Nëna futej rrallë, shumë rrallë, në dhomën e punës të babait, gjatë netëve të gjata, kur ai e vriste mendjen përmbi libra të hapur e të përhapur mbi tryezë. Në të vërtetë, mund të numëroheshin me gishtat e dorës sa herë kishte hyrë aty. Në të tilla raste, babai ishte i sigurt se shpirtin e nënës e shqetësonte diçka shumë e rëndësishme.
Në këto çaste, babai e gozhdonte shikimin në fytyrën e brengosur të nënës dhe që andej nxirrte përfundimin se ajo kishte bërë gjithçka që mund të bëhej për të zgjidhur problemet, të cilat, në pjesën më të madhe të kohës, e turbullonin tërë familjen. Ai e dinte se kishte ardhur koha për të marrë një vendim të menduar mirë.
Vendimet e rëndësishme për fatin e familjes piqeshin për kohë të gjatë në mendjet e prindërve të mi. Kur vinte koha, ato shkriheshin në një të vetëm, të përbashkët, pa nxituar kurrë as njëri as tjetri.
Pra, një natë, nëna hyri pa zhurmë në dhomën e punës. Babai e njohu hijen e saj që ra përmbi librat e tij. Ai ngriti kokën e përkulur mbi vëllimet e hapura dhe me një shprehje të butë, që nuk e hiqte kurrë nga fytyra, kapi vështrimin e shqetësuar të nënës.
- Më fal që po të bezdis në këtë orë, - filloi ajo menjëherë, - Por s‘mund të bëja ndryshe. Fëmijët, më raftë pika, më raftë, kanë rënë pa asnjë kafshatë buke, me barkun bosh. Nuk kemi asgjë, as miell, as një trohë bukë.
Pas këtyre fjalëve, babai e largoi vëmendjen nga librat, hoqi syzet, mblodhi forcat për ta qetësuar nënën, të cilën nuk e kishte parë kurrë në atë gjendje, dhe i tha:
- Për nesër më kanë premtuar një thes me miell. Me të mund ta shtyjmë deri te triskat e te rroga e muajit të ardhshëm...
- Fëmijët janë ngopur me pite, me jufka e miell me ujë...Ka javë të tëra, e mjera unë, që nuk kanë shijuar pikë qumështi, - vazhdoi nëna me po atë zë të shqetësuar.
Babai e kuptoi menjëherë se ajo e kishte fjalën për dhitë, dhitë e fqinjëve, dhitë e të gjitha familjeve të Lagjes së Dhiarit. Nuk nxori fjalë nga goja. Heshtja qe më e fortë se çdo përgjigje. Ata kuptoheshin pa thënë asnjë fjalë.
Frymëmarrja e zhurmshme dhe e rënduar e fëmijëve thyente qetësinë e natës, ashtu si edhe blegërimat e herëpashershme të dhive të fqinjëve më të afërt.
Babai vazhdoi të heshtte. Ai i hodhi një vështrim të butë nënës drejt e në sy, ku po i shkëlqenin ca pika loti, që babai e ndjeu se do të rridhnin sapo të formoheshin plotësisht.
Nëna e kishte zakon të mos ia ndërpriste babait leximin dhe mendimet gjatë natës, veç kur duhej t’i thoshte diçka shumë të rëndësishme. Pra, me siguri, ajo nuk kishte shkuar për t’i thënë se fëmijët kishin uri. Se uria s’ishte gjë e re për ta. Nëna mund ta ndërpriste vetëm kur e parandjente se vdekja po trokiste në derën tonë, e gatshme të rrëmbente ndonjërin prej nesh, fëmijëve të saj tashmë të sfilitur. Por këtë herë nëna, nëse kishte shkuar aty, kishte shkuar për t’i treguar se në barkun e saj të munduar mbante një fryt të ri.
Familjet e varfëra janë të lumtura ose fatkëqija në të njëjtën mënyrë. Në vuajtje apo gëzime, ato duken njësoj të përmbajtura. Babai e kishte të vështirë të mësohej me këto kohë revolucionare ku breza e breza do të jetonin të shkulur nga rrënjët dhe u duhej të rifillonin nga zeroja.
Ndërsa njerëzit besonin më shumë se do t’i shpëtonin dhitë sesa idetë revolucionare, babanë e kishte rrëmbyer shumë ajo kohë e mallkuar në të cilën po depërtonte gjithnjë e më thellë. Ai vuante bashkë me nënën kur mendonte se nuk po arrinte të ushqente familjen, por bënte çmos të kuptonte thelbin e problemit, të kërkonte rrugët për një zgjidhje të mundshme. Kurse ne, fëmijët, që e dinin se përse kishte hyrë nëna në dhomën e babait, edhe ne prsinim një zgjidhje. Ndërkohë ne vizitonim fqinjët tanë më të afërt dhe gëzoheshim që ata kishin dhi. Shpesh, ata na dhuronin nga një gotë qumësht ose nga një rriskë bukë të lyer me ajkë.
Tërë kalendarin e familjes sonë e përbënin vdekjet dhe lindjet. Ato vinin njëra pas tjetrës si një mallkim. Nëna zëvendësonte fëmijët e saj të vdekur me lindje të reja. Pikërisht kështu ajo e ruante jetën brenda familjes, por në atë kohë skamjeje ajo ishte më e drobitura. Sa i përket babait, atë e hutoi ardhja e një fëmije tjetër në ato rrethana që kurrë nuk kishin qenë më të rënda. Ç’ kuptim kishte ky pinjoll i ri në atë mjerim të zi, kur familjes s’i kishte mbetur tjetër pos mundësisë të ballafaqohej me shumë goditje. E aq më tepër kur, si gjithnjë në Ballkan, gjithçka mbetej e pasigurt në atë periudhë të mallkuar, në gjysmën e një shekulli të trazuar, të damkosur me rënien e dy perndorive, me dy luftëra botërore që qenë ndezur para se të ishte zhdukur kujtimi i konflikteve ballkanike. S’kishte familje që t’i kishte shpëtuar kësaj historie tejet tragjike, ku jeta e vdekja ishin kryqëzuar e përplasur në mënyrë të pashmangshme.
Kështu, babanë e rrëmbenin mendime të shumta e të thella. Sipër librave të tij, llamba e verdhë nuk fikej për net të tëra. E munduar nga barra e lindjes së afërt, e shqetësuar nga uria e fëmjëve që kishte sjellë në jetë, nëna e vështronte gjatë, deri natën vonë, ndriçimin e trishtë të llambës së babait, drita e së cilës nuk arrinte t’ia ndriçonte të vërtetën.
Babai ndiqte rrjedhën e ngadalshme të mendimeve të veta, kur zgjidhja s’kish si të ishte më e lehtë: duhej të blinim një dhi ashtu si të tjerët. Hyrja e befasishme e nënës e nxiti të mendonte për problemin e dhive, jo më vetëm në mënyrë filozofike, por në një formë
më se konkrete, realiste, siç ishte dhe vetë jeta.
Kur doli nga dhoma e punës së babait, nëna, pa u vënë re, la mbi tryezë të fundin nga napolonat e artë që i ndjeri vjehrri i saj ia kishte dhuruar shumë kohë përpara, me kusht që ajo t’i përdorte në ditët më të vështira.
Një herë në rininë e tij, babai, në saje të njërit prej këtyre napolonave, kishte mundur të shpëtonte kokën kur një ushtri e huaj e kishte rrasur në burg për shkak të zhgënjimit të tij nga regjimi i ri pushtues.
Gjyshi e kishte lutur atëherë nënën që ta ruante këtë napolon të fundit, si beben e syrit. Gjithçka kalonte kaq shpejt në jetë... Por nëna e kishte ndier se kishte ardhur koha, sepse uria po kërcënonte tani të zhdukte tërë familjen. Monedha e artë ndritte nën shkëlqimin e llambës së babait. Porosia ishte e qartë.
Babai, pra, filloi të mendonte në mënyrë konkrete e realiste për të blerë një dhi.
Kështu kishte gjykuar nëna.
Kështu e kishte vendosur fati.
Babai e dinte se, po të blinte një dhi e pushteti të lëshonte një urdhër të prerë për të ndaluar mbajtjen e tyre, ai, duke qenë „pa parti“, do të ishte i pari që do të binte nën goditjen e kësaj mase. Tashmë lidhur me këtë qarkullonin fjalë, që kishin dalë nga qarqet e afërta me pushtetin, se ishte zënë me gojë një ndalesë e tillë. Por babai e njihte mirë veten: nëse rradhitej përkrah dhiarëve, ai do t‘u përkushtohej me gjithë shpirt atyre, do t’i drejtonte, do t’ua zbulonte të fshehtën e librave të tij kushtuar dhive, do të përfshihej plotësisht në kohën e dhive. Nuk u trembej, pra, dhive sa i trembej vetes. E dinte se atë ditë kur njerëzit nuk do të pranonin të mos mbanin dhi, do të shfaqnin revoltën e tyre, do të shprehnin mospajtim, do të nisnin luftën. E dinte gjithashtu se në një luftë të tillë do të radhitej ndër të parët.
Por, si i ardhur rishtas në këtë qytet e, për më tepër, si i huaj, babai nuk ishte një i shpërngulur i brendshëm si tërë dhiarët, por një i ardhur, një njeri që kishte kaluar kufirin, që duhej të tregohej sheshit lojal, të mos mërziteshin fare, ai dhe familja e tij, as edhe vetëm një ditë, po të dëshironte të merrte shtetësinë e kërkuar, të kishte në dorë çertifikatën e duhur të lojalitetit kundrejt vendit që e pranonte.
Po ja që blerja e një dhie e vinte babanë përballë dy të këqijave. I duhej të zgjidhte më të voglën, por nuk e dinte ende se cila ishte ajo.