Makina e akullores tipikisht më e ftohtë se makinat e tjera tërheq turma fëmijësh grash plakash inkontinente me brekushe polietileni irrituese.
Paradite e plogët për më tepër e nxehtë e papërshtatshme për akte a fakte seksuale improvizuar mes amvisash dhe proletarësh të rastit.
Televizorët lënë hapur në dhomat e zhulëta tanimë i ndërrokan vetë stacionet sipas një algoritmi të mençur çka nxjerr befas në shesh se dy kanale po luajnë të njëjtën telenovelë meksikane në mos kolombiane.
Makina e akullores më e bardhë se makinat e tjera mbuluar me djersën e ftohtë pothuaj pedofilike të vesës që kondensohet parreshtur në banakët ngjyrë qumshti.
Një pervert qimehollë afrohet pa rënë në sy mes fëmijëve grave të shkurtra plakave polimerizuar atypari duke shtyrë tej konkurrentët me ijet kockëdala vështrimin hipnotikisht ngulur në fytyrën kortizonike të akullorexhiut.
Televizorët buçasin ritme mëngjesore salsa salsa cha-cha-cha përmes dritareve që amvisat kanë lënë qëllimisht hapur për të ndjellur epshe të vetvetishme kalimtarësh.
Fëmijët keqtrajtuar përçarë përplasur pothuajse përdhunuar protestojnë zhurmshëm pranë autoriteteve leproze-parkinsonike edhe pse ende shtrëngojnë qullshëm monedhat në grushtet si domate të gjelbra.
Makina e akullores më tërheqëse se makinat e tjera bash për këtë arsye u ekspozohet rreziqeve të rrugës sidomos perversioneve të mëngjesit në rrethana të një rrethimi total pothuaj biblik nga konsumatorët përreth.
Një pervert qimehollë me shpatulla pulastreni të padestinuar për treg nxjerr nga xhepi i trashë i xhinseve një biçak thikë kamë revole patllake pistoletë dhe ia mbështet akullorexhiut në barkun grotesk distrofik shumë pak leshtor por gjithsesi prej mesomashkulli.
Amvisat tanimë i kanë nxjerrë llërët shalët themrat këllqet gushët sqetullat e njoma buzët e plota në vetrinat e thjeshta por të frytshme të dritareve gjithnjë duke fërkuar fetishet shtëpiake të siglave televizive mëngjesore.
Shumë pak ereksione spontane raporte seksuale të pambrojtura ejakulacione të parakohshme transmetime herpesi gjenital galopant ose lythesh të pahijshme e në përgjithësi sforcime të tepërta të qafave të mitrave.
Një pervert qimehollë i kërkon akullorexhiut me një anglishte të kulluar t'i tregojë sekretin e muzikës kumbuese lajmëruese kushtruese aspak ritmike por prapë se prapë intriguese që i josh e grish fëmijët gratë plakat rreth kësaj ambulance të dëshirës.
(Pa përmendur adoleshentët qimepadirsur lëneshat qen-shëtitëse pijetarët fermentuar në kazanet e plehrave arkëtaret e supermarketeve të falimentuara karpentierët e çative që u pickojnë të ndenjurat monumentale mbretëreshave të celulitit.)
Kërcënim i menjëhershëm për mekanizmin e përsosur prej kutie muzikale prodhuar në Korenë e Jugut ingranazhe tungsteni aspak kërkëllitëse që kundërmojnë si makina qepëse me të cilën iu terezit kostumi Al Capone-s.
Pa llogaritur sistemin amplifikues të tingullit dhe altoparlantët ku tanimë e kanë bërë folenë një familje e hareshme grerash muzikëdashëse që i mëkojnë zogjtë me mukusin e trashur që rrjedh netëve prej banakut.
Ndërprerja e paparashikuar e siglës mekanike çrregullon krejt ritmet biologjike të lagjes oraret e metrosë menstruacionet e shofereve të urbanëve statistikat e krimit qarkullimin e librit çmimin e kërpit me shumicë.
Amvisat nuk po e pengokan dot më shndërrimin automatik të libidos në angështi e ankth teksa me lëvizje masturbuese aq karakteristike rreken të pastrojnë katrahurën e një katastrofe seksuale që në të vërtetë nuk ndodhi.
Akulloret ligështohen e shkrijnë tashmë të gjitha njëherësh pasojë e trishtuar e ngrohjes së klimës morale efektit serrë të perversionit nginjjes së atmosferës me metan nga flatulenca e plakave zorrëlodhura dhunës private ndaj personit publik të akullorexhiut.
Një pervert qimehollë dredhon mes pemëve të rralla të parkut duke provuar me kafshim metalik autenticitetin e një ingranazhi krejtësisht metodik shkulur kriminalisht nga kutia muzikale e lagjes.
Por kisha përbri përfiton nga metafizika e kësaj heshtjeje për të lëshuar këmbanat e veta prej tunxhi në korridoret e zbrazura të rrugëve e kujtuar mëkatarëve këndej e andej gardhit se televizorët kanë mbetur të ndezur.