Letërsia Shqiptare

FËMIJËT E NATYRËS
E enjte, 10-01-2008, 02:47pm (GMT)

B. flet për botën tjetër
me të njejtën siguri
që bujku var rrobat e tij të punës
në mbrëmje vonë, pas derës.

Nuk është një shaka...

Për vite me radhë, ai ndoqi vijat paralele
të karrocës së të atit të paralizuar
që lidheshin nyje, tamam atje ku hapësira ishte më e madhe;
ishin nyje të forta, si nyjet e lidhëzave të këpucëve
të lidhura me padurim, kur, diçka i pret jashtë.
Dhe kur më vonë, gruaja e la,
me sa mban mend, ishte verë, 
si zakonisht, ai, shkoi në kopësht,
mblodhi frutat e kalbura të rrëzuara gjatë natës
për të mbajtur grerëzat larg.
Kur ajo doli,
ai e mbylli portën lehtë, pa mllef, si të ishin kopsat e shpinës
së fustanit të saj të mbrëmjes.
Dhe hëngri mëngjes si zakonisht, duke e shijuar çdo kafshatë
me mirëjohje,
pa përdoruar dhëmballët e pjekurisë,
ashtu si besimtarët e ulur në radhët e para,
përtypin psalmet, të djelave në kishë.

Fëmijët që kurrë nuk i pati
vazhdojnë të kthehen vonë në shtëpi,
të djersitur nga loja, të pistë, me gënjeshtrën e tyre të radhës në majë të gjuhës,
ai i dëgjon me ëndje ndërsa pret thonjtë dhe dyshimet
si një fetus që përgatitet të hyjë në placentë.

Historia ndodh gjithmonë jashtë tij
dhe si mirëmbajtësi i hekurudhës,
ai ia pastron rrugën nga barërat, gurët,
..shtrëngon ndonjë vidë të liruar.
Ai nuk e sheh, po, e njeh fuqinë
dhe e di më mirë se kushdo
se kur është momenti të largohet nga udha
duke përgjuar me veshin e mbështetur
pas shine.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.