Kulme çatish të kuqe në sfond
Nga pemët gjelbërimi rrjedh si krua
Degë plepash të lartë, ca më pranë
Mollë, qershi e një rrënje ftua
Peizash i përzier me bagëti në mes
Një tym i bardhë duket përtej
Ca hingëllima kuajsh vijnë nga larg
Bori makinash dëgjoj pak më këtej
Ulur jam mes barit të gjatë e gjëmbash fshehur
Mendja shëtit në fëmijërinë e uruar
U deshën kaq vite kohë e durim
E shkuara me të tashmen këtu për t’u takuar
E virgjër natyra si tridhjetë vjet më parë
Një lumë i qetë, ca kodra në anë
Gurët dhe shkurret të njëjtat kanë mbetur
Lulet si atëherë, atë aromë kanë.
Mes ndjenjash të bukura mbështillem
Ndjej të shkuarën, tek unë gurgullon si krua
Çdo gjë po aq e bukur tek unë ka mbetur
Njëlloj si dikur fëmijë dhe sot që jam grua
Bukuria e vendlindjes është më e mira
S’e gjej dot asgjëkund, s’e blej dot as me flori
Se bukurinë e vendlindjes e shijoj jo veç me sy
Por dhe me dashurinë mbjellë tek unë që në fëmijëri!
Vere 2001, Buzë lumit Devoll.