Letërsia Shqiptare

Mehmet Elezi
E shtune, 16-06-2007, 10:21pm (GMT)

SHKRIMTAR PA LEJE!

1.

Ai e zgjon në mes të natës djalthin dhe e urdhëron t’i mbushë ujë të freskët në pyllin gjysëm ore larg, mgjithëse çesmja e shtëpisë gurgullon. Urdhri, si dhe herë të tjera, është i padiskutueshëm. Pushteti i urdhëruesit është i zi, i hekurt. “Dhe unë nuk bëj shaka me bukën e gojës”, mendon djali. Dhe është “stinë e llurbtë vrasjesh. Banorët e qytetit nuk merrnin dot frymë së renduri: shtëpi-varreza”. Djali niset nën një qiell terri e shiu pa fund. Kalon pa u tutur përskaj varrezave. “A nuk jam edhe vetë një i vdekur i sojit të veçantë?”. Dhe ia sjell ujin. Dhe eprori e pi ujin. E pi ujin dhe vdes në vend. Djali kësaj here e kishte mbushur bidonin në një gropë varri!

A do t’i mbysë vallë këtë racë mizore uji i varreve që hapin vetë?

2.

Tregimi është i shkurtë, tri-katër faqe. Asnjëri prej tregimeve të vëllimit (Arbër Ahmetaj, Riva H., Mërgimi A&B, 2003) nuk është më i gjatë se kaq.

Në tri-katër faqe lëviz një dramë e pamëshirshme, e thellë, e akullt. Riva H. hip në tren me foshnjën që nuk zgjohet as kur i përplaset kryet për faqen anësore. “Ka gjumë të rëndë” thotë Riva H. Asaj nuk i lëviz ashku i syrit as kur dikush dëshiron me ia pa fytyrën e mbuluar pjellës së saj. Edhe kur e urojnë “e paç me jetë të gjatë” ka fuqi me u përgjigjë “faleminderit”.

Fytyra e foshnjës nuk zbulohet, por zbulohet tragjedia shkallë-shkallë. Prej dritares së vagonit të trenit “Riva H. hodhi përsëri shikimin jashtë. Shiu nuk pushonte, fusha të kalbura në shi, njerëz të squllur, pemë të zeza, sorra të zhurmshme, shtylla të shtrembëra, mullarë të shembur, pellgje të ndyra, shtëpi si kuti, kuti të zeza si arkivole, arkivole të vegjël, një fushë e tërë e mbushur me arkivole të vegjël, të zinj, fëmijë të vdekur që hynin nëpër arkivole, arkivole që hynin vetë nëpër varre, varre që udhëtonin me tren, vdekje që zhvendoseshin në hapësirë, hapësira të bëra lëmsh me kohën, vdekje që kanë ndodhur nesër e do të varrosen dje, treni rraset i tëri në tunel”.

Brenda kësaj fjalie me një ritm tragjik si ai tren me foshnjën e vdekur të panjofuar në prehër të Riva H. është nyjëtuar tërë gjëma e nënës së re. Bashkë me hijen “e vrugët, ngjitëse, veshtullore, torturuese” (të shkaktarit: cili është?) “që rrinte pezull me kokat e tyre”. Bashkë me përmbysjen (apo thjesht përzierjen) e kohëve: “vdekje që kanë ndodhur nesër e do të varrosen dje...”.

3.

Fjalitë janë tepër të shkurta. Gjithçka është e kursyer, drita sidomos. Skenat e errëta përthyhen herë pas here ftohtë, nëpër vezullime poetike të platinta, që zdritin disi, po nuk fëshfërijnë. Këto vezullime nuk kalojnë kurrë në lirizëm. Ndonëse edhe vetë është “një metaforë e arratisur”, autorin e ndjekin pas pejsazhet bjeshkëtare të dimrit të dyfishtë të vendlindjes që ka lënë pas. Një ankth kafkian, pa emër, rri i varur gjithkund. Ndihet prania e tij qysh në titujt: Engjëj në mjegull, Rrëshqitja, Hija, Ankth, Guri, Poshtërimi, Qentë, Neveria, Gunga, Uji i varreve, Paemri, Uria, E paftuara...

Këta tituj janë si emrat në dyert e shtëpive, për të mos thënë si emrat në gurët e varreve (herë-herë, në disa kundraja, a nuk është e njëjta gjë?). Kush merr frymë prapa dyerëve-gurë ose gurëve-dyer të këtyre tregimeve? Në njërën anë janë njerëzit e një regjimi totalitar, ngulfatës, në anën tjetër viktimat e tij. Palët njëjtësohen nga emblemat (Lenini, për shembull, në tregimin me të njëjtin titull), por më shumë nga vetë qenia e tyre ashtu siç është: e pamëshirshme ose tejet njerëzore – ata; me dinjitet të heshtur nëpër pusin e vuajtjes - të tjerët.

E të tjerët janë shumë.

Edhe një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare që ende s’kupton gjë prej kësaj bote është befasuese me karakterin e saj. Ajo ha rregullisht bukë me gjalpë përballë shokut të saj të ngushtë, të uritur. Dhe kur s’i pëlqen, e hedh mizorisht në ferrë diku skaj oborrit të shkollës copën me gjalpë e nuk ia jep shokut të saj të unshëm. Arsyen e zbulon vetë një ditë me dy fjalë të vetvetishme. Djali i zgorfulluar për bukë me një lloj proteste “pothuaj drejtpërdrejt”, pa anafolë, i reciton një poezi për urinë. Ajo e prekur shqipton. “- ...unë të dua”. Thotë vetëm kaq, me një protestë të brendshme, nga që ky nuk e ka kuptuar urinë e saj të tjetërfartë. “Elona qe femër dhe jo një copë buke”.

4.

Në mënyrën e të treguarit ka diçka prej stilit të Heminguejit: krejt shkujdesshëm, ftohtë, me dramën që vorbullon nën një shpërfillje të jashtme për rrjedhën e fjalëve. Nën akullin e përhimtë të kësaj shpërfilljeje dhimbja nxin. Drama ngjizet me shpërthye fill aty, pak më vonë, vetëtimë e zezë.

Sintaksa e fjalisë është krejt shqipe. Fjalë të shpërfillura të gjuhës së gjallë, trajta të shqelmuara, si paskajorja herë-herë, zënë vendin e natyrshëm të mohuar padrejtësisht.

Në zgjidhjet e papritura ka diçka prej O Henrit, pikërisht pakujtimin. Por zgjidhja nuk vjen si truk. Eshtë logjika e brendshme artistike që çon në atë zgjidhje, bash kur ti nuk e pret.

5.

Aty kah fundi i viteve tetëdhjetë, në gazetën “Zëri i Rinisë” A. Ahmetaj pati botuar një roman të shkurtë me titull “Letër nga varri”. Kritika me sa më kujtohet pati heshtur (kritika zyrtare ishte e çoroditur: ç’kah do të marrë anija e shtetit në stuhinë e madhe që po afrohej?). Në atë roman të shkurtë A. Ahmetaj megjithatë trokiste pa pyetur a do t’i lëshojnë vend në odën zyrtare të artit.

Me këtë përmbledhje tregimesh ka përsëritur të njëjtin “gabim”: ka hyrë i mvetësishëm, pa i njoftuar zyrat ose përfaqësuesit e tyre në bashkësinë e artit. A do të ngërmohet e do të klithë zonja e potfuqishme PP, Pushtetparja me dellin e çuar mbi ballë: “Kush je ti që kërkon të bëhesh shkrimtar pa lejen time!”?

Se kështu klith papra këto kohë zonja PP. Por klithma e saj ka një veçori të rrallë, të pashembullt. Eshtë klithmë e shurdhët. E megjithatë dëgjohet si kurrnjë tjetër dhe është fuqiplotë.

Se klithma e saj është shurdhëri, shpërfillje, përbuzje, përbetim, bojkot për të gjitha ato talente e vlera që nuk bëjnë pjesë në listat e fshehta e të hapura të saj. Në listat e zemrës të zonjës pa zemër PP, të zonjës së ftohtë Pushtetpare.

Se zonja Pushtetpare është njëherësh edhe pronare e Tempullit të Shenjtë, Shtëpisë sonë të Madhe të Artit. Bën protokollin e vlerave, njësoj ose afërsisht si dikur. Bën protokollin e vlerave duke i shërbyer tabakët e llamarinave për tabaka të argjendta e xhingla-minglat për xhevahirë.

Ajo, zonja e plotfuqishme e këtij vendi, Politparja.

6.

Në tryezën e zonjës PP verërat e zgjedhura nëpër gota kristaline përzihen padashje me ujin e varreve të shkrimtarëve.

Të atyre që janë varur dje.

Të atyre janë ekzekutuar prej togës së pushkatimit, në një gurajë të zezë a në një gojë përroi.

Të atyre që vriten nga pak çdo ditë sot prej shoqërisë së institucionalizuar që quhet shtet, në harrim të plotë, të mënjanuar qëllimshëm.

Vriten dhe as kronikat e zeza nuk e thonë një fjalë për ta. Sepse edhe kronikat e zeza i kontrollon zonja e plotfuqishme Pushtetpare. Sepse gjaku i shkrimtarëve të vrarë kësisoj është hyjnor e shuarja e tyre e ngadaltë nuk le pllanga në rrugë.

Vriten thjesht sepse nuk pranojnë me ia mbushë bidonin zonjës PP në një burim, rruga e të cilit shkel përmes varreve!

18 nëntor 2003



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.