Letërsia Shqiptare

MËNYRË PËR T’U AFRUAR
E enjte, 10-01-2008, 02:38pm (GMT)

Kërkoj një mënyrë për t’u afruar
diçka që s’e kam provuar kurrë më parë
pa e ciflosur as edhe një grimë statujën prej kripe
me fytyrë të kthyer mbrapa.

Nuk ka me premtime;
unë nuk i besoj edhe aq
shtëpisë së bukur me një re idilike mbi kokë.

Do të zgjedh të njëjtën rrugë nga ia mbatha një ditë
duke ndjekur gjurmët e kthetrave të arinjve
në trungjet e pemëve ku ata s’mundën të ngjiten.

Do të kthehem për të vazhduar një histori të lënë në mes
si vetëtima
në tokat e çara.

Thjesht, pa lënë kohë për arsyetim,
si maska puthitet për fytyrë,
apo dimri i afrohet tokës duke shtypur frikërat me bark.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.