Eshte mbrëmje. Jashtë dy- tri taksi te vëna ne pritje
të ndonjë kalimtari që ka humbur rrugën.
Dhoma është ashtu siç e lashë në mëngjes,
përveç çarçafëve të ndërruar
dhe zhumës së lehtë të shiut që mbi xhama kercet
si një tufë lulesh të thara
kur u ndërrojmë vendin.
Dhe i njejti mesazh në sekretarinë telefonike:
një zë burri, i regjistruar muaj më parë, për një tjetër grua,
për dikë që është fshirë me të njëjtit peshqirë
të larë dhe parfumuar.
E kthej mesazhin mbrapsht, e dëgjoj disa herë…
Kryqëzohem si direku me një erë të panjohur
duke shmangur pyetjen:“Ç`farë mund të ketë ndodhur më pas ?“
Më në fund mund të shtrihem në atë shtrat
te rregulluar nga duar anonime,
do të tendosem midis gjërave te mia te humbura
(pyetjeve që u ngutën të merrnin përgjigje)
si një fill tregues prej mëndafshi
midis fleteve te sapolexuara te librit.