Letërsia Shqiptare

NJË PALË SANDALE NËN PEMË
E enjte, 10-01-2008, 02:42pm (GMT)

Kaq ishte e gjitha.
Trupi, fryma dhe pema
Tashmë janë në sintoni të plotë.
Pema ? Cila pemë ?!! Nuk ka asnjë pemë përtej dritares
që të mund të lakmojë
paqen e trupave, si të nxjerrë nga deti
cep më cep.

Duhet pak guxim
për të hapur sytë e për t`u ndeshur
me atë gjë të frikshme, që na pret më pas
si të shohësh hënën, hënën në kupë të qiellit, në pikë të ditës
-tamam atë gjë që do të ishte kaq mahnitëse në kohën e vet.

Barku im kontrakton rrallë
si kokë kobre
me gjahun në grykë.
I yti, merr e jep, pa pauza, pa nënkuptime,
përmbyllës, si nje manifest.

Asgjë më nuk do të ketë më atë forcë
por vetëm therma të vogla pa klithëm mbi porcelan
thika ëmbëlsirash.
rutinë.
dhe përfytyrimit i vjen fundi
kur era trupëzohet në një send.

Cila pemë ?!!

Tashmë fryma është e rregullt
gramatikë,
fije bari dhe baltë.
fole e sapobraktisur nga synimi.

Buzëqeshim lehtë, pa thonj, pa thembra,
si një palë sandale
rrëzë trungut të pemës.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.