Një mëngjes babai doli nga shtëpia më herët se zakonisht, si të ishte rrëmbyer nga ndonjë mendim, i cili i kishte shkrepur në kokë kur nata ndahej nga dita.
Për çudi, nuk e mori me vete çantën e zezë e të rrjepur, pa të cilën nuk shkonte kurrë në punë.
Nëna e ndieu që babai po dilte, por, e sfilitur nga barra, nuk mundi të ngrihej e ta shoqëronte deri te dera, siç e kishte pasur zakon të bënte gjithmonë, që nga fillimi i jetës së tyre të përbashkët e t’i falte buzëqeshjen e ëmbël, e cila, në heshtje, shprehte shpresën se do ta shihte të kthehej i gëzuar në shtëpi. Në moshën e rinisë, ky shoqërim kishte marrë pothuajse formën e një rituali të vogël, me një prekje të lehtë buzësh, por tani, të njëjtën dashuri, e shprehnin vështrimet e ëmbla që ia hidhnin njëri-tjetrit.
Në mesditë, kur ne fëmijët ishim hutuar nga lojërat në oborr, nëna mblodhi forcat e saj të fundit dhe, me miellin që kishte sjellë babai, u mundua të të na përgatiste drekën e re, ndryshe nga e një dite më parë, falë magjisë dhe gishtave të sajë që e ngjeshnin me shkathtësi po atë brumë të pandryshueshëm, si të mos i kishte prekur fare lodhja e tërë trupit të saj.
Ne të tjerët, zakonisht më të vegjëlit, që na merrte më shpejt uria, shpesh futeshim me vrull në kuzhinë për të parë se ç’gjë të re kishte gatuar nëna. Në të vërtetë, ne ktheheshim aty vazhdimisht më shumë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të saj, pas qëndrimit për një kohë të gjatë në shtrat nga dhembjet që kishte në mëngjes, sesa për të parë përgatitjen e drekës. E, kur shikonim se si gishtat e shkathët të nënës ngjeshnin brumin për t’i dhënë forma nga më të paimagjinueshmet, ne dilnim më të këndellur në oborr dhe e harronim urinë e madhe.
Kështu ndodhi edhe herën e fundit, ndërsa po zbrisnim nëpër korridorin e gjatë, që lidhte kuzhinën me oborrin, kur dalluam qartë një blegërimë, që, përmes portës së madhe të oborrit, mbushi shtëpinë. Thamë se ishte fjala për ndonjë dhi të ndonjërit prej fqinjëve, që do ta kishte ngatërruar rrugën. Por ne i njihnim mirë blegërimat e tyre, kurse ajo kishte një timbër të ndryshëm.
Ja se si pra, ende pa arritur të dilnim në oborr, na doli përpara një kec. Babai e ndiqte nga pas.
- E gëzofshi dhinë! – Thirri ai me gëzim.
- Babai paska blerë një ftujë! Babai paska blerë një ftujë! – bërtitëm secili më fort se tjetri që të dëgjonin si nëna, ashtu edhe fqinjët, dhitë e tjera, e gjithë Lagjja e Dhiarit, qyteti, partia, shteti dhe tërë Ballkani...
Në gjirin e familjeve të varfëra, në fëmijëri, gjithmonë vjen një çast i dëshiruar shumë, i dëshiruar dhe i pritur gjatë, kur hapen dyert e fatit që shpien në një të ardhme tjetër. Për ne fëmijët, si edhe për familjen tonë, ftuja që kishte blerë babai ishte ajo që e shtyu këtë deriçkë dhe kështu ne të sigurt dhe përfundimisht u futëm në kohën e dhive.
Shumë shpesh fëmijëria përzihet me parajsën. Ne u ndodhëm aty falë kësaj dhie. Nuk i fshinim dot nga kujtesa kujtimin e imazhet e udhëtimit tonë të parë e të fundit kur, me një varkë të vogël si barka e Nojes, të drejtuar nga një mik besnik i babait, kaluam kufirin dhe e braktisëm parajsën tonë të parë fëmijërore, pa kuptuar mirë arsyet që e kishin shtyrë tim atë në këtë udhëtim të papritur.
Në dritë të hënës, liqeni, mbi të cilin rrëshqiste varka e vjetër, mbeti i skalitur në mendjen tonë me përmasat e një deti, i cili, me kalimin e viteve, u zmadhua edhe më shumë në kujtimet tona, pothuajse u shndërrua në oqean. Kështu, në këtë përplasje valësh, ne e humbëm përgjithmonë nga pamja bregliqenin e lindjes që, megjithatë, kurrë nuk na u fshi nga kujtesa.
Tani, ishte pikërisht ftuja që na lidhte me parajsën tonë të humbur. Pjesëtarë të një familjeje të madhe që u shpërbë, të hedhur me një varkë deri në bregun kundruall, na u desh të gjenim një kulm tjetër, miq në vend të prindërve dhe të afërmve që u zhdukën sa hap e mbyll sytë. Por, pas gjithë atyre që provuam, a s‘ishte kjo dhi që do të na ndihmonte të përshtateshim me këtë truall të ri, me bregun e ri të jetës sonë, të na ndihmonte të plotësonim atë që kishim humbur e që na mungonte shumë në fëmijërinë tonë? Pikërisht miqtë e parë të afërt, miq vërtet të ngushtë të familje sonë, u bënë dhitë, falë ftujës që bleu babai në atë ditë të gëzuar të historisë së familjes sonë.
Ftuja do të na afronte edhe me njërëzit e tjerë të këtij vendi të huaj, me popullsi të ndryshme. Ne e pranuam ftujën si fëmijët të dalë nga barku i nënës sonë. Por, filluam të trembeshim edhe më shumë për të ardhmen, sepse, përveç frikës se mos vdiste babai dhe nëna, na u shtua edhe frika se mos na ngordhte dhia jonë e vockel.
Vërritja e ftujës përshkoi gjithë shtëpinë përpara se të dëgjoheshin të qarat e bebes që priste nëna, e cila, e zënë me punë në kuzhinë, nuk kuptoi mirë çka po ndodhte në oborr. Ajo u tërhoq deri aty me forcat e fundit që i kishin mbetur dhe u bashkua me gëzimin tonë. Ia nguli vështrimin syve të babait me tërë dashurinë e dhembshurinë e ndjenjave dhe të mendimeve të saj, por jo edhe pa një hije shqetësimi se mund të vinte një ditë kur do të kishim nevojë për atë monedhë të fundit prej floriri që ishte shpenzuar tani. Por gëzimi i fëmijëve fitoi mbi çdo gjë tjetër. Sigurisht që pothuaj të gjitha familjet e varfëra përjetojnë lumturi ose fatkeqësi në mënyrë të ngjashme, por e vetmja gjë e sigurt është që pasuria e familjeve të varfëra janë fëmijët, të cilët për ata janë jeta vetë. Këtu, prindërit tanë na kishin vetëm ne dhe ne i kishim vetëm ata e tani edhe dhinë…
- Babi ka blerë një dhi të vockël! Babi ka blerë një dhi të vockël! – thirrisnim ne duke e përqafuar fort nënën dhe duke e tërhequr kecin deri te ajo.
Tërë ngazëllim, nëna na përkëdhelte njërin pas tjetrit. Lumturia jonë i jepte kuptim jetës së saj dhe ky gëzim yni ishte pjesë e asaj lumturie.
Kështu, pra, sapo kishte trokitur ora e një ngjarjeje të shquar të fëmijërisë sonë. Ftuja krejtësisht e bardhë mes nesh, me një tufë qimesh ngjyrë floriri në ballë, që shkëlqenin si rrezet e diellit, filloi të vërriste.
- Është krejt e praruar! – thira unë.
- Është krejtë e praruar, krejtë e artë! – ia pritën të tjerët në kor.
Lajmi që babai kishte blerë dhi s’vonoi e u përhap në Lagjen e Dhiarit. Të parët vrapuan fëmijët e fqinjëve tanë më të afërt dhe gëzimi ynë u bë edhe i tyri.
Lajmi u përhap edhe nëpër qytet. Dhiarët, të njohur e të panjohur, erdhën ta përgëzonin babanë që kishte blerë dhi.
- Urime e për hajr ju qoftë, o komshi ! Ju jeni tash i yni. Me ju dhe me dhinë tuaj, ne do të jemi edhe më të fortë!
Babai, të cilin valët e fatit e kishin hedhur në këtë mëhallë që iu bë e afërt, në këtë shtëpi të vjetër në breg të lumit, nën hijen e plepave të mëdhenj të mbjellë në periudhën e Perandorisë Osmane, e pati të vështirë të përshtatej me kohën e dhive. Me një kapele gri me një gajtan të zi që kishte filluar ta mbante që në vitet njëzetë të këtij shekulli, atëherë kur ndiqte studimet në Stamboll, i strehuar tek ca kusherinj të largët nga ana e nënës, me këtë kapele, pra, prej së cilës nuk u nda deri në fund të jetës, me çantën e zezë të mbushur dëng me libra, shkrime të vjetra osmane, im atë rrinte në njëfarë mënyre i veçuar nga këta njerëz që ishin gjithnjë në lëvizje. Por atij i mjaftoi një hap i vetëm – ç’është e vërteta një hap vendimtar – për të blerë një dhi dhe me këtë veprim ai u bë i tyri. Ja se si u gjend me njerëz që nuk lexonin, me njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve madje nuk kishin parë libër me sy gjatë tërë jetës, sidomos ata që kishin zbritur nga malet më të larta me dhitë më të forta. Deri atëherë, këta njerëz e kishin shikuar babanë me një dhembshuri të madhe kur bridhte me çantën e zezë plot libra duke mos arritur të ushqente si duhet fëmijët e tij shëndetligë. Ata ia qanin hallin që nuk ishte në gjendje të blinte qoftë edhe një çfarëdo dhie për të shpëtuar familjen! Kurse të tjerët, paria, të cilëve dhitë dukshëm ua kishin ndryshuar jetën, ata, në vatrat e të cilëve dhitë kishin sjellë siguri materiale, edhe ata dëshironin, por për arsye të tjera, ta shihnin babanë të kishte një dhi.
Në të vërtetë, ishin përhapur lloj-lloj interpretimesh pse babai s’kishte blerë dhi. Disa në Lagjen e Dhiarit dhe në qytet kishin përhapur fjalë që im atë, i vendosur nga pushteti në këtë lagje, ishte marrë vesh fshehurazi me partinë për të syrvejuar, siç thoshin, marrëdhëniet ndërmjet banorëve dhe dhive. Por pas njëfarë kohe nuk kishin arritur ta shpjegonin urinë që mbretëronte në familjen tonë vetëm pse im atë nuk pranonte kurrsesi të blinte, si gjithë njerëzit normalë, një dhi për fëmijët e vet. Pas kësaj, kishin arritur në përfundim që babai ishte një militant i partisë, i tërbuar e fanatik, më i gatshëm të shifte vdekjen e fëmijëve të vet se sa të devijonte nga “vija”lidhur me problemin e dhive. Qarkulluan edhe zëra, sipas të cilëve babai ishte i lidhur me shërbime informative të huaja, madje njëkohësisht me tri prej tyre! Por, këtyre zërave u kundërviheshin të tjerë që e mbanin tim atë kundërshtarë të vendosur të socializmit dhe të komunizmit, një armik klase që nuk pranonte të solidarizohej me klasën e re të ”barinjve të bashkuar”. Disa nga këto fjalë që thuheshin poshtë e lart kishin arritur edhe te ne, por ajo që ne na dukej më e rëndësishme, ishte që babai kishte blerë një dhi dhe që nëna ishte po aq e kënaqur sa edhe ne, fëmijët e saj. Këto thashetheme nuk vonuan të pushonin. Me kalimin e kohës, im atë fitoi një autoritet gjithnjë e më të madh ndër barinj. Me një fjalë, Lagjja e Dhiarit më në fund na pranoi.