-Zotëri, u binda se veshët tuaj nganjëherë u cirizin* rrëqethshëm, si e çjerra e frenave të trenit tek ndalet i shpejtë në stacion! -i tha qetë mjeku plak, që i kishte të gjitha flokët si djalë i ri.
-Jo nga një herë doktor, por shpesh herë! –ia ktheu mesoburri i dërmuar shpirtërisht, me çehren e ankthit vizatuar në fytyrë, si të priste nga çasti në çast t’i kalonte nëpër veshë, “treni”i doktorit.
-Kuptohet qartë, i dashur! Veshët iu kanë pësuar një dëmtim të madh, që do na e vështirësojë punën! –sqaroi bluzëbardhi akoma më i qetë, sikur ti recitonte një varg magjeps. Por mos u tronditni! Diçka do të bëjmë dhe për rastin tuaj! –vazhdoi ai jo konkret, vetëm sa për ta qetësuar.
-Doktor, mos keqësohen fare! –ia bëri i frikësuar mesoburri, që po e humbiste edhe shpresën për shërim, siç po humbte dëgjimin. Kështu që, fjalët qetësuese të doktorit,i përkisnin veç pjesës psikologjike të mjekimit dhe nuk mund ta ndihmonin në dëgjim. Me siguri që ai do të vuante atë shurdhërinë neveritëse, të cilës i trembej se do dëgjonte edhe nga goja e mjekut më të mirë, për ti ndërprerë përfundimisht krejt vizitat.
Shikimi i mbetur lart i rrëshqiti gjithandej nëpër muret e dhomës së vogël, të mbushur me skica dhe skulptura veshësh të stërmëdhenj. Për një çast, u mundua që tek njëri nga ata, të gjente se ku mund të ishte stacioni dhe, prej nga mund të vinte “treni” i nxituar, që do ndalonte aty duke u çjerrë!.. Por më kot! Në atë tunelth mungonin shinat dhe nuk po kuptonte se si doktori kishte përfunduar tek ai krahasim, që pacienti të bindej se diku brenda veshit të tij, “trena” të çmendur shkëmbeheshin me nxitim... Ai vetë atë zhurmë prej dhjetëra vjetësh, e quante “kënga e minjve.”
Dhe pikërisht diku aty brenda, tek tunelthi i veshit prej skulpture, ai tani po vërente një “miush” të skrupullt, që e bëri ta çojë menjëherë dorën tek veshi i tij. U drodh lehtë.
-Po ju kalon “treni”? –e pyeti doktori me keqardhje, tek ndiqte lëvizjet e tij të shqetësuara.
-Jo treni, doktor, por miu me këngën e ngjirur. -ia ktheu pacienti që i pëlqente midis të dyve, të zgjidhte më të voglin. “Po, po, miush këngëtari!”-vazhdoi ai me këmbëngulje, duke e bërë doktorin të bëjë cepat e buzëve në gaz.
-Interesant, po më kënaqni! Nuk mbaj mend, nëse pacient tjetër këtë fishkëllimë karakteristike të dëmtimit të timpanit, të ma ketë quajtur “kënga e miut.” Ndaj, pa ngurrim po iu them, se me të vërtetë jeni një njeri i këndshëm.
-E pranoj, doktor! Se qysh kur nisi të më “këndojë” miu në veshë, një kënd të shtëpisë kam zënë e rri. Kështu që i këndshëm jam! –ironizoi i dëmtuari për lënien mënjanë të vetes. Ha ha!, qeshi fort doktori, duke i peshuar të porsa vizituarit lehtë në zverk.
–Ju keni një humor të hollë, që tek njerëz të rrallë e ndesh! –vazhdoi doktori i kthyer nga ana tjetër, duke pëshpëritur shprehjen e porsa dëgjuar; “kënga e minjve.”
-Sikur të kisha dhe veshë, më mirë do ishte!-tha dhe heshti. Po ju doktor, përse habiteni? Nuk keni dëgjuar ndonjëherë i vogël këngën e minjve? Unë atë këngë kam dëgjuar të parën! –tha disi i prekur ai dhe humbi në kujtime.
* * *
Shtëpia jonë ngrihej në fund të fshatit. Diku më tutje kalonte përroi, ku një pjesë e ujërave të tij, dridhte rrotën e madhe prej druri të mullirit, që shpesh duhej forcuar me litarë të linjtë. Ata, këputeshin si presh nën peshën e ujit, se kërkonin duar të forta për tu shtrënguar. Por plaku, që ishte im gjysh, ngeli fillikat kur i morën djalin në burg dhe askush nga fshati nuk afrohej ta ndihmonte ngaqë kishin frikë.
Ndaj gjyshi priti sa unë iu bëra krahë. Pranë tij, asnjëherë nuk kuptova kur ishte natë dhe kur bëhej ditë. E kisha humbur masën e kohës, siç humba dhe imazhin e babait, që kur iku më la dy vjeç. Tani fjala “më la”është gjetur e thuhet, se në të vërtetë e morën me pranga. Na mbetën vetëm një palë opinga të tij. Nga malli njërën nga to e shtrëngoja fort në gji. Me të bija dhe me të ngrihesha nga gjumi. Të shtëpisë mundoheshin, por nuk ma largonin dot as këpucën dhe as mallin për babanë. Veç sa më kurdisnin të qaja pa zë. Atëherë, shtrëngoja opingën e vjetër të tij dhe prisja. E ndjeja se një ditë ai do të kthehej. Këtë besonte dhe gjyshi, që i kishte humbur
fjalët si të qe vëllai im në atë humbje... Nga goja e tij vetëm disa fije mustaqesh hynin dhe dilnin, pas llullës së gdhendur nga piks. Shikimi i tij qysh nga dita që më morën babanë, tretej gjithandej pa përcaktim.
Shpesh herë, duke mbajtur në prehër një opingë të babait, i afrohesha për ta qetësuar, por ai dëneste më keq. Lot të verdhë i pikonin nga faqet e grira, që humbnin tek gardhi i përzhitur i mustaqeve. Për sa kohë më shikonin me opingën në gji, të gjithë prekeshin. Po kur lozja dhe opingën e harroja diku, ktheheshin e më shtrëngonin me të njëjtën dashuri, siç shtrëngoja unë opingën!
-Vazhdoni i dashur, po iu dëgjoj i emocionuar! -e nxiti doktori.
-Vonë kuptova pse gjyshi më merrte në mulli! -ia nisi befas burri me problem në dëgjim. Donte që të ndahesha nga opinga e babait. Por aty rreth gjashtë vjeç, opingën e lashë vetë. U shkëputa me “lodrën” time të shtrenjtë, në një kohë që nëna, gjyshja dhe hallat më flisnin duke më buzëqeshur si të isha ende tre vjeç. Me atë formë, kërkonin të mësonin se nuk ishte ndonjë traumë psikike ajo që më bëri mbas kaq vitesh, të braktisja opingën e babait tim të dënuar. Ndaj, tek i shikoja që më buzëqeshin u buzëqeshja dhe unë, por me frikë.
-O bo bo, na iku djali! –thoshte një hallë fshehurazi tek shikonte në fytyrën time, një buzëqeshje të ngrirë, e cila kishte munguar për vite me radhë.
-Luaj vendin e mos fol ashtu, moj korbë! -ia priste gjyshja, që me atë fjalë i mbyllte gojën asaj, por shkatërronte edhe buzëqeshjen time.
-Ja, e shikon, e preu buzëqeshjen. Diç ka! -vazhdonte halla për ta bindur plakën e gjorë, se ishte siç thoshte ajo, ngaqë unë qeshja dhe heshtja në çast. Atëherë nëna nuk priste sa të shtrihesha për gjumë dhe të më afronte përsëri këpucën, që kur të zgjohesha të më studionte reagimin. Por unë isha lodhur duke shtrënguar qysh dy vjeç, një send të pagojë, që ato net të frikshme nuk më pëshpëriti as një ninullë të thjeshtë. Në ato net kur qielli rridhte pa pushim, por zjarret e vetëtimave në gjirin e tij, nuk mund t’i shuante lehtë. Ato ndizeshin më tepër në atë shi...
Kur u bëra shtatë vjeç dhe kisha kaluar plot një vit, që të gjithë para meje herë qeshin dhe herë heshtnin sikur t’iu lozja një herë komedi dhe një herë tragjedi, vendosi gjyshi të më merrte përditë në mulli. Eh,sa punë që bëja! Por para se të bëja diçka,i ngjisja gjithmonë nga përpara pyetjen “Pse?”
Me këtë formë munda ta bëja dhe gjyshin të fliste, që kur niste të rrëfente, mulliri heshte. Por plaku kthehej me rrëmbim nga rrota dhe ajo merrte hov. Ishte i çuditshëm ai “mirëkuptim” midis tyre! Po kaq vjet bashkë, nuk do ti mësonin huqet njëri-tjetri!?...
Kur lodheshim shtriheshim diku aty pranë, mbi ca shtresa të zbardhura nga mielli. Atëherë, në një qetësi të plotë, dëgjoja një zë të hollë që çirrej dhimbshëm sa të ngjethte mishin.
-Pse trembesh, o bir? Është kënga që bëjnë minjtë para se të flenë!
-Po pse, këndojnë minjtë gjysh? –e pyesja tek i ngjishesha në gji.
-Nga kënaqësia, o bir! Të ngopur gjer në veshë, mblidhet tok e gjithë familja dhe këndojnë për jetën e qetë!
-Sa inat më vjen që ne nuk dimë të këndojmë! -ia prisja rrëfimin.
-Dimë, por nuk mundemi se na qan shpirti, o bir! -ma kthente urtë ai pa e prishur heshtjen, që unë ta shijoja këngën e minjve deri në fund. Teksa i dëgjoja mendoja nga brenda; sikur zërit të tyre të ngjirur t’i bashkoje dhe ritmin troshak që bënin ngasëset e bereqetit, çfarë mund të dilte!? Me siguri një marsh mpirës revolucioni!...
Por minjtë nuk këndonin kur mulliri punonte. Kënga e tyre lartohej veç në qetësi, atëherë kur veshët tanë kërkonin të pushonin. Por nuk kalonte shumë dhe një rreze dielli që shponte si turjelë një vrimë mbi çati, e ngacmonte lehtë gjyshin në fytyrë. Ai brofte sikur do matej me turjelën e shndritshme. Ndërkohë e ngjirura e minjve, kishte pushuar. Por në veshët e mi ende vinte rrëqethëse, kënga e tyre e gëzueshme.
Disa vite më vonë, e dëgjova prapë këngën e minjve. U turbullova se mu kujtua gjyshi që nuk ishte më, por duhej të përmbahesha. Askush nuk mund të ligështohej në aksionet e rinisë. Aq më tepër unë, që babanë ma kishin ngujuar mbas hekurash. Në barangat e aksionit, minjtë dëgjoheshin dhe më të çjerrur se tek mulliri i vjetër, që kish heshtur për gjithnjë. Tani këngë-çjerrjes së tyre, mundohesha me fantazinë time t’i bashkoja ritmin goditës të kazmave. Por më kot. Ky kombinim nuk mund të krahasohej kurrë me “marshin”e mullirit tonë. Se kazmat e shtonin ritmin përditë dhe minjtë e ngjirur nuk mund ta ndiqnin kurrsesi...
Pas disa kohësh përsëri u ndesha me këngën e minjve. Ishin minjtë e hidrocentralit që nuk pushonin natë e ditë. Unë kurrë nuk do besoja që minjtë mund të këndojnë edhe ditën! Këngën e tyre e kisha dëgjuar veç natën. Por kushedi! Ndoshta ngatërroheshin mes turnesh pa fund, si unë dikur pranë gjyshit...
Më erdhi keq për minjtë e gjorë. Ata nuk duhej të këndonin natë e ditë. Zëri i tyre i ngjirur kështu do t’iu mbyllej krejt. E kjo gjë, do ishte anormale për veshët e mi. Por nuk kisha mundësi t’iu tregoja se ditën duhej të flinin dhe vetëm natën të këndonin, ose anasjelltas.
-Vërtet, po më mahnitni! –ndërhyri i entuziazmuar doktori, që e kishte vendosur kokën midis dy veshëve të varur mbi mur, si t’i thoshte; “shiko me çfarë veshësh po iu dëgjoj!” Por u shkëput që aty dhe i erdhi pranë. Pacienti ia nisi përsëri.
-Sikur të më dëgjonte ndonjë dërrasë e barakës, të pëshpëritja diçka të tillë me minjtë e hidrocentralit, me siguri që do më çonin të gjeja babanë...
Po nuk vonoi dhe erdhi babai e na gjeti. Nuk mund të them se i ngjante gjyshit, me atë fytyrë të holluar e të stërzgjatur, që të jepte përshtypjen se kishte jetuar nëpër vrima të ngushta, duke u zvarritur. U pendova që mendova kështu për babanë tim, por e shikoja si një burrë të huaj, që më fyente tek ma përqafonte nënën me aq zjarr. Besoja se paraqitja e tij mbas të njëzetepestave, ishte e tepërt. Megjithatë e përqafova. Mu kujtuan opingat që më la kur “iku” dhe u preka ashtu siç prekej gjyshi, tek më shikonte me to në duar.
Babai me zërin e ngjirur, që aspak nuk i ngjante zërit të gjyshit, diçka donte të më thoshte. E folura e tij më gërvinte në veshë. Seç kishte diçka të ngjashme me këngën e minjve, që e bënte të frikshëm. Në fakt, kjo nuk është normale që ta përngjasësh babanë me ta, por ai nuk mori inat. Veç shkrihej në gaz duke më kujtuar atë fjalën e dikurshme të gjyshit; “minjtë këndojnë veç nga kënaqësia!..”
Nuk mbaj mend kush tha, se mbas kaq vitesh ndarjeje, i ikuri pritet me këngë! Unë nuk doja këngë. Nuk mund të besoja, se do këndonim më bukur nga minjtë që kisha dëgjuar gjithë jetën. Por babai nuk priti. Ia mori i pari me një zë të hollë e plot variacione, që minjtë të cilët kisha dëgjuar në çdo anë, do kishin zili.
Nuk u përmbajta dhe ia thashë atë çka mendova. Ai përsëri nuk u prek. Qeshi fort duke më bërë të kujtoj, se ishte zhveshur krejt nga ndjenjat. Por nuk ishte ashtu. Për pak ma ktheu i dhimbsur, se edhe minjtë e tij që la mbrapa në qeli,(të cilët unë nuk i kisha dëgjuar ende) do ta kishin zili atë të kënduar...
Kështu i dashur mjek, familja jonë me të parin gjyshin, bëjnë tre breza që shijuan gjer në ngopje, vetëm këngën ngjirur të minjve...
Shkëputur nga libri me tregime; NJË FIZARMONIKË MES MALESH
Athinë 2006.