Mezi kisha siguruar në shtëpinë time diçka mbi gjysmën e 150 llojeve të njohur të kaktusëve. Im shoq u nxeh, sepse kaktusët nuk duhen mbajtur në shtëpi, sepse ndjellin ters. M’i zhduk ose çoi tek jot ëmë, më tha ai.
Në të shkuarën kanë vdekur fëmijë nga një shpuarje gjembi kaktusi, por sot të gjithë janë të vaksinuar nga tetanozi.
I çova në shtëpinë prindërore dhe luleve u shërbente gjyshja. Një mbrëmje vere kaktusët e mi çelën lulen e tyre të mahnitshme që rron vetëm njëzet e katër orë.
Thirrëm njeri – tjetrin e luleboritë në violë që mbushën me aromë dynjanë magjepsën dhe shpirtërat e shtrigave. U gdhimë pothuaj pa gjumë nën atë kupë qielli fushor ku dielli të pjek si kurrkund në botë dhe nata të ngop me jetën.
Doja vetëm të qaja ashtu si po më merrte të plasaritur shpirti njëlloj me atë darkë kur dogjëm bletët. Fqinjin gati në të vdekur nga alergjia e thumbit të bletës e shpëtoi ultrakorteni, por im atë u tremb aq shumë, sa i mori koshere dhe i çoi në kopshtin e kushuririt të tij në periferi të qytetit. BLETET E DININ RRUGEN u kthyen në mbrëmje duke u shtrirë mbi çarçafët e vesitur, harruar të pambledhur në tela. Kumahitë u spërkatën me alkool dhe në heshtje iu vu zjarri. Në koshere ngelën vetëm bleta mëmë me foshnjëzat, që s’kishin dalë ende për nektarin e parë dhe kurrë s’kishin për ta kërkuar rrugën e shtëpisë time, ku popullit të tyre iu pre koka e falur
Edhe paradite ndenjëm para luleve të çelura të kaktusëve. Gjyshja kërkoi kanistrën e rrobave të vdekjes. Kaloi në dorë këpucët me kordele, çarçafët me lule të grira, kostumin e zi, këmishat, të brendshmet, jastëkët e vegjël atllas të kuq, për në tokë dhe për tek këmbët. Befas tha: Ju nuk dini të këndoni të vdekurin. Do më lini në mes të shtëpisë pa më kënduar siç po e bëjnë zakon sot!
E kishin fajin kaktusët. Aroma e tyre bënte që të krisej zemra. Ta bëjmë një provë të vogël, i tha gjyshja nënës time. Pa jepi, vajtorja e parë!
Kur vdiste ndokush në lagje, gjyshen time e merrnin për ta vajtuar me këngë të vdekurin. Mbase kështu duhej të qe në bregdetet e gadishujve shkëmborë me kaktusë, si në thënien e Lorkës: një i vdekur në Spanjë është më tepër i vdekur se në çdo vend tjetër të botës.
E kishin fajin lulet jetëshkurtëra të kaktusëve, që kur çelin të zë magjia e shfrimit të zemrës mbytur në lot.