| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Gjergj Kastrioti E shtune, 16-06-2007, 09:55pm (GMT) Në bibliografinë I, "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" gjejmë materiale të ndryshme që lidhen me Skënderbeun, dhe sidomos me librat e Marin Barletit, i cili është edhe historiani dhe kronisti më i saktë i figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve. Vepra 'Historia de vita et gestis Skanderbegi, epirotarvm principis (1508-10)' (Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, princit të epirotëve) është përveç 'Rrethimi i Shkodrës' (De Obsidione Scodrensi, 1504) një prej veprave mbi të cilën janë referuar shpeshherë historianët. Lidhur me autorin, jetën dhe veprën e tij, nuk kemi mundur akoma të grumbullojmë materiale sinjifikative, por në pritje të një kompletimi të të dhënave për të, dhe citimit të veprave të tij, qoftë lidhur me veprën "Rrethimi i Shkodrës" apo vepra të tjera, po publikojmë këtu shkrimin "Skënderbeu" nga vëllimi "Historia e heronjve" të baronit danez Ludvig Holberg (1684-1754). Ludvig Holberg kujtohet për veprat e tij komike e teatrale, por edhe si historian e filozof iluminist. Është një personalitet i letrave daneze, shkrimtar danez i lindur në Norvegji, në kohën kur Norvegjia i përkiste mbretërisë së Danimarkës. Ai e mbyll shkrimin e tij me fjalët: "Me një fjalë mund të thuhet: Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori." Skënderbeu - nga Ludvig Holberg Dikur para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem, ku më i riu quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do përshkruaj... ...(pas dezertimit të Skënderbeut dhe dështimit të osmanëve herë pas here)... E gjithë bota po çuditej për fuqinë e Turqisë, që kaq shpesh e kishte tronditur Evropën dhe Azinë, të thyhej nga një provincë e vogël; një shembull i çuditshëm se si cilësitë dhe zotësitë e një njeriu, të një vendi të vetëm mund të bënin. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s'e kishte bërë më parë, dhe krijoi idenë se në personin e Skënderbeut ai kishte të bënte me të gjithë krishtërimin dhe njëkohësisht Persinë, në mënyrë që të mos ishte vetëm e nevojshme të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë. ... Kur Skënderbeu ishte pranë vdekjes, shtrirë dhe me temperaturë të lartë, ndodhi një sulm i ri turk. U hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia s'e la ta bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat dhe vdiq pak kohë më pas. Mund të thuhet për këtë burrë, se ai ishte heroi më i madh, dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më e çuditshme se sa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzisht të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u dridhën dhe u tmerruan. Ai i shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, vetë shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që e sfiduan atë, me dorën e vet. Dhe shkruesit e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 vetë me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç'mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë. Zotësia dhe burrëria e tij u shoqërua nga mëshira dhe butësia. Ai kishte një zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjithe letrat e tij, se ai i dha vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtari i Krishtit. Historia e tij është përshkruar nga shumë, por e përkryer është historia e një epirioti, Marin Barletit, në 13 vëllime, të cilët unë i kam ndjekur nga afër. I njëjti Barlet dëshmon se qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku ai ishte i varrosur, nxorrën eshtrat e tij nga varri e i ndanë copa-copa dhe i përdorën ato si relike të shenjta duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do i ndiqte më pas. ANG
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||