 |
| Mihal Grameno |
Luftëtar dhe intelektual i shquar i Rilindjes. Mësimet e para i mori në vendlindje. Ende i vogël, për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë "Drita". Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte antar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli "Hero i Popullit".
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli (1900-1925).
Mihal Gramenoja është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi novelat "Oxhaku" (1909) dhe po atë vit "E puthura" dhe "Varri i Pagëzimit". Tek "Oxhaku" dhe "E puthura" trajton çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. "Varri i pagëzimit" paraqet luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe.
Ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja të shkruara në vargje.
Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare.
Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha "Për Mëmëdhenë" u bë një këngë e famshme atdhetare.
Është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.
Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe "Koha" në SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama.
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse.
M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare.