Jam takue nja disa herë me Dranjen shtegut me bar, i cili çon ndër mendulla rranzë malit. Por ajo çdoherë ma mori anën. Shtegu ku u ndeshëm ashtë tepër i ngushtë dhe nuk kalohet nga dy vetë tue ecë krahas.
Sytë e breshkës nuk kanë vetulla, kështu që kur Dranja më ndien, sjell kokën e më shikon tërthoras me kokërdhokë jashtë, sikur t'i kishte mbi rrashtë.
Verën e kalueme ndërroi gjendja. Si vajzë që rritet shpejt, dhe shpejt don me i qitë fat vetes e me dalë nuse, ajo më lë lëshoi një shikim të shkriftë. U mat dy-tri herë, nxori një kambë prej rrashtës, prapë u rrudh, dhe kur i pati nxjerrë të dyja, mbylli ashkëzën e syve me pjekët e veta prej lëkure së gjallë, e uli kryet si me dashë me më thanë: jam në dorë tande, më pre, po deshe!
Miqësia jonë mbahet prej një peni të kalbët që s'do ngrehë prej asnjenit tepër.