Kushedi kur, kushedi kur, një ditë apo një natë, një mbasdite vonë kur gjemitë pështjellin pëlhurat dhe digjen, a në çastin kur muzgu ka një tatuazh në shpatull prej vetëtime të ngrirë, në ngjyrë të kaltërt ozon omege, shkëndijë e gjatë elektrike, gjarpër zjarri blu, aty, aty në shpatullën e muzgut, kur çdo shkronjë mbi letër don t'i lerë vendin një tjetre dhe vetë të shuhet, dhe çdo fjalë pyet, përse, përse, dhe pastaj hesht dhe lidh vehten me shoqen pranë, dhe ashtu heshtin në zinxhirë, dhe hija e pendës mbi dorën e zgjatur të çdo shkronje, që pastaj e lë, dhe ikën tej, hija e dorës mbi letën, zhgun mbi këmbë të zbadhura që ecin pa zë, që shkojnë aden nga s'shkon më askush, pyll i dhomës sime, mermerë të thyer të agimit, det i limonit të vdekur, ranishte ku kanë mbetur varka buzë uji të qetë, pa asnjë valë, pa asnjë zë, gurë ylberësh të copëtuar, myshqe mi shpatulla ciklopësh ngrirë bashkë me shkëmbinj, bedena muri me tufa fijesh bari të thatë, gropëza në mur ku kanë mbetur ujëra shirash, suva e bërë gur, ujra shekujsh në brumin e gurëzuar, dhe lumi atje poshtë me gjethe të verdha e gjethe të kuqe, lajme, kupyra hedhur andej-këndej mbi syrin e lumit, zogj që mblidhen një nga një në fije të ndera të telegrafit në rrugët jashtë qytetit, tufa zogjsh që presin në mjegull të nisin shtegtimin, me busullën e padukur në mendimet ajrore, rrugë e gjatë e rrahur mot pas moti, poezi e bluar, e hedhur në erë, dhe do shkojnë sipër një pylli, dhe në anë të tij do të dallojnë atë shtëpi të vogël të drunjtë, dhe atje dritaren do jenë të hapura, vera i ka lënë ashtu pa i mbyllur kur ka ikur, në qelqet do jenë gishtra ëndrrash dhe fijet e merimangave do mbajnë vesh erën, dhe natën yjet do ndërrojnë emrat,yjet do ndërrojnë vendet, nga një anë e qiellit në një tjetër anë, dhe ndonjë do të mungojë, por asnjë s'do ta verë re, asnjë s'do ta kuptojë gjë dhe poshtë në pyje, në errësirë, mes gjethesh gjigande që shkëlqejnë nga vesa, do përgjojnë sy fosforeshentë, kthetra do duken të mbuluara me pushin e butë, dhe ato vija si prej kamzhiku në lëkurën e tigrit që pret, dhe në ujrat e ndenjur mbuluar me algë të përgjumur, buzë lumenjsh të heshtur, sytë sytë e krokodilëve, vetëm ato mi ujë si llamba me dritë jeshile, dhe gjithçka duket e heshtur, në gjumë, hëna atje sipër heq pas një re të coëptuar, kortezh mortor, dhe në rrugë të një qyteti asgjë s'pipëtin, dritaret janë shuar, vetëm nëpër dredhëzat plot gjethe se s'i prek askush, nëpër dredhëzat e një fasade me dritaret me kryqe hekurash, vetëm nëpër ato dredhëza duket në dritaren e bodrumit pranë dheut të një kopshti, ku ka vite që s'ecën askush, nga ato dy dritare duket dritë e fortë, që vjen si nga fundi i dheut dalin klithma të llahtarta, zëra burrash që i torturojnë, zëra që shuhen për ca çaste, pastaj papritur një thikë zëri që ther heshtjen si vetëtimë e fortë dhe e shkurtër, zë që duket se kullon gjak të ngrohtë, dhe kumrijat në çerdhet e tyre në degët e larta të pishave të atij kopshti ku s'shkel më njeri, zgjohen papritur, dhe flenë përsëri se janë mësuar me ato klithma natore, kur rrugët janë të shkreta, po as ditën njerëzia që kalon pranë kangjellave, s'hedh vështrimin brenda atij kopshti dhe në faqet e mureve me tulla të kuqe ku gjarpërojnë dredhëzat e gjelbëra që skuqin gjethet në vjeshtë, ajo shtëpi ka hyrë në qelizat e trurit dhe ka lëshuar metastaza, dhe klithmat pushojnë në të gdhirë, dhe njerëzia do të kalojë andej, dhe kumrijat do të lozin në degët e pishave atje lart, dielli do të ndriçojë, tullat e kuqe do të duken më të kuqe, dritat në dritaret e bodrumit do jenë shuar, do ecin njerëzit, dhe askush s'do dijë çka qenë në dritën elektrike të atij bodrumi, nesër do mungojë dikush, asnjë s'do dijë gjë, asnjë s'do të kujtohet, diku nëpër natë buzë lumi, do hedhin një trup në një gropë, do ta mbulojnë, do vijnë një tjetër natë, dhe një tjetër, shumë net, shumë net, varreza nën dhe do jetë zmadhuar pa një shenjë, në anë të një pylli do jetë një shtëpi e vogël druri, dhe atje dritaret do jenë të hapura, vera i ka lënë ashtu pa i mbyllur kur ka ikur.