Letërsia Shqiptare

MEDITIM ME SHKUMË NË FYTYRË
E enjte, 10-01-2008, 02:50pm (GMT)

Një rruajtje pas pune, e përse duhet?!!
Njëlloj si im atë,
shumë kohë më parë,
para një pasqyre të venitur, plasa-plasa
si një kaçamak i gatuar pa yndyrë.
Edhe ai rruhej, tamam në këtë orë,
më një brisk që rrëshqiste nga lart-poshtë,
duke hapur një shteg të pastër nga tëmthat në mjekër
si fjalët e apostullit. E ndërsa gjuha e mbështjellë kërmill
zbrazte njërën faqe dhe mbushte tjetrën,
e folura e tij më vinte rikoshet përmes xhamit:
“Fuqia e burrit, bir, matet me gjërat që nuk bën.
Pasioni mbahet fshehur, si fruti i rrepës!”

Ishte njëlloj si të thyeje një rregull, 
kur unë, vite më vonë
në mëngjes herët, pa zënë punë me dorë
nxirrja ferrën time nga lëkura
duke përdorur fshehtas veglat e tim eti.

Kur dora filloi të më dridhej, unë kërkova një zot,
Nuk qe e vështirë. Njëlloj si të kërkosh një berber, në atë lagje
që e njeh në pëllëmbë të dorës.
Ai nuk e ka zakon të të pyes: “Ç’farë mund të bëj për ty djalosh?”
Kryqi është më i vjetër se njeriu.

Dhe ja, ku jam, pa asnjë prerje,
i ndriçuar nga llamba e hipofizës në zverk.
një rruajtje e pastër- siç i thoshte im atë- i cili,
kur vdekja erdhi ta merrte,
të merrte fytyrën e tij të parruar prej ditësh
si një grumbull milingonash rreken të përmbysin në vrimë një kokërr gruri,
mblodhi shuk retinat, siç mbledh shuk pecetën
fëmija,
kur e detyrojnë të ngrihet i pangopur
nga tryeza.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.