Plasi dielli nga reja, vetimë, në rrashtën e Dranjes mes librash. U ndez anekand vendi flakë, bimësia jashtë, shqimthi i derës, mbrendë balli i votrës e unët që ishin fikë në të.
Currila të dlirun, rrezet tringëlluen ndër kthina të ashtit, thellë, dhe lindën fekse, përmbas, në mur trajtash të mbytuna shqim në dritë, gjithçka në miniaturë, gjithçka dyfish: krena gjarpijsh me qinda gjuhë përjashta - në një anë, e në tjetrën - barna secila me emnin e vet e shëruese, fije e fije të panjehuna, duer mbas duersh me gishta të kallun flakë. Rrashta e tanë dukej si me qenë në diell.
Shikue përjashta, mbarë ashti kish shembllesë grueje, ngërthye me fjalë, sa mizë për kërcunë, në krye e në tru që i rridhnin asaj vijë e vijë, gjak dragojsh nëpër gjuhë. Ngadhnjim, ngadhnjim i frymës së ashtit, ngadhnjim! Por përmes asaj drite shihej se përmbrenda rrashtës, mbrendë në anin e grues, kalbej fara e kuptimit të fjalëve në gjumë para se me u zgjue. Andaj nuk kishin as tinguj.