Letërsia Shqiptare

Mark Bregu
E shtune, 16-06-2007, 10:05pm (GMT)

Dashnor shembullor i fjalës së lirë... avokat i së vërtetës
   
Meditime për librin “Shakaxhinjtë” e Nacionalizmit”

Prelë MILANI, kryeredaktor i gazetës “Dukagjini”

Më parë se të njihesha me Mark Bregun, jam njohur me shkrimet e tij publicistike, të cilat përshkohen (fund e majë) nga pathosi nacionalist, nga serioziteti shkencor, nga guximi për të thënë të vërtetën lakuriq, sado e hidhur të jetë ajo. Mark Bregu është dashnor shembullor i fjalës së lirë, me të cilën nuk abuzon asnjëherë, është avokat i së vërtetës, të cilën kërkon ta shkundë nga pluhuri i harresës, kërkon të gërmojë e ta gjejë atë kudo që është, qoftë edhe në labirintet më të errëta të katakombeve.

Autori Bregu, edhe kur merr “zjarr” dhe kur “valon”, është fisnik dhe i vetëpërmbajtur, fisnikëri kjo që buron nga geni i tij prej gege, me shpirt të pastër kristian. Z. Bregu sjell përpara lexuesve vetëm një pjesë të publicistikave të tij historike në librin “Shakaxhinjtë” e Nacionalizmit” (debat historik). Një libër i veçantë në llojin e tij, me diapazon të gjerë kohor, duke fokusuar personazhe, aspekte dhe ngjarje nga më madhoret e më të debatueshmet e historisë sonë kombëtare.

Mark Bregu nuk vjen nga bota akademike, por ka përvojën e gjatë hulumtuese të pasionantit, kurajon dhe dëshirën e mirë, talentin dhe ndjenjën e thellë, stilin e të shkruarit joshës e për t’u patur zili, duke krijuar profilin e vet autentik jo vetëm në kryeqendrën e Veriut, por në një hapësirë shumë më të gjerë që i kalon kufinjtë e Europës dhe madje deri përtej Atlantikut. Çdo gjë reale sipër tokës ka dy histori: historia e fshehtë mistike dhe ajo e dokumentuar. Autori, në librin e tij turret të zbulojë misteret, godet me “varrë” bumerangjet historike duke “notuar” shpesh herë në kah të kundërt të rrjedhës, por duke e orientuar “busullën” e tij në kahun më progresiv të mendimit intelektual, pasi në gjithë botën po rishikohen figurat dhe ngjarjet historike me qëllim që historia zyrtare të pasurohet dhe të reflektohet ndaj mëkateve...

Nga shtjellimi i lëndës që merr në analizë, autori arrin në konkluzionin e dhimbshëm që individualistë e anarkistë të dyzuar e antagonistë mbeten shqiptarët me njëri-tjetrin! Ambiciet personale i shtynë Dhimitër Farët, Karl Topiajt, Ballaban Pashët, Esadistat e Haxhi Qamilët, e sa e sa pashallarë e feudalë të tjerë, të cilët përfunduan si lavire në shtratin e kolaboracionizmit, duke u shërbyer me devotshmëri të huajve deri në harresë se ka shqiptarë dhe Shqipëri! Letargjia e thellë në mbretërinë e orientit, mungesa e një ideologjie unike dhe një lëvizje kombëtare e mirëorganizuar bëri që ne të gjendeshim në udhëkryq, kur u shkërmoq karabinaja e kalbur turko-osmane, për të cilën dikush qau nga mallëngjimi dhe dikush tjetër u rrebelua për të ruajtur flamurin e grisur të “baba davletit”!

Prandaj autori Bregu, në analizat e tij flet me fakte konkrete dhe i bën një arsyetim të saktë, nacionalizmit foshnjarak shqiptar i cili mbeti i tillë për mëkatet e atyre që dikush don t’na i servirë si “baballarë” të kombit! Hipokrizi kjo që e detyron Mark Bregun të shigjetojë me pendën e tij realiset e therëse njëkohësisht.

Libri “Shakaxhinjtë” e Nacionalizmit” frymëzohet nga idealet e pastra kombëtare, nga sakrificat e martirëve të kombit, nga veprat dhe shëmbëlltyrat e tyre, mirënjohja ndaj të cilëve e bën autorin të skalitë një mozaik publicistikash me një ndjenjë të fuqishme që buron nga loçka e zemrës dhe pa stërhollime të tepruara  kumton faktin se Shqipëria indipendente dhe me bazament europian është vepër e apostujve të shqiptarizmës: Gjergj Kastriotit - “Atlet” i Krishtit, të kordhëtarit mbrojtës të qytetërimit europian nga herezia orientale e stepave; është vepër e Fishtës, Nolit, Naimit, Gurakuqit, Dedë Gjon Lulit, Boletinit, De Radës, Bajram Currit, Doçit e Koliqit. Shqipëria është djepi i Nënë Terezës, mishërimit të humanizmit njerëzor në shkallën më të lartë tokësore.

Mark Bregu artikulon rrjedhshëm atë që historiografia shqiptare akoma nuk mund ta belbëzojë dot atë që albanologët e huaj ka vite e vite të tëra që na e kujtojnë se Mirdita, Himara, Dukagjini, Malësia e Madhe, Puka e Kosova janë palci i nacionalizmit dhe virgjëria e shqiptarizmit. Në qoftë se Shqipëria është vërtet hallemadhe, arkaike e paditur dhe e plagosur rëndë, Mark Bregu fajin e kërkon tek jeniçerët e orientalizmit, sherrxhinjtë e politikës, njerëz që për këtë atdhe asnjë pikë djersë nuk e kanë derdhur, sahanlëpirës, lugatë të pangopur për grada e ofiqe, përpara të cilave Shqipëria nuk vlente asgjë.

Ndërsa sot na paraqiten si “martirë” të shqiptarizmës! Gjithë libri i Mark Bregut është ndërtuar në funksion të këtij boshti, gjithçka vërtitet rreth nacionalizmit në kuptimin më pozitiv të këtij nacioni, shpesh të shpërfytyruar nga të mëdhenjtë ndaj të vegjëlve. Autori, përmes fakteve që trajton në librin e tij, na shfaqet si një polemist sfidant dhe elokuent, i aftë të thyejë çdo kornizë dogmatike, guximtar të shkopsitë çdo lloj fibulacioni hermetik dhe varrmihës ndaj çdo mentaliteti antikombëtar.

Autori nuk ka asgjë me Islamin, as me myslimanët shqiptarë, të cilët janë vëllezërit tanë të një gjaku dhe që në rrethanat historike u imponuan konvertimin me fenë e pushtuesit. “Nacionalizmi shqiptar është vepër e të gjitha besimeve fetare së bashku”, është përfundimi i pakontestueshëm i autorit Bregu i cili nuk ka si të pranojë gjestikulacionet e profetit të rremë Abdi Baleta, kësaj dhelpre dinake që di të përshtatet çdo stinë, kësaj mendjeje “brilante” për të mbjellë mbrapshtira, specie pa kolonë vertebrale që përshtatet si lëngjet për të marrë formën e çdo ene, shërbëtor i paskrupull i çdo padroni, duke u vërtitur nga njëri ekstrem në tjetrin, i shkathët si nëpërka, për të depërtuar në çdo vrimë...

Lajthitjeve të Baletës aventurier, si “Katolikocentrizmi është aventurë dështake”, ku shprehet: “Edhe pse Mark Bregut s’mund t’i pëlqejë, paraardhësit tanë e patën fat historik që jetuan 500 vjet nën turkun... Do apo s’do Marku, (replikon i çmenduri Baleta - shënimi është i imi - P. Milani), ai që sot njihet për komb shqiptar nuk përbëhet më vetëm nga ata që shkuan të jetonin me ujkun, por në shumicë dërrmuese të atyre që bashkëjetuan me turkun në një Perandori.

Edhe sikur të jetë ashtu siç pretendon Marku, se myslimanët, Islamin e paskan pranuar me forcë, të detyruar nga turqit, duhet t’i falënderojmë osmanët pasi për të mirën e shqiptarëve kanë bërë atë që duhej. Për kalimin në myslimanizëm duhet ta ndjejmë veten krenarë dhe jo mëkatarë, siç thotë Kadareja. (o tempera, o mores). Ka të drejtë kur thërret Mark Bregu, i cili nuk ka frikë të përballet me këtë Ballaban Pashë të ri, të përballet në medjan pa shpatë e pa topuz, por me armën e pathyeshme të së vërtetës ku ndër të tjera polemizon: “Faktin e islamizimit me dhunë askush nuk mund ta mohojë, por që ta quash fitore, përveç nostalgjikëve të Haxhi Qamilit dhe tardhëtarëve të kombit, askush tjetër nuk mund ta quajë fat historik pushtimin 500-vjeçar osman”.

Ky arsyetim i drejtë historik dhe filozofik është provuar katërcipërisht: Shqipërisë dhe shqiptarëve fatkeqësitë më të mëdha gjithmonë u kanë ardhur nga Lindja. Mark Bregu e ka sfiduar mrekullisht Abdi Baletën, të cilit i mungonte shënjestra për gradimin e murtajave të tij, gjëmimet e të cilave ngjasojnë si gjëmë të largëta në qiellin e kthjellët pa re. Përveç shqiptarëve, të gjitha kombet e tjera të Ballkanit që ishin nën Turqinë, ruajtën një homogjenitet fetar, në raport me popullsinë. Shqiptarët që kanë ndërruar besimin janë katër herë më shumë se bullgarët, jugosllavët, 32 herë më shumë se grekët dhe 45 herë më shumë se rumunët, gjë që cilën përveç Abdi Baletës, askush tjetër s’mund ta quajë fat historik dhe ta trumbetojë si fitore!

Autori vlerëson maksimalisht tolerancën fetare në Shqipëri si një rast unikal dhe natyrshëm kjo tolerancë e ka burimin tek ajo që na rrëfen Noli ynë i madh i cili, duke analizuar psikologjinë tonë kombëtar ka thënë: “Në Shqipëri kemi katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e këtij populli pagan” (“Shqiptarët”, Edw Josques, fq. 262). Por, ekzistenca e katër besimeve fetare duhet pranuar pa mëdyshje se ka ndikuar jo pak negativisht në dëm të çështjes tonë kombëtare (fatkeqësisht akoma e pazgjidhur), për këtë autori Bregu është i vetëdijshëm, nuk është hipokrit, nuk mund të heshtë, nuk mund të kapërdijë “petullat” e pjekura në ujë të Baletës apo ndonjë tjetri, sipas të cilëve Islami ishte shkaku i shpëtimit tonë kombëtar ose baraz me nacionalizëm! Mark Bregu nuk është fare radikalist apo katolikocentrist, siç e akuzon Baleta apo ndonjë tjetër, përkundrazi në vlerësimet e tij është shumë më pak qortues se sa shumë analistë shqiptarë të besimit mysliman. “Nga të gjitha besimet fetare, katolicizmi dhe bektashizmi kanë qenë dhe janë në të mirë të kombësisë” (Mehdi Frashëri, “Historia e Shqipërisë”, fq. 48).

Ndërsa mendjendrituri tjetër, Mit’hat Frashëri ka thënë për shqiptarët mercenarë se, turqit kishin një proverb: “I thua shqiptarit të vete në skëterrë, ai pyet sa është rroga”. Prandaj Mark Bregu, në polemikat e tij me Abdi Baletën, ka të drejtë të pyesë për kë prostituon ky njeri që edhe Nënë Terezën nuk ka ngurruar ta quajë lavire dhe agjente të Vatikanit! Autori Bregu nuk ka bërë asnjë herezi dhe nuk ka mbjellë asnjë lloj përçarjeje, por përsërit një të vërtetë që e kanë thënë burra shumë më të ditur se ai dhe vazhdojnë ta thonë akoma: “Shqiptarët katolikë janë seksioni më kompakt dhe janë përpjekur në shekuj të sjellin në Shqipëri frymën e civilizimit europian...

Në këtë drejtim dhe marrshim që janë angazhuar sot, shqiptarët katolikë janë pjesa më kompakte dhe më perëndimore e shoqërisë shqiptare, për hir të besimit 2000-vjeçar dhe besnikërisë së tyre ndaj këtij besimi”. (Prof. Sami Repishti, “Drita”, Nr. 2-3, fq. 149-150, v. XXIII). Unë, tek mendimi, polemikat dhe meditimet e Mark Bregut nuk shoh asgjë ekstreme, siç mund të mendojë ndonjë dritëshkurtër. T’i thuash të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë nuk është ekstremizëm, por detyrë dhe normë morale për çdo intelektual dhe qytetar. Por, kur hidhet baltë edhe mbi dy figurat më të shquara të kombit, si Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza, dhe ndaj superstratit gjenetik që na bën të ndjehemi shqiptarë, reagimi dhe “pickimet” e Mark Bregut ndaj atyre që vjellin vrer, janë në funksion të plotë të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit kombëtar. Kush është më e bekuar se bleta, dhe ajo thumbon dhe vetëflijohet kur ndihet e kërcënuar.

Unë uroj përzemërsisht mikun dhe kolegun tim Mark Bregu për librin me vlerë që na ka dhuruar, i cili është nga ata libra që të bën ta lexosh e ta rilexosh, e pse jo dhe të mbash shënime. Libri “Shakaxhinjtë” e Nacionalizmit” është nga ata libra që mbeten dhe u mbijetojnë kohërave, ashtu siç mbetet dhe mbijeton ideali i pastër kombëtar në jetë të jetëve.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.