Letërsia Shqiptare

NË VENDIN PA EMËR
E enjte, 10-01-2008, 02:35pm (GMT)

Nuk është nevoja të mbushësh ndonjë formular
e të japësh me bezdi gjurmët e gishtave.

Asnjë i huaj nuk ka ç’të dhunojë 
atje ku gjithçka është e ndërtuar me frymë;
dhe gurët për tempujt janë sjellë nga larg, me kilometra ndoshta
për të shijuar gjeometrinë e hijeve.

Nuk ka vrima çelësash, ç’farë mund të vjedhësh
atje, në qytet-shtetin e poetëve të vdekur?
Si leukoplaste mbi vetulla pas zënkave djaloshare
hiqen veç të lagura, kutitë e postës.. 

Qytete pa reklama. Pa gra të bukura me buzëqeshje
anti-karie. Por, rrugë, rrugë që synojnë drejt periferisë,
kufinjve të njohjes- diktaturën e një fije bari.

Ngjatjetoj. Nuk më kthehet.
Çfarë kuptimi ka t’i urosh mbarësi
atij që lind dhe vdes brenda një dite, a ndoshta brenda një ore ?

Ja, ku janë, të gjithë, mbi tavolinën time të punës,
në kopertinat e prapme, fotografitë e tyre të bëra posaçërisht,
kopështi i Edenit në sfond, 
ngjitur si faturat pas rrobave të varura në pastrimin kimik.

Dhe në fund, çuditërisht nuk di të tregoj emrin e atij vendi
siç nuk ka emër një komb pa martirë.
Dezertorë po, të damkosur, si dezertorët spartanë
me gjysmën e rruar të fytyrës,
paqe me dritën dhe errësirën, njëherazi



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.