Tashti që bie shi, tashti që pikat e shiut lënë njolla mbi pluhurin e verës që ka mbetur në qelqet e dritareve, tashti që lumi ka të tjera kujdesje dhe qiparisa atje tek ajo rruga e kaltër përkulet lehtë nëmajë dhe nuk duket më si letër e prerë dhe e ngjitur në qiell, tashti që deti është i hirtë dhe i gjelbër si qelqe të shisheve të thyera, tashti që deti hedh në breg kujtimet e delfinëve, tashti rrotat e makinave shkasin në asfaltin e lagur dhe dëgjohet sikur ecin mbi zamkë dhe jo mbi ujin e shiut, tashti që muzgu zbret aq herët dhe mi letër bie një ngjyrë pa emër që filtrohet nga perdet e vjetra, ajo flutur s'di asgjë, flutura që më ndali sipër supit tim një vit më parë, dhe që eci me mua që nga kodra e gjer në shtëpi, aty mbi supin tim të djathtë, mbase si sot, se qe vjeshtë, dhe duket qe mpirë nga stina e re që po vinte, dhe nuk shkëputej nga supi im, tek ecnim të dy nëpër rrugë, dhe njerëzit më thonin se kisha një flutur mbi sup dhe unë përgjigjesha se e dija, atëhere ata ndalonin me të vërtetë, jo më për fluturën por për mua, disa sekonda, dhe polici aty para dyqanit të pijeve më tha edhe ai se kisha një flutur mbi sup, dhe unë i buzëqesha pa i thënë asgjë, gjersa erdha tek shkallët e shtëpisë, aty gjithë fëmijët që luanin me copa tjegullash, aty përmbys mbi çimento, gjithë fëmijët u ngritën dhe m'u grumbulluan përreth me gëzim, dhe unë ngjis shkallët i qetë pa i parë, dhe ata, ke një flutur, ej, ke një flutur, pastaj dera që mbyllet pas meje, dhe flutura me mua në mes të korridorit, shihem në pasqyrën e gjatë, shihem ashtu sikundër duhet të më kishin parë njerëzia rrugës, qesh, ajo s'lëviz, dhe s'është flutur e vogël, është e madhe, besoj se është flutura më e madhe që kemi në vendin tonë, e bardhë, me krahët të shkruara lehtë me vija të zeza si të zebrës, me dy rrathë poshtë në dy anët e fletëve, dy njolla të ukura me pak të zi, me ngjyrë portokalli dhe një pikë blu të shkëlqyer, të gjitha bashkë në një rreth të vogël, por poshtë në dy krahët zgjaten dy bishta, dhe për këtë arsye kur i zinim, në fëmijëri, i quanim flutura me bisht, dhe zireshin më kollaj se çdo flutur tjetër, tashti e marr ngadalë me dy gishta, e heq nga supi, hedh sytë nëpër dhomën time, dhe shkoj dhe e vendos lehtë mbi trëndafilat që një ditë më parë i kam marrë në Kopshtin Botanik, dhe ato lëshonin një aromë velëse, aty e vura, dhe aty rrinte, si e mpirë, kaq shumë ta kish molisur vjeshta, megjithatë, jashtë qe diell i vakët, qiell i qetë, një verë e vogël, apo ndoshta edhe fluturat sëmuren, apo plaken, apo vdesin të reja, mbarojnë atëherë kur s'ka pse të rrojnë më, se e ndjejnë që aq qe ajo jetë efemere, sa një verë, dhe kur vera kushedi përse zgjatet pak, ato e ndjejnë që s'është e tyrja ajo copë vere, tuliten në vetvehte, shkëputen nga jeta, dhe presin, dhe e shihja nëpër hijen e dhomës tek e ngrinte gjyra violet e ekranit të televizorit, aty mbi trëndafilat që merrnin tjetër ngjyrë, dhe të nesërmen kish rënë sipër një libri nën vazon e luleve, dhe unë e vura ashtu të ngrirë mbi njërin nga ato abazhure plastmasi që varen në qoshe të dhomës, mbrapa televizorit, dhe aty mbeti gjithë vjeshtën, aty gjithë dimrin, gjithë pranverës e verës, dhe ja përsëri vjeshtë, dhe mbase si sot jemi takuar, tashti e shoh aty çdo ditë, mbase ka pluhur tek krahët, po përse erdhi të vdiste tek unë.