Ata që presin barin me drapij dhe kosa të shkurta, posaçe për livadhe me gur në bjeshkën e Cukalit, janë njerëz të heshtun dhe vetëm në dukje të qetë: dhimba u bren kocat natën e i kap si pika në mëngjes në muskuj e gjymtyrë kur sjellin së pari rreptas hekurin në bar. Në parzmin e leshtë u fshehet frika e gjarpnit që pret tue njehë në ritëm afrimin e krismës së drapnit në tërfojë.
Mbledhësit e barit flejnë në vapën e ditës mbështetë për trungun e ahut nën hije e shohin andrra syçelë. Ma i riu i zgjoi njëherë e i tregoi atë që kishte gjetë, diçka të gdhendun, gungë e madhe ngjyrë ashti, rrashtën e breshkës e mbi atë gjarpnin dredha-dredha, gjithçka të bamun gurë! Mirë - thanë ata - na e dimë qëmoti se nema e Orëve ndërron në shkamb çdo gja, edhe bariun me tufë përpara, po puna ashtë: si erdhi breshka deri këtu, kaq nalt? Njeni sish shpjegoi me buzë në gaz:
"Unë kam helm në gjak pse gjarpni më zuni tri herë , andaj unë di në këtë mes pakëz ma tepër se ju. Breshka - tha ai - e pruni deri këtu në shpinë gjarpnin. Shikoni, si janë të ngrimë më një si të ishin dy frymorë! Si pela, Dranja, e unë mbi të kaluer."
Mandej folësi mori briskun e me maje ia shkoqi gjarpnin breshkës nga rrashta mbi të cilën gjeti gërresa dredha-dredha, si ravë që përshkon gjysmën e globit. Dranja, e quejtën njëzani ata breshkën në gurë, pa gjarpën.