Në fushëbetejë do t'i nisësh këngët.
Mandej do të shkruhet emri në cep letre
Ku dinë të tjerët se ç'kalorës ishe,
Në zemër të betejës, në kënd të betejës,
Në pararojën e betejës, jashtë betejës.
Në fushëbetejë do t'i ndezësh këngët.
Në fushëbetejë do të lindin dashuritë.
Të gjithë do të flasin vetëm për dashuri.
Mbrëmjeve vasha do t'i kujtojë sytë e zezë,
Arkeologët do të flasin për gjurmët e shpatës.
Të gjithë do të kenë në sy verë me lule.
Në fushëbetejë s'do të vdesin dashuritë.
Në fushëbetejë do ta fitosh kalin e bardhë.
Do të ikësh beftë me trok të marrë,
Rrugët e gjata me pluhur e vapë do t'i kalosh,
Do të shkosh deri në pyllin e blertë,
Ta japësh mandatën për shpatat e shtizat e ngulura n'fushë.
Në fushëbetejë do ta shalosh kalin e bardhë.
Në fushëbetejë do ta zhveshësh shpatën vezulluese,
Në duelin e gjatë me ushtarin e zi, me ushtarin e zi.
Do t'i kryqëzoni shikimet, kërcënimet dhe afshin e gjakut.
Do t'ju kujtohen papritmas malet, vendlindja,
Dhe do të suleni me tërbim për t'i hapur varrin vetes.
Në fushëbetejë do të vringëllosh shpatën vezulluese.
Në fushëbetejë për diellin dhe nënën do ta dhurosh zemrën.
Ushtari i zi s'do të shkelë nëpër zemrën tënde.
Fusha do të përgjaket, do të kallet, do të ndrisë.
Vetëm një puhizë nëpër lulëkuqe do të shëtisë fushës.
Në fushëbetejë do të dhurosh zemrën për diellin dhe nënën.
1980