Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 08-10-2008, 02:16am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Lorena Stroka
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
 » Lindita Agolli
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu VII
E shtune, 16-06-2007, 02:29pm (GMT)

Dhia po e ndryshonte shpejt jetën e familjes sonë. Nuk kalonte ditë që babai të mos zbulonte të dhëna të reja lidhur me dhitë dhe pronarët e tyre. Prej vitesh, fqinjët e kishin vështruar me dyshim të vetmin banor të lagjes që mbante kapele, të dilte çdo ditë në të njëjtën orë nga shtëpia me çantën e tij të zezë dhe të kthehej rregullisht në një orë të vonë. Tani babai ishte bërë për këta njerëz një njeri tjetër. Ishte bërë njeri i tyre. I madh ishte numri i atyre që vinin tani në shtëpinë tonë e dëgjonin me kënaqësi dhe ngazëllim bisedat lidhur me dhitë që zhvilloheshin aty. Ata u bënë miq të rinj të babait.
      Një mëngjes babait i erdhi për vizitë Dhiari i madh Çanga, legjenda e gjallë e kohës së dhive, i shoqëruar nga disa barinj të njohur . Kishte shtat të lartë, të fuqishëm, flokë të gjatë e të verdhë, hundë shqiponje, fytyrë të plotë e tërë shëndet dhe ballë të lartë. Ishte analfabet, por mjaft i zgjuar dhe i guximshëm. Po të mos kishte qenë Çanga, dhitë do të kishin mbetur në mes të rrugëve të kryeqytetit gjatë atij dimri të parë pas Çlirimit. Ai vetë kishte një tufë të tërë dhish të përzgjedhura nga një racë vendore me lesh angora, me ngjyrë të çelët e të ndritshme, si edhe shumë cjepë me qime të gjata, të cilëve çdo pranverë u dërgonin shumë femra për ndërzim.
      Duke mos qenë anëtar partie, Çanga hynte lehtë në biseda me tim atë. Meqenëse nga disa anë të karakterit e plotësonin njëri- tjetrin, ata u afruan shumë shpejt mes tyre. U bënë miq të mirë e më vonë të pandashëm. Vetëm atëherë, ne fëmijët e kuptuam që Çanga ishte nofka e tij, se ai në të vërtetë quhej Melko Melovski. Babai dhe Çanga u afruan me njëri-tjetrin duke i kullotur dhitë. Kështu, Dhiari i Madh filloi të na bënte vizita të shpeshta, gjë që ndihmoi dukshëm në rritjen e prestigjit të familjes sonë si ndër brianjtë e Lagjes së Dhiarit, ashtu edhe në pjesën tjetër të qytetit, megjithëse ne kishim gjithmonë vetëm një kec të brishtë, por që na dukej i larë në ar.
      Çanga ecte me hap të rëndë e të sigurt. Sapo dëgjonim që kërcisnin shkallët që shpinin në dhomën e punës të babait, ne e kuptonim që kishte ardhur ai. Hynim pastaj aty që ta shikonim dhe ta përshëndesnim Çangën. Ai shpesh na fuste tinës ndonjë dyshkë në dorë. Tërë gëzim, dilnim pastaj me kecin për ta thënë me zë të lartë në gjithë lagjen emrin e atij që ishte për vizitë në shtëpinë tonë. Të gjithë na dëgjonin me ngazëllim.
      Megjithëse ne nuk mund ta kuptonim kurrë plotësisht atë për të cilën flisnin babai e Çanga, e dinim që, në këtë bisedë, dhitë ishin gjithmonë të pranishme e bshkë me to edhe e ardhmja jonë.
      Çanga nganjëherë qëndronte deri në agim së bashku me babanë e librat e tij. Babai i lexonte atij dhe i shpjegonte, duke u bazuar në librat që i kishte hapur, disa nga të cilët ishin të ilustruar me gravura dhish. Çanga dëgjonte i mahnitur. Ai vështronte figurat. Në veçanti e kishte robëruar një litografi e vjetër ku dukej shumë mirë se një dhi e racës sonë vendore me floknajë të çelur mëndte një këlysh luani. Me një pamje dyshuese ai pyeste e ripyeste babanë se a ishte e mundur që një dhi të mëkonte një luan të vogël. Babai e bindte që kjo ishte e mundur, plotësisht e mundur.
      Atëherë, për herë të parë Çangës i erdhi keq, thellësisht keq, që nuk dinte të lexonte, i erdhi keq që ai kishte mbetur analfabet, i pamësuar deri thellë në shpirt. Ai iu lut me trishtim babait që ta mësonte të shkruante, që t‘ia nguliste nocionet elementare të njohurive.
      Duke i lexuar libra që u kushtoheshin dhive, babai filloi, pra, ta arsimonte. I pajisur nga natyra me një mendje të zgjuar dhe të gjallë, Çanga i mësoi pa vështirësi „shkronjat e vogla“, siç i quante ai duke qeshur me babanë. Ne të tjerët, fëmijët, shikonim se si pas një bisede të gjatë me babanë, ai largohej duke marrë me vete ndonjë libër ose shënime. Më vonë e pati Çanga radhën që t‘i sillte babait, falë lidhjeve të tij me pjesën tjetër të Ballkanit e gjetiu, vepra të reja për dhitë, të cilat i lexonin dhe i komentonin së bashku.
      Kështu, Çanga mësoi nga librat e babait që dhitë kishin qenë kafshët e para, qumshtin e të cilave e kishte shijuar njeriu. Çdo gjë kalonte si të ishte bërë shtëpia jonë universiteti i parë për dhitë në Ballkan, student i vetëm i të cilit ishte Çanga, por, përmes tij, të gjithë barinjtë e tjerë. Në shenjë mirënjohjeje ai deshi të na dhuronte një dhi. Babai nuk deshi kurrsesi ta pranonte këtë dhuratë. Mirëpo Çanga iu përgjigjej me një ton të prerë që ai nuk e kishte lutur asnjëri në jetën e vet dhe babai, pasi hodhi vështrimin mbi ne, fëmijët, lëshoi pe. Kjo qe një festë e vërtetë për familjen tonë: kishim marrë një dhi nga Çanga, Dhiari i Madh! Çanga deklaroi që familja jonë e meritonte një tufë të tërë për arsye të gjithë atyre të mirave që babai u kishte bërë pa kursim dhive e banorëve të qytetit.
      Në të vërtetë, nëse Çanga kishte mësuar shumë nga librat kushtuar dhive, edhe babai mësoi shumë nga Çanga për jetën e pikërisht për ato që kishin të bënin me sjelljen e dhive. Kur babai u bind plotësisht se gëzonte besimin e Çangës, ai filloi t‘i hapej atij për dyshimet që i ngjallte fati i dhive në kontekstin e „moskryerjes së luftës së klasave“, fjalë që përdoreshin shpesh nëpër parullat kryesore të afishuara nëpër qytet. Por, kur babai ishte me Çangën, shpirti i tij hapej deri në atë shkallë, sa i largohej frika. Përkundrazi Dhiari ishte sypatrembur. Megjithëse ishte rritur pothuajse në simbiozë me dhitë, ai i njihte po aq mirë edhe njerëzit. Veç tjerash në qytet nuk kishte pronar dhish, anëtarë ose jo i partisë, që të mos ishte shërbyer me cjeptë e Çangës për t‘i mbarsur dhitë. Por kjo s‘ishte e tëra. Me një shpirt të mirë e bujar, Çanga ishte i pari që u vinte në ndihmë të uriturve dhe banorëve vendas të qytetit: ai u ndante qumësht dhe ushqime dhe ishte gjithmonë i gatshëm t‘u jepte më të skamurve ndonjë kec nga lindja e fundit e kafshëve të tij. E këto ishin pjellore, vërtet shumë pjellore.
      Doli që tufa e Çangës, në rast se aty përfshiheshin këlyshët e dhive të ndërzyera nga cjeptë e tij, u zgjerua shumë shpejt në tërë qytetin e pastaj në Republikë. Në këtë mënyrë Çanga hyri në shtëpitë e drejtuesve të partisë, të pëfaqësuesve të pushtetit, të kuadrove të ushtrisë. Në të vërtetë, këta funksionarë kundërshtonin, nuk donin ose nuk guxonin, në parim, të mbanin dhi. Po fëmijët e të afërmit e tyre nuk mund të bënin pa qumështin e këtyre kafshëve. Fshehurazi, nëpërmjet barinjve të tij besnikë, Çanga bënte që qumështi e djathi i bardhë të arrinin te këta persona të njohur, sa që i kishte të gjithë „në grusht të dorës“, siç iu rrëfye një ditë babait me një ton tallës.
      Ndërkaq, brenda më pak se një viti, Çanga kishte arritur të lexonte mirë. Vitin tjetër ai merrte më shumë e më shpesh vepra nga biblioteka e babait, jo vetëm të tilla në të cilat flitej për dhitë, por edhe të atilla që kishin të bënin me tema të tjera. Biseda e tyre tani nuk rridhte më vetëm për dhitë.
      Babai iu hap Çangës për jetën e vet. Historia e familjes sonë për një kohë të gjatë kishte mbetur një fshehtësi e madhe për të gjithë, si në Lagjen e Dhiarit, ashtu edhe në pjesën tjetër të qytetit. Të ardhur së voni, me një gjuhë dhe një besim tjetër, por nën të njëjtën ideologji, të ngarkuar me libra, thjesht si të ishim hedhur në këtë qytet buzë lumit, ne për një kohë të gjatë mbetëm si një ishull i vetmuar.
      Babai kryente me zell punën e tij që konsistonte kryesisht në përkthimin e dorëshkrimeve të vjetra nga periudha osmane e shekujve XVI-XIX, që kishin rëndësi për të gjithë në këtë pjesë të Ballkanit. Këto dokumente i kishte zbuluar ai vetë gjatë njërit nga kërkimet e shumta që kishte ndërmarrë. Një mbrëmje, babai i tregoi Çangës që duke shkruar mbi temën e dhive, duke gjurmuar nëpër shumë të dhëna që ai dispononte për mënyrën e jetesës së tyre në simbiozë me njerëzit, ai kishte pasuruar veprën e jetës së tij, një histori të perandorive ballkanike, në të cilën ishin përzier dhitë. Ai përpiqej të vendoste një lidhje ndërmjet mendimeve që i frymëzonin dhitë dhe njohurive që kishte mbledhur mbi jeniçerët, këtë element të përhershëm të të gjitha perandorive ballkanike, gjithnjë i pranishëm me një emër tjetër. Përmes fatit të jeniçerëve, ai donte të evokonte të gjithë pushtuesit e tjerë të Gadishullit.
      Çanga e dëgjonte i mahnitur babanë, megjithëse i mungonin shumë njohuri e nocione që do t‘ia mundësonin ta kuptonte shumë mirë tërë këtë. Por kjo nuk e pengonte që në çdo rast që babai përmendte dhitë, gjithë mendja e tij të përpiqej të kapte kuptimin e fjalëve që thoshte ai. Kur babai mbaroi paraqitjen e kësaj lidhjeje të veçantë, Çanga nuk mundi pa bërë vërejtje:
      - Unë nuk e kuptoj mirë lidhjen ndërmjet dhive dhe jeniçerëve.
      Babai u befasua shumë nga vërejtja e Çangës, e formuluar me aq mprehtësi dhe që përkonte me frymën e mendimeve më të rëndësishme të tij. Ai harronte shpesh që kishte të bënte me një njeri që sapo kishte dalë nga anlfabetizmi dhe që duhej t‘i zgjidhte konceptet për të. Por ishte e vërtetë edhe që Çanga ishte i mprehtë dhe me humor. Fjalët sikur dilnin nga shpirti i tij. Ai kishte kohë që e njihte alfabetin e mendimeve dhe të jetës, aq mirë sa që shenjat e paraqitjes shkencore të tyre, të cilat ai tani i zotëronte, vetëm sa e kishin shpejtuar rrjedhën e mendimit të tij të kthjellët. Veç tjerash, Çanga mbante mend me qindra këngë, fjalë të urta e tregime.
      Babai e shikoi me një vështrim ëndërrues dhe pas një heshtjeje iu përgjigj:
      - Është vështirë të përcaktohet se kur janë shfaqur për herë të parë dhitë në Ballkan dhe edhe më vështirë të përcaktohet se a ishin autoktone apo kishin ardhur aty në një periudhë pak a shumë të vjetër.
      Pasi që i bëri një shpjegim shtesë lidhur me kuptimin e fjalët „autokton“, babai vazhdoi:
      - Në një libër gjerman është shkruar që dhitë janë shfaqur në Evropë në kohën e dyndjeve barbare. Ndoshta, që atëherë, kanë lindur paragjykimet e evropianëve për Ballkanin. Po kush mund ta përcaktojë cilët ishin barbarët dhe cilët indigjenët e qytetëruar? Për shkak të këtij mallkimi nuk kanë pushuar qërimet e hesapeve mes perandorive, mes popujve e, si rrjedhim, s‘kanë marrë fund edhe ndarjet. Vetëkuptohet që fajtorët të shumtën e herëve kanë qenë vetë ballkanasit, të cilët luanin rolin e pronarëve të papranishëm, duke i hedhur mallkimet sa më larg vetes, pra në Ballkan, meqenëse dukej se s‘kishte vend më të volitshëm për ta bërë këtë…
      Çanga dëgjonte me një vëmendje më të përqendruar se kurrë. Kohë pas kohe hija e tij, që projektohej nga llamba e ndezur, lëvizte mbi librat e babait.
      - Por, - vazhdoi babai duke ndjekur fillin e mendimit të vet, - kam lexuar në libra të tjerë që dhitë jetonin bashkë me njerëzit që në kohën e qytezave palafite, në shtëpitë liqenore, shtëpitë më të vjetra që kish ndërtuar dora e njeriut…
      Që kur se e kishte mësuar shpejt artin e të lexuarit dhe të të shkruarit, Çanga nuk ndahej kurrë nga një bllok i verdhë ku shënonte vazhdimisht ndonjë gjë të re, ose plotësonte ndonjë gjë që ishte shënuar më parë. Babai priti që ai të mbaronte së shkruari dhe vazhdoi:
      - Ta kam borxh një përgjigje për pyetjen që ka të bëjë me lidhjen ndërmjet dhive dhe jeniçerëve. Në vështrim të parë, duket se nuk ka asnjë lidhje të veçantë ndërmjet tyre. Por, dëgjo, dhitë nga një pikëpamje janë „jeniçerë“ në rendin e kafshëve shtëpiake. Nga shumë pikëpamje dhitë i kanë tradhtuar të parët e tyre të egër për t‘iu afruar njerëzve…
      - Është pikërisht kështu! – thirri Çanga me kënaqësi.
      - Por, mua më ka shkuar mendja edhe për një gjë tjetër! Të gjithë „barbarët“ që kanë depërtuar këtu, në Ballkan, përmes detit, rrugëve tokësore ose lumenjve, kishin një organizim ushtarak të fuqishëm. Ishte fjala për pushtues të hapësirave të mëdha. Të gjithë dëshironin që Ballkani të ishte etapa e fundit e ekspeditave të tyre pushtuese. Të tillë ishin romakët, bartës të një qytetërimi të madh. Ata e pushtuan Ballkanin me idenë përçaj e sundo. Bizantinët erdhën pas tyre dhe e përmirësuan edhe më shumë strategjinë e romakëve. Vazhduan ndarjet, u thelluan dallimet, u përçanë popujt. Ia behën pastaj osmanët. Ata u fortifikuan në qytetin tonë për t‘u ngulur aty për shekuj të tërë e pastaj vazhduan rrugën e tyre në drejtim të Evropës, por i ndaluan në dyert e Vjenës. Ata qëndruan në Ballkan për më shumë se pesë shekuj. Deri në shekullin tonë. Edhe ata trashëguan devizën e vjetër përçaj e sundo. Ata mësuan mjaft shembuj nga perandoritë evropiane, të cilat u kishin paraprirë, por ata nuk e lanë menjanë edhe përvojën e trashëguar nga paraardhësit irano-aziatikë. Ja përse s‘ka prova që Ballkani të mos i ketë përjetuar. Ndarje të reja lindën kështu mbi një bazë para se gjithash fetare. Në këtë kontekst u krijuan jeniçerët e rinj. Ata duhej ta çonin perandorinë në kulmin e saj, por ia shkaktuan edhe rënien. Duke u bërë të huaj ndaj gjakut të vet, të rrëmbyer me forcë nga babai, nëna, vëllezërit e motrat si edhe nga gjithë të afërmit, në moshë të njomë dymbëdhjetë deri pesëmbëdhjetëvjeçare, në emër të ligjit të larjes së taksës në gjak ose të devshirmesë, ata formoheshin në Stamboll në shkolla ushtarake speciale, ku u mësonin tërë mjeshtrinë e arteve luftarake. Në fund të formimit të tyre, ata radhiteshin si jeniçerë në njësitë e elitës. Jeniçerët rekrutoheshin, si të thuash, mes gjithë ballkanasve: serbë, shqiptarë, maqedonas, malazez, bullgarë…
      Çanga nuk e kuptonte gjithmonë se ku donte të dilte babai. Duke qenë ëndërrimtar, ai kërkonte që lidhja t‘i bashkonte drejtpërdrejt dhitë me jeniçerët ballkanikë dhe ai si t‘i fliste më tepër vetes, tha:
      - Kështu, pra, dhitë paskan qëndruar në anën e njerëzve gjatë tërë kohërave të vështira që ka kaluar Ballkani?
      - Po, - pohoi babai, - dhitë kanë qëndruar në anën e njerëzve gjatë të gjitha periudhave të rënda që ka kaluar Ballkani, duke qenë se ato ishin përhapur në një hapësirë më të gjerë përreth Mesdheut e deri në Lindjen e Largme. Më saktë, dhitë „jeniçere“ kanë shpëtuar njerëzit nga kthetrat e jeniçerëve të „tyre“, të atyre të formuar nga perandoritë e mëdha. Megjithatë, në Ballkan, kjo luftë ende nuk ka marrë fund. Dhia aty ka mbetur në anën e të varfërve, të të shtypurve, të braktisurve, dhe të atyre që rezistonin…
      - Që këtej pra paska ardhur edhe fjala e urtë ballkanike: “I ngordhtë dhia fqinjit!“- thiri Çanga jo pa u krekosur.
      - Ashtu duhet të jetë! - e pranoi babai. Por kjo shprehje mund të jetë edhe si përgjigje flakë për flakë e dalë nga populli kundër devizës perandorake „Përçaj e sundo!“ Megjithatë, nuk mund të përcaktohet se nga cila periudhë ose nga koha e cilës perandori daton kjo fjalë e urtë.
      Ra një heshtje e gjatë.
      Që të dy filluan të kërkonin nëpër libra. I pari i ngriti sytë Çanga, për t‘i hedhur pastaj mbi figurën e dhisë që mëndte këlyshin e luanit. Ai e pyeste shpesh babanë nëse ishte e mundur që një dhi të ushqente në këtë mënyrë një luan të vogël, apo mos ky ishte një trillim i kulluar prej artisti. Duke qenë se e kishte futur Çangën në thelbin e miteve, babai u përpoq ta plotësonte përgjigjen që ai ia kishte bërë më parë:
      - Legjenda mitologjike e paraqet dhinë si një të dërguar të Perëndisë, të dhisë, që në formën e Amaltesë së bukur dhe të hirshme qe ftuar të mëndte Zeusin fëmijë, atë që romakët më vonë e quajtën Jupiter.
      - Kush ishte Zeusi? – Pyeti Çanga.
      - Zeusi ishte më i madhi i perëndive, Perendia i qiellit, i vetëtimës dhe i bubullimës.
      Çangës iu desh të pyeste pse babai kishte përzier planetin Jupiter me një perëndi me të njëjtin emër. Dhiari u kujtua që edhe në vendin e tij të lindjes, dhive u ishin kushtuar legjenda të vjetra. Ai krahasonte, zbulonte… Edhe në ato legjenda, dhitë paraqiteshin si të dërguara të perëndive dhe si mbrojtëse të të skamurve…


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu VIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu IX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu X (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]