Sapo u vendosëm pranë brigjeve të lumit, Kështjella na i robëroi vështrimet dhe u skalit përgjithmonë thellë në shpirtërat tanë. Për një kohë të gjatë, që nga skela e gurtë vështronim atë që lufta e fundit i kishte lënë fortesës, sidomos topat e vjetër, buçima e të cilëve përshëndeste festat kryesore të atyre që kishin fituar: Një Majin, Ditën e Fitores, Ditën e Republikës.
Për ne, që kishim ardhur rishtas në qytet, Kështjella ishte një ballkon në qiell të hapur, krenaria e qytetit. Ai që donte të mbërrinte në rrëzë të sukës mbi të cilën ngrihej fortesa, duhej ta kapërcente Urën e Drunjtë. Me ta kaluar këtë vepër të bukur prej druri, para syve shfaqej një pallat i vërtetë, një pallat krejtësisht i bardhë, mbi fasadën e dalë të të cilit, si për ta mbrojtur, qëndronte një radhë statujash, kariatida me trup njeriu, e përbri tyre maska prej guri me shprehje nga më të ndryshmet.
Kjo ngrehinë ishte Teatri, godina e përnderuar e stilit neoklasik, e ngritur këtu, por që linte përshtypjen që, nga Viena, Roma ose Parisi, ishte ngulur drejt e në zemër të Ballkanit. Kjo godinë e kohëve të vona, si edhe Shtëpia e Ushtrisë aty pranë, e ngritur në truallin e një xhamie në formë unaze e që njihej me emrin e Burmali Xhamisë ose të Xhamisë së Unazës, kjo godinë, thoja unë, si edhe banka e madhe, e ndërtuar përballë dhe stacioni qëndror – njëri nga më të bukurit e Gadishullit Ballkanik e në një vend që i ngjante ende mjaft një kasabaje orientale – ishin ngritur me pikësynim që të nxirrnin në pah fuqinë e shtetit të ri. Në fakt, nja njëzet vjet pas formimit të tij, si rrjedhim i Traktatit të Versajës, kapitali i huaj tashmë kishte përcaktuar simbolet e fuqisë të kohës së re. Këto ndërtime të reja, ashtu si edhe Ura e Gurit dhe fortesa shumë e madhe, që ngrihej mbi të gjitha, e njohur që prej kohësh të lashta si pika kryesore e mbështetjes së të gjitha perandorive në Ballkan, përbënin tashmë ato tipare, të cilat premtonin një fizionomi të qëndrueshme për qytetin.
Në mesin e këtyre ngrehinave shtrihej sheshi i madh – ndoshta i vetmi në Ballkan për përmasat e tij – me dalje nga Ura prej Guri dhe rruga kryesore që çonte në stacionin hekurudhor. Aty, tren par ekselans ishte Orient-Ekspresi, i cili e lidhte qytetin si me Evropën Veriore e Perëndimore, ashtu edhe me pjesën jugore dhe lindore të Gadishullit.
E mbiquajtur „Kështjella" që nga koha osmane, kur shërbente si kazermë, fortesa mbeti përfundimisht i vetmi simbol i perandorive të zhdukura, i secilës prej atyre perandorive të dënuara me rënie të pashmangshme e me harresë, si lapidarët e tyre tani mes gërmadhave të blloqeve të gurëve ciklopikë, të larëzuar me mesazhe në shenja e alfabete të ndryshme, të zhvendosura vazhdimisht nga pushtues të rinj ose nga lëkundjet e tokës.
Këto shkronja, të gdhendura në grumbullin e gurëve, me kalimin e kohës fshiheshin, duke e çliruar historinë e duke dëshmuar për paqëndrueshmërinë e gjërave. Koha e qytetërimeve të zhdukura prehej mes këtyre mureve gjigante. Nuk kishte forcë në botë që mund t’i fshinte, përveç, ndoshta, termeteve katastrofike, të cilat e godintin dhe e rigoditnin qytetin në çdo pesqind vjet. Pikërisht në këtë fortesë kohët ballkanike ishin ndalur më shumë se kudo tjetër. E në mesazhet, të lëna nga pushtuesit e këtyre gurëve, mund të shikoheshin vetëm epitafet e forcës së tyre të dikurshme shumë të madhe.
Kështu, pas shpërnguljes së madhe e braktisjes së qytetit tonë në bregun perëndimor të Liqenit, ndaluam në brigjet e këtij lumi me rrjedhë të shpejtë dhe u vendosëm në një banesë të vjetër aristokratike e të shkatërruar, të mbuluar nga hijet e katër plepave shumë të mëdhenj, të cilët radhiteshin ndërmjet Urës së Drunjtë dhe Liceut të vjetër të Vajzave – lice që më vonë do të merrte emrin e Josip Broz Titos- dhe që, i tundur nga dridhja e fundit e tokës, më vonë do të shembej fare (megjithëse edhe mund ta kishin shpëtuar) për t’i lënë hapësirë një ndërtese me tri nivele, me pamjen e një palloi, ku qe vendosur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste e qëndroi deri më rënien e saj.
Megjithëse e shungulluar dhe e sakatosur nga termeti që i kishte shembur kazermat ngjyrë tulle, ku më vonë ishte ngritur Muzeu i Revolucionit, vetëm Kështjella u rezistoi kohëve.
Kurse ne fëmijët, sapo filluam të jetonim në këtë qytet dhe pasi u zhdukën gjurmët e fundit të luftës, ne ndiem se po na zgjohej dëshira – ndoshta e nxitur nga ndonjë instinkt i papërcaktuar, të trashëguar nga disfafat tona – që edhe ne të pushtonim diçka. Kjo na çonte përtej Teatrit dhe, pasi depërtonim aty që atëherë përbënte Bllokun e Çifutëve, arrinim rregullisht rrëzë kodrinës aty pranë. Aty, para nesh, papritur ngrihej barku, tërë hulliza e të gdhendura në argjilë, i kodrës, që koha i kishte gërmuar në pjesët e tij më të buta – veçanërisht gjatë shirave të mëdhenj ose vërshimeve të lumit - dhe kishte formuar guva të thella, dredha-dredha, nga të cilat ishin ndërtuar strehimet e sotme për mbrojtje nga bombardimet dhe nga sulmet e tjera kundër qytetit.
Me t’u ngjitur në Kështjellë, nga zemra e saj, ne mund ta përthekonim tërë qytetin. Atje poshtë, në sytë tanë rridhnin ujërat e lumit blu të zbehtë ose të një të gjelbre në të verdhë dhe ne e përfytyronim veten në majën e direkut të një anijeje që notonte në kohë.
Sodisnim ecejaket e njerëzve, pajtonët e vjetër, ngjyrat e tregut të madh, rrjedhën e përjetshme të lumit. Megjithatë, pothuajse nga të gjitha këndet e vështrimit, ishte sheshi i gjerë ai që na e tërhiqte gjithmonë shikimin. Në pjesën më të madhe të kohës, aty ishte ndalur historia ose prej aty kishte filluar. Pikërisht nga ky vend, pushtuesit dilnin për parakalimin e tyre të parë, çliruesit shpallnin fitoren, punëtorët organizonin manifestimet e tyre të mëdha, politikanët mbledhjet e tyre të gjera.
* * *
Një mëngjes pranvere, kur, sipas zakonit, qemë ngjitur në Kështjellë, shikimet tona u drejtuan nga sheshi dhe hasën në një bardhësi të pazakontë lëvizëse, e cila kishte pushtuar tërë hapësirën. Kur e mprehëm shikimin dhe mundëm të dallonim qartë atë që po ndodhte në shesh, njëri prej nesh bërtiti:
- Dhi, me mijëra dhi e njerëz në shesh!
Ne vështruam në të gjitha drejtimet, nga të katër anët e qytetit. Gjithandej, dhi dhe njerëz çanin nëpër rrugë dhe, në një turmë të stërmadhe të bardhë, grumbulloheshin në shesh.
- Miting dhish! – thiri një tjetër, të cilit me siguri i ishin kujtuar grumbullimet e shpeshta që organizoheshin aty.
- Ky nuk është miting, por një parakalim dhish! – shkoi edhe më larg i treti, të cilit i kishte shkuar mendja te parakalimet e shpeshta që zhvilloheshin aty.
Për pak kohë nuk mbeti as një pëllëmbë pa u mbushur me dhi e njerëz. Dhiarët që vinin nga fshatrat malore dhe që tërhiqnin pas vetes tufa të tëra dhish me cjeptë e tyre të fuqishëm, u ngjitën në platformën e gjerë, të ngritur në mes të sheshit, ku qëndronin, zakonisht gjatë paradave, parakalimeve ose mitingjeve të rëndësishme, autoritetet më të larta të Republikës së re të Maqedonisë, pjesë e Federatës së re Socialiste të Jugosllavisë.
Në atë çast, në atë platformë, dhiarët prisnin orën e takimit të tyre të parë me autoritetet komunale dhe me Partinë.
Po, ç’po ndodhte vërtet në atë shesh?
Ne, atje lartë, nga Kështjella nuk e kuptonim dot se ç’po ndodhte, por e kishim të qartë se ishte fjala për diçka shumë të madhe, historike thoshin më të vjetrit, për diçka, që do ta kuptonim më vonë, me kalimin e kohës.
Nga zonat malore rreth e përqark, fshatarët që nuk ishin futur në kooperativat e puntorëve “vullnetarë” kishin zbritur në qytet bashkë me dhitë e tyre besnike, meqenëse autoritetet shpresonin se këta dhiarë do të shndërroheshin me të shpejtë në klasë punëtore, së cilës i qe ngarkuar kryerja e revolucionit socialist. Ja se çka duhej të zbulonte koha për ne. Por kush mund ta kuptonte atëherë?
Qyteti po gjallërohej falë puhizës së maleve që i ia sollën këta banorë të rinj. E këta njerëz nuk ishin ndarë pa dhembje në shpirt nga viset e tyre të lindjes që deri atëherë i kishin bërë të lumtur apo fatkeqë. I kishin lënë shkret vatrat ku kishin lindur, me shpresë se do të ktheheshin një ditë. S’kishin sjellë gjë me vete pos më të domosdoshmeve, por secili kishte marrë çelsat e shtëpisë në të cilën, me siguri, nuk do të ktheheshin kurrë. E kishin pasur të rëndë të nadaheshin edhe nga kafshët – nga gjedhët që zakonisht duhej të mbeteshi në kooperativa – që të ngelnin në fund vetëm me dhitë, por, kur ishte fjala për këto të fundit, nuk kishte as ligj e as forcë që mund të fuste pykë ndërmjet tyre dhe njerëzve.
Dhitë qëndronin përbri tyre si të ishin anëtarë me të drejta të barabarta të familjeve të tyre të mëdha. Në të vërtetë, ato kishin arritur të shpëtonin një numër të madh të tyre gjatë viteve të mallkimit e të skamjes sa kishte zgjatur lufta. Mund të gjendeshin për çdo familje shumë breza dhish, të parët e të cilave ishin përzier në konfliktet e fatkeqësitë e mëparshme që kishin ndodhur në Ballkan. Ishte e sigurt që pa dhitë nuk do të kishin qenë kurrë as këta njerëz e as ato jetë sapo të ardhura në botë …
Për herë të parë në jetën e tyre, shumica e grave të barinjve ishin ndërruar e kishin veshur kostumet e tyre shumë të bukura kombëtare, të qëndisura me fije ari e argjendi që xixëllonin në një ndërthurje ngjyrash dhe shkëlqimi të çuditshëm, me një blu që shkonte kah çiviti në të blertë me reflekse të verdha, nuanca që hasen vetëm në disa zona malore të vendit.
Nisja për në kryeqytet paraqiste një kthesë për këto familje deri atëherë të shpërndara nëpër qafa, shpatije, lugina, madje edhe mbi kreshtat e maleve të larta ballkanike.
Për të arritur në qytetin e madh, nga disa vende duhej të udhëtoje me ditë e net, kurse nga disa të tjera mund të arrije aty edhe brenda një dite. Si me një marrëveshje të heshtur, barinjtë kishin barktisur shtëpitë, fshatrat e tyre të vegjël në ato vise të larta. Po, ishte e qartë se ata qenë marrë vesh mes vete që më parë. Kishin udhëtuar së bashku në kolonë. Pas familjeve me shumë fëmijë ecnin dhitë, edhe ato të shumta në numër, dhe më rrallë ndonjë cjap.
Ndodhte që kolona të ndalej në rrugë, se nuk pushonin dot të qarat e ndonjë fëmije apo të disave njëherësh. Atëherë, ndaleshin edhe dhitë. Ato vetë ishin të gatshme t’i jepnin gji fëmijës së mbytur në lot, të strukur te nëna e vet e uritur dhe pa pikën e qumështit në gji.
Gjatë udhës, dhitë kullotnin e këputnin çdo gjë që gjenin: gjethnajë, degëza, kërcej, bar, çdo gjë që kishte vlerë ushqyese, sado e varfër që të ishte ajo. Ato ishin rezerva shetitëse ushqimi të lëngshëm për këta njerëz, të cilët, me hapin e fitimtarëve të luftës, drejtoheshin nga sheshi i madh i kryeqytetit të Repulikës. Po, dhiarë e dhi qumështore marshonin përpara si të ishin pjesë e fitimtarëve të vërtetë të luftës. Në rrugë, ata hasnin në ushtarë të rraskapitur nga vitet e gjata të luftës, me gjokset e mbushura me dekorata, të rinj vullnetarë që punonin nëpër rrugë. Ndaleshin, i përshëndetnin dhe ndanin me ta atë që u kishte mbetur nga qumshti e djathi i dhive, shenjë e mirësisë së natyrshme të malësorëve. Dhe kështu pra, dhitë e dhiarët, nën përshëndetjen e vështrimeve tona fëmijërore që lart nga fortesa, zbarkuan në kryeqytet atë mëngjes pranvere.
* * *
Drejtuesit e lartë të shtetit e të partisë ishin në dijeni të plotë për arritjen në qytet të këtyre banorëve të rinj që kishin zbritur nga katundet e vogla, e që ishin tharmi i klasës punëtore dhe vëllezër klase.
E kishin marrë me mend se të ardhurit me dhembje do të ndaheshinn nga trualli i tyre i lindjes dhe pritej të arrinin kush me një mace, kush me një qen ose këndez, kush me një dele ose dhi. Askush s‘mund ta merrte me mend as në ëndërr e kishte parë një vërshim të tillë të dhive në kryeqytet. Asnjeri nuk do ta kishte besuar vërtet që, vetëm pak ditë pas paradës për Ditën e Fitores, dhitë do të vinin të parakalonin po në këtë shesh.
Drejtuesit e lartë të shtetit e të partisë ishin gëzuar për arritjen e këtyre rekrutëve të rinj të klasës punëtore, të cilët ishin ndarë
përfundimisht nga doket e zakonet e maleve dhe që tani, pa pikë dyshimi, do t’i jepnin një goditje fatale armikut të brendshëm e të jashtëm të klasës. Mirëpo, ja që ky „kundërrevolucion dhish“, ky invazion vërtet i bardhë, po i zvarriste, po i asgjësonte planet strategjike të ideologëve dhe të mendimtarëve të partisë.
Të mësuar të punonin gjithmonë sipas direktivave të instancave më të larta, këshilltarët bashkiakë po bënin çmos të ndërmerrnin diçka, por nuk mund t’i jepnin dum kësaj pune pa udhëzimet konkrete për qëndrimin që duhej të mbanin kundrejt dhiarëve e kafshëve të tyre.
Në të vërtetë, nuk kishte më kohë as për këshillime urgjente: dhitë ishin në shesh dhe dhiarët, fëmijët dhe nënat e tyre pritnin një zgjidhje të shpejtë. Sipas formulës që do ta përdornin pak më vonë disa kuadro të partisë, qyteti po përballej me një „pushtim dhish“.
Sekretari i komitetit të partisë të qytetit dhe kryetari i komitetit ekzekutiv u ngjitën në platfomën e paradës me qëllim që të takonin prijësit e dhiarëve. Dhiari i Madh, që padyshim ishte edhe prijësi i të tjerëve, që quhej Çanga dhe mbante një lloj gune prej leshi dhie dhe një kësulë prej lëkure dhie që i ngjasonte kapelës së Titos, u përshëndet i pari me zyrtarët e lartë të qytetit. U pa sheshit se ai u hutua shumë nga fjalët e sekretarit të partisë, i cili iu drejtua i pari:
- Mirë se erdhët, vëllezër fshatarë, ndërtues të të ardhmes sonë të ndritur, të shoqërisë sonë pa klasa! Ne ju prisnin ç’prej ditësh, por vetëm, pa këto dhi. Ku ka vend për ju, vëllezër, bashkë me këto kafshë? A besoni ju se do të mund të jetoni e punoni bashkë me to në këtë qytet? A nuk thotë fjala e urtë popullore: „Nuk punohet toka me vjeta“? E lëre më në shoqërinë pa klasa, në komunizëm...
Çanga e pati mjaft të vështirë ta mblidhte veten pas këtij fjalimi të papritur në vend të fjalëve të mirëseardhjes. Megjithatë, kur sekretari i partisë përmendi fjalën „komunizëm“, prijësi i dhiarëve e ndërpreu për t’ia vënë në dukje, jo pa dinakëri, se:
- Ne, o vëlla, me dhitë tona, ne vijmë nga komunizmi, ndërsa ju të tjerët, tani sapo jeni futur në rrugën që çon në realizimin e tij. Po, ne të tjerët, me dhitë tona kemi jetuar natyrshëm, së bashku, në mënyrë parakomuniste. Së bashku ne kemi ndarë tallanditë e fatit. Me dhitë tona, ne kemi jetuar, siç do të thoshit ju, në një „shoqëri pa klasa“. Me këto dhi e kemi duruar fashizmin dhe falë tyre kemi mbetur gjallë. Po, sikur të mos kishin qenë dhitë tona, ne nuk do të kishim arritur kurrë deri këtu për t’u bashkuar me ju dhe për të formuar së bashku një klasë punëtore…
Dhiarët përreth shprehën me zë të lartë miratimin e tyre; masa e bardhë filloi të lëvezte. Sekretari i partisë nuk kishte pritur një përgjigje të tillë. Ndërsa po kërkonte fjalë më të përshtatshme, e tërë masa e mbledhur në shesh filloi të përhapte atë që tha ai dhe pastaj nuk u dëgjua më asgjë.
Lajmi për invazionin e bardhë të dhive u përhap në qytet. Sapo Ne fëmijët sapo i pamë dhitë e grumbulluara në shesh, u shpërndamë duke vrapuar nga të gjitha anët për ta përhpur lajmin. Në fillim, njerëzit nuk deshën t’u besonin fjalëve tona, – duhet të pranojmë se ato vështirë besoheshin – por shpejt ata u derdhën nga të gjitha anët për në sheshin e madh.
Askush nuk arrinte të kuptonte se çfarë po ndodhte në qytet, askush nuk ishte në gjendje të nxirrte kuptimin e fshehur të këtij vërshimi të furishëm të dhive.
Secili shkonte aty sipas mendjes së vet.
Për disa, dhitë paralajmëronin një “kundërrevolucion të bardhë”; për disa të tjerë, ardhja e tyre ishte rrjedhim i “reagimit të fshatarëve kundrejt ngritjes së detyruar të kooperativave”; për të tjerët, Stalini nuk mund të përjashtohej nga tërë kjo.
Në ato çaste, shumë qytetarë u përzien me dhiarët. Kur këta të fundit u qetësuan, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, me fjalë të zgjedhura dhe me një ton qetësues, iu drejtua kështu Çangës:
- Ne ju prisnim më herët: madje, qenë rezervuar kamionë për të ju çuar deri në qytet. Por çfarë ka ndodhur,vallë, gjatë rrugës?
- Ne e bëmë udhën më këmbë për shkak të dhive. Nuk kishte vend për to në kamionë. Po, ne nuk deshëm kurrqysh të niseshim pa to, - u përgjigj Çanga.
- E kuptoj, e kuptoj..., - ia priti kryetari me një pamje të merakosur, –por çfarë do të bëni tani me këto dhi? Do t’i shitni, do t’i therni, apo...?
Çanga u kreshpërua kur dëgjoi këto fjalë. Ai dëshi t’i hidhej në fyt kryetarit, por e zotëroi veten. Po kjo ndjenjë i përfshiu dhiarët që ndodheshin aty afër, pastaj tërë turmën, dhiarë, fëmijë, gra e pleq. Masa e bardhë turfulloi në shenjë mosmiratimi dhe u ngrit si për ta transmetuar këtë mesazh nëpërmjet gojës së Çangës:
- Dhitë janë pjesë e familjeve tona, e jetës sonë. Pa dhitë, ne nuk jemi plotësisht vetvetja, ndërsa me to ne ndjehemi më të fortë. Sikur të mos kishin qenë dhitë...
- E kuptoj, e kuptoj..., - e ndërpreu kryetari me një ton pajtues.
- Jo, ju nuk mund ta kuptoni kurrë se çka janë dhitë për ne!... Megjithatë, ju do t’i shihni shpejt të mirat e tyre edhe këtu në qytet, - tha Çanga, i cili deshi ta paraqiste deri në fund pikëpamjen e tij.
Kur dëgjoi fjalët e Çangës, sekretari i partisë ktheu kokën me një pamje dyshimi dhe kërcënimi. Ai deshi të shtonte diçka, diçka të prerë, por u tërhoq e Çanga përfitoi nga heshtja e tij dhe vazhdoi:
- A i keni vënë re, qytetarët të nderuar, fëmijët tanë të fortë, me faqe të kuqe si molla, aq të ndryshëm nga fëmijët shëndetligë dhe të paushqyer të qytetit tuaj? Pas secilit prej fëmijëve tanë rri një dhi. I shpëtuari rri në shoqëri të shpëtimtarit të tij. Fëmijët tanë kanë nënat që i kanë lindur, por ata kanë edhe dhitë që i kanë mbajtur në jetë.
Sekretari i partisë dhe kryetari i komitetit u shikuan mes tyre për një çast si të çinkurajuar.
Çanga ishte nga ata që e thoshin copë atë që mendonin.
Fjalët e dhiarit, mendoi sekretari, nuk ishin aspak në përputhje me normat e partisë. Kushdo tjetër që t’i kishte shqiptuar ato, madje edhe t’i ishte kundërvënë me fjalë edhe më të buta, do të kishte mbajtur përgjegjësi e do t‘i ishte treguar vendi, atij e edhe të tjerëve si ai. Sepse, aluzionet e këtij lloji për regjimin, partinë, klasat shoqërore, socializmin, të thëna botërisht, madje shumë më të moderuara, ishin të pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë të kryeqytetit.
Me qëllim që të rifitonte autoritetin që i qe lëkundur përpara vartësve të vet, sekretari i partisë iu drejtua Çangës me një ton të qetë e të matur, por me zë të lartë, që ta dëgjonin edhe dhiarët e tjerë:
- Ne po ndërtojmë socializmin, i cili duhet të çojë në komunizëm, në shoqërinë pa klasa. Kjo do të thotë se ne mund të ndërtojmë uzina, rrugë, ura vetëm me kusht që të jemi të lidhur bashkë, t’i bashkojmë të gjitha forcat, ne, punëtorë e fshatarë. Ne kemi nevojë për një industri të fuqishme. Na mungojnë digat, hidrocentralet. Qytetet tona nuk janë rimëkëmbur ende, ne nuk kemi blloqe banimi aq të mëdha sa t’i strehojmë të gjithë njerëzit. Sa për shtëpitë ekzistuese, ato janë të vogla, të ndërtuara për të strehuar familje me shumë pak anëtarë.
Sekretari i partisë heshti një çast për të parë efektin e fjalëve të tij, pastaj, duke marrë zemër nga qetësia, rifilloi:
- Me shumë vështirësi kemi arritur t’ju sigurojmë një kulm. Kemi ngritur baraka. Mund të ju pranojmë jo pa mund. Por ja që ju na keni mësyrë me dhitë tuaja!... A mendoni se me këto mund të shkohet përpara në socializëm?...
Dhiarët i kishin dëgjuar më parë shtjellimin e këtyre lloj ideve dhe Çanga ia preu fjalën me një ton kategorik:
- Pa dhitë tona, s’do të bëjmë çap përpara në socializëm. Ne do të qëndrojmë me to këtu ku jemi. Por, jemi të gatshëm edhe të kthehemi menjëherë me to atje prej nga kemi ardhur. Atje, siç ju thamë, ia kemi dalë në krye edhe fashizmit me to; e me socializmin, siç thoni ju, duhet ta kemi edhe më lehtë…
Skretari i partisë filloi të mërmëriste diçka me vete, pastaj heshti. Ai nuk donte ta vazhdonte më tej bisedën. Priste udhëzimet. Nuk donte të rrezikonte të humbiste edhe më autoritetin, të cilin, dukej sheshit, se dhiarët ia kishin tronditur shumë.
Kryetari i bashkisë ishte një burrë i pjekur dhe i matur, i vetëdijshëm për kufizimet e pushtetit të tij, e, kur ndodhej përballë sekretarit të partisë, ia linte atij nismën. Megjithatë, kësaj here e kuptoi se i takonte ta merrte vetë inisiativën, madje menjëherë. Urdhërat e instancave qeveritare, të cilat ishin në përputhje me direktivat e partisë, ishin aq të qarta sa më s’bëhet: qyteti duhej t‘i pranonte këta dhiarë dhe s‘duhej lejuar të ktheheshin kurrsesi. Në të kundërtën, kjo do të thoshte të pranoje disfatën. Nga kjo rridhte që dhiarët duhej të strehoheshin me familjet e tyre dhe, meqë ngjarjet rrodhën asisoji, bashkë me dhitë. Kjo qe vija e përgjithshme.
Kryetari i bashkisë e kishte shqyrtuar se „ç‘përgjegjësi personale“ do të kishte, po të ktheheshin dhiarët. Ai i hodhi një vështrim të mprehtë sekretarit të partisë. Të dy u kuptuan fare mirë mes tyre.
Sekretari i partisë ishte paralajmëruar për fshehtësinë e udhëzimit, por ai e solli edhe një herë ndër mend përmbajtjen e tij. Ai e ruante tekstin në zyrën e vet, në kasafortën e madhe, aty ku e linte edhe revolverin. Gjërat ishin të qarta dhe s‘ kishte vend këtu për dredhi. Edhe kryetari e kishte kuptuar këtë, prandaj e theu heshtjen duke thënë:
- T‘i lëmë diskutimet për më vonë. Ne duhet të merremi vesh patjetër! Le t‘u qasemi problemeve praktike. E dëgjuat se banesat që kemi për ju dhiarët janë të vogla. Ato kanë pak dhoma. Është parashikuar një dhomë për familje . Konkretisht, nuk shoh vend për dhitë tuaja. Do të mund të vendoseshin në zonën e ndërtesave të papërfunduara të uzinave ose në torishtet e kooperativave fqinje këtu pranë…
Kryetari rrëmoi edhe më në mendimet e tij në kërkim të ndonjë vendi ku mund t‘i futnin dhitë, por Çanga ia preu fjalën:
- Ne jemi të gatshëm të flemë me dhitë tona në çfarëdo dhome… Fëmijët tanë janë mësuar, në dimër, të shtrihen pranë tyre për t‘u ngruhur nga ato; e po kështu edhe gratë e pleqtë tanë…
Kryetari e tërhoqi mënjanë sekretarin e partisë; ata nuk e dëgjuan deri në fund arsyetimin e dhiarit. Dukej qartë se ai dhe të tjerët si ai nuk do të lëshonin pé.
Sekretari i partisë ziente nga zemërimi, por arrinte ta përmbante veten. Ai i kishte të qarta pasojat që mund të kishte udhëzimi për karrierën e tij. I druhej zemërimit të të gjithë atyre që i kishte pritur me këmbët e para që kur ishte në pushtet e ata nuk ishin vetëm një grusht njerëzish. Ai nuk ishte ndodhur kurrë deri atëherë përballë një rezistence aq të ashpër, as kur kishte qenë komisar në ushtri, gjatë luftës, as kur qe bërë personi numër një i kryeqytetit, pas Çlirimit. Këtu, në këto çaste vendimtare e kishte humbur inisiativën dhe qe detyruar t‘ia lëshonte tërësisht kryetarit. E, për më tepër, Çanga kishte arritur t‘ia mbyllte sqepin. Po do ta paguante sapo t‘i vinte rasti! Ah, sikur të mos ishte ai udhëzim i mallkuar…
Në një çast kthjellimi, ia përshkoi trurin mendimi se udhëzimi u referohej dhiarëve dhe jo dhive. Por nuk guxonte të niste me dhiarët një diskutim të ri, i cili rrezikonte ta fuste përsëri në qorrsokak. Po, udhëzimet kishin të bënin vetëm me dhiarët, dhe jo me ato bardhoshet djallëzore të mallkuara që mund t‘ia shkatërronin karrierën. U bind se duhej të heshtte, që të mos e rrezikonte më tej autoritetin e vet. Para së gjithash, mendoi ta mblidhte byronë e komitetit të partisë të qytetit, më shumë për ta ndarë përgjegjësinë me të, por nuk kishte kohë , dhe, për më tepër, ai vetë nuk ishte i sigurt se do ta arrinte efektin e shpresuar. Ç‘është e vërteta, ishin edhe forcat e armatosura dhe policia, por ai duhej të këshillohej urgjentisht me të gjitha instancat e Republikës. Por kishte frikë të ndërmerrte një gjë të tillë . Ja përse ia la në dorë, si me djallëzi, çështjen kryetarit të bashkisë…
Nata po zbriste ngadalë mbi qytet. Atje larg në fortesë kishin filluar t‘i ndiznin fenerët. Dhiarët dhe kafshët e tyre nuk po e lëshonin sheshin. Fëmijët u hidhnin dhive gjethnajën e fundit, të tharë, që kishin mbledhur gjatë rrugës.
Sekretari i partisë dhe kryetari i bashkisë thërritën një mbledhje të shërbimeve kompetente të komunës në prani të anëtarëve të komitetit të partisë të qytetit. U vendos që të lejoheshin dhiarët të vendoseshin përkohësisht me dhitë e tyre nëpër shtëpitë dhe banesat e parashikuara për këtë qëllim. Sa i përket problemit të dhive, ranë në ujdi që të gjendej një zgjidhje në përputhje me udhëzimet që priteshin nga instancat e larta të partisë. Megjithatë, të gjithë pjesëmarrësit ishin plotësisht të bindur – e këtë e theksuan më se një herë – se dhiarët do të hiqnin dorë shpejt nga kafshët e tyre kur ta kuptonin se ç‘i priste ato.
Natën shumë vonë, sekretari i partisë dhe kryetari i bashkisë u kthyen në shesh me bashkëpuntorët e tyre për t‘ua njoftuar Çangës dhe dhiarëve të tjerë vendimin për vendosjen e përkohshme të njerëzve dhe të dhive nëpër banesat që kishte në dispozicion kryeqyteti.
Fëmijët më të vegjël tashmë po koteshin mes dhive që po flinin përtokë dhe po ngroheshin nga nxehtësia e trupit të tyre. Pa u merzitur se pjellën e tyre e kishte zënë gjumi, nënat përgatisnin darkën me tepricat e fundit që kishin mbetur nëpër trastat e tyre.
Papritmas u krijua një tollovi e madhe.
Dhiarët po festonin fitoren e parë në kryeqytet. Befas u dëgjua një këngë revolucionare, së cilës ia mbajtën ison edhe dhitë. Të trembur, fëmijët u zgjuan duke u çirrur. Thirrjet e gëzimit u përzien me këto të qara dhe me blegërimën e dhive.
Nëpër rrugët e qytetit filloi të çante kolona e bardhë, për t‘u dyndur dhe zhdukur pastaj në shumë banesa të braktisura.