Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E premte, 10-10-2008, 08:40pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
 » Migjeni
 » Martin Camaj
 » Mitrush Kuteli
 » Mardena Kelmendi
 » Marin Barleti
 » Mimoza Ahmeti
 » Moikom Zeqo
 » Mehmet Elezi
 » Mehmet Kraja
 » Merita Bajraktari
 » Mihal Grameno
 » Milazim Krasniqi
 » Mark Bregu
 » Mirko Gashi
 » Mihal Hanxhari
 » Mëhill Velaj
 » Muhamed Kërveshi
 » Maks Gjerazi
 » Mustafë Xhemaili
 » Mimoza Veliu
 » Mimoza Hysa
 » Mehmetali Rexhepi
 » Martin Çuni - Antoni
 » Miri P. Dhrami
 » Merxhan Abdyli
 » Murat Isaku
 » Mexhid Yvejsi
 » Marash Mali
 » Mimoza Hametaj
 » Mujë S. Berisha
 » Mimoza Sali
 » Miradie Maliqi
 » Mazllum Saneja
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët M » Miri P. Dhrami
 
DJEMTË E XHA MUSAIT
E shtune, 22-12-2007, 12:56pm (GMT)

Sikur të kishte mbajtur dhe pak kohë socializmi, nuk dihet sa fëmijë do bënte xha Musai, që e filloi lindjen e tyre si me shaka, po si shaka Vunjotçe që thonë. Nejse, të mos e teprojmë, se thonë dhe tjetrën; “Gjithçka në jetë do të shkojë në shkronjë dhe shkronja e tij thoshte: Se aty nga vitet 60 të shkulet nga fshati i vet në Labëri dhe të “instalohet në kryeqytetin”e saj, në Vlorë. Me të shpejtë të martohet dhe nga 62, të lindë djalin e parë.” Kjo vërtet që e gëzoi, por jo në masën që mund të fantazonte dikush. Se të gjithë që e uronin, nuk e kishin idenë, se ku do ndalej Musa djali.
Kushtet për mbi prodhim, i plotësonte edhe nusja që mori, se vitin tjetër ajo lindi djalin e dytë, e një vit më pas tjetrin. Mandej bëri edhe një, më tutje dhe një tjetër. Pas një shkëputje të vogël bëri të gjashtin dhe menjëherë pak kohë mbasi kishte vdekur Enveri, e mbylli listën me një vajzë, që nuk di pse e quajti Envere. Ndoshta ashtu mendoi të përballonte ligështimin, ngaqë veshët nuk i dëgjonin më emrin e tij. Kushedi! Nuk di tjetër ç’të them! Ai vetëm nën hije të tij përfitoi gjithë atë grumbull me fëmijë. Ta harronte kaq lehtë?..
Enverja e vogël mes tërë atyre çunave, nuk dinte cilat duar të zgjidhte, kur ato i zgjateshin njëkohësisht për ta marrë një çikë hopa. Se ata ia tundnin aq fort duart para syve, sa e gjora hutohej sikur i kërcenin vallen e beqarit.
Djemtë dukeshin të mirë, të dashur, të dëgjueshëm, po kishin një të keqe; ishin shumë të varfër. Veç kësaj që nuk varej nga ta, ishte dhe tjetra; asnjëri nuk kishte dëshirë të mësonte në shkollë. Ktheheshin nga ajo dhe endeshin deri vonë tek Blloku i Orizit. Të gjithë kur mbaronin klasën e tetë, ngjanin nga mendja dhe trupi sikur ishin akoma në klasë të pestë. Kështu që, as për të filluar punë në frutore nuk ishin të zotë.
Apartamenti me dhomë e kuzhinë, i detyronte imcakët të flinin deri tek dera e banjës, ngjitur si sardelet në kuti. As tavolina në kuzhinë nuk i nxinte të gjithë. Ndaj, të vegjlit ishin të detyruar që të shumtat e herëve të hanin në këmbë, duke u sjellur vërdallë, me copën e bukës dhe domaten në dorë. Mes tyre, orën që përkushtoheshin në të ngrënë, nuk bëhej aspak rrëmujë.
Xha Musai, tek i shikonte që vërdalloseshin dhe në të ngrënë, tunde kokën sikur ritmonte me hapat e tyre. Kushedi, ndoshta bëhej pishman për gjendjen e krijuar, por tani ishte tepër vonë. Fëmijët, të heshtur ne vetvete ngjanin sikur luteshin ne një litani marramendëse, që dikur, dikush, t’iu sillte bollëk...
Siç mund të kuptoni dhe vetë, e përditshmja bëhej gjithnjë e më e vështirë për të shkretin Musa, që nuk e kuptoja, se ku u mbështet kur vendosi të bënte aq shumë fëmijë? (Këtu, nuk dua që ndonjë nga ju të mendojë se u mbështet tek muri, pa u shty me forcë përpara, drejt gruas, se këtë dramë do të ma kthejë në komedi. Apo ta lemë që gjithkush të mendoje si të dojë? Hajt, se kështu po e lemë.)
Të gjithë fëmijët ishin të dobët, por filluan të zgjateshin si kallami në bajgë dhe për çudi, sa më shumë që rriteshin, aq më tepër nxiheshin dhe ne fytyrë. Si zogjtë e korbit, që thonë. Por djemtë që rriteshin me halle, kishin dhe anë të mira. Njëra qe, se nuk dilnin kurrë nga shtëpia pa i krehur fort flokët e zinj, që si gjithë bashkëmoshatarët, nuk donin ti qethnin shpesh. Pastaj, të krehur viheshin në radhë mbi një poton buzë rrugës, që e quanin qoshen e vet.
Nga një herë, u kalonte pranë i ati me karrocën e kombinatit ushqimor, që ia patën dhënë me njëmijë ndërhyrje, për t’i “ndihmuar” pak rrogën... Karroca me një kalë e kombinatit, kishte të shkruar tek “sponti”emrin e komunistit Gjerman “Ernest Telman,” që e tradhtonte keq Musa ziun, sa herë ai dilte nga intenerari.
Po kur i gjente të gjithë fëmijët vendosur në radhë, duke tundur këmbët që u vareshin deri poshtë, e harronte frikën dhe me një krenari fukarai, donte t’i merrte fort në qafë. Po sa të qafoste gjashtë djem e një vajzë, kish mundësi të vonohej për aty ku ishte nisë. Kështuqë pa humbur kohë, nxirrte nga poshtë kapakut të bërë si vend për tu ulur, katër-pesë kavanoza bosh të marmelatës dhe, ua linte çunave me fshehtësi. Nuk duhej ta shikonte as hija e vet. Pastaj, largohej duke tundur kokën i gëzuar dhe me t’ia përveshur kalit nga barku atë llastikun e lidhur në majë të listelës si kamxhik.
Kali i ushqyer mirë, si çdo kafshë e shtetit në atë kohë, kishte ca bythë që nuk ia nxinte as shtanga. Kështu që, “bythëmadhi” dhembjen e kamxhikut të xha Musait, as që e llogariste. Tunde pak bishtin sikur thoshte; “Unë eci se dua vetë, se po të jetë për ty dhe nga kamxhikun tënd, nuk e luaj vendin çikë!” Por xha Musai ia kish mësuar huqet. Nuk qe ai i ditëve të para, që i thoshte “ec, kuqo!” dhe ai si kalë shteti, për respekt të zhvillimit kombëtar, bënte pas... Për pak karrocieri e kalonte kthesën, të vazhdonte i qetë punën e tij. Atëherë çoheshin dhe kalamajtë t’i shisnin kavanozat tek Markatua, pak më tutje. Me ata njëzet lekë që “fitonin,” blinin tre torona me pluhur sheqeri,
që i ndanin në mes. (Megjithëqë motrës së vogël, Enveres, i jepnin dy copë. Kështu shpjegohej që ajo rritej më rrumbullake dhe më e bardhë nga ata.)
Se të gjithë djemtë, mbanin nga një buzëqeshje të veçantë në buzë, por ajo kishte përherë një të qeshur të fortë. Shumë herë, e qeshura e saj tërhiqte dhe vëmendjen e kalamajve të kopshtit përballë, që loznin gjithë ditën brenda kangjellave të larta.
Më vinte habi kur i shikoja aq të varfër ata bashkëmoshatarë, por dhe aq të gëzuar njëkohësisht. Ndaj dhe nuk mund ta përshkruaj lehtë, këtë dukuri. Imagjinoja veten, nëse mund të rritesha i qeshur me aq pak ushqim dhe pa fare ëmbëlsira. Se ato tre torona pesë lekëshe që ata ndanin në mes, unë i doja vetëm. Djemtë kur mbaronin së ngrëni toronat, (që nuk besoj t’iu kalonte gjë poshtë, pasi ajo qe aq pak, sa humbiste midis dhëmbëve,) fshinin buzët të gjithë në një kohë, me ca lëpirje si me komandë. Atëherë bindesha se shija që u ngelej, ishte e pëlqyeshme.
Çudia tjetër ishte se, më të mëdhenjtë e gjashtëshes, kishin kurajë dhe shpesh ngacmonin vajzat që kalonin pranë plot naze. Ata, si të gjithë çunat e lagjes që mbushnin trotuaret përreth, përpiqeshin të tregoheshin para tyre ironikë, që të kuptohej se ishin të zgjuar dhe se zotëronin humor. Disa nga ato, duke u larguar u përgjigjeshin buzagaz se, “nuk ishin gati për më shumë në atë çast, por më vonë nuk i dihej?..” Kjo i bënte djelmoshat të shkriheshin dhe për dreq, e qeshura iu shkonte aq shumë, sa e ushtronin atë edhe kur e ngacmuara ishte fare bajate. Veçse ashtu tregonin dhëmbët e mëdhenj, që bënin një kontrast të pëlqyeshëm me fytyrën zeshkët thatake, e cila ta tërhiqte vëmendjen
menjëherë. Ndërsa “batutat” që lëshonin, ishin kopjimi më origjinal i humorit që prodhohej me bollëk në qytetin, ku i zuri hera të jetojnë.
Pastaj, për t’iu ngjarë disa kaubojsave që shihnin nëpër filma, pështynin përtokë. Gjë që ti sillte zorrët në gojë. Po sipas tyre, kështu shprehej madhështia e “gangsterit të padiskutueshëm...”
Me atë më të madhin e tyre ishim po thuaj vërsnikë, por ndryshonim diametralisht nga ngjyra, gjatësia, shëndeti si edhe interesat. Unë doja kinema, ai nuk donte ti dëgjonte as emrin. Unë doja teatër, ai as nuk e dinte ku binte. Unë lekët i prishja duke blerë ndonjë libër, ndërsa ai kishte filluar të pëlqente shijen e duhanit.
Kështuqë ne, sa herë rrinim bashkë, nuk diskutonim kurë për gjëra që na ofronte mosha. Unë e llogarisja për më të ulët, por dhe ai besoj, kështu mendonte për mua, gjersa nuk isha i zoti të kuptoja si ai, kënaqësitë e ndaluara.
Por xha Musai, si djem të mikut, na respektonte shumë. Çfarëdo që të kishte dollapi na i shtronte përpara. Por do ti, që dollapi i bukës asnjëherë nuk rastisi të kishte gjë. Bile as edhe bukë.
Nejse, mikpritja nuk duket nga dollapi, dhe nuk është logjike të mendosh, se duhet të ketë diçka në dollap, pa të shkosh për vizitë. Gjithashtu, nuk ishte logjike të prisje, që djemtë të duronin të uritur dhe të mos e hapnin e ta mbyllnin dollapin kot, qoftë dhe për ta parë, tridhjetë herë në ditë. Kështuqë, të gjithë mund ta marrin me mend, se djemtë nuk e kishin njohur ndonjëherë dollapin plot.
Por xha Musai që vendosi të bënte familje të madhe, dinte t’i merrte masat. Mbante gjithmonë poshtë kapakut tek vendi i karrocës që ulej, disa shishe bosh, të cilat i vidhte nga arkat e kombinatit, kur i shikonte që prisnin në diell, për t’u mbushur me lëngje pijesh të ndryshme.
Ai ishte një rregullator i mirë i veprimeve, që mbanin në këmbë gjithë shtëpinë. Nga ana tjetër, e shoqja bënte sikur turpërohej pak për rastet, kur shtëpia nuk kishte as bukë. Por e kalonte shpejt, se nuk qe as hera e parë, dhe as shpresonte të ishte e fundit. Ndaj, e kishte mbledhur mendjen, top.
Për ato raste, ajo dukej sikur thoshte nëpër dhëmbë; “Musai le të këpusë qafën! Të gjejë vetë bukë e gjellë tani që na duhet. Se ai ishte atëherë, që donte të bënim kaq shumë fëmijë. Unë kurrë nuk pata faj. Unë vetëm iu binda dëshirave të tij gorrilljane, dhe asgjë më shumë!”
Kështuqë, duke mos ndier aspak faj për realitetin, ajo kurrë nuk bënte gërnjë. Qe diçka e çuditshme që ndodhte me atë çift, se xha Musai në çast fillonte sinjalet, që çdo gjë të rregullohej... Ai i mesmi si më atlet, merrte shpejt çelësin nga tabarua e të atit, dhe derdhej me vrap për tek kashuni i karrocës.
Pasi merrte shishet e vjedhura në kombinat, rendte të bënte shitjen e tyre sa më parë. Kur mbaronte me atë punë, turrej të blinte ndonjë gjysmë buke dhe gjysmë kile sardele, nga ato më të lirat, që ngeleshin në fund të banakut.
Të gjithë ata që prisnim në shtëpi rreth mikut, nga padurimi ngriheshin e uleshin me radhë, si valvulat e motorit me avull, për të parë nëse vinte këmbëshpejti. Bile, ata më të vegjlit, e nxirrnin fare jashtë kokën nga një xham i thyer i dritares, si ata spurdhiqët e dallëndyshes, për të lajmëruar të atin, që porsa të dukej “furnitori” tek cepi, të vinte tiganin në zjarr.
E ëma e tyre, gruaja e xha Musait, për të treguar nikoqirllëkun e saj, nuk priste më ulur. Fillonte të pastronte diçka, ose të sistemonte shtresat e gjumit që gjendeshin të hedhura nëpër shtëpi.
Vetëm xha Musai nuk e lozte vendin. Priste gjithë ankth duke trokitur gishtat mbi tavolinë, nga frika se mos gjente si para pak kohësh, kur një nga ata të vegjlit që dërgoi për të blerë bukë, i solli mollë. Të shkretit fëmijë, i ranë në sy mollët e kamura tek banaku modest i Kadies dhe nuk duroi më. Bleu plot katër kile mollë.
Ajo ditë nuk i ikte nga mendja Musait, se kishte ngelë aq ngushtë para mikut, sa iu shpreh dy herë, se donte të vriste veten... Po nejse, sot le ta harronte. Ajo histori kishte kaluar, megjithëse mikut e atëhershëm, dreka vetëm me mollë, iu duk një pritje e rrallë. Por ndodhi e papritura. Për habinë e tyre, miku kishte nisur ti qëronte mollët, ndërkohë që ata e quanin hapur, egoizëm atë veprim...
Ajo familje nuk bënte mbeturina. I minimizonte në maksimum. Por ishte kali i xha Musait që e tepronte. Se pa trastë në bythë, ai dhiste gjithandej nëpër qytet bajga të mëdha, ngaqë Musai trastën e tij, e kishte shtruar poshtë bythës së vetë. Kishte dalë me konkluzionin se trasta e vogël, nuk mund t’ia mbante gjithë bajgat kalit të shtetit. Ata dhisnin shumë. Fare shumë, kështu që të paktën, të rrinte butë bytha e tij.
Diku në një cep të tavolinës së rrjepur, xha Musai vazhdonte të trokiste gishta padurimi, se mos “këmbëshpejti” i bënte prapë ndonjë mbrapshti... Por jo. Atë ditë djali me bukë dhe sardele erdhi.
“Bis bilahi”! -ia bëri xha Musai, duke e shtyrë tutje gjithë atë “siklet” që e kishte mbërthyer si sakat në karrige. Pastaj iu sul për ta puthur, teksa i mesmi i hutuar, vazhdonte të tundte në një dorë bukën dhe në tjetrën sardelet. Atëherë, xha Musai duke ia nisur një këngë labe, vuri tiganin mbi furnelë. Këtë e bënte gjithmonë kur donte të qe i sigurte për fundin e drekës. Sardelet i skuqte vetë.
Mbas pak, pranë i shkoi gruaja dhe vajza e vogël. Ajo, i vinte në gojë të voglës, disa nga sardelet e skuqura me gjithë bisht, që vogëlushja i kalonte si aspirina. Ndërkohë, nja dy a tre të tjera, i hodhi për të nderuar gojën e vet.
Xha Musai nuk fliste. Vazhdonte të lëvizte duart shpejt mbi tigan, si të qe një prestigjator i vërtetë. Por më kot, pjata me gruan pranë, nuk mbushej lehtë. Si përfundim ai i skuqi të gjitha dhe i ndau në tre pjesë. Por ato u pastruan më shpejt nga ç’i vendosi në tavolinë. Mandej djemtë shikonin sardelet e mia, që si shumë po ua zgjasja qëndrimin në pjate...
Nga çasti në çast, kishte mundësi të më kujtonin të ngopur, se barku i uritur e beson më lehtë të ngopurin, (e kundërta nuk ndodh) dhe të hidheshin të mi merrnin... Por atë ditë, nuk do ta lëshoja pjatën lehtë, se mu kujtuan “pordhët që u shisnin” vajzave në rrugë, dhe më hipi një kapriço e keqe. Më vinte inat që edhe të pangopur, edhe plot me dëngla!..
Ajo drekë, ndoshta ishte dhe e fundit tek miku i gjyshit. Se për disa ditë do lirohesha nga ushtria dhe do të kthehesha në fshat. Kurse ata do vazhdonin jetën të varfër, por në qytet.

* * *
Nuk kaluan tre vjet, dhe kufijtë e shtetit që ushtarë i mbrojtëm me fanatizëm, u prishën. Për pak ditë, vendi u bë sikur mbi të kaluan tërë uraganet e botës njëherësh. Ne humbëm si sëpata pa bisht në Mesdhe, kurse djemtë e tij ishin nga të parët që ikën nga Apeninet, dhe nga të parët që i dërguan babait të vet, një autoveturë në ngjyrë bubuzhine.
Xha Musai që e kishte mësuar rregulloren e qarkullimit, qysh nga koha kur ngiste karrocën e kombinatit, nisi të bënte nëpër qytet xhirot e para me veturë. Në një kohë, që ne nuk mundnim t’iu dërgonim tanëve, as rroba për tu veshur.
Ç’kishte bërë “vaki” me çunat e tij? Ku i gjetën paratë, që dërguan gjithë ato plaçka në Shqipëri, veç me tre muaj kurbet!? As Xha Musai nuk u gëzua për peshqeshet e djemve, ndaj filloi të shqetësohet nga bollëkun që iu krijua aq papritur. Druhej se mos ishin të vjedhura.
Por puna qe ndryshe. Të mëdhenjtë që u gjendën në një qytet nga krahu i majtë i Apenineve, një mbrëmje duke u sjellë vërdallë, njohën një italiane të re. Ishte disa vjet më të madhe nga i madhi i djemve, por kjo nuk i prishte punë as njërës palë. Ajo menjëherë solli edhe për të dy më të vegjlit, dy shoqet e saj më të “mira.”Kështu që të tre gjetën njëkohësisht, shtëpi, femra, plaçka dhe lekë...
Të gjithë shokët e tyre punonin aty këtu për të nxjerrë ditën e punës, kurse këta mblodhën gjithë plaçkat e vjetra që kishin italianet nëpër bodrume, dhe i dërguan në Shqipëri. U jepnin italianeve për ditë atë që “dëshironin” dhe shijonin pranë tyre jetën që ëndërronin kur hanin bukë me domate. Se përveç asaj pune që e dinë mirë dhe mizat, asgjë tjetër nuk dinin tre djemtë e rritur të xha Musait.
Nuk iu vinte dorësh as një zanat dhe punën e krahut nuk e kishin pasur qejf asnjëherë. Pastaj, tani që gjetën “parajsën”do përpiqeshin të mësonin nga profesionet? Të çmendur ishin? Po edhe sikur të donin ata, tani nuk i lejonin italianet të mësonin profesion tjetër. Për atë “punë”që i donin ato, ata e bënin mrekulli...
Të tre djemtë e xha Musait, kishin sjellë nga vendlindja “vegla” të reja, të pa konsumuara, që italianet nuk mund të mos ua shpërblenin me ato vjetërsirat e bodrumeve. Pothuajse iu përgjëroheshin “veglave” të tyre. Ndaj dhe u falën gjithçka.
Kështu që, të gjorët u zhytën rrufeshëm në jetën e bollëkut të plaçkave. Pastaj filluan ti shtojnë akoma bukuri asaj, me aventura kilometrash. Nisën të bëjnë udhëtime të gjata me italianet këmbëgjata, nga njëri qytet në tjetrin dhe prapë kthim. Në një nga këto udhëtime ndodhi dhe ajo që asnjë nuk do ta dëshironte. Makina me të tre çiftet brenda, doli nga asfalti i butë dhe ranë në një hendek. I madhi vdiq me italianen e të mesmit. I mesmi me italianen e të madhit u paralizuan për jetë. I treti shpëtoi me të dashurën e tij, vetëm me thyerje të këmbëve, të duarve si edhe të brinjëve në disa vende. Italiania që shpëtoi, për të mësuar diçka
më shumë për fatin që e priste, në lidhje me djalin e tretë, vizitoi një medium.
Ajo, sa e dëgjoi t’i fliste për të tretin, u ngrit nga vendi e tronditur, dhe filloi ti lutej që të heshte. Diçka donte ti thoshte, por nuk mund të gërshetonte as një fjalë. Mediumi, shikonte tek sytë e saj, se pranë atij, ajo do gjente vetëm vuajtje. Djali që kishte ardhur ana tjetër e detit, mbarte mbi shpinë një fat të zi, si nata. Ditët e bardha pranë tij mbaruan. Kështu që italiania ndoqi rrugën e saj. Djali i dytë u shtrua pa kthim në një spital për të vobektët. Vetëm i treti iu kthye xha Musait në shtëpi, copë-copë. Sot xha Musai, është trefish më i varfër.

Janar 2004.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
JAKOPSI (22-12-2007)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Miri P. Dhrami

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]