Doli ylli i karvanit
-lart mbi një botë një qiri-
E vështroi i jetimuar
Nga zëndani im i zi.
Pas një rreze që më hodhi
Lashë hadhin e po ik-
Ah, më falni, jam i mjerë
Pra po ik nga vendi i lik.
Po më doli para reja
Ma preu rrugën e karvanit...
S’kam ç’të bëj, do kthehem prapë,
Brenda ferrit të zëndanit.
Dhe do pres të dalë rishtas
Në mos sonte, tjetër herë,
Që të sulem si i çmendur
Nëpër qiej, nëpër erë.
Kush e di...do të gjej udhës,
Ndër ethire nj’yll me bisht-
Do t’i lutem të shpjerë
Lart e lart në Zoti Krisht.
Do t’i falem, përgjërohem,
Të më bëjë hi e baltë
Të më shkelin gjith të mirët
Pranë fronit tij të lartë.
Oh, për hir të Gollothasë
Dhe të brinjësë së shpuar
Prit, o Zot edhe dëgjoji
Gjithë tmerret që kam vuar.
Por në s’do as Zoti i jetës-
Sëkam ç’të bëj i mjeri unë
E le qiellin, zbres te ylli,
Doemos, me të përdhunë.
Pa kur ylli do kalojë
Zotëronjës, sipër detit,
Do të shëmbem tatëpjetë,
Shpirtin do t’ja jap lanetit.
Veç në dhe mos kthehm prapë,
Ku ka hekura, zinxhira
Orë e çast ta ndjekin hapin
Errësira...Egërsira...
Ah, më fal, o ti këndonjës
Se me fjal’ të turbulloj.
Jam në terr e jam i mjerë
S’di ç’të bëj, pra ëndërroj.