SI DREQIN VISHET KJO KËMISHË
E enjte, 10-01-2008, 02:41pm (GMT)
Nga vishet kjo e mallkuar këmishë? Sidoqë ta kthej, etiketa më shfaqet sërish në grykë dhe marka e prodhimit më zë frymën. Ndërsa duhet vendosur: të shëmbet a të mos shembet kjo shtëpi, është e vjetër, shtëpitë rrënohen nga brenda, fëmijëri e rini bashkë, po kujt i hyn më në punë? Kujt i hyn punë një copë çertifikatë e stilit gotik a bizantin dëshmia ime e pafajësisë? Kujt i hyn në punë kjo dhomë e ftohtë gjumi kur në mëngjes ti ishe një shalqin i plasur duke fshehur me duar e këmbë farëzat e zeza; ky korridor gjithë lagështirë, spazmat e të cilit e lindnin njeriun para kohe. Kujt i hyjnë në punë çesmat, në dreq shkofshin; dimrit të ngrira dhe verës të thata një lojë “kukafshehti”, një habitore e zënë në fyt. Ballkoni, qilari i druve, karrigia ku vareshin rrobat e ditës; ato merrnin nga ngrohësia ime dhe rrallëherë jepnin. Dhe nuk është fundi i botës, t’i japësh përshëndetjen e fundit fqinjit, tashti dhëmbërënë; që frushullon si brenda një qeseje plasmasi. Dhe as nuk është fundi i botës të presësh fikun në oborr fundja, bezdi qe; pa u pjekur mirë, duhej të ruaje hajdutin i vogël, “bastardin”, djalin e marrë ne jetimore, për të cilën e ëma thoshte se i erdhi dhuratë nga qielli, me një shportë vezësh, vënë pas porte.
Nëse e gjitha kjo nuk ka kurrfarë rëndësie atëherë për se dyndem me kaq zell si dhjami përreth zonave erogjene, pjesëve që të parat e humbin funksionin?
|