Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 10:18pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
 » Migjeni
 » Martin Camaj
 » Mitrush Kuteli
 » Mardena Kelmendi
 » Marin Barleti
 » Mimoza Ahmeti
 » Moikom Zeqo
 » Mehmet Elezi
 » Mehmet Kraja
 » Merita Bajraktari
 » Mihal Grameno
 » Milazim Krasniqi
 » Mark Bregu
 » Mirko Gashi
 » Mihal Hanxhari
 » Mëhill Velaj
 » Muhamed Kërveshi
 » Maks Gjerazi
 » Mustafë Xhemaili
 » Mimoza Veliu
 » Mimoza Hysa
 » Mehmetali Rexhepi
 » Martin Çuni - Antoni
 » Miri P. Dhrami
 » Merxhan Abdyli
 » Murat Isaku
 » Mexhid Yvejsi
 » Marash Mali
 » Mimoza Hametaj
 » Mujë S. Berisha
 » Mimoza Sali
 » Miradie Maliqi
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët M » Miri P. Dhrami
 
DIVANI I DAJËS
E enjte, 14-02-2008, 07:59pm (GMT)

Besoj ta ketë hedhur daja divanin e vjetër përgjatë kuzhinës së ngushtë, i cili në ditët me miq kthehej në krevat. Mbi të, format e  sustave që shtynin lart damaskun e roitur, shquheshin aq qartë, saqë kur doje të uleshe, ishte mirë që  ndonjë nga ata rrathë, ta llogarisje në qendër të të ndenjurave. Vetëm  ashtu  mund  të qëndroje disi mbi të. Nga ana  tjetër, kjo përpjekje kishte edhe dy anë  të mira. Njëra ishte se të krijohej ideja që ashtu susta ndoshta do zbutej për gjumin e natës, dhe tjetra; kur  fshihje poshtë vetes ndonjë ngërçosje telash, bëje që edhe daja të mos ndjehej keq.
      Megjithëse kjo e fundit është pak e diskutueshme. Se daja edhe kur ishte në pikë të hallit, vetëm buzëqeshte dhe përshkënditja e imagjinatave që ndizeshin duke ndenjur mbi atë divan-krevat, nuk mbante gjatë. Nejse, le ta vazhdojmë tregimin për ndenjësen me dy emra. Kështu që porsa çoheshe, zhgënjeheshe për të dyja ato që thamë. Sustat kryeneçe zinin menjëherë vendin e mëparshëm dhe daja i vërente i prekur, sikur ato atë çast  iu shtuan numrit të pabindurave, nga e prekura e të ndenjurave të mikut...
       Pastaj, shikimi i lënduar i tij derdhej mbi “mysafirin” që as njërën dhe as tjetrën nga ç’pati imagjinuar, nuk  mundi  të realizonte. E si të mos i mjaftonte  kjo, të ndenjurat  e tij përfitonin edhe një rreth të zi nga poshtë, ngaqë  susta e fortë ta ndalonte krejt qarkullimin e gjakut. 
       Por kjo ishte më e parëndësishmja. Se unë sa herë që isha gjendur në atë rol, kisha parasysh vetëm merakun e  dajos, ku mbas pritjes së parë, na  përcillte duke na  qëlluar lehtë në sup; “Ngado që të shkosh, o bir, në darkë këtu, ë..,  tek daja. More vesh? dhe mos u vono rrugëve!” Po ne në atë qytet,  për ato të shkreta rrugë shkonim.  A kishte  kuptim fjala;“Mos u vono rrugëve?”
     -Mirë o dajë, mirë!-ia ktheja duke  fërkuar prapanicën dhe dilja në shkallë, ku dëgjoja shkarazi dhe dublimin për mos vonesën, që i bënte atij dajkesha.  
     Pasi endesha  më kot disa orë,  nëpër qytetin që lyhej me aksion të dielave nga vetë qytetarët, aty afër mbrëmjes  kthehesha “i ngopur” me shëtitje   tek daja.  Porsa ai më hapte derën, e para që bëja  ishte të zgjasja kokën gjithë merak, për të parë në se kishte bujtur dhe ndonjë tjetër. Sikur të  kishte ardhur ndonjë  djalë  nga  fisi jonë, daja na  flinte të dyve bashkë në divanin krevat, njërin nga koka  dhe tjetrin nga  këmbët.  “Edhe si vëllezër, alla! Mos goditij në gjumë!” -na thoshte gjithë mirësi, dhe  shkonte i kërrusur në dhomën e lyer me ngjyrë gurkali.  
      Po të kishte ardhur  ndonjë vajzë nga  fisi i dajkeshës, atëherë si i bëhej hallit!?Apo nuk ishin të gjata e të bukura si statuja mermeri ato! E si të mos  iu mjaftonte bukuria, dreqkat ishin dhe të zgjuara.  Ndaj, të gjitha sa kisha njohur rastësisht, vazhdonin  shkollat e larta.
       Në  fakt, e dija mirë  se po të kishte ardhur ndonjëra nga ato, unë  patjetër do të flija përtokë, diku pas derës në korridor. Por nuk  zemërohesha. Vetëm në ato raste e pranoja me kënaqësi të fjeturin përtokë. Se dersa shtriheshim për gjumë, flisnim e qeshnim  aq shumë  bashkë, sa  i duhej dajkeshës të ndërhynte me një kollë si të hyzmeqarëve, që të na kujtonte se nuk  duhej  të tregoheshim aq të afruar. Pastaj, si i zënë në faj unë shikoja dajën, që akoma  nuk e kishte kuptuar pse kollitej aq rëndë dajkesha...
       -Të kam thënë kaq  herë, moj e uruar, pa të zënë kolla të bësh çaj! –i kthehej ai dhe vazhdonte të na qeshte, që ta mbante në moto harenë e mbrëmjes.
      -Do ta bëj nesër në mëngjes!.. -i përgjigjej ajo e tjetërsuar, ngaqë plaku nuk  kishte nuhatur asgjë, por vazhdonte të qeshte e të fliste me ne, si të ishte vogëlush. Nejse, kjo s’mbante gjatë, se kolla e  dajkeshës  bëhej  aq e  fortë, sa  biseda jonë zbërthehej krejt. Pastaj ndërhynte përsëri daja, dhe ne rifillonim humorin e ndërprerë, por si tek çdo gjë e ngjitur dhe humorit tonë i dallohej plaga e ngjitjes.     
      Vetëm në një moment, kur ne  përmendëm në vija të përgjithshme  se si  mund të ishte demokracia, humori i tij u rrafshua. Befas i iku goja pak shtrembër, thua e goditi paralizë. Por nuk vonoi dhe u  përmend, duke na këshilluar të ndërronim shpejt bisedën. Në çast diskutimi jonë kaloi  tek filmat, e prej aty tek  librat, mandej tek rrobat, e kush e kujton më  se si përfundoi biseda atë natë të gjatë  dimri, mbi divan-krevatin e ungjit.  
     Ndërkohë që flisnim, vajza  nga fisi i dajkeshës  tregohej e pa zonja  të shtypte sustën poshtë vitheve. Ndaj  lëvizte gjithmonë, sa pak majtas, sa djathtas. Unë, meqenëse isha burrë dhe pak më i rëndë nga  ajo, bëja më parë sustën e divanit “zap,” pastaj i qeshja asaj triumfator.  Nganjëherë  shtypja edhe dy susta njëherësh. Po gjer aty. Më tepër as unë nuk  mund të zmbrapsja. Ndaj, për të përdredhurin  mbi divan,  vajzës mike tek daja, i jepja në heshtje gjithmonë të drejtë.
        Edhe për të veshurin me shije i jepja  të drejtë. Bile, dhe kur nganjëherë  i derdhej mbi sobë çaji ose kafeja, përsëri i jepja të drejtë. Se doja që  dajesha të mos e  çonte më nga  divani... Me pak fjalë, pranë mbesës së saj nuk e  kuptoja  sa shpejt vinte ora  për gjumë, që unë të largohesha për tek korridori, i shoqëruar nga një “natën e mirë” gjithë ëmbëlsi. Kurse ajo, kthehej mbrapsht  mbas  bufesë, dhe vishte pizhamat.
       Tek shtrihesha, shikoja mbi mur hijen e trupit të bukur të saj, që lëvizte aq hajthshëm. Por nuk më linte era që fuste dera e korridorit nga poshtë, ta shijoja gjer në fund. Ajo gati më çonte me gjithë lecka, ndaj dhe vononte të më zinte gjumi. Por edhe vajza që flinte mbi divan, sillej e përdridhej mbi susta, sikur flinte përsipër iriqëve. Teksa e dëgjoja që  mundohej të shtypte  sustat, me pjesët delikate të trupit, më vinte aq keq sa s’thuhet. Kështu që, isha gati ti thosha të kthehej në brinjë, se ndoshta trupi i saj i hollë e i gjatë, veç ashtu gjente  më mirë vend duke gjarpëruar midis sustave. Por nuk fola. Kisha hall, se  mos më dëgjonte dajkesha nga dhoma tjetër dhe e mbyste kolla pastaj...
        Për veten  time, bëja  një si mur mbrojtës nga mbrapa  derës, me gjithë shapkat dhe këpucët që gjendeshin aty pranë. Pastaj, i mbrojtur prej murit me këpucë,  nisja gjumin e  natës i qetë.  Jo, iu gënjeva! Se e  bëja  gjumin e natës, plot ëndrra. 
      Një herë mu  bë sikur sustat e divanit, natën nxirrnin mbi damask disa gishta çeliku dhe përpiqeshin  egërsisht  të ledhatonin, gjokset e bukur të  vajzës  nga fisi i dajkeshës. Por unë i kisha marë  masat. Duart e mia në ëndërr  ktheheshin  në dara  të fuqishëm, që këpusnin çdo  gisht metalik të sustave të pabindura. Për pak zgjohesha. Ai troku i darës,(trak, trak, trak,)që këpuste gishtat e sustave  gjithandej, nuk ishte tjetër  veçse e goditja e portës mbrapa  kurrizit, e cila përpiqej të më rrëzonte murin mbrojtës. Ndaj, porsa më ftohej  shpina, prishej dhe ëndrra. Përgjumësh ngrihesha dhe nisja ta rindërtoja nga e para murin me këpucë. Një çast, tek punoja ashtu  në errësirë, dëgjova të qeshurën e  bukur të vajzës nga soji i dajkeshës.
     -Të vjen për të qeshur?  -e  pyeta  zë ulët që nga korridori. 
     -Po! –ma kthehu e  qetë, gjë që nuk përkonte fare me gjumin mbi susta...
     -Çudi! –ia bëra për t’i treguar, se unë mund të qeshja më shumë  me të.  Ajo e kuptoi dhe në çast më pëshpëriti se nuk qeshte me mua, por me sustat e divanit që e gudulisnin keq gjithë andej. Atëherë ishte që mua më ikte fare gjumi. I imagjinoja sustat si duart e liliputëve, që mundoheshin  të fërkonin  trupin e një  Guliver-eje për ta përmendur, nga helmimi i shigjetave të tyre...
     -Ju po i bëni trupit një  masazh të mirë!  -e ngacmova  me zë të ulët në errësirë. 
     -Ta tregoj nesër masazhin  që po bëj!  -ma ktheu ajo po me humor dhe heshti për të kuptuar, se duhej të flinte ato pak orë që kishin ngelur. Duke pritur një fjalë të saj, edhe mua më merrte gjumi. 
      Meqenëse korridori ku flija, ishte  pika ku kryqëzoheshin  hyrjet  për në dhomë, në kuzhinë dhe në banjë,  më duhej të çohesha më shpejt  nga të tjerët,  për të mos  penguar  lëvizjen. Ndaj, vesha teshat e ftohta pa zhurmë, dhe dola në shkallë. Pak më tutje, hyra në kafenenë që pallati i dajos kishte përballë.
I  turbulluar nga nata dhe mbesa e dajkeshës, rufiksja me të dredhura çajin pa aromë, që gruaja e trashë e banakut, e bënte gjithmonë si shurrë. Për pak, nga pallati doli mbesa e dajkeshës. Qysh nga pas xhamit  ia bëra me dorë. Ajo duke qeshur nën buzë, mori  fill rrugën  për tek kafeneja.
       -Mirëmëngjesi, si u gdhive? –më pëshpëriti si të kishte frikë, se mos e dëgjonte  akoma dajkesha.
       -Mirë, po ti? 
       -Si mbi  susta. –mu përgjigj dhe u ul  e këputur  tek karrigia  pranë. Për pak, duke  zbuluar lehtë këmbët  e bukura, më tregoi dy të nxira nga rrathët e sustave, që i fitoi po atë natë tek divani i dajos.
       -Më vjen keq, -i thashë, pa  guxuar t’ia ledhatoja  për t’i ndjekur sado pak dhembjen.
        Atë mbrëmje, mbas provimit  tek ekonomiku, ajo mori  trenin për në  fshat. Unë u ktheva përsëri tek daja. Kur erdhi ora për gjumë, dajkesha  u ngrit  dhe filloi të më shtronte mbi divan. Tregonte pak e  prekur, ngaqë  sa herë i vinin mbesat, ato pa diskutim  do flinin  në divan. Ndaj merrte një  çehre fajësie, si të rrëfente; “dajesha të gjithëve iu do njëlloj..!”
      Unë tek kujtoja  rrathët e zinj mbi kofshët e bardha  të së mbesës së saj,  një herë më shkoi në mëndje ti kërkoja, të më shtronte përsëri në korridor. Por mendova ofendimin që do pësonte dajua, dhe nuk bzëjta.
     -Natën e mirë! –më  tha pas pak  e kënaqur, ngaqë  unë  të paktën, nuk ia ktheja fjalën. E mirëkuptoja gjithmonë...
     -Natën e mirë! –iu përgjigja të dyve në çast, që të lija  të kuptonin se, vërtet kisha për të kaluar një natë përrallore.  
       Pasi u përdrodha disa herë mbi divan, i vendosa këmbët mbi ato dy susta, që një natë më parë kishin nxirë vajzën nga fisi i dajkeshës. Duke qëndruar në atë pozicion, një sustë tjetër më shtynte në vithe, dy në shpinë, një në shpatull  dhe një në zverk. I shtyrë  po nga të njëjtat  susta, dhe po në  të njëjtat  pika  kyçe  të trupit, që një natë  më parë ishte  shtyrë trupi i vajzës nga fisi e dajkeshës, më zuri gjumi. Në mëngjes kur u zgjova, mu desh shumë të kthjellohesha. Kisha parë ëndrra me gjermanë...
                                          *      *      *
      Pasi kaluan disa vite, e takova përsëri vajzën nga fisi i dajkeshës. Ishte  martuar  dhe punonte  si shefe plani në një kooperativë të tipit të lartë.  I dhashë dorën  ngrohtësisht, si në ditët që ishim të rinj e qeshnim  gjer vonë.  E pyeta për familjen. Pastaj, duke ia mbajtur dorën, u zgjata dhe i pëshpërita  në vesh, sekretin  e rrathëve nga sustat, që më kishte munduar gjithë ato vite: “Përveç atyre dy rrathëve në kofshë, që më treguat atë mëngjes, ju kishit edhe një në vithe, dy në shpinë një në shpatull si edhe një zverk.”  Ajo nuk foli.  As  tregoi e befasuar. U turpërua  aq, sa të më lejonte që të mos  zmbrapsesha.
    -Atëherë kisha qejf  tua tregoja të gjitha. –më tha e skuqur në fytyrë, duke nënkuptuar edhe gjinjtë, që i mbrojti nga vrasja e sustave, duke fjetur gjithë natën me sytë në tavan.
    -Edhe unë kisha qejf ti shikoja mbi trupin tënd, para se t’i krijoja mbi timin!  –iu përgjigja mekanikisht. Buzëqeshi pak si atëherë. 
    -Unë  i kam akoma në lëkurë ato vula të zeza. Juve iu kanë ikur? -vazhdova  për t’i kujtuar netët rinore, që të mos mendonte se ato kishin mbetur shumë pas. Më buzëqeshi ëmbëlsisht. 
     -Më kanë ikur!-belbëzoi  si e dyshimtë për përgjigjen, dhe më tërhoqi për tek zyra. Vërtet, i kishin ikur krejt...
 
Athinë 2007.
 
nenpirgu@yahoo.gr


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
PEIZAZH PËR PAQEN (22-01-2008)
KËNGA E MINJVE (11-01-2008)
MBAS THOMAIT (22-12-2007)
DJEMTË E XHA MUSAIT (22-12-2007)
JAKOPSI (22-12-2007)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Miri P. Dhrami

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]