj të partisë, të etur për karrierë të shpejtë, shkonin edhe më larg në hamendjet e tyre. Ata i dinin deri edhe titujt e librave të babait që i kishte Çanga. Po të kishin dashur, vetëm duke u bazuar në këtë listë, ata do të kishin mundur fare lehtë t‘ia rregullonin një herë e përgjithmonë qejfin babait dhe miqësisë së tij me Çangën.
      Në të vërtetë, babai mund të akuzohej lehtë për propagandë properëndimore dhe për përhapjen e ideve kapitaliste. Të tjerëve u kishin kërkuar llogari qoftë edhe për një libër me prejardhje nga Perëndimi. Po, mund t’ia rregullonin kurdo dhe fare lehtë qejfin babait, por kishin frikë nga Çanga.
      Por edhe babai nuk ishte aq naiv sa të mos e merrte me mend se prej nga vinte rreziku. Ai e nuhatte gjithmonë, në një mënyrë apo tjetrën, qoftë dhe instinktivisht, edhe kur për këtë nuk kishte asnjë shenjë konkrete .
      Te Çanga ai çmonte sinqeritetin e natyrshëm, ndjenjën e tij për realitetin, aftësinë për t’u shkrirë me jetën, intuitën që ia mundësonte të parandjente të ligën, gjurmët e djallit.
      Gjatë gjithë ditës, Çanga lexonte librat e babait që flisnin për dhitë dhe lidhjen e tyre me jetën, ndërsa perëndeshat e bardha para syve të tij mblidhnin mbulesën e gjelbër të tokës. Të mësuara me praninë e Çangës, kafshët kullotnin në qetësi.
      I ngazëllyer nga leximi i librave, Dhiari i harronte dhitë e gjalla. Nëse ndonjëra largohej, dhiarët e tjerë ia sillnin e Çanga, në shenjë mirënjohjeje, u lexonte shkrime të reja për kafshët. Një herë iu hap babait e i tha se i vinte keq që nuk kishte mësuar të lexonte që fëmijë dhe se kështu kishte bjerrë një jetë të tërë. Babai iu përgjigj se ai vetë, e jo Çanga, kishte humbur një jetë të tërë, një jetë në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke lexuar shumë libra. Pohimi se kishin lënë t’u shpëtonin në jetë raste aq të ndryshme e madje të kundërta, pa dyshim se i afroi shumë.
      Me kalimin e kohës, Çanga ndiente një entuziazëm gjithnjë e më të madh për planin e babait për të hartuar historinë e perandorive ballkanike duke e përshkruar nën këndvështrimin e rënies së tyre, histori në të cilën dhitë do të kishin pjesën e tyre. Ai shpresonte se edhe vetë do të luante njëfarë roli në këtë hartim.
      Një mbrëmje, Çanga po dëgjonte me kënaqësi babanë që, i ngazëllyer nga subjekti i tij, po i tregonte se si dhitë kishin arritur të kalonin perandoritë romake, bizantine osmane dhe tani të depërtonin edhe nëpër perandorinë staliniste. Duke vlerësuar që për vetveten tanimë nuk kishte shpëtim, babai trembej se mos Çanga, nën ndikimin e rrezikshëm të leximit, përfundonte në një Don Kishot ballkanik, i cili, duke iu nënshtruar ideve që përmbanin librat, do të largohej shumë nga jeta.
      - Dhitë, - filloi atë natë babai me një pamje të menduar, - nuk kanë pushuar së dukuri dhe së zhdukuri mes popujve, shteteve, perandorive, gjatë gjithë historisë së vendeve ballkanike...
      - Kur janë dukur e kur janë zhdukur? – Eendërpreu që në fillim Çanga.
      Babai i hodhi një sy vargut të veprave në bibliotekën e tij që kishin të bënin me perandoritë e Ballkanit. Pastaj, me një ton emfatik, si ta kishte harruar pyetjen e dhiarit, vazhdoi:
      - Çangë, o miku im, ne, njerëzit, kemi pasur me dhitë e me kafshët e tjera shtëpiake një ëndërr të përbashkët qysh prej kohësh më të vjetra. Kohët kanë rrjedhur, përparimi na ka larguar gjithnjë e më shumë nga paraardhësit tanë, por kjo ëndërr e përbashkët, kjo ëndërr prej së cilës njerëzit nuk kanë mundur të çlirohen në asnjë mënyrë, ka vazhduar dhe u ka kujtuar atyre farefisin pikërisht kur më së pakti pritej.
      - Po me dhitë, çka ka ndodhur me dhitë? – pyeti Çanga me një ton të shqetësuar.
      - Janë pikërisht dhitë,- vazhdoi babai me gjallëri,- që ia kanë kujtuar më së shumti njeriut ëndrrën e qëmotshme të përbashkët me kafshët. Më kot njeriu ka ngulmuar, me vetëdije a pa vetëdije, të harrojë, të zhdukë në vete pjesën kafshërore të ëndrrës. Ato ishin kohë të vështira për njeriun në këtë planet, sepse nuk e kishte të lehtë të ndahej nga natyra e tij fillestare. Dhitë, më shumë se të gjitha llojet e tjera, e kanë kthyer kah e vërteta e ëndrrës së përbashkët.
      - Ah, si është ngatërruar çdo gjë në kohë! – thirri Çanga.
      - Gjithçka është përzier, po, çdo gjë është ngatërruar!
      - E tani, dhitë po e kthejnë njeriun në ëndrrën e tij të parë, në bashkësinë e vjetër. Ato po e shpëtojnë.
      Babai u pajtua.
      Çanga kuptonte çdo ditë e më shumë, gjithnjë e më qartë, shpjegimet që babai jepte për mënyrën se si njerëzit u ktheheshin dhive në ato kohë të mallkuara kur ishte mbjellë fara e ndasisë, kur kafshët shpëtonin njerëzit, fëmijët e tyre, kur ato rizgjonin te njeriu ëndrrën e mëparshme të përbashkët.
      Sa herë që Çanga donte të thoshte diçka të rëndësishme për dhitë, ai e fillonte gjithmonë duke i hedhur, i mahnitur, një vështrim figurës së dhisë që mëndte këlyshin e luanit.
      Pa dashur, babai ia preu shkurt hovin, duke i treguar një gravurë tjetër në të cilën një dhi përkundte një kërthi në djepin e tij pranë nënës së drobitur nga punët e shtëpisë. Çangës nuk i mbetej tjetër, përveç se të përsëriste:
      - Vërtet, a është e mundur kjo? A është e mundur kjo?
      Babai vazhdoi temën e parë të bisedës:
      - Çdo herë që ëndrra mizore është ndezur tek njerëzit e Ballkanit tonë të mallkuar, çdo herë që janë përmbysur perandoritë, që janë shfaqur luftërat vëllavrasëse, dhitë, këto perëndesha të gjalla në mjedisin e njerëzve, i kanë strehuar këta në ëndrrën e tyre të përbashkët...
      Çanga u ngrit, iu afrua librave që trajtonin perandoritë ballkanike, filloi t’i shfletonte e t’i vështronte ilustrimet. Ai mahnitej me alfabetet e ndryshme. I vinte keq që kishte mësuar të lexonte e të shkruante vetëm një gjuhë dhe se nuk kishte studiuar gjuhët e popujve të tjerë të Gadishullit.
      Babai, si të parandjente pyetjen që donte t’i bënte Dhiari, vazhdoi:
      - Të ngulura në thellësinë tonë, thellë në kujtesën tonë, ekzistojnë festa të harruara, të humbura, që ruajnë kujtimin e krijimit tonë, të formimit të fatit tonë të përbashkët. A mos duhet dhitë të na rikujtojnë ato festa...
      Çanga nuk u orvat të thellohej në mendimet e babait. Shpjegimi i tij rodhi në vazhdë të mendimeve që ai bluante:
      - Luani nuk e sulmon kurrë luanin, as tigri tigrin. Vetëm njeriu vret njeriun...
      - Kur njeriu është i plagosur, është i gatshëm për vig, përkundrazi, kur plagoset luani, ai atëherë sulmon me të gjitha forcat, - shtoi babai.
      - Përse ndodhë kështu? – pyeti Çanga.
      - Kur njeriu është buzë vdekjes, mendon për Zotin. Kafshët nuk kanë as Zot as kujtesë për të kaluarën. Ato kanë vetëm të tashme. Ato tërë kohën e përjetojnë në një çast.
      - Vdekja mund të jetë për njeriun burim i një ankthi të madh, por kjo lloj ndjenje është e huaj për kafshët! – tha Çanga paksa i çuditur.
      - Edhe fëmijët nuk e përjetojnë këtë ndjenjë përsa kohë nuk dijnë se ekziston vdekja. Deri atëherë ata jetojnë në parajsë. Por kur u mbaron fëmijëria, merr fund edhe parajsa!
      - Kjo do të thotë se ndjenja e mosekzistencës së vdekjes përbën të vetmen arsye të dashurisë së pakufishme që i bashkon fëmijët tanë me dhitë, - përfundoi Çanga.
      Babai e Çanga mblidhnin prova të reja në mbështetje të tezës sipas së cilës dhia shfaqej në historinë e popujve ballkanikë sa herë që njeriu e grishte në emër të ëndrrës së tyre të dikurshme të përbashkët. Por kjo ndodhte vetëm pasi shpërthente urrejtja mes njerëzve, pasi përçarjet, mosmarrëveshjet dhe mallkimet bëheshin tejet mbytëse.
      Çangën e revoltonte shpirti i keq i tërë këtyre njerëzve të tejngopur, të gatshëm të hiqnin qafe dhitë duke i cilësuar kafshë të neveritshme, të liga dhe të pangopura.
      A nuk ishte pikërisht natyra e njeriut, që, sipas Dhiarit, i përgjigjej këtij përshkrimi?
      Të vetëdijshëm për komplotin e gjerë që po kurdisej kundër dhive, babai e Çanga i bashkonin provat për rolin e çmuar, të pazëvendësueshëm të dhive në historinë e kaluar e të tanishme, veçanërisht në historinë e tanishme.
      Ata u përpoqën shumë të mblidhnin si prova lokale ashtu edhe universale. I pamposhturi Dhiari Çanga, i cili ishte kalitur në beteja të shumta për të shpëtuar dhitë, si gjatë edhe pas luftës, zotëronte prova me rëndësi lokale. I takonte babait të merrej me prova me rëndësi universale, planetare, që ishin në favor të dobisë së madhe të dhive.
      Babai e Çanga së bashku, me vetëdije apo pa vetëdije, ngrinin një mur të lartë të fortifikuar që rrethonte dhitë me qëllim që t’i shpëtonin kafshët e njerëzit nga goditjet e pashmangshme që partia dhe qeveria po përgatiteshin t’ua jepnin.
      Edhe njëri edhe tjetri e njihnin mirë mendësinë ballkanike: në të ishte ngulitur sindromi i mallkuar i vetëshkatërrimit, i cili bënte që njeriut ose popullit që kishte dhi, t’i vinte mirë, pa arsye të thellë e thelbësore, t’i ngordhte dhia fqinjit. Pikërisht për këtë arsye, çdo libër i zbuluar në bibliotekën e babait, çdo vepër që u kushtohej dhive e që ai i gjente nëpër burime të ndryshme, përbënte për Çangën gurë të çmuar për ngritjen e kësaj fortese të lartë. Në këtë kontekst, mund të merret me mend gëzimi i pakufishëm që ndjente ai kur ndonjëra prej këtyre veprave i zbulonte se dhia ishte, për shembull në Indi, simboli i lëndës thelbësore fillestare, pracrit dhe nënë e botës. Ai pyeste përse dhia në Kinë ishte lidhur me idenë e bubullimës. Ishte mahnitur me lidhjet që ekzistonin ndërmjet dhive dhe hyjnive, qe entuziazmuar nga tregimi mitik që në Delf dhitë kishin zbuluar orakullin duke lodruar rreth tymit.
      Çanga gëzohej gjithashtu kur zbulonte ndër librat e babait ndonjë vepër të poetit antik latin nga Verona, Katuli, i zbukuruar me gravura të forumit romak ku dhitë endeshin të lira. Ai ua mvishte këtyre ilustrimeve një kuptim krejt të veçantë dhe kishte ndër mend që këto t’ua tregonte një ditë krerëve të qytetit tonë.
      Në fund të çdo takimi të tyre, Çanga i lutej babait që t’ia huazonte ndonjë libër nga biblioteka e tij, që t’ua lexonte dhiarëve. Babai ndjehej i gëzuar që porositë që përmbanin veprat që i kishte mbledhur gjatë gjithë jetës së tij, tash po arrinin tek “lexuesit-dëgjues” të rinj ndër dhiarë. Atë mbrëmje, ai ia dha librin e tregimeve të Alfons Dodesë në të cilin ishte tregimi i famshëm Dhia e zotit Sëge.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu IX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu X (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]