Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 03:10am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Lorena Stroka
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Luan Starova
 
Koha e dhive: Kreu II
E shtune, 16-06-2007, 02:35pm (GMT)

Qyteti filloi të jetonte kohën e dhive.
      Kur fshatarët zbarkuan me bagëtitë e tyre, banorët e familjeve të vjetra filluan t’i shihnin me frikë, duke vrarë mendjen se mos kulaçi i mjerimit do të ndahej në copëza të vogla, tepër të vogla, dhe se mos, kështu, do të përfundonin në uri.
      Por nuk ndodhi asgjë.
      Në të vërtetë, dhiarët po përshtateshin shpejt në qytet. Nuk vonoi e ata filluan ta rishikonin hapësirën e shtëpive të braktisura ose gjysmë të zbrazura dhe t’ua shtonin banesave kasollet për dhitë, për gjethnajën e tharë dhe sanën.
      Me kalimin e kohës, popullsia e vjetër qytetare, duke filluar prej atyre që ishin në shënjestër të „luftës së klasave“ dhe që pushteti i ri u kishte zhvatur pothuaj çdo gjë, filluan të lidhnin miqësi me dhiarët. Edhe funksionarët me peshë të pushtetit të ri, që kishin shumë kalamaj e me rrogat e tyre të vogla e kishin të vështirë ta lidhnin muajin me muaj në këtë periudhë skamjeje, filluan të tregonin mirëkuptim ndaj dhiarëve dhe dhive të tyre, prej të cilëve blenin qumësht me çmime të arsyeshme, megjithë mbikëqyrjen vigjilente të autoriteteve të partisë.
      Nuk kishte më pikë dyshimi se dhitë po e pushtonin kryeqytetin. Nuk vonoi aty të dëgjohej përsëri potera e fëmijëve, hapat e të cilëve u bënë më të sigurt, lojërat më të zgjatura, sukseset në shkollë më të mira. Por, për keqardhjen e të gjithve - përveç të ideologëve dogmatikë të partisë – partia dhe qeveria shumë shpejt e pezulloi lejën për mbajtjen e dhive në qytet. Sipas një marrëveshjeje të arritur në parti, e cila iu bë e njohur fshehtas Çangës në kohën e duhur, dhitë duhej të ktheheshin në fshatrat e tyre e të therreshin, ose t‘u dorëzoheshin mensave popullore këtu në qytet. Por, me përjashtim të disa kuadrove të papërkulshëm, të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe funksionarët e rangut të lartë apo të ulët, furnizoheshin fshehurazi me bulmet e qumësht të dhive. Disa aparatçikë u dënuan, por për njerëzit me pozitë u mbyll një sy e një vesh. Nga ana e tij, Çanga u dërgoi sekretarit të partisë dhe kryetarit të bashkisë nga një kade djathë dhish të cilësisë së parë për festa. Kështu, ligji i heshtjes mbisundoi në kryeqytetin e Republikës më jugore të Federatës, banorët e së cilës qenë përfshirë në rrjetin e „mafias të dhive“, siç pëshpërisnin ndër dhëmbë ideologët ortodoksë.
      Uria dhe skamja kishin pllakosur vendin. Vetëm disa vjet pas betejës së përbashkët të shumë kombeve kundër fashizmit, në botë filloi të mbretëronte lufta e ftohtë. Koha bënte të vetën. Kooperativat bujqësore e blegtorale nuk kishin dhënë frytet e parashikuara. Në qytet prodhoheshin shumë pak ushqime. Fshatarët e kishin të vështirë të ktheheshin në kalsë punëtore. Nuk u arritën rezultate të mëdha nga dëmshpërblimet e luftës, nga e tërë puna e kryer në mënyrë kolektive, e mbajtur me dhunë, dhe e nxitur me dekorata, parulla, e medalje të punëtorëve pararojë. Nuk u arrit të ndërtoheshin uzinat, shkollat, rrugët urat e planifikuara. Uria po trokiste në dyert e pothuaj çdo familjeje. Megjithatë, direktivat e partisë mbetën katgorike: „Duhet të krijohet një klasë punëtore dhe, për këtë arsye, duhen shtypur deri në një armiqtë e klasës!”
      Të gjithë përgjegjësit politikë në qytet, të gjithë ata të cilëve u kishte arritur “direktiva sekrete për shndërrimin e blegtorëve (që numëroheshin me miliona në të gjithë vendin) në klasë punëtore”, herë nën trysninë e urisë e herë të zgjidhjeve fatlume të dhiarëve, druheshin gjithnjë e më shumë se, po të mos zbatohej direktiva, do të kërkohej asgjësimi i plotë i tufave të dhive në tërë vendin.
      Të gjithë i trembeshin kësaj direktive kobzezë, që vinte Zoti e di pas sa të tjerave dhe që do të shënonte jo vetëm fundin e pashmangshëm të dhive, por edhe të pamjes tërë shëndet që ishte kthyer në fytyrat e njerëzve për herë të parë pas luftës e Çlirimit.
      Ashtu si u shpërndaheshin ndihmat ushqimore të komunitetit ndërkombëtar mbi bazën e triskave dhe pikëve, ashtu shpërndahej edhe frika përmes racionit të qumështit që merrnin njerëzit.
      Drejtuesit e kryeqytetit kishin frikë nga mallkimet e nënave të kërthinjve të vet, të fëmijëve të tjerë dhe gjithë të rinjve, po të merrnin urdhër t’i therrnin dhitë. Të tëra këto së bashku përbënin një rreth të mallëkuar, të cilit e kishin vështirë t’i iknin sekretari i partisë, kryetari i bashkisë dhe vartësit e tyre nëpër postet e tyre përkatëse. Kështu, koha e dhive rridhte me logjikën e saj të pamëshirshme dhe me një forcë edhe më të madhe se ideologjia që këta të fundit përpiqeshin ta impononin me çdo kusht.
       Për strategët e partisë, të ngarkuar me zhvillimin e qytetit, po bëhej gjithnjë e më e qartë që blegtorët po largoheshin përfundimisht nga direktiva e përgjithshme që kishte arritur nga kryeqyteti federal dhe që i urdhëronte të bëheshin me çdo kusht pjesë përbërëse e klasës punëtore gjatë planit të parë pesëvjeçar të zhvillimit.
      * * *
     
      Sekretari i komitetit të partisë të qytetit nuk mbylli sy për net të tëra qysh kur dhitë ishin vendosur në kryeqytet. Ai mendonte, bënte çmos të zbulonte nga cila kokë kishte dalë ajo direktivë lidhur me shfarosjen e dhive – nga komiteti ekzekutiv, nga Republika, nga Federata apo nga bashkësia e vendeve motra socialiste? Nga ajo pak histori e klasës punëtore që kishte lexuar e me ndihmën e disa vëllimeve që kishte në dhomën e tij të punës, ai sforcohej të kuptonte pak e nga pak se si fshatarët do të mund të shndërroheshin menjëherë në klasë punëtore, veçanërisht kur ishte fjala për barinj të thjeshtë ose për dhiarët. Ai e kishte shumë të vështirë të kuptonte se përse i futnin në burg zejtarët. Këta brez pas brezi kishin mësuar një zeje, ashtu si edhe barinjtë, të cilëve që prej asaj dite e mbrapa ua ndalonin të ishin barinj, profesion që askush nuk mund ta ushtronte më mirë se ata. Nuk kuptonte asgjë nga të tëra këto dhe trembej nga mendimet e veta. Ai mendonte me vete, por shpesh tmerrohej kur e shkonte nëpër mend, se dikush, kohë më parë, para shumë kohësh, duhet të kishte bërë gabim duke marrë vendimin që brenda ditës të pasurit të bëheshin të varfër dhe të varfërit të pasur. Sipas mendjes së sekretarit të partisë, pikërisht aty qëndronte gabimi që askush nuk kishte mundur ta korrigjonte që atëherë. E ja përse, në kohën kur kjo mënyrë e të kuptuarit po shembej, ishin shfaqur dhitë, si t‘i kishte dërguara Zoti për ta ndrequr këtë padrejtësi.
      Sekretarit të partisë s‘ i ndaheshin këto mendime, megjithatë, kur e ndiente se po bëhej rob i tyre, e mblidhte veten shpejt e shpejt. Atëherë e thërriste ndihmësin, i kërkonte një kafe pikërisht për t’u ikur arsyetimeve që bluante në kokë. Më vonë, pasi e kishte pirë kafen, i qetësuar, ai përpiqej të ngushëllohej duke mendur se në fund të fundit nuk i takonte atij të thartonte trutë për një të ardhme aq të largët, atë të komunizmit: për këtë ekzistonin mendje të tjera më të fuqishme.
      Si një përrua i rrëmbyer, koha e dhive po përfshinte kryeqytetin e tërë Republikën Jugore. Vendi po kalonte një periudhë provash fatale: „gjuetia e shtrigave“ ndiqte rrugën e vet, proceset kokë e këmbë të montuara ndiqnin njëri -tjetrin, në emër të luftës së klasave kryheshin plaçkitje të dhunshme, persekutimet fetare e ideologjike vazhdonin më shumë se më parë; shkurt, gjaku rridhte, një gjak që ndotej nga grabitjet dhe likuidimet që kryheshin fshehurazi apo sheshit. Por, fatmirësisht, në qytet rridhte edhe një rrëke e bardhë dhe e begatë qumështi dhie, i cili, përkundër gjakut të shprishur nga të gjitha përçarjet, i afronte qeniet e të gjitha kombeve, besimeve e prejardhjeve shoqërore. Gjatë kësaj kohe të vështirë, kur njeriu për njeriun bëhej ujk, qumështi i dhive u bë një eliksir solidariteti, përbërjen e apo formulën e të cilit nuk mund ta përcaktonte asnjë dokument që dilte nga partia, asnjë plan për krijimin e njeriut të ri.
       Nga bashkëjetesa me dhitë, njeriu i qytetit u gjet më afër rrënjëve të jetës. Në historinë e këtij rajoni, nuk mbahej mend një mirëkuptim kaq i thellë ndërmjet njeriut dhe kafshës, ashtu siç nuk mbahej mend që njerëzit e kryqytetit të ishin ndier ndonjëherë aq të afërt me njëri-tjetrin. Për çdo familje të qytetit mund të shkruhej një kronikë ku dhitë do të zinin vendin kryesor. Në atë kohë, këdo që pyesje, qoftë babanë apo nënën, së sa fëmijë kishte, do të përgjigjej, për shembull, se kishte katër: dy djem e dy dhi, ose tre: dy çuna e një dhi.
       Nëse atë vit ditët e ftohta të dimrit nuk iu dukën aspak të gjata njerëzve të qytetit, kjo ndodhi falë dhive. Gjatë kësaj periudhe ngasjesh të mëdha, lidhjet ndërmjet njerëzve dhe kafshëve u bënë edhe më të ngushta, përkundër të gjitha orvatjeve dhe dëshirave të përfaqësuesve të Partisë e të Shtetit me pozitë në kryeqytet. Pas atij dimri të ngrohtë nuk kishte forcë që mund t‘i ndanet njerëzit nga dhitë. Pikërisht për këtë arsye, mëhalla jonë pranë lumit, ndërmjet Urës së Drunjtë dhe Parkut, u mbiquajt Lagjja e Dhiarit.
      Sa për ne, fëmijët e Lagjës së Dhiarit, ne prisnim me padurim ditët e para të pranverës; prisnim që lumi të gjallërohej nga ujërat e rrëmbyera që vinin nga shkrirja e dëborës së grumbulluar nëpër kreshta e shpate të maleve; prisnim që të korijet e shelgjeve në breg të lumit të zbukuroheshin me gjethe, e prisnim edhe kohën që t’i çonim dhitë për të kullotur.
      Në pranverë, me shkrirjen e dëborës dhe gjallërimin e natyrës, njerëzit u bënë edhe më guximtarë, më të vendosur dhe të zhdërvjelltë – natyrisht brenda asaj që lejonte partia.
      Edhe dhitë morën forcë e gjallëri. Ato të krijonin përshtypjen sikur përtypnin gjithçka, madje dhe vetë tokën, për t’ia nxjerrë pikën e fundit të lëngut para se të zhdukeshin edhe ato vetë nën po atë tokë. Çanga, përmes dhiarëve i dërgoi shpejt sekretarit të partisë një kade të vogël me djathë të bardhë të njomë që, i lezetuar me pak qepë, përbënte rregullisht mezen e tij. Por sido që të ishte, këto dhi Partia i kishte halë në sy, dhe kuadrot e saj ishin gjithnjë të gatshëm të kalonin në veprim, në kasaphanë, në asgjësim.
      Po të ishin në dijeni të udhëzimit të fshehtë lidhur me shndërrimin e barinjve në proletariat industrial, elementët më dogmatikë mes këtyre kuadrove me siguri se do t‘ia rregullonin qejfin sekretarit të Partisë. Por, tani për tani ai jetonte e punonte ende i qetë gjatë kësaj amullie të shkurtër që u paraprin në përgjithësi ngjarjeve të pashmangshme – ngjarje që, me sa dukej, nuk do të kishin kahje të favorshme për të.
      Në anën tjetër, elementët më të moderuar të komitetit të Partisë nuk kishin votuar as pro dhe as kundër dhive. Ata e kishin lënë çështjen të merrte kahjen e vet. Të dalë ku të dalë! Askush nuk mund t’i shpëtojë fatit të vet. Gjithashtu, këta elementë a nuk ishin qortuar në raste të ndryshme nga elementët dogmatikë në gjirin e komitet se po tregoheshin fatalistë, fatalistë të dëmshëm. Sidoqoftë, tendenca që dëshironte të ruhej një ton më pajtues ndaj dhiarëve e dhive të tyre nuk mbështetej nga një numër i madh e nuk ishte edhe aq e zëshme, sepse druhej nga manipulimet që mund t’i bënin kuadrot, të cilët ishin shprehur me kokëfortësi kundër.
      Doli që partia në tërësi nuk kishte ende një qëndrim të fortë kundrejt dhive. Përveç kësaj, dukej se po fitonte përparësi vetëdija se fundi i dhive rrezikonte të sillte më shumë të këqia se sa të mira, të krijonte më shumë çrregullime se rregull. Megjithatë, gjatë ditëve që rodhën, kundërshtarët e dhive ngulmuan edhe më shumë. Ata madje arritën të kërkonin mbajtjen e mbledhjeve publike, gjatë të cilave do të shtrohej qartë çështja e zgjedhjes mes dhive e partisë.
      Këto kërkesa po e preokuponin gjithnjë e më shumë sekretarin e partisë dhe, kur gjatë një mbledhjeje u theksua së tepërmi fjala „dorëheqje“, ai kishte menduar shpesh t’i braktiste funksionet. Megjithatë ai shpejt hoqi dorë nga ky plan, se, po të tërhiqej, një sekretar i ri do të zgjidhej në vendin e tij dhe sapo të hapte kasafortën, menjëherë do të zbulonte udhëzimin e fshehtë dhe mund ta vinte në jetë, nga njëra anë për arsye të agresivitetit të dukshëm të dhive, e nga ana tjetër me qëllim që të përshpejtonte me merifet ngjitjen në shkallët e karrierës. Kurse ai, deri dje i pari i qytetit, nuk do t’i shpëtonte një fundi tragjik. Ndërsa e hapte shpesh kasafortën dhe lexonte – kushedi për të satën herë – direktivën, nuk linte pa e prekur pistoletën e vet. Në mënyrë të pavetëdijshme, por rregullisht, ai i lidhte në mendje direktivën dhe armën. E për këtë arsye, kishte arritur në përfundimin se ishte më mirë që të mos e hapte kasafortën dhe të mos u jepte rast as të tjerëve që ta hapnin...
      Dhitë – i marrtë e mira i marrtë!) – u tërrbuan fare asaj pranvere. Të pashoqëruara nga askush, ato hallaviteshin nëpër qytet si fantazma bardhoshe, shpesh në tufë, të ndezura flakë, sidomos kur shkonin të takonin cjeptë e Çangës.
      Atëherë u duhej të kalonin pranë godinës së Komitetit të Partisë të Qytetit, tamam nën dritaren e sekretarit, i cili mbyllte kanatat për të mos shikuar e për të mos dëgjuar asgjë. Por kjo nuk e pengonte të kuptonte e të nuhaste edhe komentët nën zë, sipas të cilave nuk ishte e largët dita– të paktën kështu i dukej-, kur dhiarët do të pushtonin qytetin me dhitë e tyre, dita kur, në krye të këtij kundërrevolucioni të bardhë, Dhiari i Madh, me kapelen si të Titos, të punuar nga lëkura e dhisë, do t’ia rrëmbente kolltukun!
      Sidoqoftë, Komiteti i Qytetit filloi të mblidhte ankesat e organiztave bazë të partisë, të cilat qaheshin nga sjellja e papërshtatshme e dhive në vende të ndryshme publike të kryeqytetit. Kështu një ditë arriti një ankesë e organizatës së partisë të Teatrit. Kishte pasur raste që dhiarët të kishin ardhur në shfaqje së bashku me dhitë. Ishte folur pë to si për fëmijët, e si të tilla ato duhej të ishin nën përkujdesjen e prindërve të tyre! E kishte arritur deri në atë pikë sa një dhi kishte hyrë në skenë kur po shfaqej Karmeni. Për fat, kafsha vetëm ishte endur në skenë. Megjithëse publiku nuk kishte kuptuar asgjë, se kishte besuar se dhia inteprtetonte rolin e saj në teatër, asnjëri prej nëpunësve të Operas nuk kishte mundur të ruante gjakftohtësinë për këtë skandal. E kështu ankesa kishte arritur deri te sekretari i partisë të kryeqytetit.
      E ankesat vazhdonin të vërshonin nga të gjitha anët. Dhitë hynin në sallat e kinemasë, në magazina, farmaci, në tregje. Tani të gjitha vështrimet ishin ngulur te sekretari i partisë. Me urti, ky ruhej të mos e thyente heshtjen. E dinte se askush nuk ishte i gatshëm të bënte hapin vendimtar, sepse që të gjithë ishin të varur dhe të magjepsur prej tyre. E edhe ai këtu mund të gjente arsye për ngushëllim...


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Koha e dhive: Kreu III (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu IV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu V (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu VI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu VII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu VIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu IX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu X (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XV (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XVIII (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XIX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XX (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXI (16-06-2007)
Koha e dhive: Kreu XXII (16-06-2007)
Koha e dhive: Epilogu (16-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]