Letërsia Shqiptare

Mehmet Kraja
E shtune, 16-06-2007, 10:28pm (GMT)

AUTOBIOGRAFI

Mehmet Kraja
Kam lindur këtu e afro pesëdhjetë vjet më parë në një fshat afër Liqenit të
Shkodrës, në njërin nga ata fshatra, të cilët, kur i shikon nga liqeni, të
duket sikur përjetësisht synojnë të kaptojnë malet dhe janë ndalur aty vetëm
për një çast. Datën e saktë të lindjes nuk e di, sepse im atë kishte shkuar
të më regjistronte në zyrën e gjendjes civile dy muaj pasi kisha lindur dhe
ofiqarit, i cili mbante syze të trasha dhe shkruante me dorë të majtë, i
kishte thënë se kisha lindur në kohën e të korrave. Pastaj ai vetë kishte
vënë një datë të përafërt, 27 qershorin e vitit 1952, sepse atë vit thoshin
se kishte qenë një pranverë e thatë, se kishte bërë shumë vapë dhe se të
korra nuk kishte pasur fare, vetëm zi buke dhe një diell përvëlues, i cili
qëndroi gjithë verën mbi katundin tonë...
Thonë, gjithashtu, se kur kam lindur, kam qarë shumë, aq shumë sa nuk e kam
lënë katundin të flinte një javë të tërë. Pastaj gjyshja më kishte shkrirë
plumb dhe ma kishte mbajtur kokën mbi një kusi që nxirrte avuj të qelbur. Që
atëherë nuk kam qarë më, por më pati mbetur një ves që më kushtoi, një
dashuri më pak: sa herë që e shihja gjyshen, ia nxirrja gjuhën dhe ajo, në
shenjë hakmarrjeje, më puthte me inat, duke më lënë përgjithmonë
përfytyrimin e shëmtuar të thithlopës, të thiçkut, siç i thoshim ne...
Shumë vjet më vonë, duke hulumtuar nëpër sargjen të shtëpisë sonë të vjetër,
gjeta peshtafin e gjyshes dhe aty brenda një letër të vjetër të shkruar
arabisht. E mora letrën, fshehurazi dola nga shtëpia dhe letrën ia çova
Mulla Tahirit, hoxhës së katundit tonë. Ai e lexoi duke murmuritur. Eshtë
shkruar nga Ali Rizai i anës sonë, më tha, të cilit që para dyzet e sa
vjetësh i kishte humbur çdo gjurmë, se letra ishte shkruar nga Jemeni, se
Ali Rizai atje kishte shkuar të luftonte për ''Baba Dovletin'' dhe se në atë
copë kartë të lyer me dyllë thoshte gjëra të turbullta për veten e tij, për
shokët dhe për luftërat që bënte atje. Unë u ktheva në shtëpi me një
pështjellim të madh në kokë, me përfytyrimin e Ali Rizait të humbur
shkretëtirave të Jemenit, që vuan... Përse duhej të vuante Ali Rizai? Çfarë
i mungonte këtij rrëfimi? E gjeta! Ali Rizai duhej të vuante nga dashuria
për një grua, dhe ajo grua përse të mos ishte gjyshja ime?! Fakti që e gjeta
zgjidhjen, më bëri të hareshëm, por puna e dashurisë së Ali Rizait tash më
shkaktonte një dhëmbkë sëmbuese... la thashë këtë gjyshes, i tregova për
Mulla Tahirin që e kishte lexuar letrën dhe, mbi të gjitha, i fola gjerë e
gjatë për dashurinë e Ali Rizait, duke trilluar shumë gjëra të paqena.
Gjyshja u zbeh, pastaj u zhgreh në vaj, u mbyll në dhomën e saj dhe kurrë më
nuk e pashë të dilte që andej. E dëgjova vetëm kur tha: ''Mërhumi, sa shumë
më paska dashtë''. Gjyshja vdiq po atë vit, pasi nuk mbylli sy dhe nuk futi
gjë në gojë për dy muaj. Trillimet e mia mbi dashurinë e Ali Rizait për
gjyshen time, ishte tregimi i parë që kisha stisur dhe, për pasojë, gjyshja
vdiq nga dëshpërimi.
Nga ajo kohë më kujtohet liqeni, një hënë e madhe që shfaqej nga matanë, nga
grykat e Bjeshkëve të Nemuna dhe që pastaj zinte vend mbi liqen, duke
shikuar fytyrën e vet të zbehtë tek pluskonte mbi syprinën e ujit. Andej, po
matanë, ishte Shkodra dhe unë, natën, shpesh i shikoja dritat e qytetit,
derisa më përzihej në tru dhe pastaj shihja ëndrra të këqija. Kisha dëgjuar
se njerëzit e katundit tonë gjithmonë kishin dashur të shkonin në Shkodër,
por shumica syresh, kur kishin shkuar, nuk ishin kthyer më. I vetmi prej
tyre ishte kthyer Dan Selmani, një i marrë që hipte në man dhe bërtiste:
''Dua p...!'' Dan Selmanin nuk e donin gratë e katundit tonë, sepse ai, si i
marrë që ishte, tregonte çdo gjë që shihte dhe, për pasojë, kjo shkaktonte
telashe të mëdha. Dan Selmani, kur e kuptoi këtë, u dëshpërua së tepërmi dhe
tha se donte ''me ikë n' Shqypni e rne tretë përgjithmonë''. Iku dhe tri
vjet nuk mori vesh njeri për të. Kur u kthye, gishtat e këmbëve dhe të
duarve i kishte të prerë dhe, para se të zinte shtratin nga sëmundja e
tokës, përmes të qeshurës së njeriut të marrë, tha diçka që për shumë kohë
në katund u ruajt si fshehtësi... Dan Selamni vdiq po atë vjeshtë, ndërsa
qielli kishte zbritur fare poshtë dhe nga Qafa e Shtegvashës frynte një erë
e tërbuar, duke shfryrë një mllef që nuk e kuptonte njeri... Nga kjo kohë më
kujtohet edhe mësuesi im i parë, Hysi, i cili i binte mandolinës dhe
këndonte më një zë të zvargur prej myezini. Një ditë, në mbarim të orëve, e
pamë mësuesin tonë tek hyri në tavan të shkollës dhe fill pas tij atje u fut
edhe Zejnepja, një vajzë që kishte vithe shumë të mëdha dhe kur kalonte
pranë nesh, rrobave të saj u vinte era finjë. Që atë ditë mesuesi ynë nuk
këndoi më, kurse Zejnepen e mori për grua.
Kur i mbusha të katërmbëdhjetat, për herë të parë shkova këmbë në Tivar,
duke kaptuar malin e Rumisë natën, duke kaluar nëpër Brisk e Ljare, mbi
Shestan, nëpër Gropa të Pinçit, për të dalë pastaj në Shkallë të Keqe, prej
nga, në të zbardhur të mëngjesit, pashë Kalanë e Tivarit dhe tej, në një
largësi të paarritshme, detin dhe gjerësinë e tij marramendëse. Ishte hera e
parë që shihja detin dhe, sesi m' u duk, ndryshe nga liqeni ynë: një
kaltërsi e trishtë, një pafundësi e pakuptimtë, ndoshta e kotë. Ndërsa
zbritnim bokërinave të zhveshura mbi Tivarin e Vjetër, im atë, që e bënte
shpesh atë udhë, më tha si me të pëshpëritur: ''Nga këto dy shtëpi i kanë
vrarë njëmbëdhjetë kosovarë''. Pastaj pshërëtiu. Ishin shtëpi prej guri, me
dritare të vogla. Pastaj më tregoi se ku ishte Monopoli i Duhanit dhe gjëra
të tjera që lidheshin me atë ngjarje. Për të gjitha këto, im atë fliste me
zë të ulët dhe gjithmonë duke shikuar diku tej, me një përhumbje që nuk e
dija nga i vinte...
Në Tivarin e Vjetër, më kujtohet se shikova gjatë muret e përhime të kalasë,
i stepur i shihja njerëzit që më dukej sikur rrinin përtej një perdeje tymi
dhe nuk e di si mu stis në mendje të dëgjoja trokëllima hapash të kalorësve
të padukshëm që venin e vinin nëpër rrugët e ngushta, me parzmore që u
shkëlqenin, me shpata të ngjeshura pas brezit dhe me flamurka të vegjël majë
shtizave. Ndonëse Tivarin e Vjetër e pashë sa e sa herë të tjera, ky
përfytrim asnjëherë nuk arriti të zëvendësohej me pamjen reale, me pamjen e
hirtë e të gurtë të asaj kalaje të vetmuar, ngjitur pas shpatullave vigane
të një mali që tallej me të.
Një vit më vonë, diku në fund të verës (ishte po ajo verë e gjithmonshme, që
egërsisht digjte çdo gjë), im atë u bë i ngrysur në fytyrë. Kjo donte të
thoshte se ai, ato ditë, e kishte ndër mend të merrte një vendim të
rëndësishëm. Një javë më vonë, me mushkën e bardhë ngarkuar, ne të dy kaluam
malet që rrethonin katundet tash në anën tjetër, jo larg Shtegvashës dhe
majës së Taraboshit, dhe dolëm në ''anën tjetër'', andej nga shihej një
rrafshirë e gjerë (më e gjera që kisha parë deri atëherë) dhe atje tej
përsëri deti. lm atë ecte i menduar dhe gjatë tërë rrugës thuajse nuk foli
asnjëherë. Duke zbrtiur Malin e Millës, më tha: ''Atje isht Shqypnia''. Me
dorë më tregoi lumin e Bunës që gjarpëronte lakadredhas mes fushëtirës dhe
një mjegullnaje që shtrihej anë e përtej... Atë rrugë, më sa kisha dëgjuar,
njerëzit tanë nuk e bënin natën, sepse thoshin se andej kishte shumë varre
të shpëmdarë tutje-tëhu, që nga koha e luftës së madhe, e Luftës së
Taraboshit. Thoshin se ato varre natën hapeshin dhe të vdekurit ngriheshin
për të vazhduar atë luftën e tyre, luftën që nuk e kishin përfunduar kurrë.
Njërëzit thoshin se, po majte vesh, ende dëgjoheshin britmat. hingëllimat e
kuajve dhe krismat e topave. Dikush thoshte se me sytë e tij e kishte parë
Riza Pashën, hipur mbi një shkëmb, tek komandnonte ushtritë, i rrethuar nga
malazeztë që shtinin mbi të, të tmerruar që nuk e kapte asnjë plumb...
Në Ulqin kalova disa vjet, i mbërthyer nga sëmundja e ëndrrave. Ngjitesha
shpesh në kala dhe që andej shikoja detin, veçmas ditëve të vjeshtës e të
dimrit, kur deti rënkonte përzieshëm. Dikur zbritja nga kalaja dhe i bija
cep më cep plazhit të qytetit, ikja tëhu nëpër pishnajë, matanë malit të
Pinjeshit, dhe përsëri kthehesha në kala. Një herë m'u bë sikur nga atje
lart pashë një velore në mes të detit, që nuk shkonte askund, që kishte
mbetur aty nga një kohë tjetër dhe tash sillej vërdallë, e braktisur, e
harruar deri në dhembje... Edhe tash, pas kaq vjetësh, kur mbyll sytë, sikur
e shoh atë velore dhe ideja se ajo është akoma atje, më shkakton trazim, më
bën të më sëmbojë diçka në kraharor.
Në Kosovë, në Prishtinë, për herë të parë erdha në shtatorin e vitit 1971
dhe natën e parë e kalova në një han, që gjendej në atë pjesë të qytetit që
tash quhet Prishtina e Vjetër. Më kujtohet se hani gjendej buzë një përoske
me ujëra të zeza; pastaj më kujtohet se atë natë pronari i hanit e rrahu
gruan e tij për shkak se ajo paskësh bërë diçka që nuk duhej bërë; dhe, më
kujtohet se gjatë vjeshtës që erdhi pastaj, në Prishtinë fryu shumë erë dhe
se qielli kontinental mbi qytet ngjante me një pelerinë gri, me kindet që i
tërhiqte era deri në fund të horizontit. Së voni bëra dy udhëtime: njërin
matanë Liqenit të Shkodrës për të parë nga matanë (nga ''ana tjetër'') malet
hijerënda dhe katundin tonë dhe, tjetrin, nëpër det, gjithashtu për të parë
nga përtej atë botë kujtimesh që kishte filluar të zbehej. Nuk pashë gjë,
sepse në atë pjesë të tokës ende bënte vjeshtë, ose dimër, dhe një qiell i
përzieshëm e rne re të dendura kishte zbritur mbi reliev, dhe nga ajo
largësi nuk më linte të shihja asgjë.
Nuk më erdhi keq, sepse ajo botë kujtimesh nuk kishte gjasë të ndryshonte
edhe për shumë kohë.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.