Prore po largohemi prej njëri-tjetrit,
mik i mirë e i vjetër!
Nuk e di se pse shumë kohë në zemër të kam bartur
duart shlirshëm t’i kam hedhur në qafë,
benë më të madhe e kam bërë për kokën tënde
dhe çdo takim m’është bërë një festë e rallë...
Atëherë edhe bota më dukej e madhe
me shumë dyer e fanarë...
Tash të ndarë rimë si dy zjarre
si dy halle,
radhisim n’kujtesë libra të moçëm
e femra të vdekura
por pak frymë marrim.
Moti sikur përgjysmë na ka thyer,
pak flasim,
pak ecim,
pak ëndrra shohim,
pak erë fryn në ballin tonë,
pak...pak...ndër sy pakëz dritë,
në dhomë pak ditë.
Kujtimet janë krimbur si mollët e s’hahen
në këmbë rrimë si gurë shahu...
Edhe sot të dua po s’di se si,
pak flasim,
pak ecim,pak erë fryn në ballin tonë
dhe larg rrimë si dy zjarre,
si dy halle...
Të dytë me bastuna në dorë,
të dytë të kërrusur mbi borë...