Këtë ujë kaq të ftohtë si ta pi
për ç'mërira kam ardhur kaq larg
ku fryn veç erë përjetësi.
Udhërrëfyes, ti fole një fjalë!
Ai ktheu kokën krenar, i lutur:
Unë di veç shtigjet dhe rrugët.
Nuk folëm më, vazhdoi i sigurtë
të zbulonte shtegun, të tregonte udhën.
Për ç'mërira kam ardhur kaq larg
ndonëse udhërrëfyesi është i bukur.
Udhërrëfyes, udhërrëfyes kij mëndjen
se mos harron shtigjet, se mos humbet udhën.
Befas u kthye dhe krahët hap:
Do ti humbisja, por rruga është e gjatë.
S'ka vlerë ti ngatërroj moj vajzë,
për mërira nuk shkohet kaq larg.
Ai ecën para, unë eci pas tij
që kur s'mbahet mënd. S'ka kohë.
Kush Valbonën në muzg s'e ka parë
s'kupton ato që tregojnë.