Letërsia Shqiptare

Koha e dhive: Kreu VI
E shtune, 16-06-2007, 02:30pm (GMT)

Para se ta blinte dhinë, babai kishte menduar gjatë e thellë për pasojat e „luftës së klasave“ në Ballkan. Ai nuk arrinte ta kuptonte për ç‘arsye kjo ide, e bartur në Gadishullin Ballkanik që nga Revolucioni Francez dhe ai i Tetorit, pësoi në formën e saj degjenerime që shkaktuan shumë viktima. Në emër të „luftës së klasave“ qenia njerëzore nuk ishte poshtëruar kurrë kaq shumë.
      Babai nuk ishte larg mendimit që, në këto vise ballkanike, dhitë i zbusnin, aq sa ishte e mundur, pasojat e urryera të „luftës së klasave“. Në emër të antistalinizmit, strategët e atëhershëm të komunizmit mendonin njësoj, por nuk e shprehnin publikisht, sepse dhitë mund të nxisnin „kundërrevolucionin e klasave të përmbysura“. Sipas tyre s‘mund të përjashtohej aspak që dhitë mund të kontribuonin në afrimin e „klasave antagoniste“: zejtarë e punëtorë, privatë e nëpunës të shërbimeve puiblike, besimtarë e ateistë, të mundur e ngadhnjimtarë. Në disa raporte sekrete të partisë arrinin madje të parashikonin që, në rast se nuk do të merreshin masa urgjente, parulla: „Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!“, shumë shpejt do të ndryshonte në: „Barinj të të gjitha vendeve bashkohuni!“
      Babait atëherë iu kujtua ideja sipas së cilës partia, pasi e kishte mundur fashizmin dhe i kishte bërë të vetat modelet e Revolucionit Francez, të rimarra dhe të varfëruara nga protagonistët e Revolucionit të Tetorit, nuk mund të mos e kishte parasysh që në Ballkan, ku kishte lënë gjurmë sundimi pesëshekullor osman, lufta e klasave kishte rrezik të përfundonte në një gjë rrënjësisht tjetër. Babai sheshit kishte frikë se mos dhitë, në një të ardhme jo të largët, do të ngatërroheshin padashje në të mallkuarën „luftë klasash“. Nëse s‘ishte i sigurt se kur do të ndodhte kjo, ishte i sigurt që partia që tani e kishte caktuar ditën „D“ kur do të viheshin para akuzës e pastaj të asgjësoheshin përfundimisht dhitë.
      Babai ishte munduar t‘ia shpjegonte tërë këtë nënës, me fjalë të përshtatshme, në mënyrë që ta shtynte nga dita në ditë blerjen e dhisë. Por e varfëra nënë, e shtyrë nga instinkti i pagabueshëm që e udhëhiqte të mbante në jetë fëmijët e saj, iu kishte përgjigjur qartë e shkoqur se mund të ndodhte që fëmijët të vdisnin para se të vinte dita „D“! Pra më mirë të jetonin fëmijët edhe në rast se dhitë duhej të ngordhnin pastaj! Pa thënë asnjë fjalë, babai u bashkua me këtë arsyetim logjik, i cili, pa dyshim, kishte luajtur një rol vendimtar për të blerë dhi dhe për t‘i shtyrë për më vonë mendimet e zeza që kishte për të ardhmen.
      Babai ushqente thellë në vete një mirëkuptim të madh dhe të natyrshëm ndaj barinjve, e, duke blerë një dhi, ai tani e tutje do të lidhte fatin e vet dhe të familjes me ta. Barinjtë ishin shpërngulur nga vatrat e tyre nëpër male, si ne nga vendlindja jonë buzë liqenit. Megjithëse për arsye të ndryshme, ne të gjithë kishim ardhur rishtas në këtë qytet, të munduar nga historia.
      Partia u kishte premtuar gjithë këtyre njerëzve një të ardhme të shkëlqyer: duhej vetëm të zbrisnin nga malet për t‘u shndërruar në një entitet të ri, në klasë punëtore, të fortë, të kalitur si çeliku, tërë vrull, shembullore, të guximshme, të pamposhtur, që do t‘i jepte një goditje vdekjeprurëse klasës së përmbysur ose mbeturinave të saj. Ata duhej të bëheshin një klasë e re! Kështu ishte dekretuar, planifikuar. Por sapo zbritën nga kreshtat, barinjtë, të cilët deri atëherë u kishin shpëtuar kooperativave të mëdha bujqësore, ranë tani, sipas babait, në kurth. Në të vërtetë ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për regjimin e ri që të krijonte nga këta njerëz brenda ditës klasën punëtore, për të cilën kishin ëndërruar…
      Ishte periudha e rëndë e pasluftës. Fashizmi ishte mposhtur. Komunizmi kishte shpallur një epokë të re. Perdja e hekurt kishte rënë, Evropa po ndahej më dysh nga Muri i Berlinit. Me paktin që kishte arritur që para luftës me hitlerizmin, stalinizmi e kishte komprometuar të ardhmen e komunizmit. Ndërkaq naivët vazhdonin t‘u besonin mrekullive. Megjithë kampet e vdekjes, deportimet, gulagët, në Ballkan vazhdonin t‘i besonin komunizmit sovjetik. Këtu, me një vonesë kronike, pra, me çmimin e pasojave gjithnjë e më të mprehta, zgjidhej nyja e kontradiktave tanimë në agoni në pjesët e tjera të Evropës. Tani po ngrihej një mur ballkanik mes popujve. Në fillim fshehurazi, pastaj fare hapur, Stalini kishte filluar të kërcënonte me plane pushtuese kokëfortët ballkanas. Ja përse strategët e shndërrimit të miliona barinjve në klasë punëtore duhej të kishin pritur kohë më të qeta, madje të hiqnin dorë nga asgjësimi masiv i dhive, ndërsa barinjtë dhe dhitë të viheshin deri atëherë nën mbikëqyrjen vigjilente të partisë komuniste dhe të pushtetit popullor!
      Në përsiatjet e përgjithshme lidhur me çështjen e dhive, babai shikonte qartë që regjimi dispononte variante të shumta që t‘u jepte fund dhive në secilën republikë jugosllave veç e veç, në varësi të shkallës së zhvillimit dhe të mendësisë të banorëve. Babai kishte përshtypjen që partia dhe qeveria kishin ngarkuar instanca të specializuara me misionin që të thelloheshin mirë në arsyet e lidhjeve të njerëzve me dhitë në Ballkan. Punohej në mënyrë të veçantë mbi dosjet që kishin lidhje me natyrën dëmprurëse të dhive. U zbuluan të gjitha të dhënat e mundshme që kishin lidhje me këtë dukuri. Përmes rrugëve të fshehta u sigurua një dokumentacion i huaj, u konsultuan bibliotekat, u grumbulluan shembuj të njohur të dëmeve që kishin shaktuar dhitë, por u lanë menjanë librat që trajtonin cilësitë e tyre pozitive. Si t‘i kishte vënë detyrë vetes që të mbronte këtë tezë të fundit, babai u vu të zbulonte një kundërdokumentacion të përbërë nga libra që mbronin dhitë. Fundi i fundit, vepra të kësaj natyre gjendeshin në bibliotekën e tij shumë para se të ishte shtruar problemi i dhive. Vetëm mbi bazën e veprave të babait do të mund të hartohej një histori e vërtetë për dhitë dhe barinjtë në Ballkan, në viset mesdhetare, madje edhe në pjesën tjetër të Evropës…
      Babai kishte vepra, në të cilat shpjegohej gjerë e gjatë se si dhitë kishin shkatërruar pyjet e Spanjës, të Siclisë dhe të Korsikës, shpatet e maleve të Atlasit në Afrikën e Veriut, të gjitha viset që shtriheshin deri te Deti i Zi. Ai kishte vepra që trajtonin ndarjen e madhe në Evropë, në fillim të shekullit, ndërmjet ithtarëve dhe kundërshtarëve të dhive. Mendimit të përgjithshëm që shtronin kundërshtarët e dhive lidhur me cilësitë dëmtuese të tyre, mbrojtësit e tezës së kundërt ia kundërvinin këto argumente: dhia kishte zbuluar kafen, ajo kishte zbuluar se si merret më shumë rrush duke i krasitur hardhitë, duke krahasuar peshën e saj me atë të lopës, dhia jepte tetë deri dhjetë herë më shumë qumësht sesa lopa. Por, sipas babait, zbulimi më i madh që kishte bërë në librat e tij, qëndronte në faktin që shkencërisht ishte provuar që kazeina e qumështit të dhisë tretej jashtëzakonisht mirë, sepse, për nga natyra e saj e lehtë dhe e tretshme, veçoritë e saj koaguluese u afroheshin shumë atyre të qumështit të nënës. Babai kishte nxjerrë këto të dhëna nga një vepër tepër e rrallë, së cilës, si të thuash, nuk i gjendej asnjë kopje tjetër në tërë Ballkanin. Ai ishte mrekulluar nga kjo afërsi që ekzistonte ndërmjet qumështit të dhisë dhe qumështit të nënës. Ky, ndoshta, ishte argumenti kryesor në debatin e ndërmarrë kundër kundërshtarëve të dhive. Po kujt t‘ia thoje këtë?! Megjithë cilësitë e mira për njerëzit, sidomos për më të varfërit që i shpëtonte nga uria, nga sëmundja, nga vdekja, dhia mbetej për shumicën e njerëzve kafsha shtëpiake më e nënçmuar nga gjithë të tjerat. Në shumë vende, njerëzit e pasur a nuk e shikonin gjithmonë me urrejtje „këtë lopë ballkanike të të varfërve“? Librat e babait përmbanin shumë, shumë të fshehta për dhitë. Por askujt në familje, e aq më pak në Lagjen e Dhiarit, nuk ia merrte mendja se ekzistonin këto libra kushtuar dhive. Mund të thuhej që babai kishte traktate ku trajtoheshin të gjitha vështirësitë nëpër të cilat mund të kalonte Ballkani. Por, ç‘ të bësh, e tillë ishte koha e dhive…



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.