Nga vishet kjo e mallkuar këmishë?
Sidoqë ta kthej, etiketa më shfaqet sërish në grykë
dhe marka e prodhimit më zë frymën.
Ndërsa duhet vendosur: të shëmbet a të mos shembet kjo shtëpi,
është e vjetër, shtëpitë rrënohen nga brenda,
fëmijëri e rini bashkë, po kujt i hyn më në punë?
Kujt i hyn punë një copë çertifikatë e stilit gotik a bizantin
dëshmia ime e pafajësisë?
Kujt i hyn në punë kjo dhomë e ftohtë gjumi
kur në mëngjes ti ishe një shalqin i plasur
duke fshehur me duar e këmbë farëzat e zeza;
ky korridor gjithë lagështirë, spazmat e të cilit
e lindnin njeriun para kohe.
Kujt i hyjnë në punë çesmat, në dreq shkofshin;
dimrit të ngrira dhe verës të thata
një lojë “kukafshehti”, një habitore e zënë në fyt.
Ballkoni, qilari i druve, karrigia ku vareshin rrobat e ditës;
ato merrnin nga ngrohësia ime dhe rrallëherë jepnin.
Dhe nuk është fundi i botës,
t’i japësh përshëndetjen e fundit fqinjit, tashti dhëmbërënë;
që frushullon si brenda një qeseje plasmasi.
Dhe as nuk është fundi i botës të presësh fikun në oborr
fundja, bezdi qe; pa u pjekur mirë, duhej të ruaje hajdutin i vogël,
“bastardin”, djalin e marrë ne jetimore,
për të cilën e ëma thoshte se i erdhi dhuratë nga qielli,
me një shportë vezësh, vënë pas porte.
Nëse e gjitha kjo nuk ka kurrfarë rëndësie
atëherë për se dyndem me kaq zell
si dhjami përreth zonave erogjene, pjesëve
që të parat e humbin funksionin?