Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 03:34am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
 » Migjeni
 » Martin Camaj
 » Mitrush Kuteli
 » Mardena Kelmendi
 » Marin Barleti
 » Mimoza Ahmeti
 » Moikom Zeqo
 » Mehmet Elezi
 » Mehmet Kraja
 » Merita Bajraktari
 » Mihal Grameno
 » Milazim Krasniqi
 » Mark Bregu
 » Mirko Gashi
 » Mihal Hanxhari
 » Mëhill Velaj
 » Muhamed Kërveshi
 » Maks Gjerazi
 » Mustafë Xhemaili
 » Mimoza Veliu
 » Mimoza Hysa
 » Mehmetali Rexhepi
 » Martin Çuni - Antoni
 » Miri P. Dhrami
 » Merxhan Abdyli
 » Murat Isaku
 » Mexhid Yvejsi
 » Marash Mali
 » Mimoza Hametaj
 » Mujë S. Berisha
 » Mimoza Sali
 » Miradie Maliqi
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët M » Mehmet Kraja
 
Im atë donte Adolfin
E shtune, 16-06-2007, 10:26pm (GMT)

(Fragment)

1

Vjeshta e fundit e Luftës së Dytë Botërore tim atë e gjeti në Shkodër. Pesë delet i kishte shitur në pazarin e bagëtisë që para mesditës, kishte blerë kripë, sapun dhe vajguri dhe tani, me hejbe në krah dhe me qeskën e parave lidhur pas ushkurit, shkoi e hyri në Kafen e Madhe. Nuk u ndal as te rruga e kovaçhanave, as te dyqanet e saraçëve, por u fut në shehër bashkë me një rigë shiu, një pëshurrimë e përzier me erën, që lagte kalldrëmin me një sitje të hollë dhe të mjegullt.

Në të vërtetë, atë ditë tim et i ndodhën në Shkodër ca gjëra që nuk i kishin bërë vaki ndonjë herë tjetër. Ndërsa kalonte nëpër një sokak të ngushtë e të rrethuar me ato avlitë e larta, dhe me dyert e kapixhikëve që ngjanin me vrima buburrecash, vërejti tek hapej njëra syresh dhe që andej pa të dilte një djalë jo më i madh se trembëdhjetë vjeç. Veshët i kishte të mëdhenj, si të lakuriqit të natës, dhe një hundë majuce i rrinte mbi fytyrë si sqep gargulli. Ai i doli përpara tim et, e zuri për mënge dhe, me një të pëshpëritur që vinte si grahmë maçoku, i foli mu rrëzë veshit. A do pith, mos më shiko ashtu, e kam Dranën këtu mbrenda, asht e trashë, i ka ****ët sa dy sepeta. Im atë u ndal. Porta e ngushtë kishte mbetur gjysmë e hapur dhe brenda oborrit shihej gryka e pusit, një govatë aty pranë dhe ajo Drania sa një katua, tek ishte ulur këmbëhapur mbi një stol, merrte ujë me të dy duart nga govata dhe lante kofshët, bashkë me atë thellomën e zezë midis shalëve. Jo që nuk i pëlqeu ajo pamje, madje për ndonjë çast e mendoi veten tek shtrihej mbi të, si mbi një lundër, po ja që atë ditë e kishte mendjen te punët e luftës dhe punët e mëdha të botës, dhe nuk desh që shfryrjen e herdheve ta ngatërronte me to. Atje në katundin tonë, punët e sevdasë? E la mendimin përgjysmë dhe atij djalit me hundën si sqep ia ndezi një flakaresh, pthu! edepsëz, bre! dhe pjesën tjetër të sokakut e kaloi duke i bërë dy hapa me një. Djali e shau, por ai nuk e ktheu kokën prapa.

2

Në të hyrë të Çarshisë dikush desh t'i shiste një sahat me qostek argjendi dhe me dy gurë që vezullonin si sy maceje, në kapakun e mbuluar me shkrim arabisht. Merre, i tha i zoti, asht sahati i Riza Pashës, ja ka falë gjyshes teme për nji natë qi fjeti me të. U ngërdhesh. Ngriti njërën këmbë dhe u pordh dy herësh.

Ndërkohë, një plakë që aty pranë shiste sarikanë, bërtiste me zë të lartë, hajdeni gra, ejani vajza, ju rruen nana sa çelë e mbyllë sytë, ju ban atë teshën si qefull, se komunistat e duen të rruem, thërriste ajo. Një grua e veshur me çitjane, si me ndrojtje iu afrua plakës, ndërsa burri i saj, një zgatalan me xhamadan të qëndisur dhe me tirq maje ****ës, kishte zënë vend tre-katër hapa më andej dhe e shikonte gruan e vet me bisht të syrit. Gruaja me çitjane i tha diçka plakës me zë të ulët. Por plaka ia krisi me të veten. Mos m'thanshin Hasime, qi nuk ta ban si shuplakën e dorës! Si the? Nuk asht komunist? Qyqja ti! Gjeje nji hypës, sa nuk t'ka lanë nepsi. Burri me tirq u skuq në fytyrë, pastaj u mërtis dhe dikur u nxi fare. Shkoi dhe e zuri gruan e vet për llëre dhe, me shikimin e rrëzuar përtokë dhe me nofulla të shtrënguara, i tha plakës, ta baj vorrin këtu, midis Çarshisë, shtriga plakë, dhe u largua duke sharë nëpër dhëmbë dhe duke tërhequr gruan pas vetes, me atë mënyrën e sprovuar të tërheqjes së mushkës për ullari. Gruaja me çitjane, ndërsa i shkonte burrit pas me hapa të shpejtë, ktheu kokën prapa një herë dhe dy herë, dhe me atë shikimin e humbur që nuk kapte asgjë, dhe me atë hutesën e saj të mjegullt e të hapërdarë nëpër tym ëndrrash dhe giasmesh të largëta, la mbi atë anë të Çarshisë një molepsje të trishtë të ajrit dhe ngrysje të pikëllimtë të havasë, që të shponte si turjelë tamam në dërrasë të gjoksit.

Tek ana e epërme e Çarshisë, atje ku kalldrëmi i lagur ngjante si i lyer me sapun nga një shkëlqim i beftë dielli, pikërisht te ai dyqani i pëlhurave me penxhere të mëdha e me qepena të ngritura përgjysmë, im atë pa një turmë njerëzish që ishin mbledhur në rreth dhe bënin sehir. Para tyre, një burrë i shkurtër, me kapelën prej basme mbi tepe të kresë, me mëngët e përvjelura dhe me xhamadanin e zi shtrënguar pas trupit, nxirrte nga dyqani me nxitim të madh dengjet e faqellit dhe të kambrikut, i hidhte përtokë dhe pastaj i shtrinte një nga një mbi baltën e kalldrëmit. Dymbëdhetë kute për nji qefin. Merrte një copë letër nga xhepi i xhamadanit dhe një kalem me maje të topitur nga xhepi tjetër. Shënonte. Bënte hesap. Shpejt. Pa ia vënë veshin askujt. Pasha Kuranin, askujt nuk ia kam vjedhë ma shumë se gjysmë kute. Çohen mandej lugat ata të mallkuem, ta nxijnë ymrin. Maste. Kruhej pas veshit. Mendohej. Shtriu edhe një deng pëlhure. E shkeli me këmbë, në cepa, në mjedis, në të gjitha anët. Tridhetë e tre të vdekun nga dymbdhetë kute bajnë? Shënoi diçka në letër, duke e lyer majën e lapsit me pështymë. Mulla Qazimi m'ka thanë, për burra ban edhe ma pak, për gra jo. Dy pash nën dhè, dymbëdhetë kute qefin, gjithsejt bajnë pesëmbëdhetë kute vdekje. Hyri në dyqan dhe doli që andej pa asgjë. Qëndroi në derë. Thirri. Nuk ka ma. Kush e ka ndër mend me vdekë, le të vdesë sot. Pastaj iu kthye atyre që e shikonin. Ikni. Pse m'rrini këtu si gurë vorresh? Nuk kam për ju. Pastaj kërceu nga dera mbi kalldrëmin e rrugës dhe i shkeli me këmbë pëlhurat e shtrira përtokë. Baltë kemi qenë, baltë do të bahemi?

3

Pak pas mesditës, im atë hyri në Kafen e Madhe. E shtyu derën si me ndrojtje dhe, kur u gjend brenda, picërroi sytë që të shihte më mirë në kishte ndonjë tryezë të lirë në anën e dritësoreve. Atje ishte ulur edhe herën e fundit, para dy muajsh, me bërryla mbështetur mbi tryezë dhe me shikim matanë xhamave që lageshin nga rrebeshi i shiut, ndërsa mendimet e çonin larg, në një endje vâ pa vâ, si ato gjemitë që i merr me vete era e detit. Kishte qëndruar aty më shumë se një sahat, kishte pirë dy kafe sade dhe, në dalje, çirakut ia kishte falë një metelik. Kështu bënin edhe ata burrat e shehrit. Me majat e gishtërinjve të hollë e nxirrnin metelikun nga xhepi i vogël i xhamadanit dhe ia lëshonin në dorë çirakut, që i përcillte te dera me temenà. Paç gjithmonë, Zoti t'ruejt! Çiraku mbyllte derën pas atyre që dilnin dhe kthehej me vrik te banaku, i qetë dhe i heshtur. Dhe i bardhë, si i larë me finjë.

Por atë ditë Kafja e Madhe kishte qenë e mbushur dëng dhe vlonte si zgjua bletësh. Ajrit i vinte erë kafe dhe duhan, dhe një mërmërimë e jermtë zërash pluskonte mbi kokat e njerëzve, deri nën tavanin e lartë. Mirë se erdhe. Çiraku nuk ishte i bardhë, ishte i zbehtë dhe i mërtisur, i nxirë rreth syve, sikur kishte bërë dergjë. E vendosi tim atë te një tryezë afër murit, gati në qoshe dhe kafenë ia solli shpejt, sikur ngutej të ikte diku. Si i ke te shtëpia? Nuk iu përgjigj. Mori tavllën e duhanit, e çoi te banaku dhe solli një tjetër. Pije kafen ma shpejt dhe ik, i tha. Pse? Sot kanë me i vra tre vetë, Hasan Danin, Imer Osën dhe Doktor Kotanin. Pse Doktor Kotanin? Sepse ishte spiun. Nga e di ti? Kështu mora vesh.

Nga dritësoret e mëdha hynte një dritë e hollë vjeshte, e qëndisur anash me ndryshk të vrugtë dhe avuj shiu, që i mbështillte njerëzit me një farë ngathtësie të topitur dhe ua shumëzonte hijet në dy, në tre, në katër, si në dofarë pasqyrash të zeza, që pale ku ishin vendosur. Njëra nga ato hije tim et iu shfaq e bardheme, si e mbështjellë me pluhur tebeshiri. Fytyra e zbehtë, flokët e thinjur, xhamadani me vija, këmisha prej mëndafshi dhe jaka e kollarisur. Ishte Doktor Kotani. Një herë e kishte parë tek tërhiqte hapat ngadalë mbi kalldrëm dhe atëherë pat menduar se vdekja, për të cilën thoshin se ishte e zezë dhe e mnershme, nuk duhej të ishte e tillë. Ajo duhej të ishte e bardhë, si gur i latuar, sepse Doktor Kotani ishte i tillë.

Disa muaj pasi e kishte parë Doktor Kotanin tek kalonte rrugës, im atë e mori gjyshen e tij në krah dhe e solli nga Kraja në Shkodër. Asaj i qe fryrë barku, i qe trashtur gjuha dhe orë e çast fliste jerm. Nuk du me dekë, thoshte, m'ka marrë mbramë xhebraili, kam kenë në botën tjetër, e kam pa, ish ma keq se në Shpellën e Dashit. Në Shpellën e Dashit kishte bolla e gjarpinj dhe vinte një erë e keqe, si të dhjera lakuriqësh. Kur hynë në shtëpinë e Doktor Kotanit, ajo nuk tha më asnjë fjalë. Muret e odës, perdet, minderet dhe vetë Doktor Kotani shndrisnin nga një bardhësi e mermertë, sa të të thernin sytë. E shtrirë në minder, ajo ia mori dorën Doktor Kotanit dhe ngadalë i puliti qepallat, sikur u kredh në katullimë të gjatë e të lumtur.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top




 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]